Copëza nga jeta e Petro Ninit- kthimi në SHBA, shkollat, miqtë dhe cilët ishin personat që e helmuan

1957
Sigal

Kapelebërësi i Kolonjës: Nuk kam klient me kokë kaq të madhe sa ju z. Petro!

 

Nga Vepror Hasani

 

Petro Nini Luarasit nuk i pëlqenin emrat ortodoksë grekë

 

Pas Papa Stefanit, edhe me Thanas Cicon, me t’anë e Vasil Durros u pajtua Petroja, me gjithë që njëherë e kishte hedhur në gjyq dhe një herë tjetër e kishte sharë rëndë. Më 1891 kur i lindi një djalë, Petroja e bëri kumbarë. Xha Thanasi ia pagëzoi me emrin Sotir për t’i ngjallur Petros një stërgjysh. Po Petros nuk i pëlqeu aspak ky emër i huaj. Inati iu shtua kundër nunit, kur tre vjet më vonë, në maj, një vajze ia vuri emrin Thomaidhë. Pastaj më 1896 kur vajzën e dytë ia pagëzoi me emrin Prosina, i tha kumbarës që do të kishte qenë më mirë ta kishte quajtur Ptu-sina!
Xha Thanasi, siç duket, kishte vendosur të merrte hakë kundër Petros, duke ia grëkëzuar fëmijët me anë të emrave

Është një besim i keq ndër fshatarët që emrin e foshnjës mund ta dijë vetëm nuni, se po ta marrin vesh prindërit, para pagëzimit, vdiskan foshnjat. Sido të jetë, djali i parë i vdiq motak dhe Prosina pas disa muajsh. Dhe pasi ia quajti edhe djalin tjetër me emrin grek Dhimitraq, e urdhëroi nunin dhe i tha:

– Kështu e tutje fëmijëve të mij do t’u vësh ato emra që do të them unë, përndryshe do ta prishim miqësinë
– Jo se mos të vdesin!- i tha kumbarja

– More më mirë të vdesin se të mbajnë emra të huaj! – iu përgjigj shqiptari fanatik.
Dhe kështu emrat e çuditshëm që duhej të mësonte përmendësh xha Thanasi për pagëzimin e fëmijëve të mësonjësit, ishin: Skënder, Shegë, Pirro…

A mendon se në ç’gjuhë më shave?

 

Petro Nini Luarasi niset për në Korçë të marrë drejtimin e shkollës shqipe. Me të mbërritur në Korçë, Petroja hyn në një han.

Ja çfarë rrëfen Nuçi Naçi:

Këtë vjet unë vinja në shkollën greke. Një ndajnat-herë të një dite janari zbriti në han të Kovit një kolonjar. Dyke u ngrohur pranë mangallit po i tregonte mikut të tij qëllimin e ardhjes. Do të bëhej drejtor në shkollën shqipe. Qe mbushur me idealizëm të flaktë. Dhe unë tek e dëgjonja, u mbusha me inat dhe s’durova dot, ç’më kishin thënë në shkollën greke kundër shqipes, ia flaka fytyrës që të gjitha këtij njeriu që po vinte mësonjës në shkollën shqipe. E shava sa munda – dhe mbarova.

Ay heshti; po më parë se të shkonja, më pyeti:

– A mendon se në ç’gjuhë më shave?

Ika, po më kapi pendesa. Pas pak kohe, u bëra nxënës i Petros dhe brenda vjetit zëvendës i tij në Ersekë dhe mësonjës i shqipes në Treskë

Çfarë na solle nga Amerika, z.Petro?

 

Kur Petroja u kthye nga Amerika në shtëpi, fshati e priti me gëzim dhe me të zbrazura pushkësh… Erdhi dhe një plak nga Penkollarët, Miti Kosta, i cili e kishte urryer Petron që prej asaj kohe kur i shau mjekrën e dhespotit të Kosturit. Hyri Xha Miti, me rroba të shajakta, të rreckosura, të arnuara dhe që prej derës i thirri në mes të kallaballëkut:

– Mirë se erdhe, or Petro Nini! A e pe? Gjynahu i fshatit dhe mallkimi i dhespotit se ç’të bëri: gjer prapa diellit të shpuri!

E Petroja duke i dalë përpara, iu përgjigj:

– Vërtet, mua më zunë mallkimet e dhespotit, o xha Miti, se i ndërrova katër-pesë palë rroba, po t’i ç’gjynah paske bërë, mor i gjorë, që me këtë gunë të lashë dhe gjene me këtë të gjeta?….
– Po mos ka qenë dhe yt atë myftar në fshat?

Dhe u përqafuan

Kushedi sa para ke sjellë nga Amerika, o zoti Petro!

 

(Petro Nini Luarasi kthehet në Korçë nga një udhëtim në Amerikë dhe Manastir)

Petron e kam hasur në Korçë…. I gjeta në dhomën e hotelit Manastir, të shtruar rreth një sofre, më tepër se njëzet shpirt: Petro Luarasi, Mihal Grameno, Çerçiz Topulli dhe shumë kolonjarë të tjerë…
Si u mbarua muhabeti, kur duallën jashtë, një mik e gjeti Petron, e përshëndeti dhe i tha:

– Kushedi sa para ke sjellë nga Amerika, o zoti Petro!

– Kam sjellë plot! – i përgjigjet Petroja: fëmijëve u solla babanë, nënës së tyre burrin, motrave vëllanë, Shqipërisë mësonjësin dhe miqve mikun e tyre, Petron!

 

Urimi i Petros: Rrofshim shumë e vdekshim me nder!

 

Në shoqëri qe shumë i dashur Petroja dhe miqësitë i ndiqte fort, dhe kur bëhej mik, qëndronte për tërë jetën. Shkonte për vizita ndër të kremte ose të diela ose ditë emri dhe për dasma dhe nuk i druhej asnjë harxhi. E kam dëgjuar të uronte, veç të tjerave:

Gëzuar! Rrofshim shumë e vdekshim me vaft e me nder!

Ose: Kush na bëri benë, hasmë pastë dhenë!

Kur e shtrëngonin më ndonjë dasmë për të hequr valle, kërcente labçe:

Kush do Shqipërinë, kush?
I miri Baba Alush
Nuk vdiq, në qiell rron
Dhe së larti na vështron!
Na vështron dhe na thërret:
Përpiqi për mëmëdhet
(Bëhet fjalë për Baba Alushin e teqesë së Frashërit)

Kush është më i pasur, ti me tri motra apo unë me tre vëllezër?

 

I ndyeri Thanas Cico Duro – ah sa burrë i mirë, – veç të mos kishte pasur vesin e të pirit! Hahej nga një herë me Petron:
– Fol, kush është më i pasur, ti me tri motra, apo unë me tre vëllezër?
– Prit, sa të vdes, o Xha Thanas. Do ta marrësh vesh prej kujes.

Në çastin kur e mbuluan Petron e mori vesh xha Thanasi që edhe Petroja paskësh pasur tre vëllezër; jo prej kujes së zemrave që zënë nga zemërimi, po prej asaj që ngjau rreth atij varri. (Kisha nuk u lejoi të qante kush)
Por për Petro Nini Luarasin vajtuan edhe armiqtë e tij.

 

Shakatë e Petro Nini Luarasit me kapelebërsin

 

Petro Nini Luarasi nga trupi qe mesatarisht i hedhur dhe shpatullgjerë. Ishte kokëmadh; kur vinte festen në kallëp, ishim ndodhur shumë herë bashkë. Qeshte gjithnjë me kallëpçinë dhe i thoshte:
– Të kam rënë më qafë se e kam kokën të madhe dhe lipset të bësh një kallëp të veçantë për mua.
– Ashtu vërtet – i thoshte kallëpçiu, – s’kam ndonjë myshteri me kokë kaq të madhe.
Dhe kështu vazhdonin shakatë gjer sa kallëpçiu e mbaronte festen.
(Nxjerrë nga libri “Petro Nini Luarasi”, i prof. Alfred Uçi)

 

Vdekja e Petro Nini Luarasit
Të mërkurën e 17 gushtit 1911, Petro Nini Luarasi nuk kishte ndërmend të shkonte në Ersekë, por e kishin kërkuar që një ditë më parë; ishte në lëmë duke hedhur vrahun, kur ia dhanë thirrjen. Nuk e mori mushkën, udhëtoi më këmbë për tri orë. Fillimisht u ndal në dyqanin e Anastas Borovës, ku bisedoi me një plak nga Lëncka. Plaku i prezantoi një djalë të ri, të sapo-ardhur nga Amerika; donte të martohej me vajzën e Petros. Përgjigjja e Petros ishte: “Biri im, familjen tënde e njoh dhe ti më dukesh djalë i mirë; më pëlqen të bënj krushqi me ju; por sot jo vajzë, por as lopë s’kam nxjerrë në Pazar. Miqtë unë i pres në shtëpi.”
Në Ersekë foli për shkollat shqipe që do të hapte atë vjeshtë. Petroja kishte përkrahjen e Kajmekanit (nënprefektit të Kolonjës), Mulla Nasufit nga Navosela, Baba Brahos nga Qesaraka, të shefit të Policisë së Manastirit, Haxhi Osman Beut, të miqve të tij patriotë Jaçe Duçja, Zenel Dauti, Riza Gostivisht dhe të shumë të tjerëve si Bajo e Çerçiz Topulli.
Për çeljen e shkollave shqipe foli edhe me grekomanët. Ata kishin krijuar një shoqëri me kryetar dhespotin e Kosturit, Joakimin, – armikun e Petros dhe sekretar doktorin grek, Joan Athanas Janulis.
Prej dyqanit ku kishte qenë, Petroja shkoi te farmacia e Janulit. Me të dalë nga farmacia u rrëzua përdhe. Gjithçka ishte përgatitur me kujdes. Kur Petron po e çonin në han, grekomanët nisën të thërrisnin: Petro Luarasi ka kolerën!… kolera!… kolera!… Luarasi ka kolerën!…. Kërkoi doktor Mihal Leshnicën, por nuk ia çuan. Njerëzit, për shkak të kolerës, patën frikë t’i afrohen për t’i dhënë ndihmë.
Në orën 17.00 u lajmërua familja: “Petro Nini Luarasi është i sëmurë.”
Të vetmit që hynë në han për ta ndihmuar ishin: motra e tij plakë e quajtur Jane dhe një fshatar i tij, Kozo Dhima. E hipën në mushkën e Kozo Dhimës dhe u nisën për udhë.
Po atë ditë, më 17 gusht 1911, para mesnate mbylli sytë përjetë në Gostivisht në shtëpinë e kushërirës së tij, Para Vasil Kita, e cila bashkë me të atin u therën nga grekët në maj të vitit 1914 te kisha e Shën Thanasit. Më 18 gusht e çuan në Luaras. Donin ta digjnin në gëlqere, por armiku i betuar i Petros, Dake Mali, i njohur për trimërinë e tij, nuk i lejoi: “Më parë digjem unë i gjallë sesa kufoma e Petros!”, tha ai.
24 vjet më parë, në gusht të vitit 1887, Mitropoliti i Kosturit, Qirilli, e mallkoi Petron në Kishë përpara bashkëfshatarëve te tij; i urdhëroi priftërinjtë që të mos e qasnin në meshë; i porositi miqtë e farefisin e Petros ta largonin “të nëmosurin” nga shtëpia dhe katundarët të mos e qasnin si mësues ne fshatrat – se Petroja kish dalë prej udhës së Perëndisë dhe qe aforisuar (mallkuar) dhe shkishëruar”. Pas 24 vjet luftë me Petron më në fund arritën ta helmonin.
Vite me vonë u vërtetua gjithçka: Petro Nini Luarasi ishte helmuar nga grekomanët..
(Referuar “Petro Nini Luarasi, Artikuj, studime, kujtime”, f. 150, 151, 152 dhe 170, 171)