Çlirimi i Dibrës së Madhe dhe i Peshkopisë nga forcat italiane në kapitullim

1195
Sigal

Abdurrahim Ashiku

Rrëfime nga ditari “Shtigjet e Lirisë” të Haki Stërmilli, kronisti i kohës që jep ngjarje dhe personazhe të betejës së madhe për çlirimin e Shqipërisë

Vijon nga numri i kaluar

2 nandor 1943

Pushka vazhdon të egërsohet. Shokët luftojnë tue këndue kangë revolucionare dhe tue brohoritë. Disa herë çeta të vogla të përbame prej 6-7 shokësh, dalin jashtë dhe i sulmojnë pozitat armike. Shokët Sul Baholli, Zeqi Agolli e disa të tjerë, dolën dhe bënë njifarë aksioni nëpër rrugët ku janë futë tradhtarët. Tipa të çuditshëm dhe të pamposhtun janë këta komunistët. S’e çajnë kryet për kurgja dhe s’e përfillin as edhe vdekjen!

3 nandor 1943

Sulme të dëshprueshme po bajnë anmiqtë kundër ndërtesës së shtabit, ku asht ngujue Jashar Kola me dhjetë shokë si Oso Kuka me 40 veta në kullë të Vraninës. Mbërrini poshtë qytetit çeta e Sllovës dhe menjëherë hyni në luftë. Gjithashtu edhe forcat vullnetare të komandueme prej Aqif Lleshit hynë në veprim përkrah partizanëve. Njoftohemi se anmiqtë po hedhin shishe me benzinë kundër godinës së shtabit, për me i djegë mbrenda heronjtë që qëndrojnë e luftojnë tue këndue kangë. Partizanët zjarrin e shuakan me truell që e marrkan nga bodrumet poshtë. Në këto kondita zhvillohet lufta, e cila tashma ka mbërri në kulmin e furisë. Duket sikur s’ka me me mbarue kurrë. Në këtë potere ferri s’dallohet ma kurgja, veçse gjëmimi i topave dhe shungullimi i mortshëm i mortajave. Ç’po ngjet? Luftë: vriten njerëzit. Përse? Sepse nji palë duen të rrojnë në paqe, qetësi e liri dhe pala tjetër ngulmon të sundojë me poshtërsi, me tradhti.

 

4 nandor 1943

Banorët e lagjeve na bien, pa u kërkue, ushqime dhe diftohen të gatshëm me u vu në shërbimin tonë. Disa gra e vajza, qysh në mëngjes herët u vunë në shërbim të shokëve të plagosun. Midis tyne asht e ama e Sul Bahollit, e Ibrahim Kasapit dhe vajzat Hibe Palikuqi, Sadosh Baholli e tjerë. Prej kaq ditësh e netësh lufta po vazhdon pa pra. Po tash masdreke ngjan sikur anmiku asht lodhë se nuk po sulmon më aq shpesh. Forcat tona morën urdhën të hidhen në sulm. Sulmi i shokëve partizanë jo vetëm që asht i vrullshëm, por edhe dërmues. Prandaj anmiqtë po zbrapsen dhe po i lirojnë pozitat. Ndërsa topat dhe mortajat tona po i gjuejnë me përpikeni pozitat e reaksionarëve, partizanët mësyejnë me tërbim. Anmiqtë po ikin të shpartalluem. Partizanët po i ndjekin.

5 nandor 1943

Qyteti u gdhini i lirë. I tanë populli asht në festë prej gëzimit të çlirimit. Të gjithë qytetarët janë të mbërthyem prej një habie që s’dijnë me e shfaqë dhe me e shprehë nga fakti i korrjes së fitores prej fuqisë sonë të vogël kundrejt forcës së madhe të anmikut. Kur i numërojmë forcat anmike të përbame prej ma shumë se 2000 burrash dhe fuqinë tonë prej 230-300 partizanësh e vullnetarësh të Frontit, mbeten me gisht në gojë. Të çuditun e shofin ndërtesën e shtabit të batalionit që asht ba shoshë prej plumbash e bombash dhe kur marrin vesh se aty nuk ka pas veçse 11 shokë, harlisen fare. Ata mahniten se s’dijnë nji gja. S’dijnë se nuk fiton as numri, as edhe mjeti luftarak, por ideali, vendosmëria e luftëtarëve. Në këtë luftë që zgjati katër ditë e katër net, ra dëshmor Jashar Kola nga Zerqani dhe një italian dhe u plagos Azis Asllani me nja shtatë të tjerë.
Reaksionarët patën 53 të vramë dhe afër 100 të plagosun.

6 nandor 1943

U formue Komanda e vendit me komisar Jashar Menzelxhiun.

7 nandor 1943

Që të mjekohen ata që vuejnë nga dhembja e dhamëve hapëm një klinikë ku ka me shërbye nji doktor dentist italian, natyrisht pa u shpërblye prej klientëve, mbasi ai mbahet nga pushteti. Shoqet Sadosh Baholli, Hibe Palikuqi dhe dy shoqe të tjera vendosën me qëndrue këtu në kazermë e me marrë pjesë në ushtri si partizane.

14 nandor 1943

Batalioni i Çermenikës me komisar Miço Kallamatën erdhi këtu me na ndihmue, në rasë se shfaqet nevoja me luftue edhe njëherë me tradhtarët e Dibrës, për të cilët pëshpëritet se janë duke mbledhë forca.

15 nandor 1943

Lajmet që vijnë e forcojnë dyshimin dhe na bajnë me besue se me të vërtetë krenët e Dibrës do ta sulmojnë qytetin, mbase sigurohemi se kanë sjellë edhe topa të marrun prej gjermanëve. Njerëz të besueshëm thonë se sonte do të mësyhemi. Prandaj po marrim masa e po përgatitemi për luftë.

16 nandor 1943

Sot, në orën 10.30 paradreke, plasi pushka. Qyteti u sulmue nga të tri anët. Tash lufta zhvillohet e egër dhe sa shkon shtohet furia e saj rritet..Tash, mbasdreke, anmiqtë filluen me përdorë artileri dhe mortaja të randa. Qëllojnë me përpikmëri. Kuptohet se janë gjermanët ata që gjuajnë me kaq saktësi. Artilerinë e randë e kanë vendosë mbi majat, tej urës së Spiles. Nji predhë e artilerisë anmike tash ra mu në strehën e dritares sime. Nji autoblindë, e mbetur prej italianëve, u riparue dhe u nis me krye aksione kundër pozitave anmike. Partizanët Hamdi Lleshi dhe Irfan Qilafku u armatosën dhe hynë brenda. Të shofim se sa do të na vlejë kjo armë armike në luftën që po bajmë me ish-miqtë e saj. Bashkia, shtabi i batalionit dhe kulla e Seit Dacit u gjuajtën randë dhe pa ndërpremje nji copë herë, prej artilerisë anmike. Qe e pamundun me qëndrue. Prandaj shokët që ishin ngujue në to ishin tërheqë. Gjëmon qyteti nga zhurma e armëve të ndryshme që vjellin zjarr e hekur. Artileria jonë s’po mundet me ba duele me atë të anmikut, se jona asht e kalibrit të vogël dhe s’e mbërrin. Autoblinda nuk mundi me ngadhënjye. Ajo paska shku jashtë qytetit dhe paska ndeshë në pritat e anmikut. Gjithashtu qenka gjuejtë edhe prej artilerisë anmike. Hamdi Lleshi dhe shoferi paskan ra dëshmorë. Irfan Qylafku qenka plagosë. Konfirmohet se armiqtë kanë sjellë edhe tanke. Para se të ngrysej artileria gjermane filloi me gjuejtë mbi qytet pa shënue pozitë e pa marrë shenjë. Herë pas here vijnë lajme për viktimat dhe numri i tyne po shtohet nga ora në orë. Në orën 10.30 para mesnate nisëm me u tërheqë, mbasi u bindëm se asht e pamundun me e shpëtue qytetin. Prej këndej, nga Okshatina, i lëshova sytë drejt qytetit dhe nji copë herë e kundrova me nji mallëngjim të përzjerë me dhimbje…

17 nandor 1943

Flaka e ndërtesave që u kanë dhanë zjarrin tradhtarët dhe gjermanët në qytetin fatkeq të Dibrës, si shtëllunga vneri e urrejtjeje, ngjitet në qiellin e heshtun para kësaj mënxyre. Pamja është me të vërtetë infernale (e skëterrshme) dhe jeta për ata rrezikzinj që gjenden në qytet, pa dyshim, asht ma se infernale. Sa ma shumë largohemi aq ma nalt ngrihen kah qielli krahët e flakës dhe të tymit, si duart e nanës së pikllueme, që, në kulm të dëshprimit, i zgjat përpara e përpjetë për t’u ankue, për të mallkue e për të shfry. Megjithqë jemi larg, dallohen, midis shumë të tjerave, shtëpitë e Haxhi Lleshit, të Haki Shehut, të Niko Tankës, të Shahin Kundraxhiut e të tjerat që po digjen e shkrumohen. Çlirimi i Dibrës së Madhe dhe i Peshkopisë nga forcat italiane në kapitullim, heroizmi i partizanëve për mbrojtjen e qytetit nga rreth tremijë forca gjermane dhe bashkëpunëtorë të fashizmit, operacioni gjerman i koduar “Edelweis” pararojë e Operacionit të Dimrit, përbëjnë qëndresën e parë qytetëse në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, përvojë betejash rrugicë më rrugicë e shtëpi më shtëpi, mësim i vyer për çlirimin e Tiranës dhe qyteteve të tjerë të Shqipërisë…