Çarçani, leksione marksizmi për Gensherin; Gensher: Gjermanët, gati të zbarkojnë në Shqipëri

1471
Sigal

TAKIMI/ Vizita e parë e ministrit të Punëve të Jashtme të RF Gjermane në Shqipëri. Çfarë u bisedua në 23 tetor 1987 pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike

Bisedim i zhvilluar në 23 tetor 1987, në pritjen që i bëri Kryetari i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani, Ministrit Federal të Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskancelarit të Republikës Federale Gjermane, Dr, Hans Ditrih Gensher. Në pritje merrnin pjesë zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Vangjel Çërava, Kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjon Gorishti, dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka. Pas përshëndetjeve të rastit u zhvillua kjo bisedë:

(Vijon nga numri i kaluar)

ADIL ÇARÇANI: Do të dëshiroja që në të gjitha këto fusha e drejtime që përmenda në këtë takim të rëndësishëm me zotin Gensher, të dëgjoja edhe mendimet konkrete të tij ose edhe ide të tjera që mund të kishte ai, të cilat do t’i mirëprisja. Dëshiroj gjithashtu të siguroj edhe një herë se te qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, te të gjitha organet përkatëse të pushtetit të ekonomisë sonë, Qeveria e Republikës Federale Gjermane, të gjitha organet dhe institucionet e saj përkatëse do të gjejnë kurdoherë predispozicion, gatishmëri dhe qëndrim pozitiv për konkretizimin e të gjitha problemeve që diskutuam mbi bazën e interesit e të leverdisë reciproke të të dy vendeve, në format dhe mënyrat më të përshtatshme e të lejueshme për të dyja palët, brenda normave dhe rregullave juridike konstitucionale, për të cilat paraprakisht janë zhvilluar edhe bisedime dypalëshe. Ne kemi në vendin tonë një gjendje të shëndoshë, siç mund t’ju kenë vënë në dijeni dhe t’ju kenë informuar edhe ministri ynë i Punëve të Jashtme. Kemi një gjendje të qëndrueshme, vijimësi në zbatimin e politikës së jashtme e të brendshme të vendit, sipas mësimeve jetëdhënëse të shokut Enver Hoxha, mësime këto që me konkurrencë vazhdojnë të zbatohen nga Partia dhe pushteti ynë popullor, me në krye shokun Ramiz Alia, vazhdues i denjë i veprës së shokut Enver Hoxha. Në politikën e jashtme vendi ynë zhvillon një politikë të hapur, i thotë haptazi mendimet dhe qëndrimet në çdo rast, fakt ky që i ka rritur prestigjin Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Jemi për ruajtjen e paqes dhe kundër luftës, në mbrojtje të të gjithë popujve që luftojnë për liri e të drejtat e tyre dhe, mbi të gjitha, me vendosmëri punojmë e luftojmë për të mbrojtur pavarësinë e sovranitetin e atdheut tonë socialist kundër përpjekjeve të shumta të imperializmit e të social-imperializmit ndaj vendit e popullit tonë dhe popujve të vendeve të tjera. Kemi qenë dhe jemi në mbrojtje dhe për sigurimin e paqes në Evropë e në botë, veçanërisht në zonën e Mesdheut e në Ballkan, si dy zona shumë nevralgjike e të nxehta aktualisht. Një qëndrim e politikë e tillë aktive në vendin tonë ndaj të gjitha problemeve i shërben ruajtjes së forcimit të paqes së vërtetë në Evropë e në Botë. Në të njëjtën kohë dëshiroj të shfaq mendimin e Qeverisë e të popullit tonë, se vlerësojmë vendin tuaj, politikën që ndiqni në mjaft çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe qëndrimet dashamirëse ndaj vendit tonë, me zhvillimin e marrëdhënieve tona të gjithanshme. Vlerësojmë vizitën tuaj si shfaqje të vullnetit të mirë të qeverisë suaj dhe tuajat personalisht zoti ministër, për t’i shpënë gjithnjë e më përpara këto marrëdhënie në fushën politike, ekonomike, teknike, shkencore dhe në drejtime të tjera. Ju falënderoj për këtë dhe për vëmendjen e treguar.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave, ju falënderoj për pritjen dhe për sqarimin që më bëtë për politikën tuaj. Qeveria Federale Gjermane vendosi marrëdhënie me vendin tuaj, me qëllim që të nisë një fillim të ri, por edhe me ndërgjegje të lidhjeve historike që ekzistojnë ndërmjet gjermanëve dhe shqiptarëve, si dhe të periudhës së tmerrshme të historisë gjatë së cilës populli juaj ishte i detyruar të hiqte shumë të këqija. Tani ne duhet ta hedhim shikimin në të ardhmen dhe unë mendoj që ne së bashku mund të bëjmë shumë mbi bazën e barazisë absolute e të një bashkëpunimi të barabartë. Ne jemi të mendimit se është e rëndësishme që të kemi një dialog të dendur politik me njëri-tjetrin, për të kuptuar më mirë politikën e njëri- tjetrit, se çfarë kërkon ajo si në çështjet e brendshme, ashtu dhe në ato të jashtme. Ne jemi gjithashtu të mendimit që marrëdhëniet ekonomike, që kemi pasur prej kohësh, duhet të shtohen e të thellohen në mënyrë të theksuar. Ne kemi një ekonomi popullore, e cila është fleksibël (e epshme) dhe mund të përshtatët me nevojat që ka partneri është e nevojshme që ne të konstatojnë e të gjejmë pikat bashkuese për një bashkëpunim të gjerë ndërmjet nesh. Mendoj se ne mund të bisedojmë për një marrëveshje bashkëpunimi dhe se nuk mund të mendojmë vetëm për shkëmbime tregtare, por edhe për një bashkëpunimi teknik, i cili do të shërbejë edhe formimit edhe përgatitjes. Ne gjithmonë kemi krijuar përvojë për përpjekjet e përbashkëta për përgatitjen, për formimin, kjo rrit dhe dijen për të mësuar më mirë se çka tjetri për të ofruar. Meqenëse dhe Ju jini të interesuar, mund të arrijmë dhe një bashkëpunim të ngushtë tekniko-shkencor. Ju te ne do të takoni një rezonancë shumë pozitive. Ne jemi të interesuar që zhvillimi në të gjitha vendet e Evropës të shkojë përpara dhe mendojmë që kjo është diçka e mirë për stabilitetin në Evropë. Në qoftë se do të jemi të lidhur ngushtë nga ana ekonomike me njëri-tjetrin, me një bashkëpunim ekonomik, që mendoj se mund të konkretizohet edhe me përfundimin e një marrëveshje kooperimi, kjo jo vetëm që do të jetë shumë e rëndësishme, por do të krijojë mundësi edhe për të gjetur forma të ndryshme në zhvillimin e njëri-tjetrit. Duhet marrëveshje për bashkëpunim tekniko-shkencor, por edhe për shkëmbimet kulturore-artistike etj. Dhe në këtë drejtim kemi pasur një sërë kontaktesh deri më sot. Edhe për sa i përket turizmit do të thosha që kjo është vetëm në dorën tuaj, se gjermanët janë shumë të dhënë pas udhëtimeve. Në qoftë se gjermani ka qenë p.sh, tri herë në një vend, menjëherë shpreh dëshirën të shkojë në atë vend edhe për herë të katërt, kështu që, Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave, në qoftë se ofrohet një gjë më e madhe në këtë drejtim, më shumë gjermanë mund të vijnë. Për këtë agjencitë turistike tona janë shumë të interesuara. Gjithashtu dhe shoqëria jonë ajrore “Luftanca” është e interesuar të hyjë në bisedime me ju për gjetjen e mundësisë për një linjë në kryeqytetin tuaj dhe unë besoj se kjo do të ishte diçka shumë e mirë, sepse shtohen edhe mundësitë e udhëtimeve e të njohjes. Por, siç e thashë, ne nuk duhet të nënvleftësojmë edhe marrëveshjen kulturore, sepse këto ndikojnë në krijimin e besimit ndaj njëri- tjetrit. Mundet të mendojmë për shkëmbimin e lektorëve, ne jemi gati t’ju japim bursa për studentë dhe, me një fjalë, Zoti Kryetar, ne e marrim me seriozitet zhvillimin e marrëdhënieve dhe ju duhet ta dini se ne, e marrim me seriozitet zhvillimin e marrëdhënieve dhe ju duhet ta dini se ne, gjermanët në qoftë se vendosim të bëjmë diçka, e bëjmë me themel atë.

ADIL ÇARÇANI: Tamam ashtu është dhe ne kemi çmuar edhe e çmojmë këtë, por dijeni se të njëjtën karakteristikë ka dhe populli ynë, vendi ynë.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: E dimë. Dua t’ju them atë që me ndjenjat e thella të njerëzve tanë ne kemi kushte të mira. Ne duam me të gjithë popujt e botës, por veçanërisht me të gjithë popujt e Evropës të kemi marrëdhënie të ngushta. Pak më parë unë i thashë ministrit të Jashtëm, se më përpara ishte larg ku banonin gjermanët dhe ku banojnë shqiptarët, por zhvillimi teknologjik largësitë nuk i ndryshon, por ne jetojmë tani afër njëri-tjetrit dhe ne jemi të mendimit që të gjitha shtetet në Evropë mund të japin kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kontinentit tonë. Ne kemi ndjekur me vëmendje të madhe, edhe pa pasur marrëdhënie diplomatike, zhvillimet e vendit tuaj dhe përpjekjet tuaja për t’i dhënë një zhvillim modern vendit tuaj. Ne kemi pikëpamje të ndryshme me njëri-tjetrin për sa i përket krijimit të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, por secili të vendosi për veten e vet.

ADIL ÇARÇANI: Sipas normave përkatëse ligjore e konstitucionale të secilit vend, por duke gjetur rrugët dhe format e përshtatshme e të pranueshme nga secili, ato norma të mos preken dhe bashkëpunimi ynë të zhvillohet në të gjitha drejtimet që ju parashtrova.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: Ne jemi për bashkëpunime dhe për garën paqësore.

ADIL ÇARÇANI: Pajtohem edhe në këtë mendim.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: Dëshiroj t’ju them që kjo gatishmëri për një bashkëpunim të gjerë nuk ekziston vetëm në udhëheqjen politike të vendit tonë. Por edhe në përfaqësuesit e ekonomisë dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Ashtu siç tha dhe ministri juaj i Jashtëm, ne duhet tani që këtë spontanitet ta shfrytëzojmë. Unë, para se të vija në vendin tuaj, u ndodha para pyetjes të vija tani në vendin tuaj apo ta shtyja udhëtimin për më vonë. Ju e konstatuat, Zoti Kryetar, që mua më shoqëronte një grup i madh gazetarësh dhe mund t’ju them juve se shumë vende në botë do ta quanin veten të nderuar, në qoftë se do t’u shkonin kaq shumë gazetarë, por kurioziteti në shtypin tonë për vendin tuaj është i madh dhe ky është interesimi pozitiv që kanë ata. Unë gëzohem shumë që në opinionin tonë vizita ime këtu do të gjejë një jehonë të gjerë.

ADIL ÇARÇANI: Jua them sinqerisht e objektivisht se në opinionin tonë të brendshëm qysh me botimin e lajmit për vizitën tuaj ka pasur një jehonë të madhe dhe shumë pozitive. Është e mirë gjithashtu për të dyja palët që edhe në opinionin e jashtëm vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendeve tona ka gjetur një jehonë pozitive. Kjo tregon, pra, se ekzistojnë të gjithë faktorët objektivë për këtë zhvillim të mëtejshëm që thoni ju, me të cilin pajtohem plotësisht.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: Tani duhet të fillojmë punën sa më shpejt.

ADIL ÇARÇANI: Po, t’i konkretizojmë çështjet që biseduam sa më parë. Të pimë një dolli për miqësinë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit të Republikës Federale Gjermane. Për bashkëpunimin dhe konkretizimin e të gjitha problemeve që trajtuam së bashku.

Dr.HANS DITRIH GENSHER: Me këtë dolli bashkohem edhe unë me ju.

ADIL ÇARÇANI: Për shëndetin e Kancelarit tuaj! Për shëndetin tuaj dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj!

(U pinë dollitë e para)

Ju faleminderit për sa më thatë, për të gjitha ato që folët e konsideratat që shprehët në adresë të popullit e të vendit tonë. Shpreh të njëjtat konsiderata simpatie në drejtim të popullit e të vendit tuaj, Republikës Federale Gjermane. Mora një suvenir të vogël, ju faleminderit shumë, do ta ruaj si kujtim të takimit tonë dhe si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm dhe konkretizimin e bashkëpunimit të të dy vendeve tona në të gjitha drejtimet me interes të përbashkët.

Ju faleminderit

(Marrë me stenogram)

Sipas Dojçe Veles: Enver Hoxha preferonte Gjermaninë

Më 23 tetor 1987, Gensher vizitoi për herë të parë Tiranën për të kremtuar fillimin e marrëdhënieve diplomatike. Meritën kryesore për këtë akt e kishte pasur Franc Jozef Shtraus, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë tani se kohët e vështira kanë kaluar e se ka ardhur radha e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe “Më kanë ftuar të festoj së bashku me ta (shqiptarët) rezultatin përfundimtar të përpjekjeve të mia”, thotë Franc-Jozef Shtraus, asokohe kryeministër i landit të Bavarisë, në një intervistë dhënë Dojçe Veles, pikërisht më 23 tetor 1987 në Tiranë. E zhytur në një krizë të thellë ekzistenciale në vitin 1984, ekonomia shqiptare kishte nevojë për ndihmë. Në diskutim ishin ndihma nga Britania e Madhe dhe Franca. Por siç do të shpjegonte vite më vonë për mediat gjermane e shoqja e diktatorit komunist, Nexhmije Hoxha, kreu i atëhershëm zgjodhi Gjermaninë. “Gjermanët i respektojnë shqiptarët”, kishte thënë Enver Hoxha. Përveç kësaj ndihma do të mund justifikohej moralisht si dëmshpërblim për kohën e luftës. Kështu erdhi Franc-Jozef Shtraus në Tiranë, i pari politikan gjermano-perëndimor në një vizitë të ashtuquajtur private: “Kur unë shkova për herë të parë në Shqipëri në vitin 1984 si turist u përfshiva edhe në biseda politike. Arrita t’i bindja bashkëbiseduesit shqiptarë se marrëdhëniet diplomatike janë gjithmonë të dobishme, pavarësisht nga sistemet shoqërore”, kujtonte politikani kristian-social. Argumentet e politikanit bavarez nuk ishin të reja për kreun shqiptar. Tiranës zyrtare rezulton t’i jetë bërë një ofertë me anë të kanaleve diplomatike të asaj kohe për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve. Por pengesë u bënë pretendimet e shpeshta të palës shqiptare për reparacionet e luftës, të cilat nga njëra anë qëndronin, por nga ana tjetër ishin shumë të fryra”. Dy miliardë dollarë kërkonte fillimisht qeveria shqiptare ndaj RFGJ-së për dëmet e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohe që ish-Bashkimi Sovjetik ishte shprehur i kënaqur me 13 miliardë dollarë, thotë Plaka më tej. Gjermania nga ana e vet i ofronte Shqipërisë kredi me kushte favorizuese, por këtë e ndalonte kushtetuta e RPSSH-së. Ecejake diplomatike nga te dyja palët shoqëruan edhe një vizitë të dyte (private) te Shtrausit ne Tiranë, ne vitin 1986. Shqipëria më në fund do të hiqte dorë nga qëndrimi e saj dhe më 23 tetor 1987 do të vizitonte Tiranën ministri i parë i jashtëm i një shteti perëndimor, Hans Ditrih Gensher

 

Përgatiti për botim: Leonard Veizi