Burgu i Vlorës: “Kufoma duhet të vuajë dënimin që i ka mbetur pastaj të varroset!”

1777
Sigal

Nga Vepror Hasani

Historia e një të burgosuri që vdiq në rrethana të panjohura

Befas nga burgu i Vlorës na erdhi një letër. Ishte viti 1972, nis të na rrëfejë Haxhi Hasanasi nga fshati Butkë i Kolonjës, historinë e vëllait të vet, Hajrulla Hasanasi. Kishte 9 vjet që ishte burgosur, por telegrami që mbërriti papritur bënte me dije se Hajrullau kishte vdekur. Mbeta pa fjalë. Si ishte e mundur? Ai ishte i shëndetshëm dhe s’vuante nga asgjë! Të gjithë i mbërthyen sytë tek unë që kisha lexuar letrën. Bashkëshortja e tim vëllai, Liria, ime shoqe, Basania, dhe 5 fëmijët e vegjël të Hajrullahut; Paqësori, Viktoria, Laureta, Skënderia dhe Arbeni prisnin mes ankthit të kuptonin çfarë kishte ndodhur. Parandien se diçka e keqe kishte ndodhur me babain e tyre.

Hajrulla Hasanasi vdiq në burg, ejani të merrni plaçkat!

Në kohën kur na mbërriti letra, nuk banonim më në fshatin Butkë, sepse fill pas arrestimit të vëllait na internuan në kooperativën “Bubullima” të fshatit Ardenicë në Lushnjë. Jetonim 8 veta në një barakë të vogël, hapësira e së cilës nuk ishte më shumë se 9 metra katrorë. Lajmi që morëm e bëri dhomën edhe më të vogël. Nuk po na nxinte më. Ankthi ishte i madh. Dridheshim të gjithë. Dridheshim, sepse letra nuk vinte nga vëllai im, por nga reparti i burgut të Vlorës. Diçka kishte ndodhur. Bashkëshortja e Hajrullahut m’i nguli sytë me dëshpërim në pritje të një përgjigjeje. Pesë fëmijët e saj të vegjël ishin tejet të tronditur. Në të njëjtën gjendje ishte edhe ime shoqe, Basania. Nëse përgjigjja ime do të vonohej edhe një çast më shumë, kisha përshtypjen se të gjithë do të vdisnin nga tmerri i pritjes. Në atë letër nuk thuhej asgjë më shumë se kaq: “Hajrulla Hasanasi vdiq në burg, ejani të merrni plaçkat!”

Qani, por në heshtje!

Haxhi Hasanasi heshti një çast, ndezi një cigare dhe mori frymë thellë. Ishte lajm vdekjeje, vijon të na rrëfejë ai. Sytë m’u mbushën me lot. Vëllai im, Hajrullau, nuk jetonte më. E keqja që kishte ndodhur u kuptua. E para që nisi të vajtonte ishte Liria, pas saj nisën të qanin 5 fëmijët e tim’vëllai. Ime shoqe, Basania, si u përpoq të mblidhte veten, më pyeti: “Haxhi, na thuaj, çfarë ka ndodhur”. Me zërin që më dridhej, belbëzova: “Hajrullau nuk jeton më, ka vdekur!” U mundova që haberi i vdekjes të mos dëgjohej nga fëmijët e vëllait tim. Letra më rrëshqiti nga dora dhe më ra përdhe. Askush nuk zgjati dorën ta merrte më. Baraka e vogël në Ardenicë të Lushnjës u mbulua nga vajtimi dhe të qarat. Askush nuk e përmbante dot veten. Një çast u kujtova që isha burri i vetëm në atë barakë dhe ngrita zërin: “Qani, por qani në heshtje, që të mos kemi ngatërresa të tjera, sepse sot do të kemi rreth e rrotull njerëzit e sigurimit”. “ Ndryshe do të na arrestojnë të gjithëve, të akuzuar që qajmë një tradhtar të atdheut”.

Për tradhti ndaj atdheut

Hajrullau ishte dënuar për tradhti ndaj atdheut, sepse në vitin 1961 u arratis në Greqi, ndërsa kur kishte dashur të hynte përsëri në Shqipëri e kishin arrestuar. Dy gratë dhe fëmijët u bindën sakaq pas fjalëve të mia, sepse fjala “sigurim” ngjallte frikë tek ne, madje edhe te Arbeni që ishte fëmija më i vogël në atë barakë. Të gjithë bashkë, 8 veta, nisëm të qanim në heshtje, që mos na dëgjonte kush. Ishte zgjidhja më e mençur që bërë atë çast. I qetësuar nga zgjidhja e këtij halli, nisa të qaja edhe unë. Ashtu në qetësi të plotë, mes të qarave që nuk kishin të mbaruar, kaluam gjithë natën. Në mëngjes askush nuk duhej ta merrte vesh dhimbjen që kishte pllakosur barakën tonë, atje në Ardenicë të Lushnjës, ku hapësira e saj nuk ishte më e madhe se tre me tre.

Haxhi, a mund të qaj këtu, ku nuk na sheh askush?!

Mëngjesi u gdhi me shi. Për të marrë plaçkat e vëllait të vdekur në burg, shkova unë bashkë me kunatën, gruan e Hajrullaut, Lirinë. Në Vlorë mbërritëm me makinat e rastit. Gjatë kohës që po udhëtonim për në Vlorë, unë dhe Liria kishim mbetur të heshtur, secili përpiqej të ndrydhte dhimbjen brenda vetes. Befas dëgjova zërin e Lirisë: “Haxhi, këtu nuk na sheh askush, a mundem të qaj?” Më shumë se pyetje, zëri i saj ishte një lutje e dhimbshme. E dija, nga qarja në heshtje e një nate më parë, ajo nuk e kishte nxjerrë dot dhimbjen nga shpirti i saj. “Qaj”, – ia ktheva. Atë çast gjendeshim mbi karrocerinë e një makine. Nuk kish kush na dëgjonte. Binte një shi i lehtë dhe lotët e saj nuk kuptoheshin, i përziheshin bashkë me pikat e shiut. “Qaj”, – i thashë përsëri. “Nuk ke rast më të mirë për të qarë burrin tënd”. Një çast Liria ngriti sytë dhe më pyeti, “Haxhi, si thua ti, ka mundësi të mos jetë e vërtetë… ndoshta është bërë ndonjë ngatërresë…mbase është shkruar gabim…Ku i dihet, Hajrullahu mund të jetë shëndoshë e mirë…” Mbaj mend që nuk gjeta ndonjë përgjigje të qenë. Unë nuk kisha asnjë dyshim që im vëlla kishte vdekur. Dija ca gjëra më shumë se gruaja e tij.

Me vëllanë isha takuar një javë më parë

Shiu nuk kishte ndërmend të pushonte. Kur mbërritëm në Vlorë u futëm në një strehë si për t’u çlodhur pakës. Nga pëshpëritjet e kunatës kuptova se ajo vazhdonte t’i lutej Zotit që Hajrullau të ishte gjallë, por unë e dija mirë që im’vëlla kishte vdekur. Isha takuar një javë më parë me të… Oficeri i rojës në Degën e Punëve të Brendshme në Vlorë nuk desh të më linte të takohesha. Iu luta me shpirt, por ai nuk bindej. Mirë është Hajrullau, – më tha, – çfarë do ta gjejë atë apo se e ushqen qeveria! Kur e pashë se nuk donin të më linin po bëhesha gati të largohesha për në Ardenicë të Lushnjës, por atë çast pashë operativin e zonës së Kolonjës, njeriun që ishte vënë në ndjekje dhe përgjim të familjes sonë në Butkë. Nuk e di përse ndodhej atë ditë aty. Njihesha mirë me të. Dyshimet mbi familjen tonë kishin kohë që kishin filluar. Hajrullau fliste me vend e pa vend duke u shprehur, se komunizmi nuk ishte gjë tjetër veçse varfëri. Në atë kohë na kishin sekuestruar pronat dhe bagëtinë.

Gjithçka po shkonte keq!

Gjendja e Hajrullahut u rëndua akoma më shumë kur u arrestua vëllai i Lirisë, Zeqir Agolli. Ajo ishte nga Bulgareci, nga fisi i Agollëve, të cilët kishin miqësi dhe krushqi me kulakët e fshatit Rov të Korçës. Më pas arrestuan edhe babain e Zeqir Agollit, sepse nuk kishte regjistruar një rrënjë molle që kishte mbjellë në oborr. Pas këtyre arrestimeve në shtëpinë tonë u shfaq operativi i zonës, të cilin tani e kisha përballë aty tek dega e punëve të Brendshme të Vlorës.

-Pse ke ardhur më pyeti?

-Desha të takoj Hajrullanë, ia ktheva, por nuk duanë të më lenë.

-Si ka mundësi, më tha, ju të vini që nga Lushnja dhe të mos u lejojnë. Operativi e dinte që ishim internuar në Lushnjë. Iu afrua oficerit të rojës dhe i tha:

-Lereni të shikojë të vëllanë!

Vjedhja e fotografisë

Ndërsa unë dhe Liria qëndronim nën një strehë në qytetin e Vlorës, aq sa për të mbledhur veten nga rruga, ende vazhdoja të sillja në mendje si isha takuar në burg një javë më parë me Hajrullanë. Operativi pasi më siguroi lejen që të takohesha me tim’vëlla, më dha dorën dhe iku. Atë çast m’u kujtua si isha njohur me të. Një natë ai trokiti vonë në shtëpinë tonë, tha se kishte qenë diku dhe nuk kishte mundur të shkonte në Ersekë. Pyeti, nëse mund të flinte atë natë në shtëpinë tonë. E pritëm me gjithë të mirat. Mbaj mend që pimë raki dhe ia morëm këngës. Hajrullaut i pëlqente të këndonte: “Seç këndon një zog përtej në korie, një merak që kam nga zemra s’më hiqet”, ishte kënga e tij e preferuar. Operativi bënte iso. Ndenjëm deri vonë. Vetëm kur kishte kaluar mesnata shkuam për të fjetur. Në mëngjes operativi u ngrit herët dhe iku, duke thënë se kishte shumë punë. E përcollëm deri tek porta dhe i thamë të mos harronte të vinte përsëri, ndërsa me vështrime pyesnim njeri-tjetrin: “Po këtë njeri ç’e solli në shtëpinë tone!” Kur ai kishte ikur, Liria kontrolloi dhomën ku fjeti operativi. Pas një çasti u kthye në dhomë sikur e kishin tmerruar:

-Hajrulla, i tha të shoqit, operativi na ka vjedhur një fotografi. Fillimisht nuk kuptuam çfarë po na thoshte, por ajo e përsëriti: Hajrulla operativi ka vjedhur fotografinë që kemi dalë bashkë. -Çfarë thua moj! – i tha Hajrullau dhe u prish në fytyrë.

-“Pse duhet ta vjedhë fotografinë?!

-E ka vjedhur, tha Liria, kishim vetëm dy të tilla, njëra është, tjetra mungon.

-Shikoje mirë, bërtiti Hajrullau, aty do të jetë.

-E kërkova gjithandej, por nuk e gjeta… Liria gati sa nuk qante. U ngritëm të gjithë si familje. Kontrolluam dhomën në çdo cep të saj, kthyem e përmbysëm gjithçka, por fotografia nuk ishte. Ndoshta ishte shpërndarë në të gjitha degët e Punëve të Brendshme. Atë çast e kuptuam se çështja e Hajrullahut ishte rënduar shumë. Diçka do të ndodhte. Si për të mos vlerësuar të keqen që na kanosej edhe unë u fejova me Basanen, vajzë nga fisi i Agollëve të Bulgarecit.

Mos u mërzit vëlla, në burg më trajtojnë mirë!

Pas ndërhyrjes së operativit më lejuan të takoja tim vëlla brenda hekurave. Prita një çast derisa e sollën. Nuk po u besoja syve kur e pashë. Ishte tretuar krejtësisht, i kishin mbetur vetëm eshtrat, asgjë më shumë. Vura re që mezi ecte. Dukej sikur do të binte nga çasti në çast. Nuk e besova, që ai ishte vëllai im, Hajrullau. Kur u gjend përballë meje, mbeta i tmerruar. Nuk ishte vetëm i dobët, ishte i goditur në çdo pjesë të trupit nga këmbët tek koka. Në fytyrë kishte shenja të zeza dhe të ënjtura, poshtë mjekrës i dallohej një e çarë. M’u mbushën sytë me lot. Edhe ai lotoi, ashtu heshturazi, pa mundur të fshihte dot rraskapitjen. E përqafova me shumë mall dhe më përqafoi, por ai nuk kishte forcë të më shtrëngonte. Unë e përqafova fort, por ai u lëndua nga plagët që kishte në trup dhe nxori një rënkim të dhimbshëm.

-Boll vëlla, – më tha. Afër nesh qëndronte një polic që ndiqte me vëmendje çdo fjalë të bisedës tonë. Nuk po e merrja vesh se çfarë kishte ndodhur me tim vëlla, por si ta pyesja, si t’i thosha, kur shumë pranë me ne, vazhdonte të qëndronte një polic në këmbë.

Çfarë të ka ndodhur kështu o vëlla?

Gjendja e tij më tronditi. E vështroja dhe qaja. Mes lotëve që nuk më mbaheshin i thashë:

-Në Butkë janë të gjithë mirë, atje kishim prindërit. Edhe ne në Lushnjë mirë jemi. Liria të bën shumë të fala, fëmijët të janë rritur dhe të kujtojnë çdo ditë. E ndjeja që ai gëzohej nga fjalët e mia, por nuk kishte fuqi as të vinte buzën në gaz. Atëherë u mata ta pyesja përsëri:

-Çfarë të ka ndodhur kështu o vëlla, por ishte e pamundur, polici qëndronte vazhdimisht aty. E çara nën mjekër i dukej akoma e gjakosur. Plaga e hapur tregonte qartë se sapo e kishin rrahur. Të ënjturat dhe fytyra e mavijosur e tij më rrëqethën të gjithin. Nuk e përmbajta dot veten, e pyeta:

-“Po çfarë të ka ndodhur kështu o vëlla?!”. Pashë që iu drodh buza, deshi të fliste, por pastaj vështroi nga polici. Si ndenji një çast m’u përgjigj:

– Mos ki merak, o vëlla, këtu më trajtojnë mjaft mirë. Kështu thuaju edhe fëmijëve, thuaju që babai është mirë. E përqafova për herë të fundit dhe u nisa drejt Lushnjës, tek baraka jonë me një hapësirë që nuk shkonte më shumë se 9 metra katrorë. I thashë Lirisë se Hajrullau ishte mirë me shëndet, por nuk i thashë dot, “që atje në burg e trajtonin mirë”.

Kufoma duhet të vuajë dënimin, pastaj të varroset!

Isha zhytur në kujtimet e mia me vëllanë, ndoshta do të vazhdoja të qëndroja akoma ashtu, por atë çast dëgjova zërin e Lirisë:

– Shkojmë Haxhi. U përmenda. Në Vlorë gjendeshim për të marrë plaçkat e vëllait, sepse siç na thuhej në letër, ai kishte vdekur në burg. Pak çaste më vonë u gjendëm përballë me oficerin e rojës. I shpjegova oficerit se unë isha Haxhi Hasanasi dhe kisha ardhur aty për të marrë plaçkat e vëllait, pasi një letër që na dërgonte reparti i burgut, na thoshin që Hajrullau kishte vdekur. Ndërsa unë bëja shpjegimet para oficerit të rojës, Liria priste me ankth duke shpresuar të dëgjonte: “Çfarë janë këto që thoni… Hajrullau është mirë… Ja të pyesim si është puna…” Por ai nuk tha ashtu.

-Jam në dijeni, na u përgjigj, por ju do të merrni plaçkat e tij dhe do të largoheni. Atë çast nuk do ta harroj kurrë, befas dëgjova një kuje të fortë. Liria kishte vënë duart në kokë dhe vajtonte. Nuk pyeste më, nëse kishte roje, oficerë apo policë. Ajo nuk kishte më fuqi të përballonte dhimbjen. -Ç’më bëre, o Hajrulla!- ishte zëri i saj. Përse na le vetëm, mua dhe fëmijët! Në të prisnim të ktheheshe në shtëpi! Të pritëm më shumë se 7 vjet, do të të prisnim edhe edhe 17 të tjera! (Hajrullau ishte dënuar me 24 vjet burg). Do të prisnim që të gëzoheshin fëmija, të kishin edhe ata një baba. Si t’u them unë tani fëmijëve? Ç’na gjeti kështu o Haxhi, dukej sikur kërkonte ndihmë nga mua. Por kjo situatë nuk zgjati shumë, dikush na hodhi para këmbëve një çantë me lecka dhe na tha të largoheshim.

Ku të vija?

Po ku të vija unë pa vëllanë tim të madh? Si t’u thosha unë fëmijëve të tij? U drejtova përsëri te oficeri i rojës dhe i thashë:

-Ne nuk duam plaçkat, nuk kanë ç’na duhen ato, ne kemi ardhur të marrim trupin e tij, por oficeri i sigurimit qeshi nën buzë.

-Kërkoni trupin e tij? Po ju nuk e dini që ai është dënuar me 24 vjet burg. Kur të mbarojë vuajtjen e dënimit, hajdeni ta merrni. Desha ta pyesja si mund të vuante dënimin një i vdekur, por nuk më lanë të thosha asnjë fjalë tjetër. Na përcollën duke na nxjerrë jashtë.

-Shkoni, shkoni!-na përcollën,-kur të vuajë dënimin do t’u dërgojmë përsëri një letër që të vini ta merrni. Nuk mund të këmbëngulja më shumë. Sepse edhe po të këmbëngulja nuk do ta merrja dot trupin pa jetë të vëllait tim. Ikëm

Askush nuk vjen të më qajë

Rruga nuk pati ndonjë ndryshim të madh, ashtu siç shkuam në Vlorë edhe në kthim na shoqëroi e njëjta dhimbje. Liria qante heshturazi, ndërsa unë herë pas herë i thosha të qetësohej, por e dija mirë se pa lot nuk zbrazej dhimbja. Në kthim kishim vetëm një ndryshim, në supin tim rëndonte një çantë. Ishin rrobat që kishte veshur dhe fjetur vëllai im për më shumë se 7 vjet në burgjet e Laçit dhe të Vlorës. Ndërsa Liria qante në heshtje, unë sillja ndërmend jetën e tim’vëllai. Pas vjedhjes së fotografisë, Hajurullau kishte kuptuar se do ta arrestonin. Të njëjtin fat kishte pasur edhe kunati i tij. Një natë më tha:

-Haxhi unë do të arratisem, sepse nëse nuk arratisem do të përfundoj në burg. Kujdesu për fëmijët e mi, do të bëj të gjithë përpjekjet që të vij t’ju marr të gjithëve. Do të vij t’ju marr të gjithëve, përsëriti ai. Po ndenja këtu do të më arrestojnë. I thashë të mos e merrte një hap të tillë se do të na merrte në qafë të gjithëve, por ai nuk m’u bind. Në fund të vitit 1959, u arratis në Greqi. Pas më shumë se një viti e gjysmë kishte tentuar të vinte të na merrte, por e kishin kapur sapo kishte hyrë në kufi. E dënuan për tradhti ndaj atdheut me 24 vjet burg. Fill pas dënimit të tij, në nëntor të vitit 1961 erdhi makina e policisë për të na internuar. Unë sapo isha martuar me Basanen. Muajin e mjaltit e bëmë në Ardenicë të Lushnjës, ku merrnim vetëm 3.7 lekë për ditë pune. Nuk kishim asgjë tjetër: as tokë, as bagëti, madje as pula. Nuk kishim as kartë fronti, as pasaportë. Vetëm një dhomë prej 9 metra katrorë, ku jetuam 12 vjet me radhë, 8 veta, familja e Hajrullaut dhe unë me gruan time. 

Fëmijët e Hajrullahut

Kur arritëm tek baraka jonë, fëmijët e Hajrullaut na dolën përpara dhe që në çastin e parë na pyetën:

-Si ishte babi?

-Ishte shumë mirë, u thashë unë, ndërsa përpiqesha të fshihja çantën që mbaja mbi sup. Atje tek ato plaçka të palara dhe të gjakosura ishte babai i tyre. Kishte rënë mbrëmja, erdhën punonjësit e policisë, ashtu siç vinin çdo mbrëmje dhe na bënë apelin. Haxhi Hasanas… Liri Hasanas… Basane Hasanas… Paqësor Hasanas… Viktorie Hasanas… Laureta Hasanas… Skenderie Hasanas… Arben Hasanas… Pas thirrjes së çdo emri dëgjohej një zë që qante në heshtje e që thoshte “këtu”. Për 12 vjet me radhë do të thoshim çdo mbrëmje “këtu”, por vetëm Hajrulla Hasanasin nuk e thërriste askush. Një natë m’u duk sikur ai doli nga plaçkat e gjakosura që rrinin në çantë dhe tha: “Më ka marrë malli për fëmijët. Nuk më kanë ardhur asnjëherë tek varri, nuk më ka ardhur askush të më qajë. Eh vëlla, i thashë, sikur ta dinim ku është varri yt, nga lotët tanë do të ishte bërë një det i tërë atje. Në Butkë u kthyem përsëri vetëm kur mbaruam internimin.” Haxhi Hasanasi ndezi një cigare dhe heshti. Te syri iu duk një pikë loti.