Brigadën XVIII Sulmuese dhe luftëtarët trima

592
Abdurahim ASHIKU
( Vijon nga numëri i kaluar )
Kështu luftuan trimërisht ish komandanti i Batalionit IV, trimi Gafur Mehmeti nga Lushnja si dhe partizanët Hysni Krusa, Rahman Doda, Idriz Kaba e të tjerë. Dhe ndër ta kujtoj Heroinën e Popullit, vajzën 17-vjeçare e z/Komisaren Hibe Palikuqi. Batalioni IV mori detyrën për të shkuar në ndihmë të forcave partizane shqiptare-maqedonase për çlirimin e mbrojtjen e Kërçovës, por marrim informacion se në një përleshje me mercenarët bashkëpunëtorë me gjermanët, duke luftuar trimërisht ishte vrarë Hibja. Njiheshim porsa kishim ardhur nga Gushti 1943 nga Tetova. Bënim jetën në Organizatën e Rinisë të qytetit të Dibrës së Madhe e veçanërisht kujtoja e kujtoj ditën kur ajo u takua me Haki Stërmillin kur u formua Batalioni i Rinisë “Nazmi Rushiti”. Ajo u bë dhe ishte frymëzim për të rinjtë sidomos të rejat e Dibrës. Me të kishin luftuar trimërisht edhe partizanët: Vera Myrtezai, Xhemal Zuna nga Pesjaka, Zenel Sadik Puci nga Cereni, Haki Bajram Xhika nga Mustafaj, Haxhi Agush Xhediku nga Sollodolli. Dhe për të nderuar Hiben Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Socialiste të Shqipërisë i ka dhënë titullin “Heroinë e Popullit” e gjithashtu edhe Republika e Maqedonisë i ka dhënë të njëjtin titull “Heroinë e Popullit”. Për trimëri në luftimet që ka bërë Brigada jonë dhe janë plagosur, janë shquar z/Komandanti i Batalionit Mehmet Hajrullaj, Haziz Asllani –i plagosur dy herë në 1943 dhe 1944 në Dibër të Madhe, Mustafa Bunguri –i cili vdiq pas disa ditëve në spital, Hysni Krusa, Fejzulla Doda e të tjerë.

E treta: Me çlirimin e Kukësit dhe Prizrenit u bënë ndryshime në udhëheqjen e Shtabit të Brigadës. Esat Ndreu u caktua me forcat e ndjekjes në Shkodër dhe Komandant erdhi shoku Petrit Dume, ndërsa Komisar Hilmi Çausholli, sepse Miçua u caktua Komisar në një brigadë shqiptare në Maqedoni. Në Kompaninë e Shtabit të Brigadës u emërova Komisar i kësaj Kompanie. Në këto ditë çlirimi të Kukësit kujtoj ardhjen në Brigadën tonë të 112 shokëve e shoqeve që kishin shpëtuar nga kampi nazist gjerman i Prishtinës, ku disa prej tyre u rreshtuan në Brigadën tonë si i paharruari Kin Dushi që arriti të emërohet edhe Komandant Batalioni. Ai ka shkruar dhe botuar në libër vuajtjet dhe pushkatimet e 105 të rinjve shqiptarë në këtë kamp më 23 Tetor 1944. Po ashtu Kini na tregoi trimërinë e gjithë shokëve që ishin pushkatuar e në mes tyre na tregoi për ish partizanët e Batalionit tonë të Dibrës: për Spiro Velkon, Musa Agollin e të rinjve të tjerë dibranë si: Bilal Konxhollin, Tasim Shehun, Hamza Shehun.

E katërta: Në këto ditë në Kukës u sëmura, mu ënjtën të dy këmbët dhe pjesa e pulpave mu nxi. Më pa shoku im Sotiri dhe lajmëroi Komandantin e Brigadës, Petritin. Ai erdhi, më pa dhe i thotë Sotirit: niseni për në spitalin e Prizrenit. Me kalin e komandantit më shoqëroi z/komandanti i Kompanisë sonë, Hilmi Kuska. Mbërritëm në spital pas 3-4 orëve. Mbaj mend dhe kujtoj kujdesin e një doktori italian dhe infermieres që shërbenin aty. Për tre javë rresht më mjekuan me ilaçe dhe më bënin gjilpëra. Aty njoha edhe 6-8 partizanë të plagosur të Brigadës V shqiptare e ndër ta ishte i plagosur rëndë Kadri Azbiu. Nuk mund të harroj edhe vizitat herë pas here të qytetarëve të Prizrenit që na jepnin kurajë e veçanërisht ata na sillnin edhe byrek në tepsi të bërë nga nënat dhe motrat bujare të Prizrenit. Me çlirimin e Atdheut më 29 Nëntor 1944 Brigada jonë sipas Urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ, veproi deri në Mars 1945 për asgjësimin e disa bandave mercenare të mbetura në zonat e Krumës, Mirditës dhe Pukës. Kemi ndenjur për disa kohë në Fushë-Arrëz. Pas kësaj në udhëtimet Lumë, Dibër, Gollobordë, Librazhd, Gramsh, Përmet, po sipas Urdhrit të Shtabit të Ushtrisë NÇ mbërritëm në Gjirokastër ku më 23 Prill 1945 Brigada jonë u bashkua dhe u rreshtua në një Brigadë me brigadën e 20-të Sulmuese. Riorganizimi në Brigadën e 20-të Sulmuese më la mbresa. U njoha me një nga partizanët e vjetër të kësaj krahine e kuadër me përvojë nga Libohova, Komisarin e Brigadës Luto Haxhiun që kur na njohu me radhë neve kuadrove na thotë: “Hajri ishe Anëtar i Partisë Komuniste që në Gusht të 1944-ës”. “Po, -i them, -shoku Komisar.” E njohëm qytetin mikpritës me tradita patriotike si përpara edhe tani në LANÇ, ku bijtë e saj Heroinat e Popullit Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima ranë heroikisht. Dhe për këtë demonstratë të ish gjimnazistëve të Gjirokastrës, i njohuri, ish oficer në Brigadën e Dibrës pas çlirimit Lame Çekani më ka treguar edhe me një shkrim për ish bashkënxënësin e tij nga Dibra, për Riza Dodën që në këtë demonstratë kur pa dy trimëreshat që valëvitnin flamurin kombëtar dhe dy italianët u lëshohen atyre duke i kapur edhe në gjoks, atëherë Rizai me atë trup gjigand malësori i kap për zverku ata milicë fashistë me ato duart e tij i lëshon në shesh duke bërtitur me atë zë të fortë “shporruni, shporruni”. Kujtoj takimin në Qershor të vitit 1945 në Gjirokastër me Komisarin e Divizionit të I-rë, shokun Bajram Sionoimerin, që pasi na përshëndeti e foli për detyrat, na komunikoi gradat “Mua Nëntoger” dhe rrogat që do të merrnim. Por të gjithë sa ishim bërtitëm me një zë “Pse për rroga paskemi luftuar?” Përsëri Komisari e mori fjalën: “Po, po nuk kemi luftuar për rroga, por tani detyra të reja na presin si në ushtri e në terren, në drejtimin e punës në organet drejtuese të shtetit. Tani jemi në pushtet dhe secili që punon apo drejton do të marrë rrogën mujore me atë takat që kemi tani në fillim.” U shpërndamë dhe mua më caktuan Komisar në Postën Kufitare të Peshkëpisë të kufirit me Greqinë dhe qëndrova aty deri në Gusht të vitit 1945. Përsëri më thërret Komisari i Divizionit së bashku me shokët e mi të Brigadës, Adli Dibrën dhe Rahman Hankun. Na sqaron dhe komunikon largimin nga Brigada sepse ka nevojë puna në terren që këtë kërkesë e kanë bërë edhe shokët që drejtojnë dhe kështu “Ti Adli do të shkosh Sekretar i Rinisë së Qarkut Kukës, ti Hajri Sekretar i Rinisë të Rrethit të Dibrës, ndërsa ju Rahman me që keni kërkuar të vazhdoni shkollën do të shkoni me studime në Shkollën Teknike të Ndërtimit në Korçë që e latë përgjysmë kur dolët partizan.” Dhe sipas këtyre detyrave e lamë Gjirokastrën mikpritëse, këtë qytet antik dhe shkuam e filluam punët në detyrat e mësipërme. Kështu, si i gjithë populli shqiptar e veçanërisht rinia e tij edhe ajo dibrane kryen me nder dhe me sakrifica të mëdha shporrjen e okupatorëve fashisto-nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre duke e çliruar Atdheun më 29 Nëntor 1944.