Brigada që bëri histori ushtarake gjatë LANÇ-it

321

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 75 vjetorit të inaugurimit të Br. V Sulmuese)

Brigada me dy ditëlindje

Labëria dhe Shqipëria nuk e harrojnë historinë e lavdishme të Brigadës V Sulmuese. Ajo ka dy ditëlindje dhe dy vendlindje. Baza e formimit të brigadës ishin dy batalionet “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali”, me një efektiv prej më shumë se 500 luftëtarë. Në fshatin Gumenicë është lapidari që përkujton ditën e krijimit të Brigadës V Sulmuese, në një kodër, si një vend strategjik nga ku shikon të gjithë zonën përreth. Prej këtej ndiqje të gjitha lëvizjet e forcat armike që lëviznin në ndjekje të formacioneve partizane të zonës. Qysh ditën e formimit të saj në fshatin Gumenicë dhe deri në ditën e inaugurimit në Bramyshnje të Tërbaçit, më 20 janar 1944. Vendlindja e parë është Gumenica dhe datëlindja më 28 nëntor 1943, ku ishte emëruar komandant Abaz Shehu dhe komisar Hysni Kapo. Inaugurimi ngeli në gjysmë, se u nis hodh urgjent në betejë kundër nazistëve e ballistëve në Luginën e Mesaplikut dhe në Dukat, ku po goditeshin partizanët prapa shpine e ku po terrorizohej populli. Për tre ditë e net luftimet u zhvilluan të ashpra në Dukat dhe në Gjorm, ku më 12 dhjetor bie heroikisht Abaz Shehu, komandanti i brigadës. Vendlindja e dytë është Bramyshnje e Tërbaçit, vendi i inaugurimit të Brigadës V Sulmuese dhe datëlindja, më 20 janar 1944. Komandant u emërua Shefqet Peçi dhe komisar Hysni Kapo, ndërsa zëvendëskomisar Manush Myftiu. Sheshi i Bramyshjes u mbush me popull. Aty u rreshtuan 5 batalione me partizanë, ku në krye ishte shtabi i brigadës, shtabet e batalioneve, kompanitë dhe togat me skuadrat. Organizimi ishte i një ushtrie të rregullt ushtarake. Në ditën e inaugurimit, efektivi i brigadës shkoi në 900 luftëtarë. Mbi 80 për qind e partizanëve ishin të rinj e të reja. Në ditën e inaugurimit të brigadës folën komandanti Shefqet Peçi, komisari Hysni Kapo, zëvendëskomisari Manush Myftiu etj. U lexua dhe përshëndetja e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dërguar efektivit të Br. V S me rastin e inaugurimit. Në përshëndetje theksohej se brigadë të jetë brigada e flakës, e zjarrit, e luftës dhe e sulmit, si bij të denjë të Vlorës kreshnike, shkatërroni armikun dhe tradhtarët… Ju e kini parë haptazi këtë tradhti të Ballit Kombëtar.

U krijua në kulmin e operacionit të Dimrit 1944

Brigada u krijua në kulmin e Operacionit armik të Dimrit dhe për të përballuar mësymjen gjermano-balliste. Operacionin e Dimrit në Qarkun e Vlorës e përballoi Brigada V Sulmuese. Në pasditën e inaugurimit Shtabi i Brigadës, i cili ishte në dijeni të planit të operacionit gjerman mori masa te shpejta dhe nisi repartet në drejtimet e caktuara. Ajo kreu një sërë aksionesh e betejash. Nuk kishte ditë që të mos mbetej pa një aksion. Ndër luftimet më heroike të Brigadës V S janë luftimet e zhvilluar në Vajzë, Palasë, Vuno, Picar, Pilur, Salari, Gjorm. Brigada jo vetëm e theu me sukses operacionin gjerman të Dimrit 1943-1944, por zhvilloi edhe një veprimtari të gjerë në popull, duke nxjerrë luftëtarë të tjerë të shumtë për plotësimin e pesë batalioneve të saj.

Urdhri i luftimeve që lëshoi Shtabi i Brigadës i vendoste forcat në këtë mënyrë: Batalionet e dytë e të katërt mbeteshin për mbrojtjen e krahinave të Vlorës, batalioni i tretë në mbrojtje të Bregdetit, kurse batalioni i parë e i pestë në mbrojtje të Kurveleshit të Sipërm nga Kaparieli deri në Salari, ku vepronte bashkë me ta edhe batalioni “Perlat Rexhepi”. Brigada zhvilloi njëzetë beteja të rëndësishme dhe qindra luftime e aksione të tjera, duke i shkaktuar armikut dëme të shumta në teknikën luftarake dhe mbi pesë mijë të vrarë e të zënë robër. Përballimi i operacionit armik të Dimrit 1943-1944 në kushtet e motit të keq, lodhjes, urisë dhe mungesës së municioneve, ishte një provë e madhe e aftësisë së saj luftarake. Me manovrime, ajo e goditi armikun rëndë edhe në Qishbardhë afër Vlorës, ku vritet edhe zëvendëskomandanti i Korpusit XX gjeneral Leitnant Dojc. Edhe operacionet e tjerë dështuan me humbje të rënda për armikun. Më 31 mars 1944 brigada u hodh në sulm të përgjithshëm në “frontin tokësor”, kështu e quanin gjermanët vijën Penkovë-Mavrovë, meqë prisnim një zbarkim të mundshëm aleat nga deti, duke u shkaktuar atyre shumë dëme. Për hakmarrje gjermanët në prill organizuan një operacion tjetër, që u prit kudo me luftë dhe që përfundoi me disfatën e tyre në Kuç. Komanda gjermane u detyrua të pohonte për repartin e saj se “trupa me një fuqi 380 vetë, me 26 mitralozë, duke mbetur siç duket pa komandë unike u shpartallua”.

Luftime dhe përvojë në fushën ushtarake

Në muajin maj 1944 brigada u përqendrua në qarkun e Gjirokastrës dhe të Përmetit, ku zhvilloi luftime dhe goditi dislokimin e formacioneve gjermane gjatë rrugës Follorinë-Janinë, luftime të rrepta në fushën e Çarshovës, goditjet që vazhduan gati çdo natë mbi forcat armike në Leskovik, Fushë Kabash, Gostivisht, Qafëzezë etj, duke e mbajtur armikun të gozhduar për ditë të tëra. Në fillim të qershorit pas një marshimi, brigada nisi sulmin mbi armikun në qafën e Gjarprit tek Guri i Prerë Shemberdhenj të Gramshit e në Qafë Dardhë të Beratit. Luftimet në Qafën e Gjarprit që u zhvilluan trup më trup dhe ku armiku u detyrua të ndryshonte drejtimin e të mos shkelte dot Tomorricën. Komandanti i regjimentit të parë Alpin, i krahason këto luftime me ato të frontit të Lindjes duke theksuar se “që prej Harkovit nuk është zhvilluar asnjë luftim analog natën”. Me thyerjen e Operacionit armik të Qershorit, brigada u nis për në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Midis luftimeve të ashpra që zhvilloi në Veri ishin në Macukulli, në Qafë Muhur mbi trupat gjermane që vinin nga Dibra për të rrethuar dhe asgjësuar brigade. Brigada me një manovër të madhe për dy jave rresht, me luftime të ashpra çau përpara në krahë e në shpinë të armikut, në drejtim të krahinës së Dibrës. Pas luftimeve, armiku u shpartallua dhe u çlirua Peshkopia. Në muajin gusht, gjermanët organizuan një operacion të gjerë duke u nisur me forca të mëdha nga Dibra e Madhe, Gostivari e Korabi, kundër Br. V S. U çliruan me radhë Dibra, Maqellara dhe Dibra e Madhe, ku brigadë u rreshtuan 100 luftëtarë dibranë. Luftime të tjera u zhvilluan në rrethin e Kukësit, kudo forcat partizane shpartalluan rëndë gjermanët dhe nga rrethi i Kukësit, u bashkuan me brigadën 150 luftëtarë. Në tetor-nëntor 1944 kaloi kufirin shtetëror, zhvilloi luftime të ashpra kundër nazistëve në Kosovë dhe së bashku me partizanë të Kosovës çliroi Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Senicën, Priepoljen, Sanxhakun. Në Kosovë, në bashkëveprim edhe me forcat partizane kosovare, brigade çliroi Gjakovën, Prizrenin dhe gjithë Kosovën. Në radhët e saj hynë qindra vullnetarë kosovarë. Pas riorganizimit të saj me 6 batalione, Br. V S marshoi në ndjekje të armikut për ta shpartalluar atë ku të gjendej deri në çlirimin e Sanxhakut. Brigada nga 1 dhjetori 1943 dhe deri më 15 mars 1945 përshkoi një rrugë luftarake prej 3.000 km nga Tërbaçi deri në Sanxhak.

Brigadë e mbuluar me lavdi

Nga kjo Brigadë ranë në fushën e nderit 357 dëshmorë të Atdheut. Dëshmori i parë i saj ishte vet komandanti i brigadës Abaz Shehu, Heroi i Popullit. Br. V S është ndër brigadat më heroike partizane, që mban titullin e lartë Hero i Popullit dhe ka nxjerrë gjiri i saj 13 Heronj të Popullit, ku 9 ranë në beteja, dy janë heroina si Dervish Hekali, Kastriot Muço, Zonja Çurre, Nimete Progonati, Hysen Çino, Abaz Shehu, Zaho Koka, Laze Nuro, Llambro Andoni. Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Hito Çako e morën titullin kur ishin gjallë dhe Rrahman Parllaku.

Brigada u bë edhe një fidanishte kuadrosh drejtues në luftë e pas saj. Të tillë ishin Mehmet Jaho, Nuri Arapi, Sali Ormeni, Kadri Hazbiu, Mehmet Ali Shehu, Zenel Hamiti, Çelo Arrza, Hajdar Aranitasi, Isak Lilaj, Rrahman Parllaku, Bako Dervishaj. Kuadrot e seksioni politik Hito Çako, Bilbil Klosi, Delo Balili, Andrea Varfi, Ramize Gjebrea, Kadri Brahimi dhe Tanush Shyti.