Brigada e shtatë, furtunë, në Luftë mbaje flamurë…

65
Enver Cakaj
Kush i nisi dhe nga u nisën? E morën bekimin e prindërve apo e kishin me vete? Ku po vinin dhe a do të ktheheshin më? Në luftë, ose do të vrasësh, ose do të vrasin. Tek iknin honeve e shkrepave ilegalisht, i thoshin njëri-tjetrit: “Takohemi në Destinën

e Vlushës!” Dhe iknin rrugë pa rrugë për të arritur deri atje. Atëherë duke ikur pyjeve, djemtë lanë si mesazh këto vargje: 
“Tek lisi me pllaka guri,
jepej fjala,s’tundej burri.”

Çfarë mesazhesh mbanin brenda këto dy vargje? Skraparasit në jetë të jetëve nuk kanë pasur kurrë nevojë për shufër kur ishte fjala për trimëri, po për fre. Ishte një forcë urrejtje brenda shpirtit të tyre, që nuk pyesnin se cilin kishin përpara. Drejtuesit e Brigadës së 7-të vrisnin mendjen për organizimin e luftimeve, por edhe për ushqimin e partizanëve.

Më poshtë po japim një letër që flet vetë për atmosferën dhe shpirtin luftarak të kësaj brigade:
Shoku Nure!
Duhet ta dini mirë që ushqimet e partizanëve dhe vullnetarëve duhet të dalin nga populli. Këtu në depon e Vertopit nuk kemi asnjë sasi të madhe ushqimesh dhe veç kësaj duhet të mendoni se kjo pak rezervë që ka qenë, ka qenë e mblojtur për Brigadën dhe për Batalionin që janë në front. Ata që shanë po i ushqejmë,italianët dhe gjermanët,në bishtin e tyre nuk do të bjemë, jemi një parti e organizuar me një program të gjallë që është njohur edhe prej aleatëve, domethënë ata që falen nuk do ti vrasim dhe nuk do ti lëmë të vdesin për bukë,se do jet turp për partinë e për të gjithë. Rojave të komunave në asnjë lloj mënyre nuk do tu epet ushqim,jo se nuk duam,po se nuk ka. Do ushqehen ata që nuk kanë mundësi, prizonierët e italianët, që këta nuk janë më tepër se 25-30 veta. Gjermanët mbaji ashtu si i ke për pak ditë, dy të burgosurit,edhe këta po ashtu sa që të vendoset puna e tyre.

Punët neve mirë, dje në Qafën e Sqepurit u bë një luftë e madhe midis ballistëve të bashkuar me gjermanët e Batalionit sulmonjës drejtuar prej Neshatit, përfundimi ka qenë shpartallimi i tyre. Po ju dërgoj këto që kemi: 2 kujntal miell gruri,1 kujntal fasule, 5 kg. kripë dhe 5 qirinj.

Përqafime Mane Nishova.
Nga ana tjetër, Prefekti i Beratit i drejtohej Tiranës me këtë radiogram: 
“Tepër urgjent, vonesa më e vogël shkakton përgjegjësi të rëndë! Po luftojmë brenda në qytet, jemi të rrethuar, kërkojmë ndihmë të shpejtë të qeverisë dhe të çdo shqiptari nacionalist…”
Ishte dimër në atë 17 mars të vitit 1944. Kishte rënë një prarimë dëbore. Asnjë partizan nuk pyeti, se ku ishte zjarri që të ngroheshin. As bukë nuk kërkoi kush. Atë ua sollën banorët e fshatrave përreth. As në pjata as me lugë,vetëm një copë bukë me gjizë e qepë në dorë. Rrugës e gjetën bukën dhe armët. Hysni Daja,një nga partizanët e kësaj Brigade ka lënë në kujtimet e tij: 
“Ishim duke ndenjur nën hijen e një fiku, aty, mbi kishë, kur shohim të vijnë nga Jakodina, Kallmi, Suku e deri nga Bubullima disa fshatarë që sillnin ndihma për partizanët madje edhe qerre të ngarkuara me bostan.” 
Po këta që ishin përfshirë në ndihmë të Luftës, a nuk quheshin partizanë? Sigurisht që po. Lufta nuk bëhej pa bukë e armë. Sa më shumë shtoheshin radhët e formacioneve partizanë, aq më shumë i zinin ethet pushtuesit e ballistët. Prefekti i Beratit vazhdonte informatat me Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme:

“Ky qark ka më se 2000 vullnetarë e gjindarmë, por qëndrojnë nëpër qytete se të gjitha zonat janë në duart e komunistëve…Asht më kot që këto fuqira të rrinë kot dhe populli këtyre krahinave të vuajë nën tmerrin e terrorit komunist,i cili po grabit krejt pasurinë e luajtshme të nacionalçlirimtarëve…” 

Po cilin hall qante prefekti, të popullit apo të nacionalistëve?
Brigada e 7-të e nisi luftën me 450 partizanë. Gjatë rrugës mori formën e plotë. Vetëm në Sulovë u shtua me 150 të rinj. Ec e shto ,ec e lufto, arriti në 2229 partizanë dhe bëri 3200 kilometra rrugë. Po beteja? E kush pati kohë t’i numëronte? Dihet që betejën e parë e nisën në Berat dhe të fundit në Vishegrad të Jugosllavisë. Vranë shumë, por dhe u vranë. Për të çliruar zonat ku luftoi kjo Brigadë la 302 djem si dielli, nga të cilët 122 mbetën përtej kufirit ku u plagosën 142 partizanë. Në Podujevë festuan një-vjetorin e Brigadës. Ku mbaheshin Fejzi Hoxha, Neshat Hysi, Qerim Gjineci, Orhan Frashëri me te shoqen, Valën, Adil Prishta, Bilo Bregu, Medi Hoxha, Vaip Gogo, Myzafer Trebeshina, Myqrem Fuga, Izet Hysi, Gjin Marku, Qazim Kapisyzi, Sulo Gradeci, Musa Hysi…Brigada kishte 312 analfabetë. Nuk dinin shkrim,po dinin të luftonin. Atje,nëpër beteja, i mësuan edhe shkronjat shqip. Që nga lufta partizani Mestan Hamzollari i shkruante të atit: 

“I dashur baba! Jam mirë atë lus dhe për ju, edhe unë që nuk dija të shkruaja mësova këtu me shokët e mi partizanë. Ju pyes, a e mbollët misrin? Të gjithëve vij u marr dorën.”

Fillimisht u quajt çupëlinë, por vepronte si djalë. Ajo i kishte dëgjuar përrallat e ballistëve, që u thoshin partizanëve, pse nuk kishin marrë edhe maternitetin me vete, kur panë këto vajza heroike të mbushin radhët e brigadave partizane. Se kush ishin ato, e tregoi Vala Gjeçi, (Frashëri), në atë aksion të vështirë. Në fshatin Kadipashaj u pa një njeri me armë që pengonte hyrjen e partizanëve nëpër shtëpitë e fshatit. Ata kishin urdhër të mos qëllonin mbi atë. Vala dolli para tyre dhe u bë gati të thërriste, po shokët e ndërprenë. Përpara tyre ishin ca fshatarë të gënjyer dhe ajo e la pushkën dhe shkoi e vetme tek ata dhe u tha: 

“Me që nuk i lini shokët, po vij unë. Nuk besoj të keni frikë nga një vajzë.” 

Ata e ndiqnin me sy me armë të drejtuara nga ajo. Atëherë nga brenda u dëgjua një zë: “Lereni vajzën të vijë!” Atëherë ata u tulatën, por një nga të moshuarit u hodh e tha: “Ne nuk jemi kundër partizanëve, po merr vesh beu e vjen na djeg shtëpitë.” Nuk ishte vetëm Vala trime në Brigadë, po të gjitha vajzat nuk dallonin nga djemtë për trimëri. Në luftë bëheshin edhe shakara. Në fshatin Radësh të Skraparit vajzat u veshën me uniformë balliste dhe i dolën përpara Ramiz Alisë ta trembnin, po nuk e mbajtën dot të qeshurin dhe u zbuluan shpejt. Në luftë kishte edhe provokatorë. Tek marshonte në Vokopolë të Beratit kolona partizane shikon që nëpër pyll ecte një njeri civil. Adil Dobrusha, një nga partizanët e shikon dhe i jep urdhër të ndalet. Ai,i zënë ngushtë, prezantohet si partizan i Brigadës së 7-të dhe hedh kapotën në tokë. Partizanët i bënë thirrje të dorëzohej, po ai nuk pranoi. Ai kishte qenë nënoficer i xhandarmërisë dhe sa dëgjoi thirrjen shpejtoi dhe u fut në pyll. Një partizan e ndoqi pas, po kur u afrua ai e qëlloi partizanin duke i përcëlluar fytyrën. Partizani rezistoi dhe qëlloi mbi të dhe e la të vrarë në mes të pyllit. Duke parë humbjet e thella, prefektura e Beratit ishte kthyer në formulim informacionesh të frikshme, që i drejtonte Ministrisë së Punëve të Brendshme: “…Kemi nderin me ju paraqit dy copë proces-verbale të mbajtura kundra të quajturve Gani Brahim Samiu nga katundi Radësh, Xhafer Hamit Hamitit nga katundi Koprenckë, të dy të rrethit Skrapar. Të pandehurit bënin pjesë si ushtarë komunistë në Brigadën e 7-të terroriste dhe janë zënë rob nga fuqitë gjindarme në luftim e sipër natën e datës 27.03.1944,kur Brigada në fjalë sulmonte për okupimin e këtij qyteti. Kjo prefekturë tue marrë parasysh se këta nuk janë dorëzuar me vullnetin e tyre në fuqitë qeveritare,por janë kapur në veprime luftarake në favor të komunistëve dhe me qëllim që të bëhen shembull për të tjerët, asht e mejtimit që t’i nepen gjyqit kompetent për ndjekje ligjore. Ngjitur ju sillet dhe një defter me disa shënime mbi formimin e kësaj Brigade të gjetur në xhepin e xhaqetës të së parit. Shtojmë se me anën e postës e në pako të veçantë ju paraqesim dhe kësulën me yll që mbante në kokë i pari si dhe një si fasulletë të kuqe që mbante në qafë si ushtar komunist.”

Zëvendësprefekti
Teki Xhindi
Janë mbushur 74-vite që nga ai mars i vitit 1944. Partizanët e asaj brigade kanë mbetur me numër, por heroizmi i tyre rritet viti vitit. Krismat e pushkëve të tyre dëgjohen e do të dëgjohen në jetë të jetëve lugjeve e honeve të maleve, sepse andej e kanë lënë rininë dhe gjakun e tyre.