Sigal

(Në kuadrin e 75-vjetorit të formimit)

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Çeta e Bregut u formua më 1 gusht 1943, në fushë të Vunoit me partizanë nga të gjithë fshatrat e Bregdetit. Emri i çetës u lidh ngushtë me përbërjen e partizanëve të saj që ishin të rinj punëtorë, fshatarë dhe shkollarë nga fshatrat e bregdetit të krahinës së Himarës. Ditën e përurimit çeta kishte 60 luftëtarë, mjaft prej të cilëve ishin hedhur në ilegalitet shumë kohë më parë dhe kishin marrë pjesë në aksione të ndryshme, si në vrasjen e togerit të karabinierisë italiane Moreti, eksponent me rëndësi i SIM-it i dërguar me detyrë të veçantë në Himarë, gusht 1942, në Luftën e Gjormit prej 27 dhjetorit 1942 deri në 2 janar 1943, në djegien e qendrës ushtarake të marinës ushtarake në Llogara me 6 janar 1943, etj. Çeta kishte në radhët e saj mjaft të rinj, komunistë dhe anëtarë të grupeve edukative, si dhe patriotë të zonës së Bregdetit. Në komandën e saj u caktuan Minella Koleka komandant, Andrea Varfi komisar, Arshi Memo zëvendëskomandant, Zaho Koka zëvendës/komisar. Me detyra të tjera u ngarkuan Petro Ziso intendent, Llambro Andoni, Kio Thani, Anest Andoni etj. Fillimisht sipas orientimeve të marra nga Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, çeta planëzoi dhe ndërmori disa aksione kundër forcave armike të dislokuara në zonën e Bregdetit. Komanda e çetës parapëlqeu veprime kundër pikave të veçanta të armikut, sipas një studimi të hollësishëm të terrenit dhe të gjendjes së tij. Kështu për çarmatimin e postës së xhandarmërisë në Dhërmi, një grup partizanësh me në krye Zaho Kokën, kapëm më parë një xhandar, i cili ju tregoi me hollësi gjendjen dhe armatimin e të gjithë postës së xhandarmërisë. Një aksion tjetër që të guximshëm u ndërmor kundër pikës së vrojtimit të italianëve të ngritur në një kodër dominuese afër bregdetit të Dhërmiut, brenda mureve të larta të oborrit të manastirit të Shën

Todhrit. Pika e vrojtimit ishte e armatosur mirë dhe ruhej ditë e natë, por partizanët kishin zbuluar pikën më të dobët të saj. Fshatarët shkonin afër manastirit për punë bujqësore e për gjah, dhe si zakonisht frekuentonin manastirin si besimtarë, ndaj ushtarët italianë ishin mësuar me këtë ritual, kështu që e ulën vigjilencën dhe u kapën në befasi nga luftëtarët e çetës së Bregut. Si rezultat i aksioneve të ndërmarrë nga çeta, gjatë muajt gusht 1943, postat e xhandarmërisë u çarmatosën një e nga një, me përjashtim të Spilesë. Kështu e gjithë rruga automobilistike që nga Llogoraja deri në Borsh, u vu plotësisht nën kontrollin e forcave partizane. Çeta e Bregdetit zhvilloi një varg aksionesh e luftimesh kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të popullit, prishi gjithë postat e xhandarmërisë në fshatrat e Bregut, hodhi në erën urën e Llamanit në afërsi të fshatit Himarë, shkatërroi ndërtesën e marinës në afërsi të Porto-Palermos dhe, në bashkëpunim me fshatarët, dogji kazermat ushtarake italiane në Sukë.

 02

Çeta me luftime në Kurvelesh

Çetës së Bregut i takoi, që daljen e parë jashtë krahinës ta bëjë në Kurvelesh në fundgushti të vitit 1943. Këtu u dërgua nga Shtabi i Zonë I Operative, me detyrë për të mbështetur forcat e lëvizjes, në një kohë kur po acaroheshin me forcat e Ballit Kombëtare, por dhe për të ndaluar së bashku me çetat e tjera partizane e vullnetare, përparimin e trupave italiane që kërcënonin të mësynin Kurveleshin nëpërmjet luginës së Salarisë. Çeta e Bregut e komanduar nga trima dhe luftëtarë, e organizuar dhe e armatosur mjaft mirë, madje e veshur dhe e pajisur, kaloi në fshatrat e Kurveleshit me një rregull shembullor dhe flamurin kombëtar në krye, me këngë atdhetare dhe partizane, duke tërhequr admirimin e popullit të fshatrave të Golemit, Kaparielit, Zhulatit, Fushëbardhës e Tatëzatit. Pastaj, gjithnjë në bazë të urdhrit të Shtabit të ZIOp., Çeta e Bregut u nis për në rajonin e Gjirokastrës, ku ditën e fundit të gushtit 1943 mori pjesë në luftimin e Libohovës së bashku me forcat partizane të batalionit “Asim Zeneli”, “Naim Frashëri” e “Misto Mame”, duke e kryer me nder këtë detyrë luftarake. Në muajin shtator 1943 së bashku me forcat vullnetare të Kurveleshit, çeta theu sulmet e fashistëve gjermanë, që shoqëroheshin me tanke e aviacion, dhe mbrojti me këmbëngulje pozicionet që i ishin besuar në Sukë. Në sajë të punës politike dhe të vendosmërisë ushtarake, çeta shpartalloi një batalion që organizuan reaksionarët filogrekë. Në vazhdim, gjatë muajit shtator 1943, partizanët e çetës luftuan me këmbëngulje në rajonin e malit të Qeparoit kundër kolonave fashiste gjermane, që kërkonin të depërtonin në drejtimin Sarandë-Vlorë. Me kapitullimin e Italisë, çeta sipas urdhrit të Shtabit të ZIOp., organizoi dhe mori masa që së bashku me forcat vullnetare territoriale të krahinës së Himarës, të kryej rrethimin e plotë e çarmatimin e pikëmbështetjeve italiane në rajonin e Palermos, të Himarës dhe të Dhërmiut. Në komunikatën e Shtabit të ZIOp., të datës 18 shtator 1943 thuhej se lajmet që vijnë sot nga Bregdeti vërtetojnë se batalionet partizane territoriale kanë çarmatosur gjithë forcat fashiste italiane prej Himarës deri në Borsh.

 03

Çeta pjesëtare luftarake e formacioneve të mëdha

Gjatë kohës që zhvillohej Lufta e Drashovicës, Çeta e Bregut e përmbushi mirë detyrën, që kishte marrë duke bllokuar për 20 ditë rresht rrugën Borsh-Llogora, si nga veriu dhe nga jugu. Çeta ruajti dhe mbajti të lirë Porto Palermo, nga ku sipas kërkesës së komandës së Div. Italian “Peruxhia”, që kishin dorëzuar armët në Sarandë, mund të imbarkoheshin për në Itali, një numër i madh ushtarësh italianë të çarmatosur nga ky port ushtarak. Në ditët e para të tetorit, gjermanët mësynë drejt Himarës me këmbëngulje, si nga jugu dhe nga veriu duke hedhur forca të shumta e sidomos grupe të shpejta luftimi. Çeta e Bregut dhe forcat e tjera partizane e vullnetare zhvilluan luftime të rrepta sidomos në rajonin Borsh-Palermo, duke i gjakosur dhe zmbrapsur disa herë hitlerianët, por ata duke mësyrë nga Vlora, depërtuan nga Llogora në drejtim të Himarës. Forcat partizane bënë rezistencë, manovruan nëpër terrenin e ashpër të krahinës, që i favorizonte dhe dolën në zonën e lirë të Lumit të Vlorës pa humbje. Në fillim të nëntorit 1943, Çeta e Bregut u rreshtua në Grupin e Parë të Vlorës, të ZIOp., (Batalioni “Halim Xhelo”) dhe zhvilloi veprimtarinë e saj luftarake kryesisht në krahina të tjera. Kështu mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në pellgun e Dishnicës, ku u shpartalluan dhe u dëbuan ballistët, kurse në dhjetor u ndesh me gjermanët në Qafën e Kiçokut. Kudo çeta i kreu me nder detyrat e saj luftarake dhe fitoi emër të mirë midis forcave partizane dhe banorëve të zonave. Me formimin e Br. V S më 20 janar 1944, partizanët e Çetës së Bregdetit u rreshtuan në radhët e saj, dhe shumë prej tyre u caktuan me përgjegjësi të ndryshme ushtarake e politike. Gjatë dimrit 1943-1944 krahina e Himarës, si gjithë Shqipëria, u angazhua në shumë veprime luftarake të forcave partizane dhe vullnetare kundër pushtuesve gjermanë e tradhtarëve, veprime që çuan në thyerjen e mësymjes së përgjithshme armike të dimrit. Në operacionin e Dimrit, partizanë të çetës, të inkuadruar në radhët e Br. V S, vranë një agjent të rrezikshëm të hitlerianëve dhe të shovinistëve grekë.

 04

Batalioni që komandohej nga Zaho Koka

Në kuadrin e masave që mori Br. V S për të përballuar armiku, që mësynte në shumë drejtime, javën e fundit të janarit 1944, shkoi në Bregdet batalioni i tretë që komandohej nga zëvendës/komisar Zaho Koka. Ai i vendosi forcat në rajonet Ura e Palasës, Borsh Qeparo dhe Vuno-Himarë, terren të cilin e njihte mjaft mirë. Nga mesi i shkurtit 1944, Br. V S dhe forcat partizane e vullnetare të qarkut të Vlorës e të Kurveleshit, filluan veprimet kundërmësymëse për çlirimin e rajoneve të pushtuara nga armiku gjatë mësymjes së dimrit. Në këto rajone ishin vendosur forca të konsiderueshme balliste. Batalioni i dytë i Br. V S pasi kishte zhvilluar me sukses luftime kundër tyre në rajonin e Kudhës-Qeparo-Borsh-Kuç, kaloi në rajonin e Mesaplikut dhe mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Vranisht. Në rajonin e bregdetit komanda gjermane, shumë e shqetësuar nga që forcat partizane kaluan “prapë në sulme aktive” dhe paraqitnin “kërcënim të vazhdueshëm të rrugës bregdetare Vlorë-Sarandë” vazhduan dhe më pas presionin kundër partizanëve dhe bazave të tyre. Forcat partizane të Br. V, VI S dhe të ZIOp., në bazë të planit të komandës së tyre të përbashkët, e goditën armikun në krahë e në shpinë në shumë drejtime, për ta çoroditur e për ta penguar sulmin e forcave gjermane, duke organizuar një mbrojtje të fortë në rajonin e Kuçit. Në periudhën e mësymjes pranverore të UNÇSH-së krahina e Himarës u përfshi në veprime luftarake sidomos të Br. VI S, e cila kishte zëvendësuar Br. V S. Në operacionin e Qershorit partizanët, e njësitit dhe shumë fshatarë të përfshirë në forcat vullnetare territoriale, ndihmuan forcat e Br. VI S në luftimet që u zhvilluan ndërmjet fshatit Vuno dhe Iljas. Nga ana e nazistëve mbetën mjaft të vranë, kurse nga partizanët, duke luftuar me trimëri, mbeti i vrarë zëvendës/komisari Zaho Koka. Në këtë kohë u mobilizuan shumë vullnetarë nga fshatrat e Bregut, të cilët formuan batalonin e 5-të të Br. VI S, i cili mbajti për shumë kohë emrin Batalioni i Bregut. Më tej vullnetarë të fshatrave të Bregdetit u inkuadruan në Br. XII S. Të paharruar kanë mbetur Heronjtë e Popullit Zaho Koka, Llambro Andoni, Persefoni Kokëdhima, si dhe dëshmorët e Atdheut: Vasil Gjiknuri, Pano Dhimgjoka, Niko Aleksi, Thoma Sino, Irakli Thani, Llambro Sheti, Niko Rrapo, Milo Makoçi, Eftihi Baka, Naço Koço, Arqile Vjero, Foto Goxho e shumë partizanë të tjerë të kësaj çete, që dhanë jetën për liri. Çeta e Bregdetit me veprimtarinë e saj luftarake bëri emër të mirë në gjithë zonën e Himarës, për të vazhduar më tej me Labërinë, sidomos me Mesapliku, Kurveleshin e gjer në skajin jugor, Lëkurësin, pra në Himarën e vjetër. Bijtë dhe bijat e kësaj çete i vunë emër të mirë krahinës dhe sot ata kujtohen dhe nderohen në të gjithë këto treva si bijtë e tyre. Bashkia e Himarës sot, e në vazhdim do të krenohet dhe për fshatrat e Labërisë që janë pjesë e juridiksionit të saj, si Kuçi martir, Kallarati i djegur e i përvëluar, Vranishti i masakruar, Bolena më trimja, Tërbaçi, vendi i patriotëve dhe do t’i shtohet më shumë detyrimi moral për të përkujtuar dhe nderuar veprën e tyre të pavdekshme.