Boriçi e Xhelaj sjellin një libër me vlera për bektashizmin

1325
Ferit FIXHA
Promovimi, sot në orën 11:00 në sallën “UNESKO” të Muzeut Historik Kombëtar
Libri “Baba Shefqet Gllava, martir i demokracisë”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Syrja Xhelaj, si e para dallëndyshe në krye të shoqeve, është i pari i kolanës “Klerikë bektashinj të persekutuar”, projekt i Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë. Botimi i kësaj kolane, nismë nga Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Hirësia e tij Haxhi Baba Edmond Brahimaj, është një projekt, që siç shprehet vetë Baba Mondi, “synon evidentimin e rolit të klerit bektashian, përkushtimin e tyre në shërbim të njerëzve, vuajtjet shpirtërore në dekada, qëndresën në mbrojtje të besimit, deri edhe para plumbave, që u morën jetën; synon të dale në shesh e vërteta, në mënyrë që klerikët bektashinj, që u ndëshkuan, të prehen të qetë dhe shoqëria t’u kthejë vlerësimin e vëmendjen e merituar për kontributin real që kanë dhënë”. Nëpërmjet këtij libri të bukur, me nivel përmbajtësor e shprehimor, del në pah ndjenja e thellë e besimit, karakteri vital, idetë humanitare dhe atdhedashuria e Baba Shefqet Mahmutaj (Gllava) Koshtani. Ai, si një fetar i vendosur, me mistikën e tij, nuk predikonte mohimin e idealeve të jetës tokësore, përkundrazi, mendimi dhe vepra e tij, mesazhi i qartë i tyre, u shërbeu njerëzve, popullit. E përndoqën Baba Shefqetin, e burgosën, ia morën jetën me pushkatim, por ai mbeti gjer në frymën e fundit besnik i bindjeve të tij bektashiane, që kanë në thelb harmoninë, mirëkuptimin, tolerancën, atdhetarinë. Ai qe i tillë, sepse në mendje e shpirt, në bindje e veprime, kishte si dritë udhërrëfyese jetën dhe veprën e dymbëdhjetë imamëve martirë bektashinj, heronj të tragjedisë së Qerbelasë, vetë Abas Aliun, për të cilin poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, ka gdhendur këto vargje lapidare: Ç’është ay që shkon kaluar/ Ikën si veriu,/ Me dy-tri foshnja në duar?/ Eshtë Abas Aliu !/ (“Lulet e Verës”, 1890). Baba Shefqeti, i qëndroi besnik devizës bektashiane “Pa atdhe nuk ka fe”, si një klerik i ditur, patriot me reputacion, i drejtë, zemërbardhë e gojëmbël. Ai ishte kundër çdo lloj dhune e diktati. Kudo që shërbeu: në teqen “Turballi Sulltan“ në Volos të Greqisë, në Gllavë, Krahës, Turan, Koshtan, e ktheu zemrën dhe institucionin në vatër të atdhetarizmit. Ai shkoi në Vlorë për ditën e flamurit më 28 Nëntor 1912, e priti me indinjatë pushtimin fashist më 1939, përkrahu Luftën Antifashiste Çlirimtare, por megjithatë, Sigurimi i Shtetit e vuri në survejim që më 7.4.1946, e arrestuan më 6.11.1946, e dënuan me pushkatim me akuza të sajuara dhe më 14 Janar 1948 e ekzekutuan bashkë me 14 burra të tjerë të pafajshëm. Materiali i paraqitur në këtë libër nga autorët Kujtim Boriçi e Syrja Xhelaj, i përzgjedhur dhe i sistemuar me përgjegjësi e kompetencë, të bind, të emocionon, të ngjall shpresë e besim, të ngulit respekt për martirin e demokracisë Baba Shefqet Gllava. Janë domethënëse, prekëse dhe frymëzuese të gjitha studimet, kujtimet dhe mbresat për të, të cilin populli e ka përjetësuar në këngë: Si baba Shefqeti,/ të tillë lindin rrallë,/ O ylli mbi Gllavë/. Një gjë konstatohet nga kushdo që e merr në duar dhe lexon këtë libër: Profesionalizmi, mënyra e të shkruarit, njohja dhe përzgjedhja e dokumenteve arkivore, sjellja e dëshmive të bashkëkohësve të personazhevve e ngjarjeve si dhe kultura e përgjegjësia e të shkruarit, në funksion të paraqitjes sa më të plotë e të koncentruar të asaj që është në interes të lexuesit. Mendoj se në këtë libër, është shkrirë dukshëm profesionalizmi dhe eksperiance e Kujtim Boriçit në përdorimin e dokumenteve e përgatitjen e monografive me objekt personazhe apo ngjarje historike, me finesën dhe njohjen e Xhelajt për mistikën e bektashizmit dhe kalvarit të mundimshëm tetëshekullor të këtij besimi që po përqafohet përditë e mëshumë nga njerëz që duan paqe, dashuri e harmoni. Duke i përgëzuar autorët dhe Kryegjyshin Botëror Edmond Brahimaj për këtë nismë të radhës, shpresoj dhe kam besimin, që dhe librat e tjerë të kolanës kushtuar persekutimit të klerikëve baktashinj, të sjellin më të plotë diçka të munguar në historiografinë e bektashizmit
Sigal