Bomba atomike dhe bombat “njerëzore”

1226
Safet N. RAMOLLI
Situatë e jashtëzakonshme që kërkonte masa të jashtëzakonshme
(Hiroshima dhe Nagasaki 6 dhe 9 gusht 1945)
1 shtator 1939, kur Gjermania sulmoi Poloninë, është fiksuar si data e fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo, për fatin e keq të popujve, do vazhdonte plot 2077 ditë, të cilat mund të epitetohen pa mëdyshje “ditë tmerri” për njerëzimin. Në këtë masakër njerëzore u përfshi popullsia e 61 shteteve në tre kontinente (Evropë, Azi, Afrikë), territori i 41 prej tyre u shndërrua në fushëbetejash. 110 milionë qytetarë të globit, të veshur me uniformën e ushtarakut, luftonin me egërsi kundër njëri-tjetrit për të ndërprerë sa më shumë jetë njerëzore. 
Mijëra qendra të banuara dhe qindra qytete iu nënshtruan “ndëshkimit” të bombardimit nga 1.5 milion gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke, dhjetëra-mijë mjete luftarake detare dhe miliona armë këmbësorie të kalibrave të ndryshme. 
Mendja njerëzore, fatkeqësisht kundër çdo fije humanizmi njerëzor, u tundua dhe prodhoi mjete për asgjësimin masiv të njerëzve në hark kohor sa më të shkurtër. Kampet e përqendrimit përgatitnin kushtet për vdekje të përshpejtuara, ndërsa dhomat me gaz dhe krematoriumet eliminonin në një seancë qindra njerëz.
Mijëra njerëz varroseshin të gjallë; qindra fëmijëve u këputej koka pa fije mëshire; me lëkurat e rrjepura nga njerëzit prodhoheshin shala për kuaj, abazhurë ndriçimi, çanta grash, rripa të ndryshëm etj., ndërsa me flokët e grave prodhoheshin fije sintetike për qepje e qëndisje. Nga 1.126.000 ton hi pas djegies së trupave të njerëzve, i përzier me ujërat e zeza, plehërohej toka për “të shtuar” prodhimin për të ushqyer njerëzimin “e rralluar” në 30-40 milionë njerëz. Jeta ishte gati një çështje shorti. Të mbijetuarit tregojnë ngjarje deri të pabesueshme. Një i ri hebre shprehet, se çdo ditë njerëzit rreshtoheshin. Atje përcaktohej se cili numër do të asgjësohej: tek apo çift. Dikujt i qëllonte fati, që të asistonte humbjen e nënës dhe do të mbijetonte me vjehrrën… Ai shprehimisht pohon: “Ne nuk luftojmë për jetën, por për çmimin e jetës… Jo për të shmangur vdekjen, por për të gjetur mënyrën tonë se si të vdesim…”. Kudo lëshohej thirrja kobzezë: “Të jemi të pamëshirshëm, nëse duam të ardhmen!…Të sigurojmë hapësirën tonë jetike!…”. Qytete të tëra ngjasonin me fantazma të frikshme, ndërkohë që nuk po shfaqej në horizontin e diplomacisë asnjë fije shprese për t’i dhënë fund masakrimit më mizor të njerëzimit.
Në këtë situatë të jashtëzakonshme, tre drejtuesit e Koalicionit Antifashist Botëror, bërthamën e të cilit e përbënte SHBA-ja, BS-ja dhe Anglia, gjykuan se duhej gjetur një mjet, qoftë edhe ekstrem, që “të justifikonte qëllimin”: ndaljen e gjakderdhjes së mëtejshme dhe shkatërrimit makabër të vlerave të arritura në qindra vjet, si dhe kthimin e lirisë së dhunuar. U vendos që të përdorej, për herë të parë dhe të fundit në historinë e deritashme të njerëzimit, arma atomike, si mjet i dëmtimit në masë, që do të shkaktonte “një fund të tmerrshëm” në vend të një “tmerri pa fund”.
Ja kronologjia e tmerrit nga armët atomike të dëmtimit në masë.
Në përfundim, për aq sa cituam, çdo lexues, mendoj se do të arrinte në përfundimin logjik: Kësaj çmendurie duhej dhënë fund; kësaj kasaphane të pashembullt duhej thënë, NDAL! me çdo mjet. Për herë të parë duket se teoria “qëllimi justifikon mjetin” është më se e arsyeshme. Tre Fuqitë e Mëdha të drejtuara nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill, argumentuan se nuk ishte më e udhës të humbisnin pakuptim jetë të tjera njerëzore si dhe të zgjatej kjo “luftë mizore”, prandaj gjykuan se përdorimit të mjeteve shfarosëse në masë, pra bombës atomike, i kishte ardhur koha. U përzgjodhën dy qytetet Hiroshima e Nagasaki për t’iu nënshtruar “ndëshkimit” për faj të udhëheqjes së paarsyeshme të popullit japonez. Më 6 gusht, në orën 08.15, bombarduesi i rëndë B-26 hodhi mbi Hiroshimë “Little Boy”, bomba e parë atomike e përdorur kundër njerëzimit, ndërsa më 9 gusht të njëjtin fat do të pësonte edhe Nagasaki prej një tjetre bombe atomike të emërtuar “Fat Man”. Është një fatalitet i vërtetë, por që duhet pranuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përmes Rezolutës VHA-34,48, titulluar: “Raporti i Komitetit Ndërkombëtar të Ekspertëve në Shkencat Mjekësore”, në analizë të dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i armëve bërthamore pohon shifra rrëqethëse, për sa i përket çështjes Hiroshima-Nagasaki. Nga goditja atomike me lëndë bazë uraniumin e dhënë më 6 gusht në Hiroshima, deri më 31 dhjetor 1945 rezultojnë më shumë se 145 mijë të vdekur, prej të cilëve 20 mijë ishin ushtarakë e punëtorë të marrë me detyrim në punë, përfshi edhe me kombësi kineze, koreane etj. Ndërkohë, goditja atomike me lëndë të parë plutoniumin, e dhënë më 9 gusht në Nagasaki, deri po më 31 dhjetor 1945 u shoqërua me 70 mijë (plus minus 10 mijë) vetë të vdekur, nga të cilët vetëm 150 ishin ushtarakë. Pra, janë 215 mijë jetë njerëzish të ndërprera në një hark kohor prej pesë muajsh. Megjithatë, dëmtimi duhet të konsiderohet edhe më i madh, po të sjellim në vëmendjen e lexuesit se, janë me mijëra të tjerë, të cilët preken nga infeksioni i rrezatimit radioaktiv, aq i pranishëm në raste të tilla. Më pas shumë njerëz do të lëngojnë nga sëmundjet që shkakton rrezatimi radioaktiv, përfshi edhe në ditët tona. 
Të ngjashme me këtë katastrofë njerëzore, të aplikuar me vetëdije dhe përgjegjshmëri të plotë nisur nga një qëllim i mirë, duke zgjedhur dhe pranuar midis të këqijave atë më të voglën, janë edhe incidentet në fushën e energjisë bërthamore, natyrisht të shkaktuara si pasojë e pamundësisë për të kontrolluar dhe administruar fenomenet e natyrës. Ja dy raste. 
• Incidenti në njësinë katër të centralit atomik në Çernobil të ish-B.S më 26 prill 1986, rezulton me fuqi shpërthyese 60 herë më të madhe se sa bomba atomike e lëshuar në Hiroshima. Rrezatimi radioaktiv u përhap në një zonë mjaft të gjerë në territoret e Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë, për rrjedhojë u shpërngulën përgjithmonë më se 350 mijë njerëz nga trojet e tyre. Me miliona njerëz rezultojnë të prekur nga rrezatimi radioaktiv, i cili sjell vdekje të parakohshme por të sigurt. Megjithatë ka organizata prestigjioze, të cilat shprehen për mijëra jetë të ndërprera. Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se janë 9 mijë të tillë, ndërkohë që një organizatë tjetër, Greenpeace, pohon se ky numër arrin në 93 mijë. Sikurse mund të gjykohet, pasojat e tij janë mjaft të hidhura. Edhe shqiptarëve të moshës mbi 40 vjeç u kujtohet fare mirë se, rrezikun e infektimit radioaktiv e përjetoi edhe vendi ynë krahas vendeve të tjera të Evropës. Pasojat po ndihen edhe në ditët tona përmes produkteve të vjetra të asaj periudhe, të cilat si për ironi importohen edhe pse dihet rreziku i tyre për jetët e njerëzve, ashtu sikurse shtypi është shprehur edhe për materiale ndërtimi p.sh. prodhime hekuri, të cilat kanë humbur aftësitë e tyre, por që gjithsesi importohen me çmime më të lira, por që mund t’i kushtojnë një ditë shtrenjtë shoqërisë shqiptare.
Edhe pse kjo ishte vetëm një fatkeqësi natyrore, pasojat e saj vijojnë t’i paguajnë jo vetëm banorët e zonës, por edhe të tjerët përreth. Tashmë ka mjaft organizma dhe organizata botërore dhe rajonale, të cilat jo vetëm evidentojnë pasojat, por edhe zbatojnë masa konkrete për të lehtësuar banorët nga kjo plagë, e cila dhemb në vijimësi dhe për një kohë të gjatë.
• Një ndër incidentet më të dhembshëm mbetet ai i Japonisë. Më 11 mars 2011 në prefekturën Niyagi ra një tërmet i fuqishëm prej 8.9 ballë të shkallës Rihter. Ai u shoqërua me një cunam që ngriti dallgë rreth 30 metra lartësi. Ndërkohë u difektua njëri nga reaktorët e centralit bërthamor në Fushkoshima. Në tre ditët e para u artikulua shifra 5.000 viktima; në krye të javës kjo shifër shkoi në 8.300; gati pas një muaji u fol për 12.152 viktima dhe më tepër se kaq të zhdukur. Vetëm pas një viti u konfirmua shifra 15.774 viktima dhe 4.227 të zhdukur. Edhe kjo ishte një fatkeqësi natyrore, por sidoqoftë e dhembshme për nga pasojat që solli.
“Bombat njerëzore”
Me shifra të frikshme na vijnë edhe ngjarjet apo zhvillimet, që nuk kanë të bëjnë as me përdorimin e armëve të dëmtimit në masë, dhe as me të tjera të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Ato janë thjesht për shkaqe të mirëfillta njerëzore, por jo për gabime njerëzore. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe deri në ditët e sotme, njerëzimi është tronditur nga ngjarje dhe zhvillime, që janë shoqëruar me humbjen e mijërave jetëve njerëzore. Nuk e kemi fjalën aspak për ngjarje të tilla, si konflikte midis shtetesh të ndryshme apo midis popullsisë të një shteti, të cilat, për fat të keq, kanë rezultuar me dendësi mjaft të konsiderueshme dhe në gati gjithë kontinentet. Shkurtimisht do të sjellim në vëmendjen e lexuesit 2-3 ngjarje që kanë krijuar pellgje gjaku dhe që vijojnë të rrjedhin apo pikojnë akoma gjak. Si shkak bazë ka shërbyer keqqeverisja nga regjime totalitare, por edhe aktivizimi i individëve, grupeve apo grupimeve me prirje kriminale, sikurse më i fundit është grupimi terrorist i quajtur ISIS. Kryesisht këto grupime deviacioniste, ekstremisht antinjerëzore, kanë marrë jetë dhe kanë vepruar në Afganistan, Irak e Siri më shumë, por edhe në Libi, Jemen e gjetiu tjetër më pak. Këto zhvillime janë përgatitur dhe drejtuar nga “koka të nxehta”, të tipit Hitler, Musolin dhe pasuesit e tyre në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga koka të tjera “të nxehta” të tipit Pol Pot, Sllobodan Millosheviç, Bin Landen, Sadam Husein, M. Kadaf, Asaad etj. Janë këto “koka të nxehta”, që edhe pas përfundimit të Luftës II Botërore, i kanë shkaktuar njerëzimit shumë ndërprerje të jetëve njerëzore të pafajshme. 
 Makina ushtarake serbe më herët, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i shkaktoi Bosnjës më se 260 mijë viktima. 
 Ndërkohë në vitet 1998-1999 i shkaktoi popullsisë shqiptare në Kosovë më se 15 mijë viktima dhe më shumë se kaq të plagosur e të gjymtuar, ashtu si më se 6 mijë të tjerë u mbajtën peng në burgjet serbe. Drejtuesit e shtetit të Kosovës pohojnë se gati 800 fëmijë janë therur si berrat (qengja), ashtu si më se 20 mijë femra kosovare janë përdhunuar nga forcat militare serbe. 
 Gjakderdhja në Afganistan dhe në Irak tashmë është prezent prej dekadash. Në Afganistan nga zhvillimet konfliktuale midis forcave qeveritare dhe terroristëve talebanë të Bin Landenit në vitet 2001-2014 janë sakatuar gati 174 mijë viktima. 
 Në Irak në vitet 2002-2008 u shkaktuan 95.000 viktima, shifër që më vonë flet për më shumë se 150 mijë viktima. Por më saktë po citojmë, thuajse gati afërsisht, pohimin e ish zëvendëskryeministrit të Anglisë. Më 9 korrik 2016 mediet angleze shprehen se Tony Blear, ish kryeministër i Anglisë, akuzohet nga zëvendësi i tij, se ndërhyrja ushtarake në Irak gjashtë vjet më parë (korrik 2010) ishte e paligjshme. Në atë konflikt humbën jetën 179 efektivë të forcave të armatosura angleze dhe 150 mijë irakenë. Njëherësh ai shprehet se ministrat e Anglisë atë mot e kishin të ndaluar të shpreheshin. Por çështja duhet gjykuar edhe më gjerë. Për fatin e keq të popullit irakian, por edhe të popujve fqinjë e më tej, gjendja në Irak nuk u stabilizua edhe pas rrëzimit të regjimit të Sadam Hyseinit. Ҫdo ditë media pohon për dhjetëra jetë njerëzore që ndërpriten në forma dhe me mjete të ndryshme. 
 Konflikti popullor me qeveritë në Egjipt, Libi, Tunizi, Jemen, Siri, në të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, filluar në vitin 2011 dhe që vijon në Siri, ka shkaktuar mijëra jetë të ndërprera. Në Tunizi u shkaktuan më se 300 viktima; në qendër të Kajros u vranë 846 protestues; në Jemen bëhet fjalë për gati 5000 viktima, ndërsa në Libi u shkaktuan jo më pak se 33.000 viktima dhe më se 450 mijë banorë janë emigruar. Në Siri deri në vitin 2015 është pohuar shifra prej 200.000 viktimash, por në mesvitin 2016 pohohet shifra 250 mijë viktima, e cila pas një viti kap shifrën e 300 mijë viktimave. 7.6 milionë janë shpërngulur nga trojet e tyre, ashtu sikurse 3.7 milionë të tjerë kanë emigruar me shpresën se mund të gjejnë një strehë mbijetese në vendet e ndryshme të Evropës. 
Vetëm viktimat në tre vendet e cituara më sipër, janë tre herë më shumë se viktimat e shkaktuara nga dy goditjet atomike në Hiroshima e Nagasaki. A nuk është rasti, që Burrat e Shtetit të Fuqive të Mëdha, të apelojnë: Ku po shkon bota kështu?!! A është kjo rrugë e arsyeshme?!! etj.
Edhe në Shqipëri janë disa zhvillime të pakëndshme gjatë periudhës së tranzicionit tepër foshnjarak dhe të tejzgjatur. 
Vrasjet për shkak të hasmërive dhe gjakmarrjes janë kthyer në fenomen të frikshëm. Me dhjetëra familje jetojnë në kushte të cenimit të lirisë, për të mos u shprehur, të humbjes së plotë të saj. Në këto familje janë me dhjetëra fëmijë që privohen nga e drejta e arsimimit, duke mbetur përjetë të shantazhuar për të bërë një jetë normale. 
Po ashtu vrasjet për probleme pronësie, për “prishe të pazareve” në fushën e krimit të lëndëve narkotike apo të trafikimit të qenieve të gjalla, e sidomos të asaj që organet policore e citojnë “trafikim i mishit të bardhë” për qëllime prostituimi, kapin shifra të konsiderueshme. 
Një fushë më vete e humbjeve të jetëve njerëzore është ajo që media e krahason me viktimat në fushëbetejë dhe e epiteton “kronikë lufte”, pra viktimat e shkaktuara nga aksidentet rrugore, të cilat për fat të keq janë të pranishme gati çdo ditë. 
Po sjellim në vëmendjen e lexuesit disa shifra, që edhe të pasakta, (janë më pak nga realiteti faktik) janë të mjaftueshme, që politika shqiptare, në mos të nxjerrë mësime, të paktën të skuqet. Më 2008 është artikuluar shifra e 5098 viktimave të shkaktuara nga armët e zjarrit, gati 350 viktima rezultojnë si vetëvrasje dhe 700 të tjerë të plagosur. Për dy dekada (1991-2011) flitet për 8 000 viktima me motiv pretendime pronësie dhe 6 000 të tjerë si pasojë e aksidenteve rrugore. Këto dhe gjakderdhje të tjera në rajone të ndryshme, përbëjnë ende gjak, që kullon pa shkaqe të arsyeshme, të cilat edhe mund të frenohen ose minimizohen.
Për ta përfunduar këtë çështje, po sjell në vëmendje, qëndrimin e qeverisë amerikane sa i përket përdorimit të armës atomike në Luftën e Dytë Botërore. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 presidenti amerikan Barak Obama realizoi një vizitë në Japoni. Në agjendë përfshiu edhe një vizitë në Memorialin kushtuar viktimave të shkaktuara nga bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht 1945. Nderoi viktimat si dhe shprehu keqardhje për çka kishte ngjarë, por nuk pranoi fajësinë e Koalicionit Antifashist Botëror, çka e përkthyer do të thotë, se e quan të arsyeshme dhe të domosdoshme përdorimin e armëve të dëmtimit në masë përmes goditjes me bombë atomike, kur ajo çmohet si e keqja më e vogël midis të këqijave më të mëdha. Pra qëllimi i mirë, në interes të mbrojtjes së jetëve të pafajshme, justifikon përdorimin e “mjeteve të dhunshme”!
Sigal