Bilbil Vlora, ustai i muzikës qytetare me saze

Nga Ergys ALUSHI

Vlora e fillim shekullit të 20-t ë kishte jetën e vet normale, me ngjarje e zhvillime që ndikonin në jetën e qytetit e të njerëzve që jetonin aty. Qyteti numëronte rreth 4 mijë banorë, që banonin në një hapësirë të vogël, me banesa të vogla njëkatëshe që nga deti i ndante një moçal i tërë. Krijimi i klubit patriotik “Labëria” do fillonte ta prishte monotoninë e qytetit dhe ngjarjet do të zhvilloheshin të vrullshme. Bashkë me ato patriotike, do të merrnin jetë edhe ngjarjet kulturore, do të shtoheshin këngët e vallet, do të luhej më shumë muzikë. Në vitin 1909 do të jepej shfaqja e parë teatrale e do të krijohej e para orkestër. Shpallja e Pavarësisë do të shoqërohej me një gëzim të ligjshme të banorëve të Vlorës, muzikantët e këngëtarët e të cilit do të mblidheshin edhe në 1 vjetorin e shpalljes së saj për të festuar e kënduar, në ato pak bare të vogla të qytetit. Në luftën e Vlorës të vitit 1920, kompozitori Thoma Nasi do të kompozonte këngën “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora”, ndërkohë që në nëntor të vitit 1922 do të krijohet në Vlorë e para bandë muzikore. Janë këto disa nga ngjarjet kulmore kulturore në qytetin e Vlorës që lidheshin me muzikën dhe këngën. Dhe në këtë atmosferë jetonin çdo ditë dhe të parët e familjes Cenko, kryefamiljari Abduli e djali i tij Bilbili. Ky i fundit ka qenë 23 vjeç në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Ai ishte bërë një emër i njohur në Vlorën e atyre viteve. Në shtëpitë e vlonjatëve, në kafenetë e vogla të rrugicave të vjetra të “Muradies”, xhamisë së Tabakut, Varroshit e Vrenezit, në dasmat plot aheng ku merrte pjesë e gjithë mëhalla, ku klarineta e violina ishin mbretër e magji e kohës në varfërinë e mizerjen e atyre viteve.

Po kush është Bilbil Ceno që edhe kur është kujtuar në ndonjë rresht të ndonjë artikulli për dikë tjetër ia kanë shkruar njëherë mbiemrin Ceno e një herë tjetër Çeno, por që në të vërtet, vërtetuar dhe nga certifikata e tij e lindjes, e ka mbiemrin Cenko? Në të vërtetë ka shumë pak informacion të shkruar për Bilbil Vlorën. Datëlindja e tij është 10 tetor 1889 dhe ka lindur në qytetin e Gjirokastrës. Ndoshta kjo dhe për faktin se në kohën kur ka luajtur muzikë, qyteti i Vlorës ka qenë i zënë me të tjera ngjarje, kryesisht me karakter luftarak, ku dhe ato pak shkrime që publikoheshin në gazetat e kohës, shkruanin për ngjarje e personazhe luftërash. Shkruhej për Shpalljen e Pavarësisë, Ismail Bej Vlorën, pushtimin italian të Vlorës, Luftën e Vlorës 1920, Avni Rustemin e kryengritjen e 1924, komplotin kundër Mbretit Zog e të tjera si këto. Përballë ngjarjeve e personazheve të tilla, ndoshta askush nuk është kujtuar të shkruajë për atë apo ata që i këndonin qytetit, dasmave, ngjarjeve historike, festave familjare. Nuk ka shkrime të atyre viteve për këtë kategori artistësh. Një nga këta është edhe Bilbil Vlora. Ndoshta në shtëpitë e familjeve të vjetra të Vlorës duhet të ketë foto e dorëshkrime për artistin e sazeve e këngës popullore qytetare vlonjate, të cilat duhet të dalin në dritën e botimit e të bëhen të njohura për publikun e gjerë. Edhe pse pa shumë informacion për jetën e veprimtarinë e tij, ato pak të dhëna e rreshta të shkruar nga autor e kohë të ndryshme, konfirmojnë faktin se ai me të drejtë mund të konsiderohet “babai” i këngës popullore qytetare vlonjate. Por jo vetëm kaq. Këngët e muzika e Bilbil Vlora janë pa asnjë dyshim baza mbi të cilat u krijua grupi “Trio vlonjate”, e pranuar kjo dhe nga studiues të këngës popullore qytetare vlonjate, por pa dhënë shumë detaje për Bilbil Vlorën. Këngët polifonike të trevës së Vlorës dhe sazet e hershme, ishin baza e këngës popullore qytetare vlonjate. Qyteti i Vlorës, në fillimet e shekullit të 20 ka pasur muzikantë të talentuar, të cilët gjallëronin sadopak jetën e asaj kohe, dasmat e gëzimet e familjeve vlonjate. Klarinetisti Bilbil Cenko dhe vëllai i tij, violinist Asim Cenko kanë qenë dy nga muzikantët me emër jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera afër me Vlorën. Ata ishin pjesë e familjes Cenko që ishte një familje e madhe artistësh, të cilët me veglat muzikore që u binin dhe këngët që këndonin, mbushnin monotoninë e viteve 30-40 në qytetin e Vlorës. 

Për veprimtarinë dhe namin e madh që gëzonte në atë kohë Bilbil Vlora hedh dritë së fundmi edhe akademiku Vaso Tole, i cili pak ditë më parë, në një status në faqen vet në FBI, zgjidh enigmën e emërtimit të një pllake me regjistrime diskografike të viteve ’20 të kryer nga një kompani muzikore amerikane. Akademiku Vaso Tole zgjidh enigmën e emërtimit në diskun me regjistrime diskografike të viteve ’20. Ia kishim borxh Bilbil Vlorës këtë sqarim. Ndër sazet legjendare të viteve 1920-1930 (kohë që përkon edhe me vitet e arta të regjistrimeve diskografike), ishin edhe ato të Riza Nebatit ose Riza Beratit. Ky ishte Usta i shquar në gërnetë i qytetit të Beratit, prej të cilit u frymëzua skenaristi Vath Koreshi për skalitjen e personazhit të Halit Beratit në filmin Gjeneral Gramafoni. Në regjistrimet diskografike të lëna prej tij, që të gjitha me shumë vlerë, shumica të COLUMBIA-s, shohim që shkruhet Riza Bilbili dhe si të tillë e kanë kuptuar shumica e dashamirësve të kësaj muzike. Në fakt, Bilbili nuk është mbiemër për të, por është emri i një Ustai tjetër e shumë të rëndësishëm të muzikës qytetare me saze. Ai ishte Bilbil Vlora, ndoshta artisti më i rëndësishëm pas Selim Asllan Leskovikut. Enigma zgjidhet këtu pasi Riza Berati dhe Bilbili (Vlora) kanë punuar së bashku dhe kanë regjistruar edhe disqe. Kjo edhe muzikalisht dallohet qartë pasi gërneta e Bilbil Vlorës s'ka të dytë. Mjafton ta dëgjosh një herë të vetme. Pra kur shkruhet RIZA BYLBYLI janë së bashku Usta Riza Berati dhe Usta Bilbil Vlora: RIZA & BYLBYLI! Siç është edhe në diskun e mëposhtëm. Ashtu siç ishin në të vërtetë!

Historia e fotos së vetme që nuk ekziston më
Bilbil Vlora nuk ka qenë pra i njohur vetëm në qytetin e Vlorës dhe qytetet pranë Vlorës, por njihej edhe jashtë vendit, si në Turqi, Greqi e vende të tjera deri dhe në Amerikën e largët të atyre viteve. Në vitin 1927 mësohet të ketë dhënë një koncert në Itali, ku ka përfaqësuar sazet e Jugut. Bilbil Cenko ( Vlora ) ka të njohura në ditët e sotme më shumë se 15 këngë, të kënduara vetëm dhe në bashkëpunim dhe muzikantë të tjerë të kohës. Fatkeqësisht, nuk ekziston asnjë foto e këtij muzikanti të njohur të sazeve të Vlorës e Jugut të Shqipërisë. E vetmja “foto” e tij është një vizatim sipas përshkrimeve të të afërmve të tij, shumë vite më vonë. Një shpresë e madhe për ta ripunuar portretin e tij është një tjetër artist i kësaj familjeje, piktori i njohur vlonjat Petrit Ceno, i cili ka shumë kujtime për Bilbil Vlorën, pasi ka jetuar për shumë vite në një shtëpi me të. Vite më parë, po ky piktor mësohet të ketë bërë një gabim të madh, duke prishur të vetmen fotografi që ekzistonte në shtëpi nga muzikanti i njohur. Në vitet e para të shkollës kur filloi pikturën, në shtëpinë e tij ndodhej një foto e madhe e Bilbil Vlorës, që kishte dalë së bashku me grupin, vëllezërit e tij, Asimin e Rakipin, në Athinë, në vitin 1930. Petriti donte ta vizatonte, por pasi nuk i dilte mirë piktura, e mori dhe e grisi foton në inat e sipër. Familjarë të tij e kujtojnë atë “A kanë ujë ato burime”, këngë e Vlorës!

“A kanë ujë ato burime”, “Më zuri taksimi”, “Korba, o Çeço” janë disa nga këngët e Bilbil Cenko që kanë ardhur deri në ditët e sotme, falë regjistrimit të tyre në pllaka gramafoni të viteve ’30. Amerikani Christopher King ka publikuar një disk ne 2011 me këngë shqiptare të viteve ‘20-’30, ku në 12 këngë, 4 janë të Bilbilit. Nëse dëgjon në këtë pllakë këngën e kënduar nga Bilbil Vlora, “A kanë ujë ato burime” e kupton menjëherë se kënga që këndohet sot ka vetëm melodinë të njëjtë ndërkohë që teksti është i ndryshëm, duke lënë të kuptohet se kënga është kënduar për herë të parë nga Bilbil Vlora dhe nuk është një këngë e mirëfilltë përmetare, siç është njohur deri tani. Bilbil Cenko dhe grupi i tij do të bëhej shumë shpejt i njohur në të gjithë trevat e Shqipërisë e do të thirrej gjithandej për të dhënë koncerte e për të bërë aheng në dasmat e kohës, ku nuk përjashtoheshin edhe ftesat në dasmat e bejlerëve. Muzika që luante Bilbil Vlora, por edhe zëri i tij, ishte e veçantë, kishte melodi, ai ishte gati-gati si zëri i një tenori. Ai do të luante muzikë përkrah grupeve të tjera të njohura të kohës, si grupet e këngëtaret e Leskovikut apo me grupin muzikor të korçares Qerime Ballit, Cilo Qirrit e të tjerë artistë. Sipas familjarëve të Bilbil Vlorës, një prej muzikantëve të familjes së madhe Leskoviku, Vangjel Leskoviku, do të bashkëpunonte shumë vitet e fundit me Bilbil Cenkon, dhe do të vdiste në qytetin e Vlorës. Në dhjetor 1930, Bilbil Vlora dhe virtuozë të tjerë të jugut u mblodhën në Gjirokastër, ku ishte vendosur nisma e kompanisë diskografike ODEON për regjistrime të këngëve në disqe gramafoni dhe dy vjet më vonë, sazet e Bilbilit fton përsëri në Shkodër nga Marubi dhe kësaj radhe grupi regjistron këngë në disqe gramafoni, që sipas të dhënave kanë qenë të destinuara për në tregun e Malit të Zi. Bilbil Vlora me grupin e tij ka lënë një trashëgimi të regjistruar në muzikën popullore, të cilën nuk e ruajmë të plotë deri më sot. Përveç tetë regjistrimeve që kemi në disqe gramafoni, studiuesi Vaso Tole jep një pasqyrë të disqeve që janë regjistruar nga mjeshtri popullor, por që sot janë të munguara nëpër fonoteka. Bilbil Vlora dhe grupi i tij kanë regjistruar pranë shoqërisë diskografike COLUMBIA. Sipas katalogut të botuar në shqip të shoqërisë diskografike ODEON, nuk na del shënimi i ndonjë regjistrimi që ka bërë Bilbil Vlora aty. Ose, ekziston mundësia që regjistrimet e tij të jenë pas botimit në shqip të katalogut të ODEON-it. Sidoqoftë, deri më sot nuk kemi hasur regjistrim të tij nën siglën e kompanisë ODEON.

Teksti i këngës “Më zuri taksimi”
Ç'më zuri taksimi / të vete me plakënë / do ‘i bej yzmenë 
të i marr uratënë / Ç'më zuri taksimi / të vete me nusenë / do të blej maqinë / t’i shkurtoj baluketë / Ç'më zuri taksimi / të vete me çupatë / Bilbil Vlora do t’ju bënem / 
t’ju këndoj me zymërë
Çingiet e Bilbil Vlora

Havaja dhe Rremja kanë qenë 2 çingitë e Bilbil Vlorës. Havaja dhe Rremja kërcenin dhe i binin defit. Ka qenë dhe Bajamja. Sipas dëshmive të bashkëkohësve, Rremja i kishte flokët e gjata dhe kishte performancën e saj të veçantë nëpër dasma, E ulte dhe e ngrinte kokën lart. duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Havaja dhe Bajamja ishin vlonjate, kurse Rremja ka mundësi të ketë qenë nga Berati, por nuk ka të dhëna të sigurta për atë. Bilbili Vlora ka edhe një këngë për Bajamen, kur ajo u shtrua në spital “Kur u shtrua Bajamja në spital / O në Karabash / Po binte qemanja / Në spital na është shtruar Bajamja / Oo ooo qyqa moj Rreme / oo sa e bukur je”

Dhëmbi i thyer i Vangjel Leskovikut!
Në periferi të Korçës bëhej një dasmë e madhe në një familje bejlerësh. Ishin të ftuar disa prej muzikantëve me saze më të njohur në jug, prej tyre Bilbil Vlora dhe Vangjel Leskoviku. Vangjeli banonte ne Leskovik në atë kohë që kështu ishte një nga të parët që kishte mbërritur në dasmë. Vangjeli kishte filluar muzikën, kuptohet gotë mbas gote kishte ardhur në qejf. Muzikantët e tjerë e rrethonin i fundit që do të vinte në dasmë ishte Bilbil Vlora. Vila ndodhej në një kodër, Bilbili sapo kishte marrë rrugën për tek kodra dukej dhe vila. Përgatit klarinetën e nxjerrë nga dritarja karrocës dhe ia nis melodisë së një valleje. Disa njerëz jashtë shtëpisë dëgjuan dhe filluan me entuziazëm duke thënë "erdhi Bilbili, erdhi Bilbili" Muzikantët sa dëgjuan emrin u ngritën të gjithë në këmbë. Vetëm Vangjeli vazhdonte të luante muzikë Njëri prej orkestrës i thotë “Vangjel të respektojmë usta Bilbilin, mbylle klarinetën” Mirëpo Vangjeli nuk e dëgjonte dhe një muzikantë e godet te klarineta dhe i thyen një dhëmbë. Usta Bilbili mbylli çdo çështje si më i madhi në moshë që ishte. Dhe filloi dasma. Pas disa vitesh, Bilbili dhe Vangjeli do bëheshin miq të ngushtë. Do të regjistronin dhe një valle bashkë.

Pasardhësit
Në vitin 1924 u lind në Vlorë biri i mjeshtrit popullor. Hajdar Bilbili njihej si punëtor i dalluar në atë qytet, por shpejt nën ndikimin e të atit, ai u bë një këngëtar i mirë dhe njëkohësisht një interpretues në gërnetë. Ai ka drejtuar për disa kohë grupin e baletit në klubin “Halim Xhelo” në Vlorë. Një nga krijimet më të mira të Hajdar Bilbilit është vallja “Nën hijen e ullinjve”, të cilën e krijoi në vitin 1951, si dhe këngën e Selam Musait në vitin 1953. Hajdar Bilbil Vlora ndërroi jetë në Vlorë në vitin 1987 i nderuar dhe respektuar, jo vetëm nga artistët e qytetit, por nga mbarë vlonjatët. 

“Trio Vlonjate”
Diku në një nga ditët e fundit të muajit maj të vitit 1950, tre këngëtarë do të bashkoheshin për të kënduar së bashku disa këngë qytetare vlonjate të përpunuara nga kompozitorët Themistokli Mone e Reshat Osmani. Ata do të ishin Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe Bersharete Ismaili. Këta do të ishin pjesëtarët e parë të asaj që më vonë do të njihej si “Trio vlonjate”.

Në vitin 1953, grupit do t’i bashkohej këngëtarja Meliha Doda, që do të zëvendësonte Bersharete Ismailin. Përpunimi i këngëve të trevës së Vlorës dhe këngët e kënduara nga të mirënjohurit në Vlorën e viteve ’30-40, Bilbil Cenko e Asim Cenko, do të ishin baza e këngëve që do të këndonte grupi i cili në vitet në vazhdim do të bëhej i njohur në të gjithë vendin, duke e ngritur në një stad më të lartë këngën popullore qytetare vlonjate.

Vdekja e Bilbil Vlorës
Sipas familjarëve të Bilbil Vlora, edhe në vitin 1948 kur mjeshtri do të zinte shtratin, i sëmurë dhe në prag të vdekjes, do t’i vinte një ftesë për të marrë pjesë në një dasmë shqiptare në Stamboll së bashku me sazet e tij. Por, Bilbil Vlora nuk e kishte më fuqinë e alegrinë e viteve të tij të bukura, kur me klarinetën e tij shpërndante tinguj të magjishëm e të ngrohtë, duke qarë e cicëruar si zog së bashke me veglën e tij të dashur që i ishte bërë pjesë e trupit. Telegramin që e ftonte për në Stamboll e mbante fort në dorë si “testamentin” më të bukur për famën e madhe që gëzonte edhe jashtë vendit, përderisa e prisnin me padurim, por ai nuk mund të shkonte për shkak të sëmundjes, duke dhënë shpirt mes njerëzve të familjes e pranë klarinetës së tij. Duke u përcjellë me dashuri nga vlonjatët e atyre viteve, të cilët e donin dhe e kishin mikun e shtëpive të tyre, të gëzimeve, ndaj edhe i thërrisnin Bilbil Vlora, me emrin e qytetit të tyre, si nderimi e titulli më i lartë që jo shumë njerëz, grupe apo vende e kanë pasur këtë emër në historinë e Vlorës. Mbiemri “Vlora” ishte mbiemër bejlerësh në Vlorë, një nga ata ishte Ismail Bej Vlora, dhe Bilbil Cenko ishte “Bej” në muzikën, këngën e klarinetën e tij, ndaj dhe e kishte merituar ta thërrisnin me emrin e qytetit. Bilbil Cenko ( Vlora ) është nderuar me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” dhe emrin e tij e mban një nga rrugicat e një prej lagjeve të vjetra të Vlorës, lagia “Partizani”, ndërkohë që më shumë dihet të jenë vlerësimet e mirënjohja për mjeshtrin e madh të sazeve e këngës qytetare vlonjate e asaj shqiptare.