Bilal Xhaferri, kritika për “Dasmën” dhe takimet e fundit

1330
Sigal

Flasin për takimet me Bilal Xhaferrin, Namik Mane, Kipe Avdia, Vath Koreshi

Bilal Xhaferri: Më vjen keq që e zhgënjeva Ismailin, se ai kujtoi se unë do ta lavdëroja për romanin “Dasma”

Dy fjalë për z. Namik Mane

Shkrimtar mik i ngushtë i Bilal Xhaferrit, të cilit i ruajti duke ia fshehur veprën deri në vitet e demokracisë. Ashtu si Bilali për motive politike ka qenë i internuar në fshatin Hamallaj të Durrësit nën survejimin e sigurimit të shtetit

Në vitin 1966 shkroi vëllimin poetik “lirikat e ushtarit”, të redaktuar nga kritiku Adriatik Kallulli. Këtij vëllimi i ishte bërë dhe kopertina në shtëpinë botuese por nuk doli në qarkullim sepse për rrethana të pakuptueshme libri u ndalua dhe në vitin 1967 ju hoq e drejta e anëtarësis në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. 1968 internohet me gjithë familjen në Hamallaj të Durrësit. Nuk kishte mundësin të botonte asgjë deri në vitet e para të demokracisë. Në këto vite ka punuar për grumbullimin e materialeve letrare duke botuar në shtypin e ditës, veçanërisht për Bilal Xhaferrin. Së fundi është duke përgatitur librin si një bashkëbisedim për Bilal Xhaferrin. Merret me aktivitet privat dhe është njohësi i mirë i rretheve letrare dhe mik i shkrimtarëve të njohur.

Namik Mane për Bilal Xhaferrin

Çfarë janë këto budallallëqe që thuhen për Bilal Xhefrrin. Nuk mund të çohet për mend që Bilal Xhaferri të jetë çuar nga sigurimi i shtetit në SHBA. Sigurimi i shtetit kishte njerëz të përgatitur me kohë që ishin edhe të fuqishëm dhe që kryenin misione personale për të ulur njeri apo tjetrin personalitet sipas modeleve që i dinte mirë sigurimi. Përkundër këtyre zërave të natës, Bilali në Amerikë ka shkruar vetëm kundër komunizmit dhe kundër Enver Hoxhës, kundër regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Çdo njeri që shkonte në Amerikë ka një mision për t’i shërbyer padronit që e dërgon. Porse Bilali nuk kishte asnjë mision. Misioni i Bilalit ishte të shkruante kryeveprat e tij dhe të denigronte me gjithë fuqinë e tij komunizmin.

Bashkë me Bilali kam ndenjur 6 muaj që të arratiseshim nga deti, por ai nuk rrinte dot në ujë. Kemi grumbulluar flori që të iknim me një anije, por që për 2 orë ai do të duhej të rrinte në ujë, por ai e kishte të pamundur këtë gjë. Do t’i jepnim 10 florinj atij që do e bënte këtë punë. Kështu që dështoi kjo tentativë pa e marrë vesh askush, ndaj po e them sot.

Unë vërtet kam pasur veprën e Bilalit, por edhe kam humbur shumë shkrime edhe të mijat bashkë me ato të Bilalit. Bashkim Kuçuku ka botuar veprën e Bilalit me sponsporizimin e Tahir Muhedinit. Unë kam pasur marrëdhënie të mira me Bashkimin, por në lidhje me Bilalin kam pasur kundërshtime me Bashkimin. I kam shkruar këto mendime në një artikull të gazetës “Drita” të asaj kohe pas vitit 1991. Dua të them se Bashkim Kuçuku ka dashur t’i monopolizojë gjërat vetë. Realisht ai i ka gjetur vetë shkrimet e Bilalit. Unë shkrimin e parë për Bilalin e kam botuar në korrik të vitit 1991, kurse të tjerët kanë botuar shkrime pas 2-3 vjetësh. Shumë vjersha Bilali i ka marrë me vete, ndërkohë që Bashkim Kuçuku thotë se i ka bërë në Amerikë.

Bilal Xhaferri është një yll i paarritshëm, është një meteor ndriçues, por që jetën e ka pasur të shkurtër.

Fatkeqësisht nuk kam qenë në Lidhjen e Shkrimtarëve në atë ditë kur Bilali u ngrit e foli për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ma kishin hequr të drejtën e botimit dy vjet më parë dhe nuk mund të hyja në një mbledhje të shkrimtarëve. Kur Bilali më ka thënë një fakt shumë të bukur mua kur ka dalë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe më ka takuar, se e prisja jashtë në një vend. Nuk është e drejtë që Bilali ka pasur armiqësi me Ismailin. Më ka thënë fjalë për fjalë vetë Bilali “Më vjen keq se e zhgënjeva Ismailin, se ai kujtoi se unë do ta lavdëroja”. Këtë thënie e kam botuar më 1992.

Kur unë kam vajtur herën e fundit në Lidhjen e Shkrimtarëve, në një kohë që ishte e nxehtë puna e arratisjes së Bilal Xhaferrit, aty kam gjet Dritëro Agollin, ai më fliste me simpati për Bilalin dhe në një moment erdhi Anastas Kondo. Në debat e sipër me Anastasin, ai më thotë se “ti Namik ke qen mik i Bilalit”. Pa mbaruar ende ai, nuk më la radhë të flisja Dritëroi që tha shpejt e shpejt “në të gjithë kemi qenë miq të Bilalit dhe jo vetëm Namiku”, që më la një shije shumë të mirë për atmosferën e mirë që kishte krijuar Bilal Xhaferri në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Unë po përgatitem të shkruaj një vepër për Bilal Xhaferrin dhe do ta botoj së shpejti dhe aty do t’i them të gjitha për Bilalin, këtë shkrimtar të madh që u shua shpejt si një meteor.

Do të dua të shtoj këtu se ata që flasin për Bilalin janë njerëz të vegjël, për të cilët Majakovski ka thënë që “unë nuk merrem me njerëz të vegjël”. Dua të them se çdo vit nga kufiri në Konispol arratiseshin gjatë asaj ditës së festës së Bogazit. Kështu që thënie të tilla janë të njerëzve të vegjël që duan të bëjnë pis portretin e Bilalit. Askush nuk e pranon një gjë të tillë, se thonë njerëz të parëndësishëm dhe si shërbëtor të në ndonjë mision ogurzi.

Dy fjalë për Kipe Avdia

Bashkëfshatar i Bilal Xhaferrit nga Shalësi i Konispolit. Ish arratisur nga Shqipëria në SHBA në moshën 27 vjeçare në vitin 1965. Në vitet 1973 deri më 1976 ka punuar bashkë me Bilalin në Çikago në kohën kur botohej revista “Krahu i Shqiponjës” dhe i ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme si i besuar i tij. Iku më pas në Toronte dhe u mashtrua nga një person nga Shkodra që e solli në Shqipëri, ku edhe bëri 12 vjet burg. Jeton sot në Elbasan

Kipe Avdia për Bilal Xhaferrin

Të flasësh për Bilal Xhaferrin nuk ka laps dhe letër që ta shkruash. Veç kësaj ai është një njeri që ka shkruar me ndershmëri. Kushdo që flet sot për Bilal Xhaferrin, është një tradhëtar, se vetëm ata flasin kështu sot pas 27 vjetësh të vdekjes së tij, se deri më sot askush nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë të vetme. Ata që flasin janë sigurimsat që kërkojnë të bëjnë pis figurën e një shkrimtari të madh. Edhe Kadareja ka pasur gabim që ka shkruar ashtu tek “Ftesë në Studio” për Bilalin, se Kadareja kishte mbështetjen e partisë në atë kohë dhe Bilali e kishte babanë të pushkatuar nga ajo parti e spiunëve.

Bilali bëri mirë që iku se ishte organizuar që ta arrestonin, bile edhe ta pushkatonin siç bënë edhe me të tjerë dhe me të tyret. Bilali është një nga patriotët më të mëdhenj të krahinës sonë.

A dini ju që unë kam jetuar 4 vjet me Bilalin në Çikago të SHBA se edhe unë isha arratisur dhe atje bëmë revistën “Krahu i Shqiponjës”. Në atë revistë Bilali u bë një luftëtar antigrek, antikomunist dhe anti sllav. E ndihmoja Bilalin duke i shpërndarë gazetën se mua më njihte më mirë nga të tjerët, por për fatin e keq, edhe ata që ishin nga kjo anë nga ishte Bilali dhe unë, nuk e ndihmonin, e shihnin shtrembër dhe pa interes. Kushedi se si mendonin ata, por ndihma e tyre për punën që bënte Bilali dhe për sakrifikimet, ishte një ndihmë shumë shumë e vogël.

Isha i bindur se në radhët e atyre që e shihnin shtrembër Bilalin, kishte edhe nga ata të sigurimit që rrinin të heshtur dhe një ditë ia thash që duhet të kishte kujdes. “Çfarë do të më bëjnë mua ata, o Kipe, unë jam i lirë sot në vendin e lirisë”, – më thoshte shpesh, megjithëse pikërisht aty edhe e plagosën edhe e vranë më pas. Në fillim Bilali ishte në Boston, e më pas erdhi në Çikago. Në Boston kishte edhe komunista, edhe sigurimsa që çuditërisht i mban Amerika. Bëja shumë kujdes për të dhe ia thoja “Bilal ki kujdes se ne ata i kemi gjithnjë prapa dhe ata mund edhe të na vrasin”.

Për në Amerikë ika më 1965 dhe u ktheva më 1977. Pse erdha do të thuash ti. Erdha sepse propoganda e njerëzve që hiqeshin të thjeshtë të sigurimit na mashtruan mua dhe shumë shqiptarë të tjerë. Që kam ardhur nga Amerika, kam qenë totalisht i droguar dhe i mashtruar. Edhe na u tha se ishte bërë një amnisti. Kur erdha në Shqiëpri ma thanë që, e dhe sikur ti të mos kishe ardhur, ne do të hiqnim qafe atje. Më morën edhe 35 mijë dollarë kanades, se më pas unë, nga Çikago vajta në Toronto. Ata donin të më vrisnin mua se unë isha martuar me një vajzë që nënën e kishte nga Camajt dhe babanë nga Pustinat dhe ajo ishte nga familje shumë e mirë që nuk e donin komunizmin në Shqiëpri.

Kur vajta në Çikago, u mor vesh që nga isha dhe Bilali më erdhi në shtëpi. Se atje kishte shumë çamër të tjerë nga Markati, Shalsi, Njanjari, Ninati, por jo nga Konispoli në 1975 ne e krijuam Lidhjen Çame në Çogago. Për këto e kujtoj me shumë nostalgji Bilalin, si njëri besnik, atdhetar, fisnik dhe artist me një penë të mrekullueshme. Edhe kur erdha në Shqipëri, pyetja e parë që më bënë ishte edhe për Bilal Xhaferrin, të gjitha m’i pyetën në hetuesi. Ata ishin të interesuar të dinin gjithçka rreth Bilalit. Çfarë nuk më kanë bërë në hetuesi që të flsija për Bilalin të dhëna se me se merej e si e organizonte punën ai. Ata e dinin mirë që ne ishim antikomunistë se shtypnim revistën dhe aty flitej gjithçka kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës. Edhe logoja e revistës ishte me tela me gjemba, ashtu siç ishte Shqipëria në fakt.

Sabri Hamiti

Bilal Xhaferri është moshatar i Ismail Kadaresë dhe i Anton Pashkut. Bilal Xhaferri është poet i etnisë me idetë për dheun e tjetërsuar, me dhembje të përhershme për kulturën e rrezikuar, të shikuar nga brenda dhe nga këndi i altaritetit, me gjakun e trazuar karshi situatave historike. Ai është poet orgjinal me shpërthime të veçanta figurative që lindin vetëm një herë. Ai është një poet lirik i lindur që krijon tekstin poetik të ngjeshur me emocione pa asnjë mbetje e kursim, njësoj kur këndon a vajton për Çamërinë, por kur këndon të përzier mallin, brengën me adhurimin për Kosovën.

Vath Koreshi

Trokiti dera në shtypshkronjë dhe brenda zgjati kokën një djalë me flokë të verdha me onde, me një fytyrë të pjekur nga dielli dhe të argasur nga erërat. Ky njeri me fytyrë të ashpërsuar dhe me një xhakovendë doku bojë qielli, dukej të ishte një punëtor bujqësie, por që i ishte rrahur në gjoks dielli i poezisë. Ai njeri aq i ëmbël dhe i butë, më dukej sikur nuk dinte të qeshte. Vetëm se i ndriste një hije nëpër fytyrë si qielli kur hapet dhe atje kish më shumë keqardhje se sa gëzim.

Adem Istrefi

Me mikun tonë çam na përbashkonin jo vetëm fatet, por edhe kërshëria për të ditur sa më shumë për njëri-tjetrin, ngaqë vetë ne përbënim pikat më të skajshme të vetë gjallesës së kombit tonë dhe ngaqë në këto pikëlargime gjenim kaq shumë pikëtakime.