Bibliotekat e medreseve, orakuj që bënin dritë

1217
Sigal

Vlerësimi për Bibliotekat e Medreseve ishte i madh, ato u shndërruan në një orakull të vërtetë për vendasit dhe të huajt

 

Bibliotekat e medreseve dhe myftinive, orakuj që bënin dritë

 

Nga Vepror Hasani

 

Bibliotekat e medreseve dhe myftinive u bënë kaq të famshme sa nisën të vizitoheshin edhe nga udhëtarë, shkrimtarë dhe studiues të huaj. Ato ishin nga më të mirat, pasuroheshin vazhdimisht. Njerëzit e pasur u dhuronin libra dhe relikte të çmueshme. Kërshëria për librin ishte e madhe, dëshironin të dinin për kohët e shkuara dhe të ardhmen e tyre. Te librat gjendeshin të fshehta të mëdha. Në bibliotekë ruheshin edhe akte të Gjykatës së Shenjtë (sherie), regjistra kadastralë e dokumente të tjera të moçme. Edhe familjet e mëdha myslimane krijuan bibliotekat e tyre, por libra gjeje kudo në familjet myslimane. Biblioteka e Bushatlinjve, e Vlorajve, e Frashërllinjve,e Bahollit dhe shumë të tjera ishin thesare të vërteta. Vlerësimi për to ishte i madh. E veçantë mbeti biblioteka e Myftiut të Tabakëve të Shkodrës, ose siç quhej ndryshe e “Kllyçit”. Ajo u shndërrua në një orakull të vërtetë për vendasit dhe të huajt. Gjermanët u bënë frekuentuesit e saj të përhershëm. Vinin aty për të pyetur për luftën dhe paqen, tregtinë dhe trazirat e papritura që mund të lindnin mes popujve etj. Për të gjitha këto do të flasim më poshtë.

Biblioteka e medresesë së Korçës

Mirahori tregoi kujdes të veçantë edhe për ngritjen e një biblioteke pranë Xhamisë. Një bibliotekë të tillë kishte ndërtuar edhe pranë xhamisë së Stambollit, e cila quhej xhild-hane: Tek vakëfnameja thuhet:“Edhe për shehun e dervishët e tij që banojnë në dhomat e quajtura xhildë-hane e që janë përballë xhamisë në fjalë, cakton 20 derhem për çdo ditë…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe). Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë pati edhe Xhamia e Korçës, e cila u vinte në ndihmë vajzave dhe djemve të medresesë, dhe gjithkujt tjetër që donte të lexonte. Biblioteka e xhamisë së Korçës ose e medresesë ndihmoi shumë në nxitjen e interesit për librin. Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës kishin qenë prej shekujsh të miqësuar me librin. Kjo është dhe arsyeja pse fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete: “Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (dalin). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” Biblioteka e Myftinisë së Korçës

Djegia e librave të bibliotekës së medresesë për besimtarët myslimanë të Korçës mbeti dhimbje e paharrueshme. Prisnin çastin më të volitshëm për ta ringritur sërish, por vitet e luftës nuk i lejuan për një kohë të gjatë. Biblioteka, fillimisht, mund të ngrihej pa shpenzime të mëdha, pasi libra gjendeshin në çdo familje myslimanëve të Korçës. Ishin të shumtë edhe ata që dinin një gjuhë të huaj. Megjithatë në vitin 1942, edhe pse vendi ishte i pushtuar, besimtarët morën vendim për ngritjen e bibliotekës së Myftinisë, e cila do t’u shërbente edhe vajzave dhe djemve të medresesë.

Arkivi i Myftinisë Berat

Tashmë po ndalemi te arkivi i Myftinisë së Beratit dhe biblioteka e sheh Hasani të Beratit, për të cilat ka shumë pak informacion:“Myftinia e Beratit ka pasur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçmë dhe shumë sende të tjera interesante për historinë e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290)

Biblioteka e sheh Hasanit

“Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka pasur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat, dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqipe me germa arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290)

Biblioteka e Myftiut të Tabakëve ose Biblioteka e Kllyçit

Në vitet ‘30, në të hyrë të Shkodrës, jo larg Xhamisë së Plumbit, gjendej një bibliotekë me libra të shumtë e dorëshkrime të rralla, të lidhura bukur, me kapakë të trashë dhe zbukurime prej ari. Ajo ndodhej në një nga lagjet më të vjetra të Shkodrës, në lagjen e Tabakëve, ishte pronë e myftiut Isuf Tabaku. Edhe udha që të çonte te biblioteka quhej “Udha e myftiut”. Isuf Tabaku ishte njeri i studiuar, me dije të mëdha, lexonte shumë, i pëlqente të shkruante dhe dinte të bënte kritikën e librave.

Historiku i bibliotekës

Por, në të vërtetë, biblioteka ishte themeluar që nga viti 1750 prej kadiut (gjyqtarit) të Shkodrës, Hasan Efendi Kllyçi. I nxitur prej dëshirës për të qenë gjyqtar i i drejtë dhe i ndershëm, iu përkushtua leximit të librave. Numri i librave në shtëpinë e tij u bë i madh. Kështu u krijua biblioteka me emrin Kllyçi. Më pas, Hasan efendi Kllyçi ia dhuroi bibliotekën nipit të tij, Isuf Tabakut, i cili e rriti edhe më tepër famën dhe madhështinë. Një pjesë të librave Isuf Tabaku i kishte lexuar që kur ishte i vogël, kurse tani ishte pronar i tyre. Në fillimet e veta biblioteka ndodhej në Kala, por për shkak të një zjarri, u dogj gjithçka. Ngjarja ka mbetur e fiksuar në librin (dorëshkrim) të Isuf Tabakut, ku thuhet: “Data 1290, në këtë vjet, më 8 të muejit qanuni evvel (viti 1874, sipas kalendarit të sotëm, shënimi ynë – V.H), ditën e diel në orën 3 allaturka, xhebehana që u gjend në kala të Shkodrës mori flakë nga një rrufe e mndershme. Me të ndezun të municionit u ba zhari krejtësisht edhe shtëpija e jeme, mbrenda së cilës maroj gjithshka. Un dhe djali i jem pështume; 5 vetë tjerë sharruen zhar në atë zjerm. Gëzofshin paqin e Zotit! Bashkë me teshat e shtëpisë e shumta e librave më maruen. I madhi Zot ma shpërbleftë në kohën që shpërblehen të tana punët.” (Kultura Islame 1941-1942, nr. 1-2, f. 61.

Gjermanët frekuentues të bibliotekës

Frekuentues të rregullt të bibliotekës së myftiut të tabakëve të Shkodrës u bënë edhe gjermanët. Nuk kishte turist gjerman që të vinte në Shkodër dhe të mos kthehej te selia e orakullit Sipas dr. Filip Fishtës, gjermanët, pasi njiheshin me Xhaminë e Plumbit, vizitonin edhe bibliotekën. Madje, Fishta porosiste të shkruhej çdo gjë që ndodhte apo kishte ndodhur në bibliotekën e myftiut, pasi bëhej fjalë për ngjarje që dilnin mbi kohën. Ato ishin të jashtëzakonshme. Në bibliotekë gjithçka ishte vendosur sipas një rregulli të caktuar ku çdo libër të gjendej në çast pa asnjë vështirësi. Sipas z. Gjovalin Cunit, drejtor i bibliotekës publike në Shkodër “Marin Barleti”, intervistuar prej Arben Hallunit: “Biblioteka e “Myftinisë së Tabakëve” apo siç njihet edhe ndryshe biblioteka “Këllyçi” shquhet edhe për organizimin e saj. Krahas inventarizimit biblioteka përdori dhe lloje të ndryshme klasifikimi lëndor. Në bibliotekën “Këllyçi” të gjithë librat ishin të ndara në 27 lëndë dhe për lehtësi të përdoruesit biblioteka “Këllyçi” zotëronte një skedar alfabetik dhe një skedar kronologjik. Numri i librave që ndodhej në bibliotekë dhe kryesisht dorëshkrime është diku tek 1900, ndërsa tek dorëshkrimet janë 200 copë.”

Stambolli kërkonte këshilla

Për këtë bibliotekë ka shkruar edhe dr. Taullah Shkreli, profesor i liceut shtetëror të Shkodrës. Sipas Shkrelit, në bibliotekë gjendeshin dorëshkrime shqipe, të shkruara me alfabetin e vjetër turqisht. Emri i myftiut të tabakëve të Shkodrës u bë i njohur edhe në rangjet më të larta të Perandorisë: Ja çfarë shkruan dr. Filip Fishta në një artikull të revistës “Përpjekja Shqiptare”: “Stambolli i drejtohej për këshilla Mvftisë së Tabakëvet sa herë që e shifte nevojën në lidhje me çashtje problematike që i paraqiteshin n’interpretimn e sa problemave me besimtarët. Populli i jonë ende sot e kujton emnin e Myftisë së Tabakëvet, vdekë para nji shekulli. Populli i qytetit të Shkodrës shton se, i pyetun ky myfti, “u epte fetfa” shumë çështjeve të shumllojshme”.

(Përpjekja shqiptare 1939, nr 25-27, f. 64) Filip Fishta jep edhe një informacion tjetër: “Shtëpia ku ndodhet kjo Bibliothekë, asht nji nga ato tipiket në qytetin e Shkodrës: me oborr të madh para shtëpisë; nji shtëpi e vjetër dykatëshe. Pranë çardakut dhe odës së miqve, ndodhej dhoma tjetër e librave.” Aty Fishta u njoh për herë të parë me bibliotekë e famshme: botimet dhe dorëshkrimet zinin tri faqet e mureve. Ishte e vështirë që në pak kohë të krijoje një ide të qartë çfarë vlerash ruheshin në atë shtëpi, por edhe një shikim i vetëm të emociononte me gjërat e rralla që gjendeshin aty.

Tregtarët pyesnin për tregtinë

Biblioteka e myftiut të tabakëve të Shkodrës mbeti gjithnjë e frekuentuar, ajo kishte mysafirë të përhershëm edhe nga tregtarët vendas. Ata dëshironin të dinin si do të ishte tregu, pas një ngjarjeje të bujshme, pas një kërcënimi që ishte shfaqur në horizont apo kur botën e prisnin të papritura. Lef Nosi, koleksionisti i njohur, mes dokumenteve të shumta, ruante edhe një letër të Myftinisë së Tabakëve drejtuar Myftisë së Elbasanit në lidhje me këshillat që do t’u jepeshin tregtarëve të vendit për atë mot, gjë që na tregon se Myftinia e Shkodrës kish fituar emër të madh. Përshkrimin e librave të bibliotekës së myftiut e gjejmë sërish te Filip Fishta: “Ndonji herë në fletën e parë apo gjatë tekstit ndër fletët e ndryshme, si asht zakon ndër dorëshkrimet e vjetra vrehet nga nji punim vizatimi me ngjyra: arabeskime shumëllojësh mbi një shesh ari. Këto lloje dorëshkrimesh edhe nga pikëpamja e artit të vizatimit duhet të tërheqin vërejtjen tonë: duhet t’i ruajmë me kujdesin ma të madh edhe të mos i lëshojmë ndër duart e fëmijve” (Prof. Filip Fishta,

Biblioteka e “Vakëfit” të Shkodrës ose biblioteka e “Bushatlinjve”

Shkodra pati disa xhami, më e madhja kishte 50 dhoma. Si qendër vilajeti dhe kryemyftinie, Shkodra përfshinte rrethet Ulqin, Tivar, Podgoricë, Krujë e deri në Tiranë. Pati shkolla fetare për besimtarët, (mejtepe dhe dy medrese); njëra prej tyre ishte medrese e lartë, ngrihej nën kala, aty mësoheshin gjuhët klasike orientale arabisht e persisht, matematikë, kimi, histori, letërsi, retorikë e lëndë të tjera, kurse tjetra ndodhej në brendësi të pazarit. Medresetë u pajisën me biblioteka, (qytyp-hane), ose siç quheshin ndryshe, “shtëpitë e librave”, kishin dhe konvikt për nxënësit. Ndërtesat e dy medreseve ishin të mëdha me shumë dhoma. Dy mësuesit e parë të medreseve kishin qenë Krimilia dhe Qilisia. Pas tyre erdhën mësuesit shqiptarë, ku njeri prej tyre ishte Myrteza Efendiu.

Historiku i bibliotekës

Iniciator për krijimin e bibliotekës u bë Mehmed Pashë Bushatliu, krijuesi i pashallëkut të Shkodrës, pasha gjatë viteve 1768–1774, i njohur ndryshe si Mehmet Pashë Palaku. Ky titull iu dha sepse ishte Shejhu Sufi i Esnafit të terzinjëve të Shkodrës. Biblioteka e tij i kaloi të birit Mustafa Pashë Bushatliut. Ky i fundit, pas vdekjes së tij, më 1860, me dëshirën e vet, bibliotekën dhe shtëpinë ia dhuroi vakëfit, për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që studionin dhe gjithkujt tjetër. Shtëpia e Mustafa Pashës ishte e madhe, me 12 dhoma e pamje madhështore. Shtrihej në një sipërfaqe të madhe, gjë që e bënte ndërtesën të dukej hijerëndë. Biblioteka e bushatlinjve pati mijëra volume; libra dhe dorëshkrime. të shkruara në arabisht, persisht, turqisht, frëngjisht, në gjuhë të tjera dhe shqip. Në ato kohë kishte shumë kuriozitet për librat: “ Më përpara (biblioteka e Vakëfit) ka qenë shumë e dobishme. Librat e saj kanë shkuar në dorë të shumëkujt. Edhe sot gjenden listat e marrësve të librave nër disa deftera të mëdha ba apostafat për këtë gjë. Librat janë me vula të pashallarëve, ndër to asht dhe vula e Kara Mahmutit dhe sidomos gjinden vula të Mustafa Pashës. Nga kjo kuptojmë kohën e të pasunuemit të bibliotekës me këto libra.” (Kultura Islame 1941-1942, nr 1-2, f. 63)

Shërbeu si bibliotekë popullore

Biblioteka trashëgoi edhe fondin e librave të Medresesë së Vjetër që ndodhej në Pazar. Librat mbaheshin në dy-tri kopje, pasi shërbeu si bibliotekë popullore. Mes autorëve të huaj ishin të pranishme veprat e Saadi Shirazi-it, Xhelaledin Muhamed Rumi-it, Hafiz Shirazi-it, filozofit El-Farabiu, të Ibën Sina-s i njohur në perëndim me emrin “Avicena”, të Ibën Rushd-it, i mbiquajtur (Averroès) nga Kordoba, të cilët me punën e tyre, analizat dhe komentet e shkëlqyera e bënë të kuptueshme dhe akoma më cilësore filozofinë e Aristoteli, dhe të shumë autorëve të tjerë. Ndërsa në gjuhën shqipe përveç letërsisë gjendeshin libra teologjie, histori, filozofi, matematikë, kimi dhe botime të tjera. “Këto biblioteka, ashtu si dhe biblioteka “Këllyçi” tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe studiuesve të bibliotekave orientale, mes të cilëve dhe të anglezit Urkuard, i cili na ka lënë shënime për këtë bibliotekë që thotë: “Mustafa Bushatliuka qenë një njeri serioz dhe kishte mëkëmbë një bibliotekë me libra në frëngjisht, në turqisht, të cilat më së fundi ia fali vakëfit”. (Sipas z. Gjovalin Cuni, drejtor i bibliotekës publike në Shkodër “Marin Barleti”). Më vonë biblioteka u transferua në zyrën e Kryemyftinisë.

Biblioteka e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës

Medreseja e Përgjithshme Tiranës që nga dita e krijimit të saj luajti një rol të veçantë në përgatitjen e profesionisteve TV fushave TV ndryshme, si inxhinierë, mjekë, mësues, historian, gjuhëtarë etj. Nxënësit dhe studentët e saj vinin nga të gjitha rrethet e vendit, kjo bëri të mundur të kontribuonin në vendlindjet e tyre. Medreseja u çel në mars të vitiit 1924 nën kujdesin e Këshillit të Naltë të Sheriatit Islam me kryetar, Vehbi Dibrën. Ajo përfshiu tre kategoritë e sistemit arsimor: fillor, lice dhe universitet. Përparimi i saj qe i shpejtë: në vitin 1929 mori emrin “Medreseja e Përgjithshme”, në vitin 1931 hyri në godinën e re, në vitin 1932 u dhanë diplomat e para, në vitin 1936 pati 125 nxënës. Gjatë gjithë jetës së saj i shërbeu vendit me devotshmëri, por fatkeqësisht, në vitin 1964 medreseja u mbyll nga diktatura, për t’u riçelur sërish në vitin 1991. Në vitin 1932 u pajis me bibliotekë. Që në fillesat e saj “…veç librave të botuara nga Këshilli i Lartë i Komitetit Muhamedan, koleksioneve të revistës “Zani i Naltë”, botimeve prej klerikëve Muhamedanë, kishte edhe 1000 copë libra të tjera të ndryshme në gjuhët arabike, persiane, engleze dhe franceze, që shumë prej të cilave ishin dhuratë e shoqërive të studentëve myslimanë të Hindisë, Egjiptit e gjetkë. Biblioteka ishte na pasurim të vazhdueshëm me qëllim që kjo të ishte vlefshme për profesorët, studiuesit, studentët, klerikët, besimtarët dhe për këdo tjetër. (Referuar revistës “Hylli i Dritës” 1940, nr.1-2, f. 58-59).

Bibliotekat e medreseve dhe myftinjve, dëshirë e përhershme

Bibliotekat e medreseve dhe myftinive ishin një dëshirë e përhershme e besimtarëve myslimanë. Me kalimin e viteve numri i myslimanëve bëhej gjithnjë e më i madhe, po kështu edhe dëshira e tyre për të pasur një sallon modern të librit bëhej edhe më e madhe. E tillë vijon të mbetet edhe sot e kësaj dite. Ja çfarë parashikonte komuniteti mysliman në vitin 1944-1945: “Detyra e parë e Komunitetit Mysliman asht të ngrefë një faltore të madhe modern në Qendër, e cila, në rast festash kombetarë ose fetare, të marrë 10-15 mijë persona. Këtu nuk po flasim për një faltore kolosale si ato të shumë vendeve të jashtme myslimane, që nxënë mbase 50-60 mijë njerëz, por së paku të plotësojë nevojën urgjente të elementit mysliman në kryeqytet. Ajo lypset të ketë një salon të mirë studimi, ku të themelohet një bibliotekë e pasun nër vepra të vlefshme të çdo gjuhe qofshin e sidomos në shqip. Aty të gjinden gazeta e revista të çdo lloji, kështu që lexuesi të mund të marrë njohuri të përgjithshme mbi botën e gjanë e veçanërisht mbi atë Islame. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, fuqia e librit vlerësohej; ata që ishin shokë të tij nuk u zhgënjyen kurrë