Betejat skënderbejane në Dibër

904
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj 

Tipare të luftës së rregullt

Dy betejat e viteve 1445-1446 të zhvilluara në zonën e Dibrës, edhe pse nuk morën tipare të qarta të luftës së rregullt e në to mbizotëruan tiparet e luftës guerile, ndoqën qëllime vendimtare, që çuan në disfatën e ushtrive turke. Betejat e zhvilluara gjatë viteve 1444-1447, Shmidi i quan përleshje të vogla, të zhvilluara në brezin kufitar, pa arritur asnjëra palë përfitime të shënuara strategjike. Kemi të bëjmë përsëri me një interpretim të gabuar. E dimë se betejat zhvillohen e kanë përmasa taktike, por si rregull synojnë të arrijnë objektiva strategjike. Këto synime u arritën bindshëm në betejën e Torviollit. Kjo betejë krijoi bindje se ushtria shqiptare, edhe pse shumë më e vogël në numër nga ushtria e Perandorisë Otomane, mund të ndeshet me të dhe të arrijë fitore. Ajo forcoi simpatinë e besimin e popullit për Skënderbeun dhe për ushtrinë e re shqiptare të komanduar prej tij. Fitorja në Torvioll pati jehonë të madhe jashtë Shqipërisë dhe i bëri fuqitë evropiane ta drejtonin vëmendjen e tyre përsëri nga Shqipëria. Disfata e ushtrisë turke në betejën e Torviollit e detyroi Sulltan Muratin II të heqë dorë nga strategjia e betejave mësymëse vendimtare dhe të adoptojë kundër Shqipërisë një strategji tjetër, atë të veprimeve mësymëse me forca të kufizuara. Por disfatat e viteve 1445-1446 e detyruan Sulltan Muratin të heqë dorë edhe nga kjo strategji. Komandantët turq e kuptuan fare mirë se me metodat e veprimeve rraskapitëse, të shkretimit të vendit e të luftës së pritave e të kurtheve, nuk mund të mundeshin mjeshtërit e pritave. Kundër shqiptarëve duhej të kalohej në një luftë të madhe dhe me forcat kryesore të Perandorisë. Nga analiza mund të nxjerrim një analizë të argumentuara të betejave të ushtrisë shqiptare të komanduara nga Skënderbeu. Sqarojmë se lufta e rregullt në periudhën e Mesjetës kryhej nëpërmjet ndeshjes në fushë të hapur të masës kryesore të forcave të të dy palëve, të cilat mund të jenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës ose fillojnë luftimin me afrimin në fushën e betejës. Të kësaj natyre janë një varg i tërë betejash të zhvilluara ndërmjet ushtrisë shqiptare të udhëhequra nga Skënderbeu dhe ushtrisë osmane. Po ndalemi në betejat e Torviollit dhe të Albulenës ku shfaqen tiparet e luftës së rregullt. Në fushën e Torviollit, ku u zhvillua dhe beteja e parë, në qershor të vitit 1444, ishin përhapur përballë njëra-tjetrës forcat turke me një efektiv prej 25.000 veta (këmbësorë e kalorës) dhe ato shqiptare 9.000 luftëtarë në fushë të hapur dhc 6.000 të tjerë (kalorës e këmbësorë) të vendosur në mënyrë të fshehtë, në shpinë të rendimit luftarak. Pas luftimesh të ashpra të të dy palëve, në një moment të vështirë Skënderbeu futi në luftim rezervën e maskuar, e cila përcaktoi fatin e betejës. Pas goditjesh të befasishme e të rrufeshme të rezervës, beteja përfundoi me shpartallimi e plotë të ushtrisë turke. Beteja e Torviollit e zhvilluar në fushë të hapur ku të dy palët ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, përmbushte të gjitha kriteret e një beteje sipas modeleve të luftës së rregullt.  Fitorja në Albulenë pati pasoja tepër të rëndësishme. Sultan Mehmeti II u detyrua të bëjë përpjekje të shumta për të nënshkruar me Skënderbeun paqen. Në pamundësi të saj u detyrua që për disa vjet rresht të heqë dorë nga strategjia mësymëse dhe të kalojë në strategji mbrojtëse. Fitorja e ushtrisë shqiptare pati rëndësi të madhe edhe në planin ndërkombëtar. Këto beteja farkëtuan më tej bashkimin luftarak të popullit shqiptar, si dhe forcuan simpatinë dhe besimin për Skënderbeun dhe për ushtrinë e re shqiptare të komanduar prej tij. Ato patën jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë dhe i bëri fuqitë evropiane të drejtojnë vëmendjen e tyre përsëri te Shqipëria. Me dështimin e përpjekjeve të Perandorisë Osmane për pushtimin e Shqipërisë, dështoi në të njëjtën kohe edhe mundësia e zbatimit të planit strategjik të saj për pushtimin e Evropës.

Krijimi i aleancave ushtarake

Një nga detyrat më të rëndësishme të strategjisë, ku Skënderbeu shpalosi talentin e tij, jo vetëm si strateg, por edhe si diplomat, ishte krijimi i aleancave ushtarake. Në vlerësimin e kësaj detyre Skënderbeu mbajti parasysh se përballimi ushtarakisht i goditjeve të perandorisë më të fuqishme të asaj kohe, ishte një detyrë shumë e vështirë për një popull të vogël. Në të tilla rrethana një aksion i përbashkët i vendeve evropiane për të përballuar vërshimin osmane kishte një rëndësi të veçantë. Skënderbeu zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike për të siguruar bashkëpunimin ushtarak dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta të popujve evropianë nëpërmjet formimit të koalicioneve antiosmane. Themelet e kësaj veprimtarie mbështeteshin në pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë, e cila, e vendosur në bregun lindor të Adriatikut, përbën një kryeurë të favorshme prej nga forcat e ushtrisë turke mund të hidheshin në Itali, e mandej të sulmonin Evropën. Për rrjedhojë lufta shqiptaro-turke e shek. XV mbronte jo vetëm lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Evropës. Aleatët më të rëndësishëm për një aksion të përbashkët kundër Perandorisë Otomane ishin vendet e Evropës Qendrore dhe shtetet italike, të cilat gjithashtu ishin nën goditjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë Osmane. Me dështimin e përpjekjeve të Perandorisë Osmane për pushtimin e Shqipërisë, dështoi në të njëjtën kohë edhe mundësia e realizimit të planit strategjik të saj për pushtimin e Evropës. Ndërthurja e veprimeve guerile me veprimet luftarake të betejës së rregullt i dhanë taktikës së ushtrisë shqiptare elasticitet, vrull e forcë goditëse. Organizimi e bashkëveprimi strategjik me Huniadin e Hungarisë, me Republikën e Venedikut, me mbretërinë e Napolit dhe Papatin, edhe pse këto aleanca patën rezultatet e veta pozitive, nuk arritën objektivin kryesor strategjik, krijimin e një kryqëzate të përgjithshme ku Shqipërisë dhe Skënderbeut i ishte besuar një rol kryesor. Në të gjitha përpjekjet e bëra në këtë drejtim, për një periudhë gati 15 vjeçare, dështuan disa papë. Kancelaritë e vendeve evropiane nuk i kursyen vlerësimet për Skënderbeun. Ato e cilësuan atë me frikë e respekt si i tmerrshmi dhe i pakorruptuar. Sidoqoftë, aleatët e jashtëm të Skënderbeut me sa duket i ndërtuan marrëdhëniet e tyre me këtë strategë të shquar e diplomat të madh, duke u udhëhequr nga interesat e tyre imediate dhe jo nga ato të prespektivës. Në këto kushte populli shqiptar me prijësin e tij, Skënderbeun, pa nënvleftësuar vlerën e faktorit të jashtëm e ndihmat që i dhanë në periudha të ndryshme, iu desh të mbështetej fuqimisht në truallin e vet e në rezervat e brendshme për t’u bërë pengesë pushtuesve osmanë, duke mbrojtur jo vetëm lirinë e pavarësinë e Atdheut të tij, për më tepër se një çerek shekulli, por u shfaq edhe si një forcë e madhe e pengesë e fuqishme kundër shtrirjes së agresionit otoman në drejtim të Evropës perëndimore.

Kalorësia e lehtë shqiptare

Një goditje dërmuese kalorësisë së rëndë evropiane duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e artit ushtarak evropian i dha kalorësia e lehtë shqiptare. Shumë personalitete të kohës vënë theksin në cilësitë dhe epërsinë e kalorësisë së lehtë shqiptare, si rrjedhojë e të cilave në Itali dhe në vende të tjera të Evropës filluan të bëhen ndryshime të rëndësishme në strukturën organizative të kalorësisë duke e ndërtuar atë sipas modelit shqiptar “Venecianët, – theksohet në enciklopedinë e historisë ushtarake angleze të vitit 1980, – duket se kanë paraqitur kalorësinë shqiptare të këtij lloji të quajtur stratiote në luftërat e tyre në Italinë e Veriut në fund të shekullit (shek XV) dhe shembulli i tyre u shpejt u ndoq nga francezët”. Shpesh vendet e vogla në ndeshje me armiq me epërsi të lartë në forca dhe mjete gjejnë e përdorin forma e mënyra luftimi tepër efektive. Kështu gjatë shek. XIV dhe shek. XV malësorët zvicerane në formacione këmbësorie i shpartalluan vazhdimisht inkursionet pushtuese të kalorësve austriake dhe burgonjas nëpërmjet veprimeve luftarake mësymëse. Duke zbritur në terren fushor krijuan shkallë-shkallë formacionin e luftimit të falangës të përbërë nga tri pjesë të rreshtuar në thellësi, pararoja, forcat kryesore dhe praparoja. Ky formacion që siguronte më shumë lëvizshmëri dhe mundësinë e zbatimit të rreshtimeve taktike të ndryshme ishte një hap para për artin taktik, në krahasim me formacionet e ngushta dhe të thjeshta të ushtrive feudale, çka bëri që taktika zvicerane të përqafohej nga shumë kombe të Evropës. Ngjashmëri e bukur, thuajse në të njëjtën periudhë, zviceranët, me formacionin e luftimit, shqiptarët me kalorësinë e lehtë dhanë ndihmesën e tyre në artin ushtarak të kohës.