Betejat e përgjakshme të Lidhjes Së Prizrenit dhe rënia e Heroit të Popullit Mic Sokoli

1711
Gëzim Prengëzi

(137-vjetori i rënies së Heroit të Popullit Mic Sokoli)
Sapo u bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes, Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart e lira për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit,të Janinës, të Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e Dervish Pashës. Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkup,t ë kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera të Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit. Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane, më 27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të cilët i arrestoi pabesisht. Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në mbarë vilajetin e Kosovës. Për të ngjallur terror në popull të gjithë anëtarët e arrestuar të Komitetit të Lidhjes, pasi i shëtitën në rrugë të lidhur me hekura, i dërguan në burgun e Selanikut dhe më vonë i internuan në ishullin e Rodosit, në detin Egje. Sapo ra Shkupi, Lidhja Shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët dhe për t’i bërë ballë ekspeditës osmane. Qeveria e përkohshme formoi Shtabin e Mbrojtjes me 25 anëtarë, nga të cilët njihen deri më sot; Sulejman Vokshi (që ishte edhe komandant i tij), Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqirja Aga, Mullah Hyseni, Mustafa Aga, Halil Efendiu etj. Në kohën e fillimit të ekspeditës ushtarake shtabi kishte vetëm 5 mijë luftëtarë. Udhëheqësit e saj vendosën t’i përqendronin forcat ushtarake në rrugën Ferizaj-Prizren dhe ta zhvillonin luftën e armatosur në qafat e maleve midis Ferizajt e Suharekës, të cilat kontrollonin rrugën nga mund të kalonte ushtria turke për në Prizren. Krahas përgatitjeve ushtarake, Lidhja e Prizrenit ,më 15 prill 1881 u drejtoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, që ishte dhe akti i fundit diplomatik i saj, me anën e të cilit, pasi shprehte vendimin që kishte marrë për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare, për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për ta futur vendin në rrugën e përparimit e të qytetërimit, kërkonte ndërhyrjen e kancelarive evropiane për të ndaluar ekspeditën ndëshkimore osmane. Për të ngjallur terror në popullsinë shqiptare, gjatë marshimit ushtria osmane, pasi theu qëndresën e parë që ndeshi në Grykën e Kaçanikut, bombardoi me artileri fshatrat që ndodheshin gjatë rrugës. Më 7 prill ajo hyri në Ferizaj. Krerët dhe vullnetarët e Lidhjes nuk lëvizën nga pozita e tyre. Vetëm disa krerë, midis tyre edhe Ali pashë Gucia, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur besnikërinë e tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së Prizrenit. Dervish Pasha u përgatit për më shumë se dhjetë ditë para se të nisej ekspedita nga Ferizaj në Prizren. Pasi dështuan orvatjet e tij për të përçarë udhëheqësit e Lidhjes, ai ndërmori për katër ditë me radhë (16-19 prill) disa operacione ushtarake të kufizuara për të zbuluar numrin e vullnetarëve shqiptarë dhe pozitat e tyre. Më 20 prill 1881 ushtritë osmane të ndara në dy kolona morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje. Ndeshja e parë me ushtrinë osmane ndodhi, më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre shqiptarët e ndalen për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Por të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë përpara grykave të topave të artilerisë osmane. Përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit. Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: Turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare iu bënë, më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta. Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetme që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj, si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë,ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare,të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën, kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dervalla dhe Esat pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali pashë Gucia etj., e emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. Epërsia e ushtrisë osmane, kapitullimi i elementëve të moderuar dhe pushtimi i shpejtë i Prizrenit shkaktuan tronditje të thellë në opinionin publik të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes vendosën ta vazhdonin më tej qëndresën kundër ushtrive osmane. Vatrat e qëndresës tani duhej të organizoheshin në Gjakovë e në Dibër. Për organizimin e tyre shkuan Sulejman Vokshi në Gjakovë dhe Abdyl Frashëri në Dibër. Në përfundim të ekspeditës ushtarake osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e Kosovës e mori kudo administrata e Portës së Lartë. Vendosja e saj u shoqërua me një terror të pashembullt për Shqipërinë. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë veta, udhëheqës e veprimtarë të Lidhjes, 3 mijë në Kosovë dhe 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Slivovë e në Shtimje, përveç Mic Sokolit, qenë edhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes dhe luftëtarë të ushtrisë së saj, si Rustem Sadria, Seit Suhareka, Mehmet Smaili, Ali Ibrahimi e të tjerë, ndërsa nga ata që u kapën dhe u ekzekutuan pa gjyq Ali Nimani (oficer karriere), Mulla Hyseni e Sef Kosharja.

MIC SOKOLI
Mic Sokoli-Hero i Popullit 1839-1881. Mic Sokoli lindi në Fang të Mulosmanaje në vitin 1839. Lindi e u përgatit si prijës e luftëtar në familjen e njohur të Binak Alisë, i ati i tij Sokol Rama ishte nipi i tij. Mic Sokoli udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes së Prizrenit në shumë beteja si në luftimet e Shkupit, Prizrenit, Ferizajt, Gjilan e Gjakovë kundër forcave të Mehmet Ali Pashës, gjithashtu në Nokshiq, Plavë e Guci, Hot e Grudë, Tuz kundër malazezëve si dhe në Kosovë. U shqua si prijës e luftëtar në betejat e Shtimje-Slivovës prill 1881 kundër ekspeditës së Dervish Pashës ku dhe ra heroikisht. Mic Sokoli pati dy fëmijë, një djalë Isuf Micin, i cili vdiq i ri pa lënë pasardhës dhe një vajzë Mizë Mici e pati pasardhës. Heroi i Popullit Mic Sokoli u varros në Slivove dhe shkolla aty mban emrin e Heroit. Përjetësimet në këngë, pikturë e vepra të tjera kanë qenë të shumta:

“Kërcet topi e gjëmon trolli, 
Xhamadanin hap Mic Sokoli,
Përmes fushës kalldrëm me gëzhoja,
Bash’ si fletët kur hap shqiponja…”


Sigal