Besnik Velaj: Kapedan Beqiri, biri i madhështisë së Labërisë

480

Ismail Qemal Bej Vlora: Si bir i Kaninës e i Vlorës është nder i madh që të ndodhesh në vendlindjen e të parëve të tu!

Kapedan Beqir Ibrahim Velua, biri i madhështisë së Labërisë dhe Shqipërisë

Nga: Besnik Velaj

Kapedan Beqir Ibrahim Velua po bënte kuvend me patriotët e armatosur të çetës së Kaninës në vendin ”Qafa e Birinxhikut apo Qafa e të Parëve”, në malin e Shashicës, 500 metër mbi nivelin e detit,afër kalasë së Kaninës dhe 5 km në lindje të qytetit të Vlorës. Shkaku shpirtëror dhe atdhetar ishte dashuria për Nënën Shqipëri dhe pritja që do t’i bëhej udhëheqësit të ardhshëm të Shqipërisë, Ismail Bej Vlorës. Kapedan Beqir Ibrahim Velua ,me luftëtarët e kaniniotët përfshinë me vështrim bregdetin e Vlorës, si dhe fushat në lindje të qytetit. Ishte vjeshtë e vitit 1908. Ata e kishin për nder të prisnin të nesërmen udhëheqësin e ardhshëm,patriotin e madh…

Ideologun e çështjes kombëtare shqiptare e kishin bir të Kaninës brez pas brezi. A nuk ishte Ismail bej Kanina bashkëfshatar dhe vëlla i tyre? Historia e familjes Vlora nga Kanina ishte shumëshekullore. Kapedan Beqir Ibrahim Velo Kanina kujtonte bashkë me bashkëluftëtarët e çetës Kaninës, se i pari i tyre dilte Gjergj Golem Vlora, stërgjyshi i Sinanit, lindur në Kaninë (kala përmbi Vlorë) në vitin 1398. Njëri prej vëllezërve të Sinan Pashës, Ali Beu,vdiq në betejën e Lepantos. Vlen të theksohet se në Perandorinë Osmane cilësimi Bej jepej në lidhje me pozitën dhe ishte titull i trashëgueshëm në linjën mashkullore. Bejlerët janë rangje të ndryshme. Familja Vlora e gëzonte privilegjin e titullit Zade – Bej (Bej i Madh). Nga ky fis me mendje të ndritur, shpirt luftarak kanë dalë 18 vezirë të lartë të Perandorisë Osmane dhe 4 perandorë të Bizantit. Ky fis ka bërë historinë 1000 vjeçare të Ballkanit.
Luftëtarët e çetës së Kaninës kënduan së bashku këngën:
Atë ditë që ra bora

dolli Mahmut Beu nga Vlora

-Ç’pate Mahmut Bej që ike,

Çave detin me kaike.

Këngëtarët luftëtarë kënduan shtruar, pa u nxituar uronin me dolli ardhjen e Ismail Bej Qemali, nip i personazhit të këngës, Mahmut Bej Vlorës. Kanina e Labërisë e quante Ismail Bej Qemal Vlorën e Ri, birin e saj, sepse jeta dhe fati i tyre u dërgua nga Perëndia me prindër njerëzorë!
Po afronte mesnata dhe festa e gëzimit në Kaninë po mbyllej gëzueshëm. Për birin e tyre, njeriun me kuptimin e plotë të fjalës, Mesian e Shpalljes së Pavarësisë, u këndua dhe një këngë tjetër,që tregonte se personaliteti i tij ishte në zemrën dhe shpirtin e popullit lab:
Dërgon Gjolek s’panoi,

“Tafil Buzit m’i thoi:

Gjoleka s’e turpuroi,

Manastir vate qëndroi,
kaftanazin e martoi,

dhe në male fluturoi

 vallë ç’i tha kur e preu?

-Të fala nga “Smail beu!
iu prish mëndja

e dot s’ja këtheu!

-Të fala nga,nga Smail Vlora,

 i ra filxhani nga dora!

Mbasi këndesi këndoi këngën për lindjen e agut të ri,kënga mbaroi dhe iu dha udhë bisedës. Kapedani i ri Beqir Velo Kanina tha:

-Kënga flet për hakmarrjen që bëri Zenel Gjoleka, djalë fare i ri, për Mahmut bej Vlorën,gjyshin e Ismail Qemalit. Gjoleka ia plotësoi dëshirën patriotike Tafil Buzë mustaqeziut, i cili nga vendi i internimi në Anadoll kishte shfryrë kundër lebërve me fjalët”Jazëk u qoftë, vjen halldupi i Konjës (anadollaku osmanlli) dhe u vret në vatan njeriun tuaj dhe nga ju nuk doli një burrë që t’ia marrë hakën! ”. Ismail Be Qemal Vlora i Kaninës, pas odiseve të gjata politike dhe udhëtimesh,në vjeshtën e vitit 1908, mbërriti në limanin e Vlorës, ku u prit me nderime nga banorët e qytetit dhe shumë figura të njohura të kohës, si Beqir Velo Kanina etj, etj.
Në fillim, personat e shumtë që e pritën e njohën Ismail Bej Qemalin me gjendjen në Vlorë, në rrethinat e saj dhe në përgjithësi më gjithë territorin shqiptar. Pas njohjes së gjendjes, Ismail Bej Qemali, shoqëruar nga Beqir Velo Kanina dhe trima të tjerë u nisën në drejtim të Kaninës,ku banorët e pritën birin e tyre me nderimet e larta të kohës,që ishin shërbimet e tij për atdheun. Ismail Bej Vlora e kaloi natën e parë për darkë në shtëpinë e patriotit Beqir Velo Kanina. Në darkë ishin ftuar dhe shumë miq. Gjatë darkës, Beqir Velo Kanina, në fjalën e tij iu drejtua Ismail Bej Kaninës me këto fjalë:

-Si bir i Kaninës e i Vlorës është nder i madh që të ndodhesh në vendlindjen e të parëve të tu, por është nder i madh edhe për neve që biri ynë lufton për një çështjen e madhe të kombit shqiptar! Ismail Bej Vlora i Kaninës dhe i Shqipërisë e falënderoi për fjalët e mira që tha duke u shprehur: -Është detyra ime dhe e çdo atdhetari që të luftojë për të ardhmen e kombit që ka qenë sunduar në shekuj, e këtë duhet ta bëjmë ne me gjithë popullin!

Kështu e kaloi natën e parë me dritë atdhetare patrioti i madh në Kaninë. Qëllimi i kësaj vizite të plakut të mençur ishte të shkonte në Lumin e Vlorës. Të merrte votëbesimin e popullit në Mesaplik dhe mandej të kalonte në Himarë. Ismail Bej Qemal, si një vlerë dhe figurë e ndritur e kombit shqiptar,që po bëhej një ndihmë për patriotët,duke vënë në jetë porositë e rilindësve, dashurinë e tij të vërtet në shërbim të Nënës Shqipëri,i shoqëruar nga Beqir Velo Kanina dhe një grup i madh djemsh kaloi fshatrat me radhë: Gumenicë, Gjormë, Lepenicë, Brataj, ku u takua me banorë të këtyre fshatrave dhe dëgjoi hallet e tyre. Angazhimi i tij me dinjitet,përkushtimi i tij ndaj vlerave atdhetare në rang lideri si të parët e tij e bëri fatosin e madh të lirisë një udhëheqës të denjë,misionar që do të habiste edhe botën për shërbesat e tij ndaj kombit shqiptar. Do t’i bënte shqiptarët të tregonin dashurinë dhe të vërtetën e kombit të tyre haptazi dhe për ta pranuar këtë figurë të ndritur si udhëheqësin e tyre. Duke iu drejtuar banorëve të gjeografisë së mësipërme, ai u shpreh:

-I kuptoj hallet tuaja, por unë, së bashku me ju duhet të bëjmë përpjekje që të kemi shtetin tonë,dhe këtë shtet do ta drejtojnë djemtë tuaj!
Ismail Qemali Bej, në vazhdim të udhëtimit më tutje ishte më i gëzuar se kurrë në jetën e tij. Punët e mëpastajme për atdheun kishin themele të forta. Për të qartësuar shikimin, hodhi sytë nga maja e malit të Bratajt, si pika më e lartë e harkut të maleve të Lungarës me dy maja:maja e Qiromangës (1863 m) dhe maja e Stogoit (1831 m). Ismail Bej Vlora, me gjithë shoqëruesit mori drejtimin aty ku bashkohen degët e lumit Shushica,lumi i Kuçit dhe lumi i Smokthinës,tek Ura e Bratajt. Aty formojnë lidhjet fshatrat që përbëjnë këtë pellg,siç quhet shpesh herë. Krahina e Mesaplikut, apo Mesapliku në luginë,përmbledh 10 fshatra, 5 në anën e majtë dhe 5 në anën e djathtë të lumit Shushica.
Në Mesaplik, Ismail Bej Qemali u prit me nderime e ngrohtësi. Mbasi u bë prezantimi në popull dhe i dhanë votëbesimin, ai u drejtohet pjesëmarrësve:

-Unë ndodhem këtu,midis jush,për një çështje të madhe,për të ardhmen e Kombit Shqiptar”.
Pas kësaj ceremonie Beqir Velo Kanina thërret Pasho Ramadanin nga Vranishti dhe i thotë:

-Ismail Beu do të qëndrojë disa ditë në Vranisht. Të merren masa nga ju që t’i siguroni jetën me çdo kusht,që të mos ketë asnjë shqetësim dhe mandej ta çoni në Himarë,ta siguroni e ta hidhni në ishullin e Korfuzit”! Bashkë me Sali Muran(Vranishti). Ismail Bej Qemal Vlora i Kaninës dhe i Shqipërisë qëndroi 3 ditë dhe 3 net në Vranisht. U prit me nderime,bëri takime me banorë të Vranishtit,si dhe të fshatrave përreth. Pas tri ditësh,ai, duke e konsideruar lumin e Vlorës si një vend ku do të realizonte qëllimin e tij të brendshme politike, atdhetare,duke i shërbyer Shqipërisë me dashuri dhe ti kthejë asaj dinjitetin e humbur pas 500 vjetësh. Pasi lanë prapa Kallaratin, karvani mbërriti në Pilur,fshati më interesant nga ana e pozicionit gjeografik, i vendosur 800 m mbi nivelin e detit, “ballkoni i Himarës”.Kjo pozitë e ka mbrojtur atë nga armiqtë e të ligjtë. Ai bëri vizita në familjet e Priftajve, Çipajve,që janë i njëjti trung familjar (Çipajt me origjinë nga Bratajt) dhe Mërkurajt. Fjeti tek Kiço Prifti. Ata e falënderuan patriotin e madh dhe të mençur shumë për këtë vizitë dhe u shprehën:

Kjo vizitë do të mbetet në historinë e fshatit e më gjerë,në historinë e madhe të Bregut të Detit në veçanti, do të lërë mbresa të përjetshme në gjithë popullin atdhedashës të Pilurit”! Më tutje, në vijim të rrugës Ismail Bej Qemali,i shoqëruar nga grupi i djemve të Vranishtit,mbërriti në Himarë,në familjen e vëllezërve Çidhe dhe Foto Burba. Çidhe Burba, pasi bëri prezantimin e pjesëmarrësve në darkën për nder të Ismail Bej Vlorës e falënderoi për këtë vizitë:
Në këtë darkë ishte i pranishëm dhe Jani Rexho, i cili e falënderoi Ismail Bej Vlorën për këtë vizitë duke u shprehur:

-Malet me lumin e Vlorës e Himarën labe na ndajnë fizikisht,por më tej jemi një shtëpi me di porta. Ashtu, siç të mbështet Lumi i Vlorës,edhe himarjotët,në çdo kohë dhe për çdo kohë do na kesh përkrah”!

Të nesërmen në mëngjes, duke ecur në një gji të dyfishtë me të dy krahët e tij,si gjiri më i bukur i gjithë Rivierës Shqiptare, Ismail Bej Qemali dhe grupi që e shoqëronte, me Pasho Ramadanin dhe pjesëtarët e familjes Çidhe e Foto Burba e shumë himarjotë të pendës,dyfekut e këngës,u drejtua për në limanin e Potamit -Himarë. Aty e priste një varkë me 6 djem himarjot. Në këtë ekuipazh bënte pjesë dhe Foto Burba, një detar i zoti, trim dhe me eksperiencë. Ismail Bej Bukuria etj.,etj. Kur arritën në buzë të detit, para nisjes, falënderoi popullin e Lumit të Vlorës, Pasho Ramadanin,vëllezrit Çidhe e Foto Burba,për pritjen që i bënë dhe besën që i dhanë, për të luftuar e punuar së bashku për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve, për të patur shtetin e tyre. Ekuipazhi,që do të çonte Ismail Bej Vlorën në Korfuz u porosit nga Pasho Ramadani e Çidhe Burba që “me çdo kusht ta çoni të sigurt në Korfuz dhe ne do të presim këtu në Potam,derisa të marrim lajmin se Ismail Bej Kanina mbërriti shëndoshë e mirë atje”.