Besim SHYTI/ Lufta Nacional – Çlirimtare është e shenjtë, ballistëve u ka mbetur turpi i paktit me pushtuesit

873
Sigal

Termi ‘Luftë civile’ ka mbetur në mendjen e bashkëpunëtorëve të fashizmit e pinjollëve të tyre, që historia i ndëshkoi me turp

Disa pinjollë të kolaboracionistëve që bashkëpunuan me pushtuesit gjatë luftës, përpiqen dhe zot të hedhin baltë mbi luftën antifashiste çlirimtare, mbi heronjtë e dëshmorët e kësaj lufte. U ka mbetur ora prapa të mjerëve, pasi ajo ishte e mbetet luftë e shenjtë, luftë për liri e që e renditi Shqipërinë në kampin e fitimtarëve. A ka patur luftë civile në vendin tonë gjatë LANÇ-it? Nëse ka pasur kush e shkaktoj? Shumë debate po bëhen lidhur me këtë temë. Disa thonë ka pasur, disa jo. Një pjesë madje e etiketojnë tërë luftën tonë me termin, luftë civile. Mbushin vëllime të tërë duke kërkuar në gropa të zeza. Për ata nuk pati luftë nacionalçlirimtare. Ajo ishte thjesht civile. A ka ndonjë të vërtetë kjo? Për mua jo, sepse gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët luftuan me fashistët italianë dhe me nazistët gjermanë. Nëse ballistët dhe zogistët apo dhe të tjerë kanë qenë në llogore me armikun s’u ka faj njeri, plumbi s’i ndan dot. A janë vrarë shqiptarët prej shqiptarëve, kjo s’do mënd. Partizanët janë vrarë nga ballistët dhe ballistët nga partizanët, por kjo ishte brenda kontekstit të luftës për çlirim. Po të mos ishte pushtuesi dhe të vriteshin me njëri-tjetrin kjo do të ishte luftë e pastër civile. Por ne kishim pushtuesin brenda dhe djemtë u ngritën kundër pushtuesit, ballisto-zogistët  ç’deshën në ato llogore? Pra kjo është e vërteta. Por kjo është pasoja, ne na duhet të gjejmë shkakun. Edhe shkaku është i gjetur, por ky shkak nuk i intereson njërës palë, asaj që e shkaktoi këtë katrahurë. Populli ynë e di dhe tërë bota e di që partizanët luftuan kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Populli  e di që Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare, u pranua në Aleancën Antifashiste Botërore të drejtuar nga tri fuqi të botës Anglisë,Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës. U pranua se luftoi kundër pushtuesve. Të tjerët nuk u pranuan pse? Sepse u bashkuan me armikun. Pikërisht këta të bashkuar me pushtuesin e quajnë luftë të pastër civile. Ballistët dhe zogollistët morën përsipër të neutralizojnë luftën partizane dhe ju kundërvunë me armë kësaj të fundit. Për t’i mbushur mendjen popullit disa të ashtuquajtur historianë mbushin libra të tërë për të thënë atë që dëshirojnë vetë por jo të vërtetën. Këta nuk janë historianë, janë antihistorianë. Për historianin e vërteta është e shenjtë. Këta zotërinj e shesin të shenjtën për interesa që i dinë ata. Me sa duket këta mundohen të nxjerrin kunjin e baballarëve të tyre që u shpërfytyruan. Nuk dua të përmend Borovën sepse nuk e di kishte apo s’kishte ballistë atje. Por në fshatin tim në Pretushë më 11 tetor 1943, ballistët kishin nxjerrë roje dhe ruanin rrugën që të mos goditeshin gjermanët prej partizanëve. Dhe ishin këta ballistë që edhe pse gjermanët nuk kaluan atë ditë, dhe nuk u goditën, ballistët u ranë partizanëve pas shpine dhe vranë tre prej tyre, nënkomandantin e batalionit “Reshit Çollaku” Hetem Haxhiun dhe dy partizanët e “Çetës Mali i Thatë” Beqir Alarupin dhe Sami Zagorçanin. Në krye të forcave balliste ishte komandant Dule Alarupi e të tjerë. Po përmend dhe një fakt tjetër. Jo larg Pretushës, në Zvarisht, më 5 qershor, u masakruan tërë femrat e një familje jo pak 8 nga 2 deri në 34 vjeç, nuk ishin as partizanë por gra e vajza, fëmijë të parritur. Ishte fillimi i operacionit gjermano-ballist kundër zonave partizane. Me këtë akt të shëmtuar e filluan gjermano-ballistët operacionin për shuarjen e Lëvizjes Partizane.Tani unë kam të drejtë t’i pyes këta kalemxhinjtë e ballit dhe legalitetit:ishin apo s’ishin ballistët dhe legalistët me gjermanët? Le të vërtetojnë të kundërtën po të jenë burra dhe mos krrakërrijnë si korbat nëpër ekranet televizive.

Vetëm me këto dy shembuj del se kush është shkaktari i vëllavrasjes. Janë ata që u bënë me pushtuesin dhe vranë vëllezërit e tyre. Janë ballistët, zogistët dhe krerët e veriut, që ju kundërvunë me armë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke u bërë mbrojtës të pushtuesit. Për të qenë më i saktë, jo për ata se ata e dine mirë, po për lexuesin po sjell pjesë të shkurtra nga libri: “Fitorja e Hidhur” me autor Rexhinald Hibbert, oficer zbulues anglez pranë krerëve të Veriut dhe ambasador në Francë pas lufte. Ai sjell konkluzione të çuditshme prej zbuluesve anglezë, gjatë luftës sonë. Ai sjell në kujtesën e lexuesit një dëshmi të njërit nga oficerët anglezë. Tilmanit, i cili shprehet: “Kur u largova unë isha aq i bindur, sa kisha qenë disa muaj më parë, se politika jonë për të mbështetur LANÇ, ishte e ndershme dhe e përshtatshme, me që ata ishin e vetmja palë në Shqipëri që kishte po ato qëllime luftarake si edhe tonat, të gatshëm për të bërë sakrifica për ‘to. Për më tepër, ata nuk janë një grumbull krerësh fisnorë ose feudalë me pasues personalë, por një palë e organizuar, që përfaqëson të dy besimet fetare, të dy ndarjet krahinore dhe të paktën 75 për qind të popullsisë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. Dhe ndonëse Partia Komuniste e Shqipërisë është e përfshirë në LANÇ, ata mirëpresin këdo që do të luftonte kundër nazizmit ose fashizmit dhe kanë deklaruar here pas here se ata po luftojnë  për një Shqipëri të pavarur,të lirë dhe demokratike”.(Fitorja e Hidhur fq.215). Më poshtë Rexhinald Hibbert shkruan: “Është provuar përtej çdo hijeje dyshimi, se qeveria e Tiranës dhe Ballkombi (Balli Kombëtar) janë duke bashkëpunuar aktivisht me gjermanin, ndërsa pjesa tjetër e vendit, duke ndenjur si soditës, bashkëpunon pasivisht. Prandaj mund të çmohet se është jashtëzakonisht e vështirë që t’u shpjegosh partizanëve arsyen përse Aleatët jo vetëm nuk i denoncojnë këta bashkëpunëtorë,por u japin furnizime dhe vazhdojnë të mbajnë misione ushtarake pranë tyre”. (Fitorja e Hidhur fq. 215-216). Po ky autor i jep përgjigje pyetjes nëse kishte luftë civile,apo luftë kundër pushtuesve? Është koha, kur divizionet partizane kaluan në Veri ku vetë Rexhinaldi kishte punuar me Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Dan Kaloshin, Zyber Litajt e krerë të tjerë për t’i hedhur në luftë, por pa sukses. Ai thotë se Faik Shehu ishte një nga krerët e paktë të veriut që mbështesnin LANÇ, prandaj britanikët i trembeshin luftës civile. Ja çfarë shkruan ai: “Mesazhet që merrnim nga Bari nisën të përmendnin rrezikun e luftës civile, në rast se nacionalistët nuk do të bindeshin të rroknin armët…për të luftuar kundër gjermanëve… Problemi imediat që duhej të përballonin britanikët ishte lufta civile. A mund të përshkruhej situata thjesht si luftë civile? Nëse po, kujt i binte përgjegjësia për këtë? Dhe a mund të bënte Britania diçka për këtë që të kishte efekt real? Autoritetet britanike ishin në ankth për një farë periudhe rreth këtyre çështjeve dhe pastaj e panë se ata i fshiu tej rryma e ngjarjeve. Gjermanët i përcaktuan partizanët si armikun e tyre; partizanët i angazhuan në luftime gjermanët dhe krerët nacionalistë njëkohësisht; ndërsa njerëzit e zakonshëm, për një periudhë të shkurtër,por më kulmore,i braktisën udhëheqësit e tyre tradicionalë dhe u bashkuan me partizanët fitimtarë. Britaninë e tërhoqi me vete vala partizane” (Fitorja e Hidhur fq.236-241).Pra aq forcë pati Lëvizja Partizane sa me luftën e saj të drejtë bindi dhe perëndimin që në fakt ishte dashamirës i Ballit Kombëtar dhe forcave të tjera që hezituan të marrin pjesë në luftë. Dëgjojmë shpesh nëpër ekrane një mllef të madh kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare sepse ajo solli të majtën në fuqi. Rexhinald Hibberti i jep përgjigje kësaj që në hyrje të librit: “Ndërsa lufta po shkonte drejt fundit-shkruan ai-Partia Komuniste e Shqipërisë,duke punuar nëpërmjet, Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qe në gjendje ta bënte veten të vetmen lëvizje efektive të qëndrueshme në Shqipëri, në një shkallë të madhe për shkak të hezitimeve të nacionalistëve. Këta të fundit këmbëngulnin për ta pare komunizmin sllav si armikun më të madh dhe e bindën veten se aleatët perëndimorë do të dëshironin ta mbanin më këmbë Shqipërinë e madhe si një ledh kundër këtij kërcënimi,kurse shqiptarët vetë nuk do të duhej të paguanin një çmim të rëndë gjaku e shkatërrimesh duke i sulmuar gjermanët vetëm në çastin e fundit. Hesapet e tyre të gabuara ishin të pacipa dhe tragjike. Aleatët, të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë, ndihmuan të vetmen lëvizje aktive të rezistencës, partizanët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të kontrolluar nga Partia Komuniste. Dështimi i nacionalistëve për t’u bashkuar aktivisht me palën fituese, u hapi rrugën komunistëve për të ardhur në pushtet dhe ishte Partia Komuniste me Enver Hoxhën që e ri themeloi vendin brenda kufijve të vitit 1921”.

Lexoni:RITHEMELOI VENDIN BRENDA KUFIJVE TE VITIT 1921!

Edhe për ardhjen e komunizmit në fuqi Rexhinaldi bën fajtor nacionalistët. Kështu pra lufta civile aq sa është ka si shkaktar nacionalistët, (ku bëjnë pjesë të gjithë, ballistë, zogistë, krerë veriorë e të tjerë). Sollëm në kujtesë argumente për fajtorët e aspekteve të luftës civile,se luftë të pastër civile nuk ka patur. Por nuk sollëm në kujtesë çdo të ndodhte sikur të mos ish pranuar Lëvizja Nacionalçlirimtare në Aleancën Antifashiste Botërore? Këtë po ja lemë një shkrimi tjetër.