Besim Shyti/ 70 vjet më parë partizanët firmosën me Aleatët, Lirinë, ballistët turpin

684
Sigal

Nëse Lufta Nacional Çlirimtare s’do pranohej nga aleatët, por do veprohej si Balli Kombëtar, sot do ishim të copëtuar në disa shtete  

Nëse Lufta Nacional Çlirimtare s’do pranohej nga aleatët, por do veprohej si Balli Kombëtar, ç’do të ndodhte me Shqipërinë? E bëmë këtë pyetje se e dimë që ballistët, zogistët dhe krerët e Veriut u bashkuan me pushtuesin. E vetmja forcë që luftoi kundër pushtuesve ishte Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dihet që dhe brenda aleancës botërore kishte rivalitet për zonat e influencës, ashtu siç kishte rivalitet për pushtet midis forcave politike të vendit. Por në tre aleatët, dy ishin perëndimorë, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy këto shtete luftonin për të shtrirë ndikimin e tyre në Shqipëri, prandaj dhe dërguan misionarë pranë të gjitha forcave politike. Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare e kishte filluar luftën pa ardhur oficerët e SOES. Anglo-Amerikanët punuan fort me Ballin Kombëtar, me Legalitetin dhe me krerët e Veriut për t’i hedhur në luftë kundër gjermanëve, por dështuan. Këtë dështim e pranon vetë kryetari i misionit të tyre gjenerali Dejvis. Më 17 dhjetor 1943 ai i shkruante qendrës së tyre në Kajro sa më poshtë:

1-“Tani unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit sa që duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe çdo anëtar i tij me emër. Po kështu Ballkomi (Balli Kombëtar) edhe zogistët.

2-Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët, me sasinë e madhe të armëve që u kanë dhënë, po i shfrytëzojnë  duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të kryejnë shërbime policore në qytete dhe të drejtojnë patrullat duke i liruar kështu trupat gjermane.

3-Në të gjitha veprimet e kryera kohët e fundit nga LNÇ, janë ndeshur trupa të përziera gjermane dhe balliste, të armatosura mirë dhe të stërvitura nga gjermanët. Luftimet në zonat e Pezës dhe të Dibrës, sidomos në këtë të fundit, kanë provuar plotësisht bashkëpunimin e tyre më të ngushtë.

4-Ballkomi dhe Abaz Kupi, si njëri e tjetri, më premtuan se do t’i luftonin aktivisht gjermanët, por nuk bënë asnjë aksion muajin e fundit,sado që kanë pasur shumë raste për t’u bërë rezistencë gjermanëve.

5-Si Ballkomi, ashtu dhe zogistët tash botojnë gazeta të kushtueshme dhe pretencioze që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. Në tetë numrat që janë botuar nuk gjen asnjë referim antigjerman. Të dy palët lëvdohen se aleatët do të bashkëpunojnë me to pasi të kenë ikur gjermanët duke iu referuar si prove fakti që Britania e Madhe nuk e ka përmendur me emër Këshillin e Regjencës ose ndonjë parti tjetër në Shqipëri…

6-Do të preferoja të jepja vetë shpjegime kur të largohem prej këtej, por edhe mund të vonohem dhe zor se do t’ju takoj para mesit të janarit.

7-Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të shpallet botërisht menjëherë, duke e bërë të qartë se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë gjermanët, do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët… Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ.(Jon Holliday “Shqiptari Dinak” fq.73 dhe Reginald Hibbert “Fitorhìja e Hidhur” fq,124-125).

E solla të plotë rekomandimin e gjeneralit Dejvis mbasi ajo konfirmon realitetin e qëndrimit të atyre forcave që sot përpiqen ta errësojnë në mos ta përmbysin këtë realitet.

Del pyetja: E donin aleatët perëndimore Lëvizjen Nacionalçlirimtare? Natyrisht që jo. Po Shqipërinë e kanë dashur? Përgjigja është prapë jo. Më 6 prill 1939, kryeministri anglez Çembërleni deklaroi në dhomën e komunave se: “Britania e Madhe nuk ka asnjë interes të drejt për drejtë në Shqipëri”.(”Shqiptari dinak” fq.42). Të vijmë dhe tek deklarata e Pierson Diksonit përfaqësues i Britanisë pranë qeverisë Jugosllave në mërgim bërë në korrik 1941: “Ne nuk e kemi mbështetur kurrë kauzën e pavarësisë së Shqipërisë aq më pak nuk duam ta bëjmë këtë tani që perspektiva për të stimuluar luftën e Shqipërisë kundër Italisë është shumë më e pamundshme nga ç’ishte para rënies së Ballkanit” (Shqiptari dinak fq.42). Kjo është konsiderata e Anglisë për Shqipërinë. Megjithatë me vendimin e aleatëve Ballkani ju ngarkua Anglisë ta stimulonte, ta ndihmonte me misione dhe ta furnizonte. Fillimisht Shteti ynë vasal i Italisë ishte pjesë e agresionit botëror. A nuk u sulmua Greqia nga toka shqiptare dhe me justifikimin e vrasjes së “patriotit” shqiptar, për të cilën Greqia mban në fuqi dhe sot ligjin e luftës?. A nuk kemi shkruar dhe në shkrimet e tjera që aleatët u kishin premtuar fqinjëve tanë tokësorë ndarjen e Shqipërisë pas luftës? Të sjellim në kujtesë faktin që mbreti ynë Ahmet Zogu, nuk u njoh nga fuqitë e mëdha si mbret në mërgim dhe të mbështetej për t’u rikthyer në pushtet. Kurse ato të Greqisë dhe Jugosllavisë njiheshin. Kuptohej Shqipëria nuk kishte asnjë mbështetje nga të mëdhenjtë e botës. Ishte në mëshirën e fatit. Prandaj kur Abaz Kupi u kërkoi anglezëve të njihnin mbretin, ata u përgjigjën: “Qeveritë tona kanë të tjera angazhime ndaj fqinjëve të Shqipërisë”. Kjo donte të thoshte që pas luftës nuk do kishte Shqipëri, ose do ishte një province si ajo që kërkonte Esat Pasha… Xhon Hollidej shkruan se Uilleri, kryetari i misionit në vend të Dejvisut që ra rob i kapur në Çermenikë nga çeta balliste e Azis Biçakut, rekomandonte me force që të njihej LNÇ dhe shkruante për trimërinë dhe vendosmërinë e partizanëve. Kurse Maklini Emeri e ndonjë tjetër i bënin qejfin Ballit Kombëtar dhe Legalitetit ndonëse nuk vihej në dyshim që tërë luftën kundër boshtit e bëri LANÇ. Ai shkruan dhe për përpjekjet e misionareve anglezë për të tërhequr popullin shqiptar në favor të Anglisë. Ata kërkuan edhe zbarkime ushtarake për të vendosur influencën angleze, por ato qenë të pasuksesshme. Më ogurzezë-shkruan ai-është përkrahja e planit amerikan i gushtit 1944 për ta ndarë Shqipërinë më dysh dhe për ta pushtuar një pjesë të saj… Sazani të merret…, sa më shpejt të dërgohen në Tiranë e në Durrës 5000 forca amerikane. Këto thoshte plani amerikan. Logjika të çon te gjykimi se po të mos u ishte imponuar LANÇ aleatëve me luftën e saj reale, Shqipëri nuk do kishte. Këtë të vërtetë e ka thënë vetëm Ilir Meta. Më vjen keq që nuk e kam dëgjuar as nga politikanët të tjerë dhe as nga historianët. Çdo të ndodhte atëherë nëse LANÇ nuk do ishte pranuar si pjesë e Koalicionit Antifashist Botëror? Plani është i qartë: Greqia do vinte deri tek lumi Shkumbin, Jugosllavia deri tek lumi Mat dhe Shqipëria e mesme do ishte protektorat i Anglo-Amerikanëve. Faktet i kanë dhënë të tjerët, vetë amerikanët dhe anglezët, ne të dhënat e tyre interpretojmë. Fati ynë qe pranimi i LANÇ si pjesë e aleancës së madhe. Ajo i dha mundësi Shqipërisë të mbrohej në Konferencën e Paqes në Paris më 1945 dhe të ruajë kufijtë e vitit 1921. Janë diskutuar tri herë kufijtë tanë më 1913,më 1921 pas Luftës së Parë Botërore dhe më 1945 pas Luftës së Dytë Botërore. Fitoren në Luftën e Dytë Botërore t’ja dimë për nder Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të e gjykojmë atë me ç’ ndodhi me vonë, ashtu siç duhet të njohim dhe vlerat e Lëvizjes Studentore pa hyrë ç’ ndodhi me vonë. Gjynahet e më vonshme le t’ua themi, askush s’na ndalon por të mirat s’kemi pse t’i mohojmë. Po të nisemi nga bëmat e Ballit dhe Legalitetit Shqipëria do ishte varrosur dhe sot nuk do ta kishim më. Ballistët dhe zogistët kërkonin të ruanin Shqipërinë etnike, me gjithë që s’ishte tamam etnike, krijesë e dy fuqive që po jepnin shpirt duke vënë në rrezik Shqipërinë e kufijve të 1921. Shqipëria ka qenë lodër në duart e Fuqive të Mëdha. Atë ç’ka ka fituar, e ka fituar me luftën e saj. Dhe ndonjë që mendon dhe sot dhe bërtet se u shit Kosova, ka logjikë të dobët ose i mungon fare. Ka 13 vjet që Kosova u shkëput nga Serbia me ndërhyrjen e Europës dhe Amerikës dhe ende Serbia nuk e pranon dhe ende shumë shtete nuk e njohin. A kishte këllqe Shqipëria e sapo dalë nga lufta ta mbante me forcë? Pse e drodhi Tito është tjetër gjë. Marrëveshja ishte bërë për vetëvendosje. Politika kështu është, të le në mes të rrugës.