Besim Dervishi/ Masakrat greke në zonën e Skraparit dhe Beratit

1341
Këtë vit u mbushën plot 101 vjet nga masakrat e bandave greke në Jugun e Shqipërisë. Këto masakara patën si pikësynimin zbatimin në terren të platformës famëkeqe “Megali Idhea”, projektuar nga Jani Koleti në vitin 1844. Kjo platformë në sinkron me platformën tjetër antishqiptare, “Nacertania” të ideuar nga Ilia Gracanini të po këtij viti, synonte zhdukjen përfundimtare të kombit shqiptar (shih “Çështja Shqiptare”, R.Qosja. Prishtinë 1994). Për realizimin e kësaj platforme djallëzore, në shërbim të shovinistvë grekë u vunë dhe disa shqipfolsa si Kristaq Zografo nga Qesarati i Gjirokastrës. Në zonat e Jugut të Shqipërisë nuk do të harrohen kurrë masakrat si ajo e Kosinës në Përmet, të Hormovës në Tepelenë, të Panaritit në Korçë dhe të Borshit në Sarandë. Bandat shoviniste të cilët hynë nga Greqia, bënë dhe shumë masakra dhe raprezalje në zonën Skrapar- Berat. Ngjarjet e kobshme të 1914 na vijnë përmes tregimeve të autorit Kosta Papa Tomorri, i cili i ka parë me sytë e tij disa nga masakrat e lartëpërmendura. Ja si shkruan ai midis të tjerave në librin e tij me titull “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar në SHBA: “…Andartët bënë përgatitje për ofensivën kundër Këlcyrës dhe Çepanit e cila nisi ditën e Hënë, 29 Maj, 1914. Plani i ofensivës u bë kësisoj: Fjorgakaqi, Jorgollaqi dhe Qiro Vaso në Miçan do t’i binin Backës, Kapedan Farmaqi në Malind do t’i binte Koprenckës, Sotir Bubuna në Sevran do t’i binte Qafës së Rogut, Kapedan Niko Aristidhi dhe trupat e Kocifaqit në Qarishtë do t’i binin Muzhakës. Në ofensivë do të merrnin pjesë dhe Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kapedan Zerva, Kapedan Kollovoi, trupat e Karaxhajt me gjithë topa. Ofensiva zuri në orën 2 në mëngjës në Qarishtë. Dyfeku u ndez në të tërë vijën, topi nga Brezhdani po bombardonte pa pushim Këlcyrën, topi nga Miçani po bombardonte Backën (shih fq. 66). Në pyllin e Qarishtës u përleshën trup më trup andartë dhe shqiptarët, ku u vranë 4 andartë dhe 4 u plagosën. Shqiptarët u tërhoqën pas disa orë luftimesh të përgjakshme kjo falë epërsisë numerike të armikut dhe armëve të rënda të cilat zotronte. Atëhere andartët hynë në Backë, duke i vënë zjarrin gjithë fshatit, më vonë hynë në Çorovodë duke e djegur dhe atë. Trupat gjakatare andarte të cilat ishin në Sevran, hynë në fshatin Rog duke e djegur dhe atë plotësisht. Pasi dogjën Rogun barbarët dogjën edhe fshatrat Muzhakë dhe Çepan. Trupat andarte të Qarrishtës dogjën në shenjë hakmarrje ndaj rezistencës së armatosur të skrapalinjve fshatin Prishtë (shih fq.67). Bandat e shovinistëve grekë hynë dhe në fshatrat Turbohovë, pasi masakruan 7-8 pleq dhe fëmijë të cilet nuk kishin mundur dot të largoheshin. Andartët dogjën gati të gjithë fshatin, masakra dhe djegje pati dhe në Vlushë si dhe në fshatin Gjerbes. Plaçka që zunë andartët në këto fshatra nuk kishte të numëruar. 300 barrë me kuaj dhe karroca i dërguan në Janinë. Me mijëra krerë gjë të gjallë shkuan në Greqi. Në Backë u therën 30 gra dhe foshnjë, të cilët nuk arritën të shkonin në Zhepovë. 15 gra me djep në krahë i zunë dhe i therën me gjithë foshnjet që kishin. Shqiptarët u demoralizuan se nga një anë kishin andartët, kurse nga ana tjetër bandat esadiste të cilat zunë Beratin. Shumë banorë të zonës së Skraparit shkuan “muhaxhirë” në Berat dhe rrethinat e tij, por dhe atje mundoheshin nga bandat esadiste, shumë nga këta persona vdiqën nga mosushqyerja dhe kushtet e këqia, por ata që mbijetuan vendosën që të ktheheshin. Mbi 400 fëmijë u kthyen në Skrapar, të cilët ranë në pabesinë e andartëve (shih fq.67-68). Autori tregon një episod: “Një grek i quajtur Koqino nga Lefkadha e Greqisë me tre shokë të tjerë u nis nga Çepani dhe vajti në fshatin Rehovicë. Pasi hëngrën dhe pinë, lidhën të gjithë burrat e fshatit, morën dy mushka që i kishin pëlqyer. Rrëmbyen një vajzë të re nga fshati të cilën e morën me vete dhe u nisën për në Çepan. Kur u afruan afër Çepanit qëndruan pak të pushonin. Këtu vendosën t’i lëshonin burrat që kishin marrë se meqënse ishin afër Çepanit nuk kishte ndonjë rrezik. Burrat si u lëshuan nuk vajtën në fshatin e tyre por vajtën në një fshat tjetër për të kërkuar ndihmë. Burrat e atij fshati nuk pritën gjatë por rrëmbyen armët dhe u nisën në drejtim të Çepanit për t’u zënë pritë andartëve, të cilët kishin marrë vajzën e re. Gjaksorët si përdhunuan vajzën që kishin marrë me vete, e lëshuan atë, por sa u afruan afër një përroi ju erdhën batare breshërish nga gjithë banorët e zonës. Të gjithë kriminelët ngelën të vdekur në vend, përveçse njerit që i plagosur mundi të futej në pyllin aty pranë (shih fq.68). Në fshatin Rog, ishte një banor që quhej Rakip, ai kishte një vajzë 12 vjeçe. Një ditë vajtën disa andartë për të dëfryer me vajzën e vogël. Rakipi vuri ulërimën, por andartët të friksuar e therën atë së bashku me vajzën 12 vjeçe dhe gjithë fëmijët e tjerë (shih fq.69). 
Beteja heroike e “Qafës së Vëndreshës”
Andartët e trupave të Zervës shkuan në fshatin Vendreshë dhe zunë 7 burra dhe një djalë. Shkaku i tyre qe se gjoja kishin parë shqiptarët të hynin në Vëndreshë. Pasi i lidhën të gjithë i dërguan në Qafën e Vendreshës dhe atje i therën në mënyrën më makabre dhe më çnjerëzore, të gjithë me radhë. Kur i erdhi radha djalit, ai qëndroi sypatrembur dhe tha: Doni ore barbarë duke therur shqiptarët t’i shuani, por edhe një shqiptar të mbetet nuk do ju lëjë të qetë. Rroftë Mbreti i Shqipërisë. Pa mbaruar këtë fjalë, duart e katilëve i ranë me thika, kama dhe bajoneta në zverk dhe gjithë trupin. Djali i shtri përdhe dhe i gjakosur vdiq me fjalët “Rroftë Mbreti”. Shqiptarët të cilët ishin shpërndarë, me të mësuar këtë ngjarje, u mblodhën të gjithë në fshatin Vëndreshë dhe vendosën të bënin një ofensivë kundër bandave andarte. Ditën e Martë ora 12, shqiptarët sulmuan vendin e quajtur “Qafa së Vendreshës”, e cila mbrohej prej 300 andartësh. Çetat shqiptare që morën pjesë në këtë betejë ishin: Çeta e Sulejman Spatharës nga fshati Spatharë i Skraparit, çeta e Tajar Vendreshës nga fshati Vendreshë si dhe shumë banorë nga fshatrat Therepelë dhe Vale të cilët udhëhiqeshin nga patrioti Riza Vala. Lufta nisi e rreptë nga të dyja palët, por shqiptarët luftuan heroikisht kundër andartëve grekë. Flitet se të dy palët, pas disa orë luftimesh të përgjakshme, lanë mënjanë armët e zjarrit dhe u përleshën trup me trup me thika, hanxharë dhe bajoneta. Andartët duke mos patur asnjë rrugë shpëtimi vendosen të linin “Qafën e Vendreshës”. Çetat patriotike shqiptare i ndoqën deri në vendin e quajtur “Qafa e Kajcës”, duke iu shkaktuar dëme të mëdha si në njerëz dhe materiale. Kur mori vesh komandanti i grekëve në Përmet për ofensivën e shqiptarve, u tërbua dhe u nis në drejtim të Këlcyrës me një ushtri të madhe të pajisur me topa duke e bombarduar “Qafën e Kajcës”. Andartët në shenjë hakmarrje për humbjen që pësuan nga çetat patriotike në Vendreshë u sollën barbarisht, të gjithë fëmijët e këtyre fshatrave që zunë në pyll, i therën. Ata shkuan deri në Ujin e Zi dhe dogjën të gjithë fshatrat që qenë rreth e rrotull. 180 fëmijë therën andartët në Lumin e Skraparit (shih fq. 71). Makabritete e gjaksorëve nuk kishin kufij. Këta kriminela pasi u thyen në Vëndreshë nga çeta e Sulejman Spatharës u nisën në drejtim të fshatit Spatharë dhe dogjën lagjen Odobash, Kushovalli dhe gati komplet fshatin. Banorët ishin larguar më parë në drejtim të Beratit. Të vetmin njeri që gjetën në fshat ishte një grua plakë e sëmurë, të cilët andartët e shkuan në hell dhe e poqën për së gjalli. Forcat andarte nuk lanë pa djegur dhe shkatërruar dhe objektet e kulteve në zonën e Skraparit dhe më gjerë. Autori F. W. Hasluck në librin “Chrstianity And Islam Under The Sultans”, Vol II (1929), raporton për qindar objekte kulti të shkatërruar, djegur, plaçkitur apo dëmtuar. Të gjitha të besimit “Bektashi” (shih fq. 539). Shkaku i këtij persekutimi ishte se teqet bektashiane në këtë zonë ishin vatra të patriotizmit shqiptar. 
Beteja legjendare e “Qafës së Martës” 
Konsiderohet si më e madhja dhe më historikja. Ajo u zhvillua në Qershor 1914. Prof. Skënder Luarasi e ka quajtur dhe “Beteja e Termopileve”. Ashtu si 300 spartanë nën udhëheqjen e mbretit Leonidhas, luftuan heroikisht kundër ushtrisë perse, ashtu dhe 150 skrapalij dhe kolonjarë, nën udhëheqjen e komandantëve legjendarë Lace Backa dhe Sali Butka pas luftimesh të përgjakshme që zgjatën disa ditë gozhduan mbi 500 forca andarte, duke iu shkaktuar humbje të mëdha. Kjo betejë ishte dhe një fitore strategjike sepse andartët grekë të cilët hynë nga Marjani i Korçës, kishin si pikësynim pushtimin e qytetit të Beratit dhe atëhere mund të quhej gati e realizuar ëndrra e tyre gati shekullore e “Megali Idhesë”. Në ndihmë të Lace Backës vajti Sali Butka i cili si fillim shkoi dhe u keshilluan me “beun e Melovës” dhe vendosën të mblidheshin në Turbohovë, në atë që u quajt “Kuvendi i Burrave” të gjithë zonës. Në këtë kuvend morën pjesë banorët e Tomorricës, Gjerbesit, Grevës, Melovës, Gremshit, Kuçit e tjerë. Kuvendi u mbajt në shtëpin e Fetah Ymer Koxhabellitu. 58 luftëtarë të lirisë u regjistruan menjëherë në çetën e Sali Butkës, e cila u nis pa humbur kohë në drejtim të “Qafës së Martës” me qëllim që t’i shkonte në ndihmë çetës së Lace Backës, e cila po luftonte heroikisht atje. Në këtë betejë morën pjesë dhe çeta e Servet Zaloshnjes, çeta e Abedin Kuçit dhe çeta e Muço Kapinovës. Në vitin 1913 treva e zonës Tozhan – Terpan u pushtua nga andartët grekë. Ata përshkruan intinerarin Përmet – Skrapar ne drejtim të Tendës së Qypit, Qafa e Shkozës, Tozhar, Malinat, Berat. Ata kudo që kaluan bënë masakra të mëdha, sidomos tek banorët e besimit mysliman. Pleqtë tregonin për krime monstruoze sa kur shikon gra shtatzënë u çanin barkun me bajonetë dhe u nxirnin fëmijën jashtë. Por populli i kësaj treve nuk ndejti duarkryq. Sipas të dhënave një ndër luftëtarët i cili ka marë pjesë në luftime kundër andartëve ishte Mane Shehu nga Çorrogjafi. Banorët e zonës ju bënë grekve shumë kurthe dhe prita duke iu shkaktuar humbje të mëdha. Pak nga këta mbërritën në kufi, por i lanë kockat mareve të Temanit, Terrovës, Tozharit, Paraspuarit, Grykës së Ujit të Zi, Qafës së Shkozës. Sipas veteranit Qemal Hyseni banorët e Terrovës të organizuar nga trimat Sulo Terrova dhe Zaim Terrova i goditën grekët në vendin e quajtur “Qafa e Terrovës” ku u vranë disa grekë. Nga banorët u vra Dervish Cenollari. Robrit grekë të cilët u kapën iu bë gjyqi dhe i ekzekutoi të gjithe trimi Ali Nuredini duke i hedhur në greminën e Terrovës. 
Sigal