BESA E BURRIT/ MEMO ALI LAZAJ: LIRONI MIKUN TIM, NDRYSHE NGRE ÇETAT E KURVELESHIT NË KËMBË!

1076
Agron MEMA
Sa më shumë largohej në kohë, sa më shumë ndodhin ndryshime socialo politiko-shoqërore, aq më afër vijnë figurat e ndritura që bënë histori me veprimtarinë e tyre. Janë njerëz të thjeshtë, por të fjalës e të besës, të burrërisë dhe mikpritjes. Traditë që na bën krenar me ta dhe e domosdoshme të njihemi me to. Vet koha kur jetuan, luftuan dhe punuan qe e turbullt, por nuk ua mjegulloi arsyen për të lënë besën e dhënë apo të “shkelnin bukën e dhënë”. Burra oxhaku që edhe fjalën e kishin plumb. E tillë është historia e një ish-partizani dhe një ish-ballisti; Memo Lazaj nga Golëmi dhe Zenel Barjami nga Kalasa. Qe dimër i 1944-ës, kohë kur pushtuesit gjermanë kryenin Operacionin famëkeq të Dimrit. Memo Lazaj ndodhej në malet e Rrëzomës me bagëti për dimërim. I kish dalë zot shtëpisë që i vogël, sepse i ati e kish lënë gjashtë muajsh pasi qe larguar në SHBA si emigrant ekonomik. Në këtë kohë qe në moshë madhore dhe i burrëruar para kohe nga hallet, 36 vjeç. E kaluara e Memos qe antizogiste si aktivist i kësaj lëvizjeje nën ndikimin edhe të E’hem Totos. Mori pjesë në kryengritjen antizogiste të Elbasanit më 1925-n së bashku me bashkëfshatarët e tij Avdi Nikolla e Hasan Taka, këta dy të fundit u vranë në përpjekje me xhandarmërinë zogiste në këtë kryengritje që u shua shpejt pa mundur të përparonte më tej. Këto ide përparimtare të kohës e udhëhoqën gjatë gjithë jetës Memon ku mori pjesë në çetat territoriale deri në çlirimin e vendit duke luftuar me armë në dorë në betejat e Rrëzomës, Dukaj, tek Ura e Kardhiqit i rreshtuar në rradhët partizane të LANÇ-it. Kjo veprimtari ra në sy të forcave balliste dhe gjatë luftimeve në Rrëzomë në dimrin e 1944-ës, ditën e dytë të këtyre luftimeve, këto forca dërguan një patrullë ta rrethonin dhe ta nxirrnin nga stani e ndërkohë ta pushkatonin pa gjyq. Por fati e deshi që mes ballistëve qe edhe një mik i tij nga Progonati. Miku ndërhyri që mos ta pushkatonin, por ta shoqëronin në komandën e ballit, e cila ndodhej në shtëpinë e Zenel Bajramit në Kalasë. Kur e çuan në komandë, komandanti i ballit Dino Kërma ulëriti me sa kish në kokë: “Ku e shpini këtë kulish komunisti, pse nuk e pushkatoni?” Situata qe kritike dhe jeta e Memos rrezikohej seriozisht. Ndërkohë, i zoti i shtëpisë ku ndodhej komanda e ballit, Zenel Barjami, ndërhyn duke u thënë forcave balliste dhe komandës së tyre që më mirë të vrisnin atë se sa djalin, e kam si djalin tim. Dino Kërma e respektoi mikun e tij dhe Memua u lirua. Por kohët ndryshojnë dhe sistemet mundohen ta shpërfytyrojnë burrërinë, por tek fisnikët ajo mbetet burrëri. Memos i erdhi radha ta shpërblente mikun e tij që i shpëtoi jetën. Më 1945-n, mikun e tij Zenel Barjamin e arrestojnë si eksponent i Ballit Kombëtar. Zeneli degdiset në burgun e Kalasë së Gjirokastrës. Memo Lazaj e merr vesh dhe shkon në Gjirokastër tek Kryetari i Qarkut të Gjirokastrës së asaj kohe, Islam Radovicka. Në takimin me të i kërkon lirimin e Zenel Barjamit, në të kundërt do të ngrinte çetat e Kurveleshit kundër tyre. Brenda ditës Zenel Barjami u lirua. Besa e burrit u këmbye me besë burri. Rebelizmi i Memos nuk do të merrte fund deri në vitin 1964 kur vdes aksidentalisht. Ashpërsia dhe mospajtimi me reformat e menjëhershme të pasçlirimit do ta vinin në kontradiktë me sistemin dhe në rrezik për jetën dhe fatin e familjes.Në vitin 1945 e bënë kryeplakun e fshatit, por në vitin 1949 kërkuan ta bënin kulak, se votoi kundër sistemit me arsyetimin, se nuk luftuam për të vrarë shokët dhe vëllezërit tanë, por pushtuesit dhe as të shpronësojmë fshatarësinë. Në vitin 1956 e detyruan të futet në kooperativë duke e shantazhuar me mosdhënie kullote, ndërkohë që numëronte 600 krerë dele plus bagëti të tjera. Kjo e detyroi të rregjistrohej nga antarët e parë të kooperativës. Për të mbuluar shantazhin detyrues, në 1958 e rizgjedhin kryeplak të fshatit deri në vitin 1961. Memo e pati shpirtin gjithë jetën me ide përparimtare, por nuk u pajtua kurrë me rreformat shkatërrimtare të kolektivizimit. Për merita gjatë Luftës është dekoruar dy herë me “Medaljen e trimërisë” dhe atë të “Kujtimit” Një jetë e thjeshtë e mbushur me peripecira ku ke se ç’farë të mësosh nga këta burra të besës e të kuvendit.


Sigal