Bernard Zotaj/ Petrit Dume, gjenerali shqiptar që shkëlqeu në çdo detyrë

1696
95 vjet më parë, më 20 maj 1920 u lind në katundin Lubonjë të rrethit të Kolonjës Petrit Taulla Dume. Kë Ersekë kreu arsimin fillor e më tej vazhdoi shkollën teknike të qytetit të Korçës të cilën e përfundon në vitin 1942. Qysh në fillimet e jetë tij dhe të shkollës u muarr me veprimtari e aktivitete sportive e atdhetare. Gradualisht u lidh me grupet antifashiste dhe përparimtare të qytetit të Korçës i cili dallohej për kulturë, për tradita të hershme patriotike e arsimdashëse. Shumë natyrshëm e në mënyrë të qëndrueshme mori pjesë Lëvizjen Antifashiste menjëherë pas pushtimit të vendit nga trupat ushtarake të Italisë fashiste.

Kështu Petrit Dumja mori pjesë në grupet më aktive të rezistencës dhe ishte ndër drejtuesit kryesorë të tyre. Për aktivitetin e tij të shquar atdhetar e antifashist u burgos disa herë nga fashistët. Kudo në këtë zonë të madhe të lëvizjes ai shpërndante trakte, literaturë me përmbajtje antifashiste dhe merrte pjesë në aksione të njësiteve guerile të qytetit të Korçës. Në këtë veprimtari ai nxiti dhe aktivizoi të gjithë familjen, vëllezërit, motrat dhe bashkëfshatarët e tij të shumtë që ishin me banim apo që studion në Korçë. Ky aktivitet i shquar antifashist ra në sy të milicisë fashiste, ndaj me porosi nga lëvizja nisi aktivitetin në zonën e Kolonjës. Lidhjet i mbajti me rezistencën e Korçës, në kafene “TITAN” me antifashistët Nesti e Petraq Titani, familje patriotike e antifashiste.

U aktivizua qysh në qershor të vitit 1942 në çetën e Kolonjës. Kjo çetë partizane ishte ndër të parat formacione të armatosura të LANÇ-it në qarkun e Korçës. Këtu në çetë u shfaqën aftësitë organizative komanduese të Petrit Dumes. Ndaj që nga korriku i vitit 1942 deri në 5 maj 1943 ishte komandant i kësaj çete. Shpejt ai u dallua për trimëri, guximi dhe orator. Ai ishte konkret dhe qëndroi trimërisht në çdo situatë edhe kur ajo ishte e komplikuara. Në saj të përkushtimit të veçantë dhe të moshës së re, me formimin e batalionit partizan “Hakmarrja”, u caktua komandant, detyrë të cilën e kreu nga 5 maj 1943 deri në dhjetor 1943. Batalioni partizan i Kolonjës, nën drejtimin e Petrit Dumes u shndërrua thuajse në legjendë. Ky në veprimet luftarake nuk pësoi humbje e nuk u thye në asnjë luftim që zhvilloi vetë apo në bashkëveprim me forcat e tjera të qarkut. Luftimet të tilla që i njeh historia si në Leskovik, në Përmet, në Blush, në Ura e Kovaçit, në Vithkuq, në Selenicë, në Polenë, në Devoll etj., u shquhen për drejtim me mjeshtri nga ky takticien i luftës partizane, si në shkallë çete e batalioni. Në çdo lloj luftimi Petrit Dume dinte të përdorte me mjeshtëri format e manovrës, tepër origjinale e të sukseshme, krahëmarrjen e shpinëmarrjen me grupe të vogla e të mëdha. Ai dinte si të mbante gjithmonë një rezervë për ta përdorur në çastet më delikate të luftimit. Ndaj kji ishte një një nga që batalioni partizan “Hakmarrja” u shndërrua në një repart kompakt e të suksesshëm, por dhe të dashur për popullin e Kolonjës dhe Qarkut të Korçës.
Me krijimin e Br. IV S, batalioni “Hakmarrja” u inkuadrua në këtë njësi dhe Petrit Dume caktohet komandant i batalionit të dytë. Ai mori pjesë aktive në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada nga 30 dhjetori 1943 e deri më 10 shtator 1944. Shquhen luftimet në Operacionin e Dimrit 1943-1944, në Skrapar, në Opar, në Pogradec, në Shën Naum, në Mokër e më vonë në Elbasan, në Tiranë etj. Ndërkohë UNÇSH kishte krijuar njësi të mëdha si Div. I Sulmues e Korparmatës I Sulmuese, të cilat në bashkëveprim me brigada të tjera luftonte për çlirimin e Tiranës. Petrit Dume me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH emërohet nga 10 shtatori deri në 20 nëntor 1944, fillimisht zëvendëskomandant i Br. XVIII S. Kjo brigadë luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit nazistë dhe tradhëtarët, ndërsa nga 20.11.1944 deri në muajin shtator 1945 ishte komandant i saj.

Pas çlirimit të vendit do të dërgohet për studime në Moskë, ku kryen suksesshëm Akademinë Ushtarake “Frunze”, si dhe Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të FA “Voroshikov”. Karrierën ushtarake e vazhdoi komandant Div. të Gjirokastës në vitet 1947-1948, më tej komandant Div. të Korçës në vitet 1948-1950. Në këto detyra të larta ushtarake u dallua për aftësi të spikatura si ushtarak, organizator, komandues e drejtuese. Ndërsa në gusht 1949 përballoi me sukses konfliktin e armatosur në zonën kufitare Prespë-Dardhë e Mali i Kuq, të provokuar nga forcat mbretërore greke.

Në vitin 1950 emërohet Drejtor i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe merr gradën gjeneralmajor. Në vitin 1953 emërohet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa në vitin 1956 emërohet edhe zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore. Të dyja këto detyra i ushtroi për 25 vjet, si askush tjetër në Ushtrinë Shqiptare. Në këto detyra të rëndësishëm shtetëror zbrazi dhe vuri një jetë të gjitha dijet dhe talentin e tij organizativ e komandues. Petrit Dume u shfaq si një mjeshtër i rrallë i drejtimit të harmonishëm të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Aktviteti i tij, shtab-trupë ishte unikal, ai niste që nga kontaktet me korpuset, brigadat, FLD, aviacionin, akademitë dhe shkollat ushtarake si dhe autoritetet civile të terrenit. Kombinimet e punës së tij ishin tepër origjinale si: kontroll-ndihmë, riorganizim-kushtrim, stërvitje-qitje, marshim-kalitje. Kudo ai drejtoi personalisht hartimin dhe zbatimin e metodikave të larmishme të stërvitjeve të ndryshme.
Shabllonizmi në punën e Petrit Dumes ishte i panjohur. Ai përballonte një aktivitet të ngjeshur dhe intesiv, nuk lodhej, por ishte gjithmonë në njësi e reparte të ushtrisë nga Shkodra e Tropoja në Sarandë e Konispol, nga Dibra në Durrës, Korçë e Leskovik. Harmonizimi i aktivitetit të tij shkresa-telefon-shifër-kontroll ishte i veçantë. Ai nuk imitonte askënd, ishte i paimitueshëm, origjinal, rezultativ, racional e që nuk mbytej kurrë në shkresa. Por shkresat, hartat, metodikat etj., i kalonte në duar dhe u jepte zgjidhje.

Petrit Dume drejtonte personalisht përgatitjen operativo-strategjike të shtabeve kuadrove, përgatitjen luftarake, qitjet luftarake, stërvitjet me trupa, stërvitjet e mëdha treguese, zbulimin e kundërzbulimin e ushtrisë, ndërlidhjen, punimet fortifikuese mbrojtëse, hapjen e njësive të reja, armatimin, pajisjen, problemet e FLD, aviacionit, mjeteve të blinduara, xhenios, fumizimeve, me armatime e municione, çështjet e dislokimit, përgatitjen e dokumenteve sekrete e tepër sekrete, zgjidhjen e mjaft problemeve të akademive e shkollave ushtarake. Ai dinte t’u jepte jetë e fizionomi të veçantë problemeve që i shtroheshin për zgjidhje, trajtonte shkencërisht e me kompetencë problemet e perspektivës strategjike të ushtrisë e të vendit në kuadrin e Shtabit të Përgjithshëm, por edhe të Këshillit të Mbrojtjes.
Petrit Dume ishte njohësi i mirë i territorit shqiptar, i të gjitha rrugëve, të qafave malore, të pengesave ujore etj. Ai ideoi, organizoi dhe këmbënguli për strukturimin dhe fillimin e punës të Institutit të Studimeve Ushtarake. Petrit Dume e konsideronte ushtrinë si shtëpinë e tij, një organizëm të shenjtë, të gatshme për luftë, të gatshme të mbrojë tërësinë e vendit, të gatshme të mbrojë paqen dhe jetën e njerëzve në çdo çast.
Por ai në jetë u shfaq dhe si një futbollist e basketbollist i shkëlqyer, një pinpongist e tenisist i mirë, një kalorës elegant dhe që përballonte marshime të gjata në këmbë, etj. Ai luftoi dhe i siguroi vetes një shëndet të hekurt në interes të detyrës. Ishte një shef Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë që adhuruar prej të gjithëve. Në jetën e tij ai u shfaq autoritar e krenar, i mençur dhe i ditur. Autoritetin e fitoi me punë, e fitoi natyrshëm e aspak fals e i shtirur. Ai dinte të organizonte rikonicionet për njohjen dhe studimin e terrenit, pra ishet tepër sistematik.
Vjeshta e vitit 1974, shënoi rënie të pamerituar për gjithë elitën e ushtarakëve të lartë shqiptarë. Pas akuzash e cilësimesh nga më absurdet, fillimisht pezullohet nga të gjitha funksionet, arrestohet në punimet e mbledhjes së Plenumit të KQ të PPSH. U akuzua për tradhëti të lartë ndaj atdheut dhe pas një viti torturash, më 5 nëntor 1975 pushkatohet së bashku me Beqir Ballukun e Hito Çakon.

Nga studimet e historisë së gjeneralëve në këto vite të shtetit shqiptar, gjenerali Petrit Dume del se është në krye të tyre. Për merita të veçanta në LANÇ, Petrit Dume ka marrë titullin e lartë “Hero i Popullit”, si dhe 17 urdhra e medalje të Luftës e të punës për aftësi e përkushtim ndaj detyrës së shenjtë ushtarake. Ai ka mbajtur dhe gradën gjenerallejtënant. Ka qenë i zgjedhur për disa legjislatura deputet i Kuvendit Popullor, anëtar i KQ të PPSH dhe kandidat i Byrosë Politike, çka për vlerësimet e kohës ishte shkalla më e lartë e vlerësimet të një personaliteti të shquar ushtarak. Gjenerali ushtar Petrit Dume është praktikisht një yll në gjeneralitetin e shtetit shqiptar.
Petrit Dumja ishte një njeri me moral, i ndershëm, i pakorruptuar, prind i shkëlqyer dhe njeri pa vese, ai kishte virtyte dhe rezatonte madhështi. Përvjetori i 95 i lindjes dhe 40 vjetorit të pushkatimit janë një event dhe japin një mesazh nderimi e përkujtimi. Ndaj dhe FA, populli dhe Atdheu këtij martiri e personaliteti, këtij partizani e ushtari të madh të Kombit duhet ta nderojë dhe vlerësojë.
Sigal