Sigal

Sipërfaqja e gjerë e kufizuar nga tre brinjë në Oqeanin Atlantik, me tre kulmet në Bermuda, Porto Riko dhe Fort Lauderale të Floridas, nuk i kishte këta emra para vitit 1964, por raportime për dukuri të çuditshme dhe zhdukje mjetesh lundruese në këtë vend ka patur qysh para disa shekuj më parë. Thuhet se, edhe vetë Kristofor Kolombi është habitur nga fenomene të pazakonta në këtë hapësirë detare. Kur anijet me emra “Nina”, “Pinta” dhe “Santa Maria” kaluan pranë kësaj hapësire në vitin 1492, thuhet se, busulla e Kolombit u çorientua dhe ai së bashku me marinarët vunë re drita jo normale në qiell. Janë përpjekur t’u japin një shpjegim normal dukurive. Busulla mund të ketë lëvizur për shkak të shmangies mes veriut  të vërtetë dhe veriut magnetik ndërsa drita e zjarrtë që është parë nga Kolombi në qiell dhe që u rrezua në det mund të ketë qenë ndonjë meteor. Por Kolombi shkroi në ditar se pa drita të tjera të tilla me 11 tetor të atij viti, një ditë para se të zbriste në breg. Ai pa disa drita që u ngjanin vetëtimave, ndërkohë që qielli ishte pa re dhe moti i thatë. Një tjetër ngjarje historike që ka ndodhur në trekëndëshin e Bermudës është ajo mbi anijen “Mari Çeleste”. Anija u gjet e braktisur në det të hapur me 1892, rreth 400 milje larg kursit të saj të nga Nju-Jorku drejt Xhenovas së Italisë. Në bord nuk u gjet asnjë shenjë e pasagjereve apo ekuipazhit ose ndonjë e dhënë që të tregonte se çfarë kishte ndodhur atyre. Legjenda e Trekëndëshit të Bermudës filloi realisht me 5 dhjetor 1945 me zhdukjen e famshme të një skuadre avionësh të fluturimit 19. Pesë avionë bombardues amerikanë u zhduken në mënyrë të mistershme gjatë një stërvitjeje rutine. Edhe avioni që u dërgua për të gjetur të mëparshmit u zhduk pa lënë asnjë gjurmë në të njëjtin vend asnjë sinjal apo gjurmë edhe për 27 njerëzit që kishin gjashtë avionët në bordet e tyre. Edhe kjo ngjarje u mundua të shpjegohej nëpërmjet metodës “nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”. Pilotët e parë ishin të pastërvitur mirë, përveç kryesuesit të grupit, leitnant Çarls Tejlor, i cili atë ndoshta nuk ndihej mirë dhe kishte dashur që atë ditë të mos të fluturonte. Pasi u ngritën në ajër, Tejlor dhe “nxënësi” e tij konstatuan se, aparaturat dhe busullat nuk punonin mirë. Tejlor vendosi që fluturimi të vazhdonte duke u mbështetur të shenjat e terrenit, pasi ai ishte me përvojë dhe i njihte mire të gjithë ishujt e zonës. Nuk kishte arsye për t’u shqetësuar. Por pamja nuk mund t’i ndihmonte me pilotët pasi një stuhi me mjegull e re mbuloi gjithçka. Ata e humbën orientimin. Por ata ende kishin kontakt me radio me bazën e tyre në Fort Lauderdale, edhe pse ndonjëherë me ndërprerje për shkak të stuhisë. Sot ende besohet se nëse Tejlor do të kishte kaluar në kanalin e emergjencës dhe të kërkonte ndihmë  menjëherë, asgjë nuk do të kishte ndodhur. Ai mendoi se ishin mbi gjirin e Meksikos dhe i urdhëroi skuadriljes rrugën e kthimit për në bazën e tyre. Drejtimi qe përcaktoi ai ishte i gabuar dhe avionët u gjenden mbi oqean, duke ecur në drejtim të kundërt me bregun. Që prej atyre çasteve, nuk u dëgjua me asgjë për të humburit dhe asgjë nuk është zbuluar ende mbi ta. Shpjegimi i vetëm i mundshëm “normal” është se, avionët kanë rënë në thellësi të oqeanit, jo afër brigjeve të kontinentit, por diku ku thellësia e tij është disa qindra metra. Thellësia më e madhe e Oqeanit Atlantik është rreth 10 mijë metra dhe ndodhet pranë Porto Rikos. Por duke i marrë së bashku të gjitha ato ngjarje që çuan në zhdukjen e avionëve dhe njerëzve, pra mosfunksionimi i aparaturave dhe busullës, nisja e stuhisë, ndërprerja e kontaktit me radio, shpjegimet normale duket se zhvendosen për t’ia lënë vendin një tjetër shpjegimi, misterit. Dhe ky lidhet me fushat e çuditshme magnetike deformimi e rrjedhës së kohës, Atlantidën e zhdukur pranin e jashtëtokësoreve e të tjera gjera të kësaj natyre. Edhe një raport zyrtar i Marinës thotë se, avionët u zhduken sikur të kishin fluturuar drejt Marsit. Rreth 200 incidente dhe ndodhi te tilla janë regjistruar ne këtë zone, e cila u pagëzua me emrin Trekëndëshi i Bermudës ne vitin 1964 nga shkrimtari V. Gadis në një shkrim të tijin në revistën “Argosy”. Interesi për dukuritë u rrit në vitin 1974 kur Çarls Berlic shkroi librin “Trekëndëshi i Bermudës”, në të cilin kishte mbledhur të gjitha ngjarjet e regjistruara deri atëherë, si dhe jepte shpjegime duke prirur nga ana misterioze e çështjes. Në fakt ka dy pengesa të mëdha për t’i marrë seriozisht tregimet mbi trekëndëshin e Bermudës. E para është se, shumica e atyre që kanë ndodhur mund të shpjegohen në mënyra racionale. E dyta është se një pjesë e mirë e këtyre “zhdukjeve” nuk kanë ndodhur brenda trekëndëshit të Bermudës, por edhe jashtë brinjëve te tij, madje ndonjëherë edhe larg, por që me pas historitë janë zhvendosur, me apo pa qëllim, brenda trekëndëshit. Që prej ditës së zhdukjes së 5 bombarduesve të rëndë të tipit Avenger numri i raportimeve për zhdukje anijesh dhe aeroplanësh si dhe varkash të vogla apo anijesh të mëdha është rritur ndjeshëm. Nisur dhe nga kurajo e njerëzve për të folur dhe më në fund thyerja e heshtjes prej disa nga dëshmitarëve që kanë përjetuar situata të ndryshme brenda trekëndëshit, lista e zhdukjeve fatkeqësisht është pasuruar ndjeshëm. Studiues të ndryshëm të të gjitha fushave, fizikantë, kimistë, oqeanologë, gjeologe, arkeologe etj i kanë kushtuar jetën dhe pasionin e tyre studimit të këtij fenomeni dhe sot e kësaj ditë ndonëse kanë dalë shume teori për atë që mund të ndodhi në trekëndësh, asnjëra prej tyre nuk mund të quhet e provuar tërësisht. Një prej tyre nga më seriozët Çarls Berlitz, i cili është autor i shumë librave për këtë fenomen ka mbledhur informacionin më të madh që ekziston për trekëndëshin duke e koordinuar punën e tij dhe me të famshmin ufolog Dr Carl Sagan apo Stanton Friedman dhe Allen Hynek si dhe me studiues të tjerë të fushave të materies dhe fenomeneve natyrale.

Dëshmitarët

Udhëtimi i pazakontë mes vorbullës

Në një pamje të përgjithshme për atë që ndodh në trekëndësh ata kane dale më një teori që deri tani është nga me të qëndrueshmet. Ana me pozitive e këtij studiuesi, në ndryshim me shumë të tjerë është që ai merr në konsiderate çdo lloj teorie të paraqitur nga shkencëtarë të ndryshëm madje i përfshin ato në referimet e tij në të gjithë auditorët e botës. Me pak fjalë gjëja më e zakonshme që vërehet në Trekëndësh nga anijet dhe sidomos nga avionët është ndryshimi i papritur i kohës. Nga një pamje e qartë dhe një qiell blu, papritur çdo gjë shndërrohet në një mjegull të dendur në një të ashtuquajtur VVhite Out që nga pilotët shpjegohet si bashkimi i qiellit me ujin në kuptimin e orientimit, pra mjegulla është kaq e dendur sa nuk arrin të shquash, ku mbaron ajri dhe fillon uji. Kësaj i shtohet edhe mosfunksionimi i plotë i instrumenteve magnetike si rezultat i ndërhyrjeve shumë të forta që shmangin çdo lloj orientimi si dhe humbja pothuajse e plotë e komunikimit si rezultat i daljes jashtë përdorimit të aparaturave. Një gjë tjetër që dëshmohet rëndom është dalja papritur e disa reve në formë konike dhe në çastin kur pilotët janë futur brenda tyre, është dëshmuar që për disa çaste kanë provuar një lloj ndjesie sikur kanë humbur gravitetin. Nga disa pilotë të Forcave Ajrore Amerikane gjatë një stërvitje në kohën e krizës së raketave ose siç njihet nga të gjithë si “konflikti kuban”, është dëshmuar që janë “kapur” nga një re e tillë dhe ajo që kanë përjetuar është sa e mrekullueshme aq dhe misterioze dhe e frikshme. Në çastin që grupi i avionëve futet në re, humbasin komunikimin me kullën e kontrollit, instrumentet fillojnë të keqfunksionojnë dhe ajo që i shtangu me shumë ishte humbja e gravitetit si dhe pamja që kishin para syve. Në momentin që u futën në re, e cila nga larg dukej e një përmase të vogël, qielli ishte i pastër dhe shumë i qartë. Ndërsa në momentin që futen brenda resë ajo nuk kishte të mbaruar dhe çuditërisht ndryshonte formë duke u rrotulluar brenda vetes me shpejtësi. Nga të gjithë pilotët pamja e brendshme e resë përshkruhet si në ngjyrën e aluminit dhe që zgjatohej në formën e tunelit. Në fund të tunelit shikohej tokë, po një pamje shumë e veçantë për pilotët që e njihnin mirë atë zonë të bregdetit. Në momentin që skuadrilja del nga reja, rifitohet komunikimi me radio, busulla fillon funksionimin, por ajo që ishte me shokuesja ishte që të gjithë avionët kishin përshkuar një distancë prej më shumë se 1500 miljesh në një hark kohor prej 15 minutash. Gjë e pamundur për teknologjinë tonë pa harruar që edhe sasia e karburantit të shpenzuar ishte ajo që zakonisht përdoret për një fluturim rreth 100 mile. Për të mos harruar që grupi i pilotëve e pa veten e tyre shumë larg destinacionit dhe për këtë arsye ata nuk mund të njihnin bregdetin që panë gjatë kohës që ishin brenda resë. Natyrisht, kjo dëshmi është e atyre që i kanë përjetuar gjëra të tilla brenda Trekëndëshit dhe kanë dalë gjallë prej tij por shumë të tjerë janë zhdukur pa lënë gjurmë.

 (vijon)