Bedri Alimehmeti: Lamtumirë Fatmir Frashëri, legjenda e fushave të blerta dhe një ndër yjet më të mëdhenj bardheblu

1375
Sigal

Dossier \ Lamtumirë Fatmir Frashëri, legjendari i fushave të blerta të topkëmbës shqiptare

Konstelacionit të bardhebluve iu shua edhe një yll tjetër

Nga: Bedri Alimehmeti

I pari qe Skënder Halili, që iu shkëput konstelacionit të yllësisë bardheblu, të asaj skuadre të “artë” të viteve 60-të të shekullit të kaluar, që theu hegjemoninë e Partizanit e Dinamos dhe bëri epokë me atë futboll modern çka mundësoi, siç shprehej Anton Mazreku “të fryjë një erë e re në futbollin tonë”, duke mbetur me çka shpalosi në fushë ende nostalgjike dhe sot për ata që e përjetuan. Pas tij u largua trajneri strateg Myslym Alla dhe me radhë Bahri Ishka, zv\trajneri Enver Shehu, Aurrel Verria, Durim Hatibi, Gëzim Saraçi, Astrit Nurishmi, Josif (Xuxi) Kazanxhi, Gëzim Kasmi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, Ali Mema dhe tani së fundi Fatmir Frashëri. Një skuadër e tërë në amshim.

Po ku dhe kur nisi rruga sportive e “Mjeshtrit të Madh” Fatmir Frashëri?

Fëmijëria dhe dora e Xhavit Demnerit, që e shoqëroi gjithnjë

 

Në fillim të viteve 50-të në një mëhallë disi periferike nga “Tirana e re”, aty nëpër sheshet e saj duke bredhur pas topit me bashkëmoshatarët nisi rrugëtimin drejt botës së futbollit “Mimi”, kështu thirrej nga shokët e miqtë e ngushtë Fatmir Frashëri. “Sa shumë futboll luhej në ato vite! – thoshte gjithnjë ai, – Një ditë qe shoku im i fëminisë Aurrel Verria, që më mori me vete tek fusha e stërvitjes të të rinjve të Tiranës, mes të cilëve qe dhe ai. Në atë kohë isha nxënës në teknikumin e fizkulturës dhe gjatë një ndeshje me të rinjtë e Tiranës, trajneri Xhavit Demneri më kishte ndjek me kujdes dhe i kish lënë porosi Aurrelit të më merrte me vete. Profesori u gëzua dhe më bashkoi me grupin e djemve. Atë ditë në programin atletik kishim kërcim së gjati. Fillimisht kur më erdhi radha u ndrojta dhe u vonova paksa por atë bast mbi shpatulla ndjeva dorën e profesorit që plot ëmbëlsi më shtyu. “Ec përpara, – më tha, – atje me shokët”. Dhe ngrohtësia e asaj dore më ka shoqëruar sa herë që zbrisja në fushën e lojës”.

Me të rinjtë e Tiranës

Tek ekipi i të rinjve veç Aurrel Verris, Fatmiri gjeti: S. Halilin, P. Panon, P. Bukovikun, E. Casllin, O. Memën, L. Bytyçin, S. Pavlin, B. Kulhekun, P. Perollin, N. Ballën, T. Gjokën etj., të cilët do të bënin emër dhe do të linin gjurmë në futbollin shqiptar. Mes atyre djemve të talentuar nën drejtimin e seleksionuesit të shquar Xhavit Demneri, cilësitë e tij si futbollist njohën arritje të cilësisë së lartë. Këtë fakt sapo e konstatoj trajneri Alla, e thirri menjëherë në ekipin e parë. Dhe ishte vetëm 17 vjeç, kur zuri vend përfundimisht në formacionin bardheblu.

 

Trofeu i parë

Bashkë me Halilin, Panon, Bytyçin, Casllin, O. Memën, P. Bukovikun etj., që shumë shpejt u inkuadruan në ekipin e parë për krah: B. Stërmasit, E. Shehut, M. Metanit, E. Radës dhe T. Baçit i dhanë ngjyrat e një futbolli modern lojës së Tiranës, pa thënë se ishin vërtet shenjat e një ekipi të madh që po vinte siç edhe ndodhi në futbollin shqiptar. Ndërkohë ai spikat në takimet gjatë turneut një mujor në BRSS, pas përfundimit të të cilit shijon fitoren e trofeut të parë, Kupën e XV Vjetorit të Çlirimit (1959).

Në radhët e Partizanit

Në vitin 1962 edhe pse po ndiqte studimet në IKLF “Vojo Kushi” thirret nën armë dhe luan për dy sezone me radhë për Partizanin dhe shpallet dy herë radhazi kampion. Me Partizanin që renditet i dyti në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës, në Hanoi (1963), fiton medaljen e argjendtë dhe shpallet fitues në 11-shen e turneut.

 

Në gjirin e ekipit të zemrës

Pas kësaj arritje kthehet pranë ekipit të tij të zemrës dhe pikërisht në atë sezon 1964-1965 17 Nëntori triumfon mbi hegjemoninë e Partizanit e Dinamos, duke u shpallur kampion kombëtar për herë të parë pas çlirimit. Dhe pse ishte titulli VII në atë kohë numërohej i pari(!). Pa diskutim një ndihmesë të veçantë në fitimin e këtij titulli e të atyre që pasuan, i takon edhe mjeshtrit Frashëri. Duke u aktivizuar herë si i majtë apo në qendër të mbrojtjes, po kryesisht si mbrojtës i djathtë, ai mbetet një mbrojtës modern tipik shembullor. Por jo rrallë, Mimin e shihje edhe në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë, ku dallohej veçanërisht në harkimin e përkryer të topave e në rivëniet me dorë nga vija anësore, që ishin idem goditje këndore.

Me fanellën e Kombëtares

Fizikisht i fuqishëm, tejet i përsosur teknikisht, mbështetës e bashkëveprues me shokët në manovrat ofensive e difensive, Frashëri u bë i padiskutueshëm në formacionin bazë të ekipit kombëtar, ku kontribuoi për 12 ndeshje me radhë. Në radhët e të cilit ndeshja e tij më e mirë mbetet ajo e 23 nëntorit të vitit 1965, Shqipëri – Irlandë e Veriut 1-1, ku me ndërhyrjet e sakta e deciziv bllokoi për 90 minuta të madhin Xhorxh Best, yllin e “Manchester United”.

 

Kupa e Kampioneve dhe Helenio Herrera

Në shtator 1965 në turin e parë të Kupës së Kampioneve (sot Champions League) 17 Nëntori u ndesh me Kilmarnok i Skocisë (0:0, 0:1). Për ndeshjen e kthimit në Skoci, shtypi sportiv britanik i befasuar nga loja e bardhebluve ndër të tjera theksonte: “Treshja difensive e “17 Nëntorit” me Halilin, Frashërin e Kasmin, ja mbrojtja që i duhet trajnerit të Interit, brazilianit Helenio Herrera”, në ato vite i famshëm për aplikimin në ekip të lojës në mbrojtje.

Standardi i Liezhit, Batuta e Myslym Allës dhe mbresat nga Ajaksi

Në vitin 1969 për Kupën e Kampioneve “17 Nëntori” barazon 1:1 në Tiranë me kampionen e Belgjikës Standard i Liezhit. Në ndeshjen e kthimit me “17 Nëntorin” për në Skoci nuk udhëton kapiteni Fatmir Frashri. Arsyeja? Një absurditet i pakuptimtë i asaj kohe. Tek po e përcillte ekipin në aeroport një zyrtar i lartë i sportit i thotë trajnerit Alla: “Rrugë të mbarë e me fitore”. “Ç’fitore kërkoni? – ia kthen ai – Ju po më çoni topall, doni fitore!!”. Një vit më vonë mbresa e emocione të pashlyeshme do të mbeten në kujtesën e tij dy takimet (2:2,0:2) me gjigantin e futbollit botëror Ajaksin e Amsterdamit.

 

Largim i detyruar

Në sezonin 1971-1972 bardheblut garuan për titullin deri në ndeshjen e fundit me Vllazninë. Në fund shkodranët dolën fitues. Por, një urdhër krejt absurd e i pakuptimtë largonte nga “17 Nëntori” “boshtin” kryesor të ekipit: Frashërin, Bukovikun, Kazanxhiun, Ali e Osman Memën, Ishkën, Tafajn e Xhaçkën. Të gjithë futbollistë me vlera, që kishin ende edhe shumë energji për të dhënë për ekipin. Pa thënë që largoheshin në mënyrë arbitrare pa u mundësuar një ceremoni lamtumire, atyre futbollistëve që kishin dhënë gjithçka për ngjyrat bardheblu.

Karriera si trajner

Fillimisht Frashëri drejtoi ekipin e të rinjve të Tiranës, ku falë punës së tij në radhët e “17 Nëntorit” spikatën emra të tillë si: Minga, Muça, Baçi, Josa, Naçi, Omuri etj., emra që më pas bën epokë tek bardheblutë dhe ekipi kombëtar. Në sezonet 1975-1976 dhe 1976-1977 në krye të ekipit të parë i dhuron klubit dy Kupa të Shqipërisë. Peng i mbetet fakti që nuk arrin të prekë titullin si trajner i ekipit të parë. Më pas drejton në bankinë Naftëtarin e Kuçovës, Besën e Kavajës dhe me Dinamon më 1985-1986 shpallet kampion.

 

ËNDRRA TË REALIZUARA

Veçmas plotësimit të personalitetit të tij si futbollist i nivelit të lartë, të një mbrojtësi modern me tipare sulmuese tejet i avancuar për kohën e në të njëjtin hap me futbollin evropian, pa thënë që ishte edhe një xhentëlmen-zotëri i vërtetë në fushën e lojës. Ai me bashkëshorten e tij zonjën Mira Përmeti një miss i pashpallur i viteve 60-të, krijuan një çift familjar të mrekullueshëm, cilësuar nga bashkëkohësit “simbol i të dashuruarve”. Të tre fëmijët, dy vajzat Ani e Lea dhe djali Andi ua mbushën shtëpinë plot me nipër e mbesa. Ndërkohë në sezonin 2002-2003 duke qenë në krye të bankinës bardheblu realizon pengun e jetës, shpallet kampion i Shqipërisë me Tiranën, skuadrën ku u rrit e u formua personaliteti i tij si futbollist.

Beteja e pa fituar dhe ikja

Luftoi fort dhe gjatë me sëmundjen e rëndë e të pashërueshme dhe pse u përpoq me të gjitha forcat nuk arriti ta arkivojë në arsenalin e pasur të fitoreve të tij. Lamtumirë mik i shtrenjtë, që me klasin e lartë të futbollit që shpalose dhe të vlerave njerëzore e kulturore që posedoje na dhe kënaqësi pafund!.

19 korrik 2019. Ditë e dhimbshme, e rëndë e tejet e trishtë. Ikja yte legjendar i bardhebluve na e shndërroi të nxehtin e asaj dite në acar.

U prehsh në paqe o FISNIK i pakrahasueshëm që i dhe futbollit karakterin e pathyeshëm, grintën e pashoqe, mjeshtërinë unikale, pathyeshmërinë si askush, besimin deri në fund dhe mbi gjithçka kulturën njerëzore dhe zotnillikun e pashoq!

 

SKEDA

Datëlindja: 3 prill 1941

Vendlindja: Tiranë

Shtatlartėsia: 1,79 cm

Roli: Mbrojtës i djathtë

Arsimimi: Teknikumi i Fizkulturës, Universiteti i Sporteve, dega mësuesi

Gjuhë të huaja: Anglisht, Italisht

Fillimi karrierës si futbollist: 

Të rinjtë e Tiranës në dy sezone 1957 dhe 1958

Me ekipin e të rriturve:

17 Nëntori: 1958-1962

Partizani: 1962-1963 dhe 1963-1964

17 Nëntori: 1964-65, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Me ekipin kombëtar: 12 ndeshje titullar

Ndeshja e parë me Danimarkën qershor 1963 e fundit me Poloninë tetor 1970

Karriera si trajner:

17 Nëntori 1970-1980 ekipi i të rinjve, ekipi Shpresa dhe ekipin e të rriturve.

Naftëtari 1980

Besa 1981-1982

Dinamo 1985-1986

Tirana 1990-1991

Tirana 1993-1994

Tirana 2003

Tituj e trofe si futbollist:

Kampion me Partizanin

1962-1963 dhe 1963-1964

Medalje e argjend – Vendi II me Partizanin në Hanoi (Vietnam) 1963 në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës.

Fitues në anketën “11-shi më i mirë në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës”.

Trofe e tituj me Tiranën:

1957 dhe 1958 Kampion me të rinjt

1959 Fitues i Kupës XV Vjetori i Clirimit

Kampion me 17 Nëntorin:

1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Trofe si trajner:

Fitues i Kupës së Shqipërisë:

Me 17 Nëntorin

1975-1976, 1976-1977

Kampion me Dinamon:

1985-1986

Kampion me Tiranën:

2002-2003

Detyra e funksione:

Mësues i edukimit fizik në shkolla të mesme të kryeqytetit.

1992-1993 Sekretar i FSHF

2004 President i FK Tirana

President Nderi i FK Tirana

Vlerësime:

“Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, Urdhri “Naim Frashëri”kl. II, “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta: 19 korrik 2019

Nderimet për Fatmir Frashërin

Presidenti Meta: Fatmir Frashëri, njeriu që i dha bukurinë sportit

Njeriu i cili ndryshoi futbollin botëror, legjenda e Ajax, Johan Cruijff deklaronte se nuk është e rëndësishme vetëm të fitosh, por edhe si fiton. Për të mbështetur këtë filozofi të re, ai publikoi 14 rregullat bazë që i shkojnë aq shumë edhe legjendës kuqezi dhe bardhëeblu, i cili u ndesh si i barabartë me Ajax-in e madhërishëm të asaj kohe. Sidomos rregulli i 14: “Bring beauty to the sport” (Sillni bukurinë në sport) i shkonte aq shumë Fatmir Frashërit. Ndaj në këto momente dhimbjeje e nostalgjie, familjes Frashëri, kolegëve dhe të gjithë sportdashësve dua t’u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për veprën e tij, dhe ne do ta kujtojmë përherë me dashuri me këto foto nga ndeshjet me Ajax-in, ku u mësoi të gjithëve se si duhet të ndeshemi me dinjitet dhe të barabartë edhe me më të mëdhenjtë!

Klubi Tirana: Lamtumirë kampion!

U prehsh në paqe Fatmir Frashëri! Ështe ndarë nga jeta Fatmir Frashëri, një nga ikonat e familjes bardheblu. Ish-futbollist, trajner dhe pjesë e rëndësishme e historisë së klubit. Klubi i Futbollit Tirana i gjendet pranë familjes Frashëri në këtë moment të vështirë. Lamtumirë kampion!

Adrian Tufina: Fatmir Frashëri, ikona e qytetit të Tiranës

Lamtumirë legjenda e Tironës! Lamtumirë mik i mrekullueshëm! Ne qytetarët dhe tifozët e vjetër të Tiranës nderohemi me figurën tënde që na bëri krenarë për aq shumë vite. I lehtë të qoftë dheu, ikona e Tironës sonë të bukur. Kampioni i të gjithë kohërave, Fatmir Frashëri!