Bashkim Qeli: 127 dëshmorë për çlirimin e Tiranës

1330
Sigal

Në këto luftime dhanë jetën 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë

Lufta për çlirimin e Tiranës zgjati 19 ditë pa ndërprerje

 

 

75-VJETORI I ÇLIRIMIT TË TIRANËS

           

    1944 – 17 Nëntor – 2019

 

Duhet me e sulmue Tiranën dhe me marrë

 me çdo kusht dhe s’duhet me pritë që

 gjermanët të tërhiqen. Politikisht do të jetë

 një sukses i madh dhe do të ketë jehonë

 brenda dhe jashtë.”    

                                                                        Enver HOXHA

 

Më 17 Nëntor, mbushen 75 vjet, nga përfundimi i operacionit mësymës për çlirimin e kryeqytetit tonë Tiranës, nga forcat e Korparmatës I Sulmuese. Ka gati tre dekada, që sa vjen muaji nëntor, që është quajtur Muaji i Festave për shqiptarët, ndizet një debat pa bereqet, nga mediat e shkruara dhe vizive, të cilët bluajnë si një mulli, që nuk ka drithë në mokrën e tij. Me një fjalë, rrahin ujë në havan, disa moderatorë dhe pseudohistorianë të kohëve të fundit, për legjitimitetin e LANÇ-it

Nuk kam ndërmend që të debatoj për këtë problem, sepse ky, është vulosur me gjakun e 28 000 heronjve dhe të dëshmorëve të LANÇ-it, më 29 nëntor 1944. Por në shkrimin tim, unë do të trajtoi veprimet luftarake mësymëse, të forcave partizanë për çlirimin e Tiranës. UNÇSH-ja përballoi me sukses Operacionin armik të Dimrit (1943 – 1944) dhe në pranverë, pasi mori nismën operative kaloi në Kundërmësymje e Pranverës për çlirimin e jugut të vendit. Me realizimin me sukses të punimeve të Kongresit të Përmetit, i cili vendosi që brigadat partizane, të formonin ushtrinë e rregullt Nacionalçlirimtare.

Me 28 maj formohet D. I S, dhe Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH Enver HOXHA, lëshoi urdhrin, që në 1 Qershor 1944, D. I S. të kalonte në mësymje në veri të lumit Shkumbin, për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Ky urdhër nuk u realizua, sepse forcat gjermane të mbështetura edhe nga bashkëpunëtoret e tyre, filluan Operacionin e Qershorit, me qëllim të rrethonin e asgjësonin forcat partizane në Jug të vendit. KP e UNÇSH udhëzoi forcat e DIS, që të ruanin forcat dhe të manovronin në krahët e shpinën e armikut dhe të krijonin kushte për fillimin e Mësymjes së Përgjithshme, për kalimin në Veri të Shkumbinit.

Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës iu ngarkua K I S, e cila urdhëroi komandën e D I S që të manovronte forcat nga Mati e Dibra, në drejtim të Tiranës me qëllim, që me goditje të njëpasnjëshme ditën e natën të mbante nën trysni dhe të zbulonte vendosjen e trupave gjermane. Komanda e lartë gjermane, me daljen e forcave të ushtrisë kuqe në Ballkan lëshoi urdhrin për tërheqjen e trupave të Gruparmatës “E” nga Ballkani, në rrugë kalimin Greqi – Shqipëri – Mali Zi – Bosnje Hercegovinë – Kroaci. Në Shqipëri ishin forcat e Korparmatës XXI Malore.

K21M mori urdhër për mbajtjen e Tiranës, deri në largimin e forcave të Gruparmatës “E”. Për këtë ajo organizoi mbrojtjen e saj në tre vija.

Vija e parë kalonte në forme harku nga Tirana 50 km në jug e jugperëndim, 40 km në perëndim dhe 16 km në veriperëndim: në vijën Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Shijak, Vorë, Fushë Krujë. Mbrojtja ishte e organizuar në bazë garnizoni.

 

Vija e dytë kalonte 4-8 km në jug, 2 km në jugperëndim dhe 5 km në perëndim: në vijën Petrelë, Ura e Erzenit, Ura e Farkës, Selite e Vogël, Yzberish, Kashar.

Vija e tretë ishte mbrojtja e Tiranës, e cila përbëhej nga një pozicion dhe kalonte në të gjithë periferinë e qytetit dhe në brendësi të tij. Komanda e K21 Malore urdhëronte që të përfshiheshin në blloqe mbrojtjeje: Kazermat e Xhenios me spitalin dhe depot në Brarr, Kazermat e artilerisë, Fusha e aviacionit, Kazermat e Ushtrisë, Tirana e Re, Legata gjermane, Pallati i Frashërit, sheshi Skënderbej.

 

Armiku më shumë kujdes i kishte kushtuar mbrojtjes së Tiranës së Re. Në Tiranë ai kishte përqendruar 3000 gjermanë dhe 800 ballistë. Në vijën e dytë ai kishte vendosur 300 forca gjermane dhe në vijën e parë kishte 5000 gjermanë dhe 1000 ballistë. Gjithsej për mbrojtjen e Tiranës ishin 10 000 forca, nga të cilat 8300 ishin gjerman dhe 1800 ballistë e zogistë. Forcat e mjete kryesore i kishte vendosur në vijën e parë e të dytë. Ky plan parashikonte të mbahej Tirana deri në mbërritjen e forcave të Gruparmatës “E” nga Greqia dhe bashkë me to të tërhiqeshin në drejtim të Malit të Zi.

Plani i KP i UNÇSH-së synonte, se çlirimi i Tiranës ishte një detyrë me rëndësi të madhe politike e ushtarake. Organizimi e zhvillimi i këtij operacioni, do të ishte i shkallës operative-strategjike me qëllime vendimtar, çlirimin me çdo kusht të Tiranës dhe qyteteve për rreth saj, asgjësimin dhe kapjen rob të forcave gjermane në trekëndëshin Elbasan – Durrës – Krujë, të mos lejonin që të shkatërrohej Tirana dhe të mos lejonin të zbatohej plani i anglo-amerikanëve për zbarkim në bregdetin shqiptar.

Në operacionin mësymës për çlirimin e Tiranës, do të krijohej një grupim operativ prej 11 brigadash, forcat territoriale dhe njësitet guerile në brendësi të qyteti. Këto forca do të krijonin frontin e brendshëm dhe të jashtëm. Në frontin e brendshëm 3 brigada dhe në frontin e jashtëm 8 brigada. Operacioni do të zhvillohej në tre faza, që ishin faza përgatitore, faza e parë dhe ajo përfundimtare.

Faza përgatitore do të zhvillohej nga 10 shtatori deri 28 tetor. Ajo përfshinte rigrupimin e forcave e mjeteve, riorganizimin e forcave, goditjet e vazhdueshme kundër autokolonave gjermane që lëviznin në rrugët e komunikacionit dhe me forca të pakta sulmohet natën forcat armike brenda në qytet, asgjësimi i forcave ballist-zogiste në rrethinat e Tiranë dhe Krujës, afrimi i njësive të tjera për të sulmuar Tiranën.

Rigrupimi i forcave zgjat një muaj (10 shtator – 10 tetor), gjatë kësaj kohe u bë manovrimi 9 brigadave dhe disa batalioneve. Manovra u krye në një hapësirë prej 6400 km2. Forcat e DIS mbërritën në rrethinat e Tiranës më 21 shtator dhe u vendosën. Br1S do të vepronte me 4 batalione rajoni shkolla e Dakës (Kodër Kamza) – lartësia 276 (Varrezat e Dëshmorëve) një batalion në Valias, batalioni “Antonio Gramshi” në Qafë Kërrabë. Br. e 4-të S. me 3 batalione do të vepronte në rajonin pallati i Brigadave – Kazermat Shkumbini (Qyteti i nxënësve), një batalion në Qafë Kërrabë dhe një në Peqin. Br e 23- të S do mbante nën kontroll rrugën Vorë – Laç. Gjatë kësaj faze, kolonat gjermane u goditën në Qafë Kërrabë, Ibë, Ura e Erzenit, Rrogozhinë, Shijak, Fushë Krujë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve armiku pati humbje të mëdha dhe u mbyll në qytet. Gjatë kësaj faze u goditën u asgjësuan forcat e Legalitetit në Prezë.

Faza e Parë (29 tetor – 10 nëntor) Komanda e K. I S. parashikonte kalimin në mësymje të menjëhershëm me të dy brigadat ku goditje kryesore do ta jepte me Br I S në frontin Kodër Kamëz dhe Lart 276 ( Varrezat e Dëshmorëve)

Komanda e DIS gjatë kësaj faze parashikonte të kalonte në mësymje me BrIS, në drejtimin e Tiranës së vjetër me detyre të rrethonte e asgjësonte armikun në Kodër Kamëz, Laprakë, Burgu i Ri (Arkivi), Kazermat e Xhenios (Shkolla e Bashkuar), Varri i Bamit (xhamlliku) Kodrat e Fuat Beut (Qyteti Studenti) me detyrë të çlironte Tiranën e vjetër. Br. e 4-të S do të mësynte në frontin e Pallatit të Bigëtave, Kisha e Shën Prokopit, Kazermat Shkumbini (Qyteti nxënësve) me detyrë të mbante nën trysin armikun dhe të lehtësonte veprimet e Br. I S. Br e 23-të S. do të mbante nën kontroll rrugëkalimin Vorë –Laç dhe të asgjësonte forcat e Legalitetit dhe të çlironte Krujën. Në mbrëmje të 29 tetorit forcat e Br I S dhe Br. e 4-të S kaluan në mësymje të befasishme dhe të njëkohshme.

Forcat e BrIS me sulme të befasishme, thyen qëndresën e armikut në lindje e verilindje të Tiranës së vjetër dhe kapën vijën: Kazermat e Xhenios, Varri Bamit, Spitali, Medreseja dhe gjatë natës si rrjedhojë e sulmit të befasishëm dolën në vijën: Kodrat e Fuat Beut (Qyteti Studenti), Ura e Lanës, Postë Telegrafa (Pazari i Ri), Komandatura, (pall. 9 katëshe), rruga Mbretërore (Rruga e Barikadave) . Br. e 23-të S mbajti nën kontroll rrugën Vorë – Laç dhe goditi forcat e Legalitetit në Fushë Krujë. Gjatë kësaj faze armiku u asgjësua pjesë – pjesë. Forcat e Br1, 4 S, asgjësuan armikun në frontin në brendshëm, ndërsa forcat e Br 15, 23 S asgjësuan armikun në frontin e jashtëm. Forcat gjermanë pësuan humbje të shumta me gjithë kundërsulmet e shumta, por pa sukses u detyrua të mbrohej në qendër të Tiranë duke mbajtur Hotel Dajtin Pazarin e Vjetër (Pall.Kulturës), Bashkia ( Muzeu Kombëtar), Hotel Internacional, Banka, Ministritë dhe Sheshi Skënderbej.

Faza Përfundimtare (11 – 17 nëntor) Gjatë kësaj faze një nga veçoritë e veprimeve të forcave të DIS ishte edhe goditja e dëmtimi i armikut në frontin e jashtëm. Për të realizuar këtë ide KP i UNÇSH-së, vendosi dërgimin e forcave të tjera në luftën për çlirimin e Tiranës. Më 9 nëntor mbërritën në zonën e Pezës Br 8, 10, 17 S, që kaluan në vartësi të KIS. Më pas ajo dërgoi edhe Br e 11, 12, 20, 25 S., duke krijuar një grupim të fuqishëm goditës prej 11 brigadash, që ndikuan në rritjen e raportit të forcave. Në frontin e brendshëm do të vepronin tre brigada ( Br. 1,4,8 S) dhe në të jashtmin 8 brigada. Nga të cilat 4 brigada në rrethinat e afërta ( Br 10,17, 23, 24S) dhe 4 brigada në një distancë më të largët ( Br 12,12,15,20S). Në frontin e brendshëm, goditja kryesorë do të jepej në drejtimi e Tiranës së Re me krahët e brendshëm të Br 4, 8 S, ndërsa goditja ndihmuese do të jepej nga BrIS në drejtim të Tiranës së vjetër. BrIS mori për detyrë të rrethonte dhe të asgjësonte armikun të Burgu i Ri, shtypshkronja “Atdheu” ( Zëri Popullit), Radio Tirana, Bashkia ( Muzeu), hotel Dajti, dhe të kapte sheshin Skënderbej. Br 4, 8S do të sulmonin nga Kisha e Shën Prokopit më detyrë të rrethonin e asgjësonin armikun në Tiranën e Re, të mësynin drejt Bankës dhe të bashkoheshin me forcat e Br1S në sheshin Skënderbej.

Br e 23-të S do të vazhdonte të mbante nën goditje rrugën Vorë – Laç. Br 10, 24 S do të marshonin më shpejtësi dhe të godisnin armikun në rrugëkalimin Tiranë – Kashar – Vorë .

Br11, 12 S do të mbanin nën kontrolle dhe të godasin armikun në rrugëkalimin Elbasan –Peqin –Kavajë dhe të sulmonin garnizonet në Peqin e Kavajë. Br e 15-të S do të mbante nën goditje armikun në Elbasan. Br e 20-të S do të godiste autokolonat që tërhiqeshin në rrugëkalimin Librazhd – Elbasan. Br e 7-të S do të qëndronte në rezervë në rajonin e Mulletit.

Mësymja për çlirimin e Tiranës në këtë fazë u caktua të fillonte më 11 nëntor të vitit 1944, ora 16 e 45 minuta. Sulmi duhet të vijonte i pandërprerë nga të gjitha brigadat. 10 minuta para se të fillonte sulmi, mbi pozicionet e armikut u hap zjarr i dendur dhe i përqendruar me të gjithë llojet e armëve të rënda. Ky veprim luajti rolin e përgatitjes me artileri të mësymjes. Mësymja filloi në orën e caktuar në befasi, e menjëhershme dhe e fuqishme, nga forcat e të dy brigadave. BrIS mori radio Tiranën, kodrat e Fuat Beut, Legatën Amerikane dhe Pazarin e Vjetër. Br4S, 8 S, shpërthyen mbrojtjen te Kisha e Shën Prokopit, te Kazermat Shkumbini hynë në Tiranën e Re dhe dolën të pallatet Shallvare. Si rrjedhojë e sulmit të fuqishëm armiku u tërhoq në qendër të Tiranës, te ndërtesat e ministrive, Banka, Bashkia, hotel Kontinental, shtëpia e oficerëve.

Ndërkohë që zhvilloheshin këto veprime nga Elbasani po vinin forcat e Grupimit gjerman “Steyer”, që ishin larguar nga Greqia, një kolonë me 7000 forca e cila u nda në dy drejtime një kolonë me 3000 forca në drejtimin Elbasan- qafë Kërrabë – Tiranë dhe kolona tjetër me 4000 forca në drejtimin Elbasan- Peqin- Rrogozhine-Kavajë – Durrës – Vorë, ku do bashkoheshin me forcat që do vinin nga Tiranë për të marshuar në drejtim të Shkodrës- Mali Zi. Ndarja e autokolonës, për të marshuar në dy rrugë kalime, u bë me qëllim që të siguronin kushte të mira për lëvizje dhe të merrnin me vete forcat e vendosura në garnizonet gjatë marshimit me detyrë që tu vinin në ndihmë forcave të bllokuara në Tiranë.

Autokolona që vinte nga Elbasani, më 13 nëntor u godit nga forcat e batalionit të parë i Br së 4-të S, i shkaktoi humbje dhe për shkak se e zuri nata e ndaloi lëvizjen e tij. Kjo kolon kishte për detyrë që me të mbërritur të Ura e Erzenit do të ndahej në dy kolona njëra për në drejtim të Saukut për Tiranë dhe tjetra do lëvizte për gjatë luginës së lumit Erzen të dilte në Picall në krahë e shpinë të forcave partizane që luftonin në Tiranë. Autokolona tjetër me të mbërritur në Vorë kishte për detyrë që me një pjesë të forcave të lëviztë për në Tiranë, me detyrë të godiste forcat partizane nga shpina, ndërsa forcat e tjera do vazhdonin marshimin për në Shkodër.

Shtabi KIS vlerësoi gjendjen e krijuar dhe arriti në përfundim se ardhja e forcave të tjera gjermane në Tiranë e rriste numrin dhe epërsinë tyre ndaj forcave tona. Ndërkohë në oracionin mësymës për çlirimin e Tiranës, me ardhjen e brigadave të tjera partizane, u krijuar Shtabi Operativ me në krye Mehmet Shehun, i cili vlerësoi gjendjen e krijuar dhe mori vendim, që të ndryshojë goditja kryesore nga sulmi mbi Tiranën në drejtim të ardhjes së forcave gjermane që vinin nga Elbasani, për organizimin e pritës së Mushqetas. Me forca te 8 batalioneve të Br 1,4, 8 S të vazhdohej sulmi intensive mbi Tiranën, ndërsa me forcat e 10 batalioneve Të Br 1, 4, 8, 17 S , të goditeshin dhe asgjësoheshin forcat gjermane që vinin nga Elbasani. Ndërsa forcave të tjera të KIS të vijonin goditjet në sektorët e caktuar, duke u shkaktuar humbje sa më shumë forcave gjermane.

Forcat dhe mjetet e partizane realizuan brenda 22 orësh, manovrimin batalioneve për në rajonin e pritës. Prita do të organizohej nga Qafë Kërraba deri të ura e Farkës. Ajo u organizua në dy kurthe, kurthi i parë me 8 batalione (1500 partizanë), nga Qafë Kërraba deri te ura e Peshkatarit, kurthi dytë me 3 batalione (700 partizanë) nga ura e Peshkatarit deri te ura e Farkës. Me mbërritjen forcave në rajonin e pritës u bë organizimi i luftimi për 2 orë, që përfundoi në orën 16.00 të 14 nëntorit. Forcat u vendosën të maskuara larg rrugës 50 m. Kur kreu i kolonës arriti te ura e Peshkatarit dhe fundi në Qafë Kërrabë, kolona ishte future plotësisht në kurthin e parë, forcat partizanë hapën zjarr të fuqishëm në befasi të plot, më të gjitha llojet e armëve.

Luftimet morën karakter shumë të ashpër. Ato u zhvilluan në distance të afërta dhe arritën deri trup me trup. Në mëngjes të 15 nëntorit forcat gjermane ishin të rrethuar nga të gjitha anët. Ndërkohë avionët e aleatëve bombarduan kolonën që kishte rënë në pritë dukë i shkaktuar humbje të shumta në forca e mjete. Ata, duke parë gjendjen ku ishin kaluan, në kundërsulm por pa shpresë, vetëm kreu kolonë mundi të kalonte kurthin e parë por u gjend në breshëritë e zjarrit të kurthit të dytë. Vetëm pak forca 300 vetë të mbështetur nga autoblindat dhe forcave që erdhën nga Tiranë mundën të futen në Tiranë. Asgjësimi pothuajse tërësisht i kolonës gjermane në pritën e Mushqetas dhe dëmet e shumta që ju shkaktuan kolonës tjetër në rrugë kalimin Peqin – Durrës- Vorë, i vunë në gjendje shumë kritike forcat gjermane të rrethuara në Tiranë.

Forcat e brigadave që luftonin në Tiranë i vazhduan sulmet gjithë natës 15 – 16 nëntor dhe në agim të 16 nëntori kaluan në sulm të vendimtar për çlirimin e Tiranës. Armiku mbahej me forcë në ndërtesat e ministrive, Banka, Bashkia, sheshi Skënderbej. Luftimet vazhduan të ashpra gjatë gjithë ditës. Forcat gjermane nuk shihte shpresë shpëtimi, prisnin natën për tu larguar.” Si nuk arritën dot të çanin rrugën e Durrësit dhe të Kavajës, – thuhet në Historikun e BrIS – armiqtë duke përfituar nga errësira e natës bënë një bënë një manovër me shpejtësi nga ana e Tiranës së Re, dhe gjetën një rrugë tërheqje pas shpinës së Br 4 e 8 S “ (Hist. BrIS f. 547 bot.1971) Luftimet vazhduan gjatë gjithë natës 16 -17 nëntor dhe në mëngjër Tirana ishte e çliruar.

Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranë ishte një i shkallës operative – strategjike i zhvilluar nga UNÇSH –ja për çlirimin e qyteteve në Shqipërinë e Mesme. Ai u zhvillua në një hapësirë rreth 4000 km 2. Ai zgjati për dy muaj dhe vetëm për çlirimin e Tiranë 19 ditë pa ndërprerje. Në këto luftim dhanë jetën 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Humbjet e armikut ishin të mëdha. Ai pati rreth 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur, u kapën mbi 300 robër, 25 gryka zjarri, 4 tanke, 100 mitralozë, 200 automjete, 250 karro dhe shumë materiale të ndryshme. Në këto luftime u kapën 500 bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve.

Fati i historik i Shqipërisë u përcaktua më 17 Nëntor 1944, kur forcat partizane, mbas 19 ditë luftimesh të ashpra, të mbështetura fuqimisht nga populli heroik i Tiranës çliruan Kryeqytetin e vendit, Tiranën dhe më 29 Nëntor 1944 çliruan Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

E theksova që në fillim të këtij shkrimi, se vitet e Luftës se Dytë Botërore, ishte e kuptueshme dhe e justifikueshme që të mos kishte një mendim dhe një vlerësim unik për LANÇ-in. Sot mbas 75 vjetësh nuk ka arsye dhe logjikë që të jemi të ndarë për këtë çështje. Lufta nuk u bë që të na mbajë, edhe pas kaq vitesh, të mbërthyer në diskutime pa bukë, që të na ndajnë dhe përçajnë. Sot më shumë se kurrë na duhet mirëkuptimi, toleranca, respektimi i bindjeve të ndryshme të njëri tjetrit, kërkesa këto të domosdoshme për një shoqëri të emancipuar e demokratike. Vetëm mbi bazën e tyre mund të sigurohet përparimi i shoqërisë, i shkencës, por edhe i demokracisë së vërtetë. Evropa e qytetëruar e demokratike ka kohë që i kapërcyer qëndrimet primitive, ekstreme, të djathta dhe të majta, mllefet dhe grindjet e vjetra për çështjet e luftës. Por, megjithë ndryshimet që ka pësuar shoqëria njerëzore në Evropë dhe Botë, një gjë ka mbetur e pandryshuar në mentalitetin e tyre demokratik qëndrimi ndaj vlerave të shenjta të Luftës së Dytë Botërore, ndaj antifashizmit, frymës dhe idealeve antifashiste dhe, në këtë kuadër nderimi për heronjtë dhe dëshmorët e për luftëtarët antifashist, që me gjakun dhe sakrificën e tyre sublime shpëtuan njerëzimin dhe qytetërimin nga mortaja fashiste dhe i hapën rrugën ndërtimit të një shoqërie të re demokratike. “ Antifashizmi është vlerë e shoqërisë njerëzore – thotë Bamerli – antikomunizmi nuk është vlerë, por antivlerë.”