Bashkim Pitarka: Pse u sulmua raporti i Reis Maliles, ku kërkohej futja në KSBE-së

1412
Sigal

Leonard VEIZI

ANËTARËSIMI/ Pranimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian

Shqipëria kishte ngarkuar një negociator për vendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara,të cilat ishin ndërprerë prej vitit 1946, ndërkohë të njëjtat negociata po zhvilloheshin dhe për të rihapur ambasadat me Bashkimin Sovjetik të hequra qysh prej vitit 1961. Por asgjë nuk do të mjaftohej me kaq. Pas pritjes së vizitores së veçantë, bamirëses nobeliste Nënë Tereza, Shqipëria po kërkonte të hidhte një hap më shumë, të bënte kërkesën për t’u futur në KSBE ose siç thuhej ndryshe – Këshillin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian.

Në vitin 1991 Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian – KSBE, organizate politike e sigurisë kolektive. Anëtarësimi në këtë organizatë, i siguron Shqipërisë një mbrojtje nga agresorët e jashtëm, por e detyron atë të pranoje pluralizmin politik, ekonominë e tregut dhe respektimin e të drejtave te njeriut. Por nuk do të ishte e lehtë për të mbërritur deri këtu. Përplasjet ideologjike ishin të mëdha.

Kundërsulmet

Reis Malile është vënë përballë sulmeve të ashpra, teksa paraqiste në Byronë Politike një relacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një nga kundërshtarët më të ashpër të tij, jashtë Byrosë politike ishte dhe Sofokli Lazëri, i cili drejtonte një pikë kyçe në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror. “Është fjala për raportin e Reis Maliles të mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike: “Mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian”. Kur u diskutua ajo çështje skifterët ju lëshuan ish ministrit tonë të jashtëm”, shpjegon ish përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka.

Materiali

Në ato ditë të tensionuara ku krahu radikal brenda strukturave të larta drejtuese të Partisë së Punës, nuk e shihte me sy të mirë hapjen e Shqipërisë drejt perëndimit, Reis Malile, kishte nevojë për këshillën e një miku. E në këtë rast ai ka gjetur mbështetjen e një prej ambasadorëve më të fuqishëm të Shqipërisë në botë, përfaqësuesit të përhershëm në OKB, Bashkim Pitarka, i cili thotë: “Në ato ditë, para asaj mbledhjeje, që u mbajt me 23 shtator 1990, unë ndodhesha ne Tiranë dhe Reisi ma dha raportin e tij për t’i hedhur një sy para se ta niste për në Byro. Unë isha plotësisht dakord me atë tekst, i shkruar me shumë kujdes dhe me një frymë pozitive që përputhet me frymën e sotme. Por gjithsesi Reisi ishte tepër i kujdesshëm në atë drejtim për shkak të “skifterëve” në KQ-së të PPSH-së”.

Sugjerimet

Shqipëria kishte humbur të paktën 50 vjet nga lidhjet e saj me perëndimin, ndërsa i duhej të qëndronte si e “paangazhuar” në forumet e OKB-së. “Unë i bëra një sugjerim që të ishte më i guximshëm me propozimin në raport lidhur me argumentet, se pse Shqipëria duhet të bënte kërkesën për të hyrë në KSBE. Unë i dhashë mendimin që të ishte më kurajoz, të kërkonte me insistim hyrjen në atë organizëm të rëndësishëm pan-atlantiko-evropian sepse ishim tepër vonë”, thotë Bashkim Pitarka për gazetën “Telegraf”

Pengesat

Po ku viheshin re më shumë vonesat e Shqipërisë lidhur me akreditimet ndërkombëtare. Bashkim Pitarka thotë: “Ne duhet të pranoheshim sa më shpejt që të ishte e mundur në KSBE dhe Shqipëria të shpallej hapur si shtet evropian. Siç e kam përmendur edhe në një intervistë tjetër në “Telegraf”, atë kohë Shqipëria, ne përfaqësuesit e saj, as edhe në OKB nuk merrnim pjesë në asnjë grup rajonal. Por ne as nuk zgjidheshim dot në organet drejtuese të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pa bërë pjesë në një grup rajonal”.

Situata politike – 1990

Në Shqipëri mbërrin amerikani i parë

Viti 1990 do të ishte i mbarë për shqiptarët. Asnjëherë nuk ishin parë aq shumë vizita nga njerëz me pesë në institucionet e rëndësishme perëndimore. “Dy ditë para ardhjes së De Kuelarit në Shqipëri, ministria e Punëve të Jashtme pati një vizitë dhe bisedime në vendin tonë administratori i PNUD-it, zotin Uiliam Draper III, i cili zhvilloi bisedime në ministrinë e Punëve të Jashtme për forcimin e bashkëpunimit të PNUD me vendit tonë, firmosjen e marrëveshjes për ndihmat dhe fondin e PNUD-it për Shqipërinë dhe inaugurimin e selisë së PNUD-it në Tiranë. Theksoj se zoti Uiliam Draper III ishte zyrtari i parë me shtetësi amerikane që vizitonte Shqipërinë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike”, thotë ambasadori Pitarka për “Telegraf”.

Flet ambasadori Nesip Kaçi

Karta së Helsinkit, pse nuk e pranoi Byroja Politike

Ka qenë ambasador në Rumani, Turqi e Algjeri. Nesip Kaçi, një nga bashkëpunëtorët e afërt të ish ministrit të jashtëm Reis Malile, rrëfen atë që ndodhi në shtatorin e vitit 1990, kur nga zyrat e diplomacisë doli materiale që bënte fjalë për pranimin e Shqipërisë në ombrellën e Këshillit të Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian: Ai thotë: “Reis Malile e kuptoi se situata në Evropë kishte ndryshuar dhe vetëm Shqipëria kishte mbetur prapa dhe nuk e pranonte këtë të vërtetë. Ai në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 shtator 1990 ku shqyrtohej një Relacion i MPJ “Mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian” pati guximin të thotë hapur se neni për çështjet e fesë nuk ka pse të vihet në Kushtetutë dhe se Shqipëria duhet të bëjë një deklaratë se njeh parimet bazë të Kartës së Helsinkit. Ky ishte hapi i parë për t’u pranuar në KSBE. Ai theksoi që vendi ynë në situatën e re politike të mos qëndrojë mënjanë vendeve të Evropës. Me që në Byronë Politike pati kundërshtime për t’u mos u pranuar propozimi i MPJ se njohja e Kartës së Helsinkit nuk ka pse të bëhet tragjike.

Ky dokument ka disa parime që duhet t’i shfrytëzojmë për interesat tona, sidomos. Për të mbrojtur çështjen e Kosovës. Jugosllavët, tha ai, çfarë nuk shpifin kundër vendit tonë dhe Kosovës në mbledhjet e KSBE-së, kurse ne nuk jemi në gjendje. Të themi asnjë fjalë atje se nuk marrim pjesë. Ne duhet të zëmë vendin tonë në këtë institucion po qëndruam jashtë tij nuk do ta kemi të lehtë për të përballuar situatën e re politike që po krijohet në Evropë dhe në botë. Po nuk zumë vendin tonë në këtë institucion evropian, tha Reis Malile në Byronë Politike, ne do të izolohemi me shumë. Në këtë dokument ka probleme që lidhen me sigurimin e atdheut, siç është mospërdorimi i forcës, respektimi i kufijve, faktikisht tha ai, serbet dhe greket po na bëjnë presione në kufijtë tanë. Por me gjithë këto Byroja Politike nuk e pranoi Kartën e Helsinkit”.

Roli i Ramiz Alisë

Në KSBE, Shqipëria fiton më shumë

Ambasadori Nesip Kaçi shton më pas: “Ramiz Alia në këtë mbledhje, me gjithë kundërshtimet e Byrosë Politike ja se si u shpreh: “Nuk ka dyshim se dhe njëra dhe tjetra ka pluset dhe minuset e veta, por duhet ditur qe duke zgjatur akoma futjen në KSBE nuk fitojmë ndonjë gjë të madhe. Duhet të ecim një çikë me tempet e kohës, me tempet që ecën tërë Evropa, njëkohësisht të mendojmë se çfarë do të ndodhë më vonë, veçanërisht në Kosovë. Duke qenë jashtë KSBE-së, kuptohet që pozitën e kemi më të dobët. Tani duket qartë se Ramiz Alia, i dha mbështetje Reis Maliles dhe propozimeve të tij proevropiane. Duke thënë një gjë të tillë, duhet të jem objektiv dhe realist dhe të nënvizoj se Reis Maliles në këtë drejtim ka pasur edhe mbështetjen e zgjuar, qoftë edhe të “ndrojtur”, siç thuhet sot, të Ramiz Alisë, se pa këtë mbështetje, pa viston e tij, nuk bëhej dot kjo punë. Dhe me që jam në këtë çështje, dua të them se Ramiz Alia nga anëtarët e Byrosë Politike ka qenë më i ftilluari dhe merita e kalimit nga sistemi monist në sistemin pluralist pa gjakderdhje i takon atij burri. Dua të shtoj se unë nuk dua të bëhem avokati i askujt dhe nuk kam asnjë ide fikse për Ramiz Alinë, por mendoj se ende nuk ka në Shqipëri një analizë për të gjykuar me realizëm për rolin e Ramiz Alisë gjatë tranzicionit.”

Përgatitur për gazetën “Telegraf”, më 2008