Bashkim Koçi/ Tahiri, Babai i Prishtës, figurë e lartë bektashiane

229
Përkujtimi i 95-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian, i cili u mbajt në teqenë e famshme të Prishtës, nuk do të ishte i plotë, nëse nuk do të flitej për një nga shenjtorët e asaj teqeje, atij që hodhi themelet e Shtëpisë së Zotit këtu e 160 vjet më parë, Baba Tahirin. Tahiri Babai, sipas hamëndësimeve të mbështetura edhe në të dhëna historike, duhet të këtë lindur rreth vitit 1810. I përket fisit të mirënjohur si bektashinj, atij të Kotobellajve, nga i cili, siç do të themi edhe më poshtë, kanë dalë figura të shquara bektashinjsh. Trungu i Kotobellajve, për aq sa kimi hulumtuar, në fillim të Shekullit të 18-të ka pasur katër degëzime: Nezir Zykës, Sali Qamilit, Ismail Shurdhit dhe të baba Tahirit, baballarët e të cilëve duhet të kenë qenë vëllezër. Baba Tahiri kishte një vëlla, Pashon (i cili nuk la trashëgimtarë). Ka patur edhe katër motra; Njëra u martua në Prishtë, tek Cirollarët, e dyta në fshatin Mollas, tjetra në Bejkollarë dhe e katërta në fshatin Klos të Mallakastrës. Nga themeli i Kotobellajve kanë dalë, përveç Baba Tahirit edhe dervish Barjami, dervish Njaziu dhe Dede Abazi. Dede Abazi ishte nga fshati Mërtinjë i Dëshnicës së Përmetit, por ishte nip në Prishtë. E ëma, Xhirja, ishte vajza e Nezir Zykës, Kotobellit. Baba Tahiri thuhet së është larguar nga Prishta për të studiuar në një shkollë për Teologji në Turqi, rreth vitit 1826, pra në moshën 16 vjeçare. Sipas Hasluck F. Ë. kur u kthye në Shqipëri me misionin për të propaganduar e themeluar fenë bektashiane, ka qenë dervish në Kretë dhe duhet të ketë qenë rreth 30 vjeç. Në fshat ka ardhur i veshur si dervish. Tregojnë, gjithashtu, një e thënë e përcjellë brez pas brezi, se baba Tahiri, pasi mblodhi fshatin, u tha bashkëfshatarëve se kish marrë përsipër të ndërtonte një teqe, të sektit bektashi, të panjohur deri atëherë. Të gjitha të ardhurat që kishte siguruar në mërgim i vuri në dispozicion të ngritjes së shtëpisë së Zotit. Pruri një “zhake me flori”, thonë prishtallinjtë e moçëm. Këtë të vërtetë, e cila ka mbijetuar falë kujdesit të njerëzve për të mos lënë në harresë ngjarjet e mëdha, e kemi të përcjellë nga brezi në brez, deri në ditët e sotme. 
Themelimi i teqesë së famshme nga Baba Tahiri, i Prishtës
Baba Tahiri i Prishtës e themeloi teqenë e famshme nën influencën e baba Abdullait të teqesë së Melçanit (pranë Korçës), i cili gjeshtisi në vitin 1852. Baba Rexhepi, në librin e tij për bektashizmin, shkruan se teqeja e Prishtës fillimisht u ngrit si filial i teqesë së Frashërit. Në proces të përpunimit të mendimit për vend-hapjen e themeleve të teqesë, në fillim është menduar që ajo të ngrihej në fshatin Blezënckë, tek Vidhi, siç i thonë pleqtë. Nuk dihet për ç’arsye u tërhoqën, por mesa duket përpjekjet bëheshin për të gjetur një vend, i cili të ishte sa më i përshtatshëm për të gjithë besimtarët e Prishtës dhe të fshatrave përreth. Më pas u mendua të hidheshin aty ku sot vendi quhet te “shtëpitë e Nurçe Penezit”. Madje filloi ngritja e “infrastrukturës”, u hap edhe pusi nga do të merrej uji. Mirëpo edhe aty nuk u gjet karari e lanë punën në mes. Përfundimisht, themelet e teqesë së ardhshme u hodhën poshtë tyrbes së sotme, aty ku pas kaq vitesh, vendit i themi “tek Teqetë e Vjetra”. Ka qenë viti 1855. Por historianë të ndryshëm japin vite të ndryshëm për ngritjen e teqesë. J. Swire, thotë se teqeja e Prishtës është themeluar rreth vitit 1870, ndërsa studiuesi tjetër Hasluck, sipas gjurmimeve të tij, thotë se është ndërtuar dhjetë vjet më përpara, pas vdekjes së Baba Abdullait. Pra, i bie të jetë ngritur rreth vitit 1862. Por, sipas mendimit tonë, viti i saktë duhet të jetë 1855, mbasi baba Ali Tomorri (Turabiu) në një kronikë të shkruar në vitin 1915, në kohën kur erdhën pushtuesit grekë, thotë që mosha e teqesë ishte 60-vjeçare. Logjika të çon që teqeja të jetë ngritur në vitin 1855 (një vit më shumë apo një vit më pak). Teqeja u ndërtua, jo vetëm nga paratë që vuri në dispozicion baba Tahiri, por edhe me kontributin e të gjithë prishtallinjve e të banorëve të fshatrave të zonës tonë. Ajo ka qenë punë vetëmohuese e bërë me shpirt, ashtu si mund të punohej nga njerëz të përkushtuar për Bektashizmin. Thonë se ishte një ndërtesë shumë funksionale dhe e ngritur në një vend të lakmueshëm për hapësirat që të zinin sytë. Fatkeqësisht, nuk është gjetur asnjë fotografi që të mund të sillnim të dhëna të plota arkitekturore apo të përshkrimit të mjediseve sipas funksionit që do të kryenin për besimtarët. Atë e bënë “shkrumb e hi” pushtuesit grekë të vitit 1914, të cilët mbahen mend për masakra e djegie nga më të tmerrshmet që ka njohur historia e popullit tonë dhe ata të fshatit Prishtë në mënyrë të veçantë. Përpara së të themelohej teqeja, njerëzit, duke përfshirë edhe prishtallinjtë, i përkisnin besimit mysliman, shehlerëve. Malko Shehu, i cili njihej si përfaqësuesi i këtij sekti, ishte po nga Prishta, nga fisi i lazellarëve. Nuk ka qenë e lehtë kthimi i besimit nga shehlerë në bektashi. Ka patur sulme dhe kundërsulme, përplasje midis besimeve, deri në përpjekje për të sabotuar ngritjen e Teqesë. Tregohet kjo ndodhi, e cila i përket asaj periudhe: – Ju po lodheni kot, nuk do të mundeni të merrni asnjë kacidhe për punën që po bëni. Baba Tahiri nuk ka lekë, nuk ka as flori, siç pretendon, ai po u mashtron,- u paska thënë ustallarëve Malko Shehu, përfaqësues i besimit tjetër. Kjo fjalë “ngjiti” tek ustallarët e ardhur nga larg, ndaj ata, me marifet, vendosën të braktisnin punën. -Do të vëmë ca ditë nga shtëpia,- i thanë Babait,- kemi lënë fëmijët pa asnjë lekë. Mendimin e kishin për të mos u kthyer më. Baba Tahiri kishte marrë vesh ç’përgatiste Malko Shehu pas krahëve, ndaj edhe ishte përgatitur për ta sfiduar. – Juve ju kanë mbushur mendjen se unë nuk kam para, nuk do t’u paguaj për punën që po bëni!? Ky, vetëm ky është shkaku që ju kërkoni të ikni, të lini punët në mes. Ustallarët panë njëri-tjetrin dhe ulën kokën.
– Mos qëndroni kokulur. Më shikoni drejt e në sy! – u paskësh thënë baba Tahiri. Unë kam para, unë jam nga ata që dheun e kthej në flori. Dhe jo pa zemëratë u kërkoi të ndiqnin “magjinë” e tij. Pasi mbushi dorën nga dheu i themeleve të porsahapur të teqesë e futi atë në xhep dhe bëri “çudinë”, e cila vjen deri në ditët e sotme. Dheun e ktheu “në flori”. Sigurisht, ustallarët u shtangën nga “magjia” e Babait. U përulën përpara tij i puthën dorën dhe nuk e ndalën punën, deri sa e përfunduan ngritjen e teqesë. Punuan shumë dhe u shpërblyen për aq sa u ishte premtuar. Por në këtë “dyluftim”, midis Malko Shehut dhe baba Tahirit, duhet thënë edhe “zemërimi” që pati ky i fundit me të gjithë ata prishtallinj që nuk po i besonin profecisë së tij, si njeri i dërguar nga zoti. “Zemërimi” tregohet me një këngë. Ajo këndohet edhe sot në muhabete bektashinjsh.
Dervishi i baba Tahirit,
Ka dalë e i bie nefirit,
I lutet hakut, i lutet Pirit,
I thërret baba Tahirit.
Baba Tahiri e dëgjoi,
Mbathi këpucët e doli.
Hodhi sytë nga Tomori,
Me Abaz Alinë foli.
Një re të zezë seç nxori.
– O moj re ku vete kështunë?
– Në Prishtë kam pak punë.
A dëgjon moj Prishtë e mjerë,
Po të vjen një breshër me erë,
Kërcunj e shkëmbinj për derë.
Pse s’dëgjuat Tahir Dedenë,
Po dëgjuat Malko Shehnë?
Aman, o baba Tahiri,
Se kaq na i preu fiqiri!
Në e bëfshim tjetër herë,
Mos mbeçim më asnjëherë!
Kështu ka ngjarë, kështu thotë kënga. Që nga ajo ditë “kiameti” prishtallinjtë dhe të gjithë banorët e fshatrave rreth saj e braktisën Malko Shenë. Ia dhanë besimin Zotit, baba Tahirit. Vargjet që cituam më lart këndoheshin e këndohen në çdo muhabet apo festë bektashiane. Madje jo vetëm në Prishtë, por në të gjitha fshatrat e zonës së Dëshnicës, të Dangëllisë e më tej. Ishte si një himn i bektashinjve në të gjitha muhabetet që organizoheshin në teqe.
Veprimtaria e Baba Tahirit për të ngritur dhe fuqizuar teqenë e Prishtës 
Kënga, që në rreshtin e parë jep informacionin se Baba Taniri na paska pasur edhe një dervish, ai që i bie nefirit. Hulumtimet më të fundit, falë përpjekjeve të juristit Fejzo Hysi, i cili ka marrë përsipër të shkruajë për një dervish, Dervish Abedinin me origjinë nga fisi i Hysajve të fshatit Spatharë, tregojnë, apo nxjerrin në pah, se dervishi që i ka rënë nefirit ka qenë Dervish Abedini. Ky ka historinë e tij dhe siç e thamë pak më lartë është duke përgatitur një libër i veçantë rreth jetës dhe veprimtarisë së tij si bektashi. Por le të ndalemi tek veprimtaria e Baba Tahirit, rreth punës së tij për të ngritur e fuqizuar teqenë e Prishtës. Ai, së pari, krahas ngritjes së ngrehinës, punoi paralelisht për zgjerimin e pasurinë me toka, vreshta, pemëtore dhe bagëti të imta. Krijoi edhe një bibliotekë të pasur me libra. Besimtarë të shumtë bektashinj, nga i gjithë Skrapari, por edhe nga Berati, Dëshnica, Tepelena, Mallakastra e më gjerë ishin të pranishëm në të gjitha ceremonitë fetare. Teqeja u bë shumë shpejt shtëpia e tyre e dytë. Baba Tahiri i Prishtës u nda nga jeta relativisht i ri. Nuk kemi datë apo vit të saktë, por fakti flet vet se, kur ai ndërroi jetë e kishte nënën gjallë, kjo gjë tregon se duhet të ketë qenë në moshën rreth 45-50 vjeç. Porosia e tij e fundit apo siç thuhet në kësi rastesh, amaneti, ka qenë ai, që i la nënës së tij: “Zhakja me flori është vetëm për teqenë, për ngritjen dhe fuqizimin e saj”. Por edhe ajo pati fatin e keq. Ishte muaji gusht i vitit 1914, kur ky objekt kulti i fesë bektashiane u prish dhe u dogj nga andartët grekë, të cilët, përveç shkatërrimeve e ndëshkimeve, vranë e sakatuan pleq, gra e fëmijë, pa kursyer edhe shërbëtorët e Zotit, baballarë e dervishë. Ato ngjarje rrëqethëse na i ka sjellë deri në ditët e sotme mjeshtri kronikan, baba Ali Tomorri, i cili ka shkruar me pseudonimin Varf Aliu e Taronini. Baba Tahiri gjeshtisi fare i ri. Thuhet se ishte rreth të 40-ve apo diçka më shumë. Madje, e ëma ka qenë ende gjallë. Sipas gojëdhënave, nënës i kish lënë amanet që paratë (“zhaken me flori”, thonë të moçmit) të përdorej vetëm për zgjerimin dhe fuqizimin e teqesë. Pasuesi i Baba Tairit ishte baba Xhaferi nga Luzati i Tepelenës. Ai mbetet një nga baballarët më me influencë të asaj periudhe.