Bashkim Koçi/ Portret “pa lejen” e Bejo Beqarit

1420
Sigal

Më kanë bërë gjithnjë për vete disa njerëz, disa personalitete, kapedanë popullorë, të cilët mbeten “të gjallë” tek të gjallët, edhe pse kanë vite e dekada të tëra që kanë ndërruar jetë. Sa herë që del një problem, që të duhet  të përforcosh vërtetësinë e mendimit tënd në sy të të tjerëve, të vijnë në ndihmë ata, thëniet e mençura të tyre, të cilat mbeten për të gjitha kohËrat “kapak floriri”, si një magji.

Në Mallakastër, në fshatrat e zonës së Krahësit të Tepelenës, në fshatrat e malësisë së Beratit, të Buzit e më tutje, mbahet mend emri i një njeriu që u hedh dritë kohërave që kemi lënë pas, ai i Bejo Beqar Haskajt (Skënderaj). Veprimtaria e tij njerëzore e patriotike i përket shekullit që lamë pas, por Bejo Beqar Haskaj mbetet ende si këshilltar edhe i kohërave të reja, i cili gjatë gjithë jetës zbatoi atë çka nuk gjendet kurrkund e shkruar, kodin e shenjtë njerëzor të krahinës ku lindi e u rrit, ku pati fatin  të mbetet “Njëshi i Mallakastrës”.

Dikush do të kishte dhënë gjithçka për t’i parë edhe një herë të vetme prindërit. Bejo Haskaj (Skënderaj) nuk e pati fatin që të mund të kish parë, qoftë vetëm një herë, fytyrën e babait. I ati, Beqari, u vra diku në rrethinat e Janinës si nizam, i thirrur nën armë nga Turqia. Andej i mbetën edhe eshtrat. Të birin, Bejon, e kish lënë në barkun e nënës, Zonjës. Kish lënë edhe një vajzë, vetëm dy vjeç. Atëherë ç’mund të bënte, cila do të ishte shpresa e shpëtimit për nënën e re, fare çilimi, për të rritur dy fëmijët jetimë? Në jetëshkrimin e Bejo Beqarit, përmendet që krahu i djathtë kësaj gruaje “të goditur” nga jeta, iu bë e kunata, Kanushja, dhe xhaxhai i Bejos, i famshmi baba Kamber Velabishti, emri i të cilit është i kudondodhur në përpjekjet e Bab Dudë Karbunarës, baba Medin Gllavës dhe  patriotëve të tjerë beratas për përhapjen e mësimin e alfabetit shqip. Por, si në ato kohëra, meqë Beqari, babai i Bejos, ishte myhyb në teqenë e Harakopit, ajo iu ndodh pranë, e ndihmoi me çka të mundte. Është rast për t’u shënuar fakti që në kupën prej guri të çezmës së teqesë u gdhend togfjalëshi “Bija e Teqesë”, në shenjë nderimi të nënës së Bejos, Zonjës. Është disi befasuese, paksa e pabesueshme për kohërat që jetojmë, por Bejo Haskaj në vitin 1909, vetëm 22 vjeç, arriti të hapë shkollën e parë shqipe në fshatin Bejar, aty në zonën e Fratarit, në Mallakastër. Këtu merret vesh se ndihmesë të madhe, madje nismëtari kryesor, ishte baba Kamber Velabishi, i cili u vu në kërkim që të mund të gjente edhe një mësues. Fati e solli të ish Asllan Lekdushi nga Tepelena.

Sikur një fëmijë të dorëzohej që në rrëzimin e tij të parë, nuk do kishte mësuar kurrë të ecte. Bejo Beqari radhitej tek ata njerëz që kishte kërkesa të larta, që kërkonte të bëhej “i pari i fshatit” edhe pse nuk i plotësonte disa kritere për të qenë i tillë, siç ishte arsimimi. Jo se nuk e kish për zemër që të ishte njeri i kënduar, por nuk i kishte mundësitë të trajtohej si “bir i vetëm”, të dërgohej për shkollim, kur familja kishte vetëm një burrë e që, për pasojë, ishte “trari” që të mund të mbante shtëpinë.

Të bësh prokopi i vetëm, në ato situata e mjedis familjar që ndodhej djaloshi nga Fratari, ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur. Pra i duhej të sakrifikonte, “të shkumëzonte” duke vrapuar për të kapur namin e mirë të trashëguar të fisit të Haskajve. Bejo Beqari u bë prej vërteti “i pasur”, ndër më të kamurit, duke punuar tokat, duke shtuar e mirëmbajtur gjënë e gjallë, bagëtitë. Ambicia për të kapur e realizuar ca gjëra të paprovuara më parë, që të tjerët aty rreth e rrotull as që nuk i ëndërronin, e jo më që t’i bënin realitet, djaloshi mallakasrtiot mundi të hapte dyqanin e parë me veshëmbathje e me mallra të tjerë të domosdoshëm. Kujtojmë se jemi në kohëra të tjera, të vjetra, këtu e një shekull më parë.Në se nuk do të harrohesh pas vdekjes, ose shkruaj gjëra me vlerë për tu lexuar, ose bëj gjëra të vlefshme për t’u shkruar! Bejo Beqar Haskaj nuk mundi të linte mendjen e tij prej një filozofi popullor tek “të shkruarat”, por la shumë gjëra të tjera të cilat janë xhevahire për t’i hedhur në letër, për t’i kujtuar e për të mësuar prej tyre. Sepse në shumë krahina e zona të vendit ka pasur ca burra-kapedanë, të cilët ishin pasuri më vete, ishin shumë të çmuar për vlerat që kishin, për dhuntitë që u kish falur natyra dhe gjeni i trashëguar nga të parët. Ky Bejua i Mallakastrës, për këtë çka thamë, nuk blihej as me flori. Në ato anë thonë se Bejo Beqari hante bukë veç për të gjitha ato ç’ka i duhen njerëzisë. Në  çdo rast, në të gjitha ngjarjet që paraqisnin “rrezik”, thirrej për ndihmë “Nastradini” i të gjithë asaj krahine, Bejoja. E doje për krushk të parë, e doje për këngë, e dojë për “çëke”, i pari dhe i fundit ishte vetëm ai.Edhe Lufta Nacionalçlirimtare kërkonte sakrifica, kërkonte njerëz të vendosur e të veprimit. Nuk i kishte në listë burracakët dhe ata që shfaqeshin me dy faqe. Bejo, ashtu si ata të themelit të Haskajve, që të mund t’ia zbardhte faqen fisit, u radhit ndër të parët me çlirimtarët. U bënë përpjekje për ta bërë për vete, por Bejo mbeti ai që ish, djalë i prirur për të kontribuar në krahun ku kish dhënë ndihmesë i ati, Beqar Haskaj dhe  xhaxhai, baba Kamber Velabishti. Me të tjerët qëndroi ballë për ballë, si në dyluftim. Në një rast, në fshatin Ninsh, e thirri Rauf Hajredini, ballist me emër dhe me shumë influencë në Mallakastër. I bëri thirrje që të bashkohej me ta, të radhitej, siç i ishte shprehur ai, me nacionalistët. Bejo, i mbështetur tek një lis i madh, atje në mes të fshatit, me një  në fytyrë që tregonte vendosmëri, i pat thënë: Jo, jo! Unë vërtet jam rritur jetim, por me ju nuk mund të bashkohem. Ua kam dhënë fjalën atyre që, për fat të mirë, përbëjnë shumicën, që e duan Shqipërinë. Hajdeni ju me ne sepse do të dilni të nderuar, do tu mbështesë e gjithë Mallakastra.Meqë nuk iu përgjigj ftesës që i bënë ballistët, ata bënë përpjekje për ta eliminuar, për ta vrarë. Diku i dolën në pritë për t’i bërë atentat, por Bejo Beqari i pat marrë masat që kundërshtari të mbetej me gisht në gojë, i turpëruar.Bejo Beqari nuk ndenji i tërhequr për asnjë çast, qoftë edhe në një moment të vetëm. Ai ishte i vendosur për atë që merrte përsipër, për atë që i ish mbushur mendja se ishte e drejtë dhe në të mirë të vendit. Madje, ishte edhe njeri i aksionit, i papërtuar dhe i vendosur për të përballuar rrezikun. Në një rast iu desh të shoqëronte Hysni Kapon, i cili vinte nga fshati Osmënzezë i Beratit, i plagosur rëndë. Meqë shtëpinë e kishte në një vend strategjik, larg syrit të ndonjë keqdashësi, e mbajti aty një natë dhe të nesërmen, pa feksur mirë, u nis për në Krahës, në teqenë e Baba Zotos, e cila ishte kthyer në spital partizan. Në Krahës, Bejo kishte shumë miq, bashkëluftëtarë, trima e patriotë, si Muhamet Ramadan Llakaj, Kalo Brahim Xhaferi, Yzeir Asim Hodon e djalin e tij, Xhemalin, i cili ra dëshmor për çlirimin e Atdheut. Këtë popullaritet e njohje nga njerëz me influencë në të gjithë fshatrat e Mallakastrës, Tepelenës e zonës malore të Beratit ia jepte detyra që kryente si anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar Krahinor, zgjedhur unanimisht nga përfaqësuesit lokalë. Ndoshta edhe nga ky funksion, jo pak i rëndësishëm, Bejo Beqari ishte prezent në një takim me luftëtarin Mehmet Shehu në Hekal, në vendin e quajtur Qafa e Vidhit. Aty i prisnin dhe luftëtarë të tjerë si, Qerem Qamili e Faik Ahmeti, të cilët, përpos të tjerave, merreshin kryesisht me mobilizimin e popullit në luftë.Kur vendi rrezikohet nga pushtuesit, burrat atdhetarë rrëmbejnë armët. Lufta i bën djemtë burra, i trimëron. Këtë burrërim e trimërim, pati fatin ta ketë pjesë të jetës së tij edhe fratarliu i Haskajve, Bejo Beqari. Në krye të mallakastriotëve ai mori pjesë në përleshjet me armikun në Mogila, në Maricaj të Tepelenës, në malin e Çajupit për të cilin është ngritur edhe kënga: Ku jeni o zhaboqotë, po mbrrijnë mallakastriot, Beqo Beqari me shokë.

Ky trim, organizator dhe burrë i mençëm kishte fituar zemrat e njerëzve të ndershëm mallakastriotë e të krahinave për rreth. Ndoshta ishte ky popullaritet, si i pari i të gjithë asaj zone, që Bejo Beqar Haskaj të merrte të gjitha votat e mundshme që ai t’i përfaqësonte në Kongresin e Përmetit.Kur mungon tigri, edhe majmunët bëhen mbretër! Menjëherë mbas çlirimit, atëherë kur filloi zbatimi i reformës agrare, Bejo Beqari, për çudinë e të gjithëve, u shpall kulak. I hoqën edhe triskën e frontit e që do të thoshte të shpallej armik i popullit. E përse? Sepse Bejon e kish prekur reforma, i ish marrë toka. Me dy fjalë, iu morën bagëtitë, toka dhe një fabrikë vaji, të cilat iu shpërndanë  bashkëfshatëve të tij. Çudia qëndron diku tjetër. Edhe pse ai ishte i mendimit që të bëheshin reformat, madje të prekej edhe ai vetë, siç u veprua, përsëri duhej të bëhej kulak sepse na paskësh qenë “i pasur”, na paskësh qenë shfrytëzues. Nuk la derë pa trokitur që të mund t’i shpëtonte luftës së klasave, por më në fund iu gjend miku dhe bashkëluftëtari nga Mallakastra, Mehmet Shehu. Ç’është ky budallallëk, u kishte thënë Mehmeti dy-tre burrave, të cilët ishin bërë flamurtarë për të goditur individët që kishin influencë në krahinë. Edhe familja ime ka qenë e pasur, kish vijuar më tej Mehmeti, mos doni të më bëni edhe mua kulak, të më hiqni triskën e frontit?! Nga ajo ditë Bejos, jo vetëm që iu kthye “Triska e Frontit”, por edhe autoriteti e krenaria që kish pasur më parë. Vajza e madhe e Bejos, Fadilja, mban mend mirë ditën dhe orën. Sikur e kam përpara syve, thotë ajo, kur na erdhi një burrë fisnik dhe i nderuar nga fisi i Ramajve, Zenel Abedini. Ai ndjehej më gëzuar se ne. Kur iu afrua shtëpisë, tek një lofatë, Zenjeli zbrazi pushkën tre herë për ta dëgjuar edhe fshati. E kishte një kuptim kjo, thotë Fadilja, që donte të thoshte “nuk të mundën dot të liqtë o Bejo Beqari!”Në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur, që e ka respektuar, mbetet ai që i është gjendur në ditë të mirë e në ditë të vështira. Në krahinën e Mallakastrës Bejo Beqar Haskaj (Skënderaj) ishte dhe mbeti i tillë. Për merita dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë jetës, nga mosha e rinisë e deri sa ndërroi jetë në vitin 1985, ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i komunës Fratar të Mallakastrës. Një jetë e lumtur është e pamundur. Më e mira që mund të arrihet është një jetë heroike.