Bashkim Koçi: Personaliteti i bujqësisë, Piro Dodbiba

1840
Sigal

Pirro Dodbiba, në ata vite që “qeverisi” bujqësinë, ngriti plot 17 Institute kërkimorë-shkencorë, e pabesueshme!

Piro Dodbiba, nipi i Aleks Budës, intelektuali i punëve të mëdha

Institutit i Lartë Bujqësor me drejtor Piron i hapi dyert vetëm me 43 studentë nga të cilët 21 në fakultetin e agronomisë dhe 22 në atë të zooteknisë

Nga Bashkim Koçi

Përballja ime e parë me Pirro Dodbibën duhet të ketë qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, ndoshta në muajin tetor tëvitit 1964, vit kur unë shkollohesha në një nga gjimnazet e qytetit të Fierit. Nuk di pse ai u gjend aty te oborri i shkollës tonë, por shkak duhet të jetë bërë fakti që aty punonte bashkëshortja e tij, mësuesja ime e dashur Melo. Mbaj mend që kishte veshur një kostum ngjyrë gri dhe në dorë mbante një trandafil të kuq. Në atë kohë ai kryente detyrën e Sekretarit të Parë për rrethin e Fierit. Thuhet se familja nuk është një gjë e rëndësishme, por është gjithçka. Piro Dodbiba ishte pinjoll e njërës prej familjeve më me emër në qytetin e Elbasanit e cila, për kontributet që ka dhënë në shumë fusha të jetës në të mirë të kombit, qëndron në radhët e para të fiseve me emër të atij qyteti. Ai lindi në vitin 1924 nga prindërit Jani e Athina dhe kjo e fundit, nëna, ishte e motra e akademikut shumë të vlerësuar për atë çka i dha shkencës së historisë shqiptare, Aleks Budës. Ndërkohë familja Dodbiba, e zbritur nga veriu i vendit, duke zbritur në Elbasan përpara shek. XV, kishte vendosur marrëdhënie miqësore, krushqie e deri edhe në fisnore me familje me integritet intelektual dhe pasuror të këtij qyteti siç ishin, Popajt, Nosët, familjen Floqi, Paparistot etj.

Shkollimi

Shkollën e ulët dhe atë 7-vjeçare Piro Dodbiba i mbaroi aty në Elbasan, ndërsa gjimnazin iu desh ta fillonte e ta mbaronte në kryeqytet, në Tiranë. Madje duke qenë një djalë inteligjent dhe me kërkesa shumë strikte ndaj vetes për të studjuar, ai e përfundoi gjimnazin më nota shumë të mira dhe, si i veçantë ndër bashkëmoshatarët e tjerë, ai mbeti me emër për shumë breza gjimnazistësh në vite. Por, si për të gjithë rininë shqiptare, edhe Piro Dodbibës disa projekte të tij, që mindonte t’i kapte, t’i realizonte ashtu si kishte ëndërruar, ia ndërprenë situatat që krijoi Lufta e Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga nazifashistët. Por të jetosh do të thotë të marrësh qëndrim ndaj jetës, ndaj situatave të caktuara historike. Piroja diti të hedhë një hap të guximshëm. Se si dhe cili ishte hapi i parë që ai të krijonte lidhjet dhe të bëhej pjesë e forcave progresiste, nuk ka ndonjë të dhënë, por dimë që Piro Dodbiba u pranua anëtar i Partisë Komuniste në vitin 1943. Pas një kohe të shkurtër, fiks në muajin tetor të atij viti, ai u ngarkua me punët e rinisë në Çetën e Dajtit e më pas zëvendës komisar. Sigurisht që ky djalë i mençur e energjik e tregoi veten të ishte ndër më të vendosurit për të konsoliduar e çuar deri në fund fitoren ndaj pushtuesit. Fakti që Piro Dodbiba pas një periudhe të shkurtër, në fillim të vitit 1944, caktohet zëvendëskomisar i batalionit në Brigadës III Sulmuese, tregonte se ai ishte i vendosur dhe apsolutisht i prerë ndaj situatave që për atë vetë, konsideroheshin historike.

Sa më shumë inteligjent që të jesh, aq më shumë duhet të mësosh

Për Piro Dodbibën të arsimoheshe do të thoshte të ishe i aftë për të kuptuar jetën, për të qënë i gatshëm në përballjen me sfidat që ajo të afron në rrugët që shpesh s’kanë vetëm lule, por edhe gjëmba. Në këtë kuptim hapi i parë për të arritur gjërat që dëshiron në jetë është njeriu duhet të vendos çfarë do. Por edhe çfarë është i aftë të bëjë. Janë këto arsyetime, por edhe rrethanat që kalonte vendi, të cilat i mundësuan që Piro Dodbibës t’i jepej e drejta për të vijuar studimet në një nga shkollat më të dëgjuara, më prestigjioze për atë kohë në tërë Botën, siç ishte Akademia Bujqësore “Timiriazev” në Moskë. Qëndroi në këtë univerrsitet plot pesë vjet (1945-1950).

Vlera që merr diçka që ke fituar, nuk ka të bëjë vetëm me atë që u ofron, por dhe me çfarë është sakrifikuar për të arritur atë. Eshtë vendi të themi që studenti nga Shqipëria, për shkak të punës serioze, me plot pasion e dëshirë për t’u bërë dikushi në jetë për familjen e Dodbibajve, duke e konsideruar “fat” të ishe student në Universitetin “Timiriazev”, ishte dhe mbeti një nga më të mirët, nga ata pak emra mes mijrave të tjerë, që meritoi vlerësimin shkëlqyeshëm.

 

Dituria nuk ka vlerë, nëse e nuk gjen vend në praktikë.

Piro Dodbibës, jo si shumë kuadrove të tjerë që ishin arsimuar jashtë vendit, i ra për pjesë të emërohej në një pozicion shumë të vështirë per moshën që kishte, por edhe për problematkat që duhej t’u jepej zgjidhje. Ai, sapo mbriti në Shqipëri, mori lajmin që ishte emëruar zv/ ministër në Ministrinë e Bujqësisë, nga më të rëndësishmet, por edhe Ministria që konsiderohej “ministri mbi ministri” për volumin dhe vështirësitë që duhej të përballonte. Sepse, nëse nuk do të bëhej puna mirë, njolla që mund të merrje aty nuk ish nga ato që lahej me ujë. Për karakterin që kishte Piro Dodbiba, edhe për faktin që ishte fare i ri, vetëm 26 vjeç, ato do të ishin njolla shpirti, nga ato që nuk ka ilaç që të mund t’i pastronte. Ca më shumë që ai dikaster, në ata vite, kishte si ministër Hysni Kapon. Një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë për njeriun, është që të bëjë gjëra që të tjerët thonë se “ju nuk mundeni”. Ndjesi si kjo Piro Dodbiba e përjetoi fiks pas një viti kur kryente detyrën e zv/ministrit të bujqësisë.

Drejtor i Institutit të Lartë Bujqësor

Në datën një Nëntor të vitit 1951 Pirros iu ngarkua funksioni i vështirë, i padëgjuar deri atëherë, e Drejtorit të Institutit të Lartë Bujqësor, institucionit më të lartë arsimor të kohës, i cili për nga rëndësia dhe vështirësitë që duhej të kapërceheshin, përbënte një detyrë jo dosido, detyrë që duhej guxim, detyrë që do të ishe ballëpërballë me rrezikun. Duheshin mjediset ku do të zhvillohej mësimi, duheshin ngrehinat ku do të sistemoheshin studentët, duhej të gjendej përsoneli mësimdhënës, që në ata vite duhej t’i kërkoje me qiri. Por për këtë intelektual të kompletuar gjysma e punës ishte e mbaruar, sepse e kishte filluar me shumë pasion, me shumë dëshirë. I gjithë volumi i punës, deri tek ngarkim-shkarkimet për sistemimin e bazës marteriale apo rregullimin dhe sjelljen në gjendje pune të mjediseve mësimore, pra në gjithçka, kishte mendjen dhe dorën edhe drejtori i ri i porsa emëruar. Për kuriozitet të lexuesit Instituti (sot Universitet) i hapi dyert vetëm me 43 studentë nga të cilët 21 në fakultetin e agronomisë dhe 22 në atë të zooteknisë. Mëndjendrituri Piro Dodbiba vuri dorë dhe përzgjodhi me shumë kujdes përsonelin akademik, profesorët që u bënë të parët për përgatitjen e kuadrove të larta. Nëse do të përdorej ndonjë matës, pra si u përzgjodhën “profesorët” që u bë plejada e parë e shkollave tona të larta, mjafton të sjellim faktin që gati të gjithë ata emra arritën të bëheshin shkencëtarë të shquar në fusha të ndryshme të ekonomisë. Emërat e Teki Tartarit, Aleko Xoxes, Miri Papajanit, Qenan Nurit etj., të cilët ishin dhe mbeten “kurorë e argjentë” për kohërat në fushën e përgatitjes të specialistëve cilësorë të bujqësisë, tregojnë, në një farë mënyre, edhe mprehtësinë e Piro Dodbibës, aftësinë e tij për të gjetur e zgjuar njerëzit e ëndrrave të mëdha. Si drejtor i Institutit të Lartë Bujqësor ai qëndroi vëtëm pesë vjet. Sigurisht e la të sistemuar, të stabilizuar dhe pa asnjë pengesë për t’u konsoliduar më tej, ashtu edhe siç ndodhi në të vërtetë. Vendin e tij e zuri Mentor Përmeti, një personalitet tjetër i fushës së bujqësisë, i cili nuk kishte pse të mos ecte në atë rrugë të shtruar aq bukur nga paraardhësi i tij, Piro Dodbiba. Për disa kohë, në vitet 1962-1965 Pirro Dodbiba u ngarkua me detyra të rëndësishme partiake, por gjithnjë të lidhura, që kishin të bënin më të bekuarën, bujqësi. Njeriut, kushdoqoftë ai, i duhet të shikojë aq larg saqë kur të arrijë atje, do të jetë në gjendje për të parë akoma më larg. Me Piro Dodbibën, në vit pas viti të jetës së tij, vërehet seriozitet, maturi për të qenë i vëmendshëm në përmbushjen e detyrimit njerëzor, por edhe atë shoqëror. Në një farë mënyre, në ata vite kur vendi ishte difiçitar me kuadro e specialist, ai mbetej “në sy” të të gjithëve dhe i lakmuar për ta patur në pozicione që kërkonin, jo vetëm mendje e largpamësi, por edhe “gjenialitet” për të vënë në lëvizje njerëz, institucione, të gjitha hallkat që të çojnë tek suksesi. Ka qenë ndoshta ky “fati” i tij që një ditë të gjendet në karrigen e Ministrit të Bujqësisë.

 Ishte viti 1965

Eshtë gati e pamundur që të kryesh mirë, ashtu si duhet, që të jesh plotësisht i suksesshëm, të kapësh më të mirën pa qenë i mençur, i ndershëm dhe i drejtë. Personazhi ynë, Piro Dodbiba ishte “pronar” i denjë i këtyre virtytyteve, i merituar për të bërë punë të mëdha në përputhje me nivelin e zhvillimit të bujqësisë shqiptare në ata vite. Ai, falë intelektit dhe formimit në punë e sipër, hapat e parë që hodhi për transformimin e bujqësisë, të cilën e gjeti “copë-copë”, ishin ata që kishin të bënin më shkencën, me mekanizimin dhe ngritjen e institucioneve shkencorë. Eshtë për të sjellë si një veprim “i çmenduar” i Pirro Dodbibës, i cili në ata vitet që “qeverisi” bujqësinë, ngriti plot 17 Institute kërkimore-shkencore, për të gjitha problemet që kërkonin zgjidhje dhe që krijoi “hartën” më ekonomike duke i shpërndarë në të gjithërrethet e vendit. Le të përmendim disa prej tyre: Instituti i Tokave në Tiranë, Instituti i këkimeve për drithrat dhe pambukun në Lushnje, Instituti i Misrit dhe Duhanit në Shkodër, Instituti i Perime-Patates në Tiranë, Instituti i Foragjereve në Fush-Krujë, Instituti i Duhanit në Cërrik, Instituti i Zooteknisë e Veterinarisënë në Shkodër etj. Meqë jemi këtu dhe sollëm në kujtesë këto qëndra të rëndësishme të zhvillimit bujqësor, është rasti të denoncojmë se të gjithë këta institute, pa përjashtim, janë rrafshuar, nuk ekzistojnë më. Pyetjeve pse? Qysh? dhe Çfarë? ndodhi me këtë pasuri shumë të vyer kombëtare, nuk u është përgjigjur askush, ashtu si nuk ka përgjigje për shkatërimin e veprave ujitëse, të plantacioneve me vreshta, ullinj e pemtore si dhe bazave të tjera në ndihmë të bujqëisë. Shkenca është pranimi i asaj që funksionon dhe hedhja poshtë e asaj që nuk funksionon. Kjoishte diviza e Piros në dekadën që ishte ministër

 Pirro Dodbiba kërkonte më shumë kurajë nga sa mund të mendohej

Në vitet që bujqësia drejtohej nga ai u veprua me “mend në kokë”, u mbështetën ato nisma e përvoja që ishin efektive, që i shërbenin rritjes së prodhimit. Ishte paksa guxim i madh që në të gjithë rrethet e vendit u ngritën Stacionet Bujqësore, plot 35, tek të cilët u angazhuan specialistët më me përvojë, ata që e kishin “kokën plot” e që kishin dhënë prova për dobinë e rekomandimevetë tyre në rritjen e rendimenteve në bujqësi. Nuk po sjellim shifra e të dhëna statistikore, por nuk ka asnjë dyshim se në të gjithë sektorët si drithra, perime, pemtari e blegtori pati rritje të ndjeshme, të pakrahasueshme me disa vite më parë. Ishte koha që duhet ta konsideroje të humbur çdo ditë gjatë të cilës nuk kryhej një investim për bujqësinë. Çdo gjë që ishte e domosdoshme të bëhej, duhej medoemos të formatohej si e tillë. Përparimi medoemos kërkonte investim. Me “dorë të shtrënguar” nuk kishte asnjë mundësi për të rritur rendimentin, cilësinë dhe periodicitetin në prodhim. Falë kurajës dhe këmbënguljes për t’i hapur rrugë të resë, metodave dhe praktikave që mbështesnin bujqësinë intensive, koha për të “derdhur” lekët aty ku nuk pritej më, erdhi ashtu natyrshëm. Vetëm për sektorin e rritjes së perimeve në serra u arrit një rekord investimësh. Vetëm një shifër, një fakt që të trondit, nëse e përballim atë me nevojat e popullatës për zarzavate në të gjitha stinët e vitit. Pirroja e gjeti këtë metodë në gjendje të mjeruar, vetëm tre hektarë në mbarë vendin. Nuk bëhet fjalë që kjo shifër u rrit shumë, shkoi në 700 hektarë, por suksesi qëndronte tek përparimi dhe rritja nga viti në vit e mbi baza shkencore. Eshtë viti që Ministria e Bujqësisë bëri presionin e duhur që të ngrihej Ndërmarrja e Prodhimit të Serrave nga më modernet e kohës, e tipit “holandez”. E di pse u bëgjithë kjo përmbysje, pse ra ky “tërmet” kaq i fortë në transormimin e bujqësisë? Sepse atë e drejtonte intelektuali, njeriu me zemër, ai që nuk mund ta pranonte dështimin, Piro Dodbiba. Nuk mund të themi se ai e gjeti zgjidhjen diku të fshehur e që nuk ia dinte vendin kush. Jo. “Gjenialiteti” i tij, sipas edhe bashkëkohësve, qëndronte tek aftësia për t’i zbërthyer problemet e “komplikuara” në mënyrën më të thjeshtë. Dhe “e thjeshta” për këtë kuadër me plot pasion për bujqësinë ishte mes njerëzve të punës, aty ku guximi nuk kishte frikë nga dogmat partiake, tek ata specialistë e novatorë të prodhimit, të cilëve ua bënin jetën të madhe ato zgjidhjet e vogla në procesin e punëve të përditshme. Në këtë kuptim për ministrin për çështje të zbatimit të të rejave të shkencës, autoriteti e njëmijë njerëzve nuk vlente sa arsyetimi modest i një idividi të vetëm. Eshtë paksa mbresëlënëse që për një kohë të shkurtër dhe vetëm me iniciativën e atoriteteve të institutive shkencorë të asaj kohe u arrit të përpunoheshin dhe të vihej në rrugë industriale përpunimi i mishit, i perimeve dhe prodhimi i vezëve. U arrit me investime të mëdha, të konsiderueshme. U bë hopi shumë i madh, aq sa dikush, nën zë, tha se po prekeshin paratë e planifikuara për të ndërtuar bunker. S’kish si të ndodhte e kundërta. Investimi ishte bërë tjetërkund, aty ku përparimi do të ecte medomosdo. Pse? Sepse falë strategjisë së tij si ministër, bujqësia shqiptare tashmë kishte rënë në dorën e specialistëve të përgatitur, si agronomë, zooteknikë, veterinerë, inxhinierë pyjesh dhe specialistë të fushave të tjera.

 

Nesër do lexoni:

-Piro bëri revolucion në Minsitrinë e Bujqësisë ia la stafetën Themie Thomait

– Kur nuk pritej, Pirro Dodbiba, bashkë me familjen, u gjend i interrnuar në NB-në e Llakatundit

 

Shkallët e karierës

Këto rrethana, të rritjes të sukseseve në bujqësi dhe të autoritetit si ministër, Pirro Dodbiba, më një arsyetim me gjak të ftohtë, duhej të ngjiste shkallët e karierës apo të mbetej, ashtu si edhe dëshironte, njëkuadër i respektuar për “pemën që mbolli”, nën hijen e të cilës nuk dëshironte të të ulej për t’u shplodhur. Ai bagazhin e dijeve qëzotëronte mund ta përdorte me efektivitet, me shumë sukses kudo, në çdo detyrë që mund ta çoje. Sepse falë strategjisë së tij bujqësia shqiptare tashmë kishte rënë në dorën e specialistëve të përgatitur, si agronomë, zooteknikë, veterinerë, inxhinierë pyjesh dhe specialistë të fushave të tjera. Ministrja e Bujqësisë Themie Thomai, ajo që erdhi aty pas Pirro Dodbibës dhe jo më pak e suksesëshme se ai, më pat thënë që “unë u ndjeva mirë, duke mos u sforcuar në detyrën e rëndë që mora sepse e gjeta karrigen të ngrohtë, sepse aty kishte punuar e drejtuar një personalitet e jashtëzakonshëm si Pirro Dodbiba.”

Fatkeqësitë e një njeriu përcaktojnë dallimin në mes të asaj që mund të ishte bërë, dhe asaj që përfundimisht u bë.Për këtë intelektual të kalibrit të lartë një ditë prej ditësh i ra një rrufe përsëkthjellti, nga më të rëndat në jetën e tij.Të padëgjuar e të pamenduar ndonjëherë. Nuk u mor vesh qysh e çfarë kish ndodhur, por Pirro Dodbiba, bashkë me familjen, bashkëshorten dhe dy fëmijët, u gjend i interrnuar në NB-në e Llakatundit në rrethin e Vlorës. Aty erdhi me detyrën e ekonomistit pranë zyrave të Ndërmarrjes Bujqësore.Kur kam pyetur bashkëshorten e tij për shkaqet dhe ndonjë arsye përse ndodhi ky tërmet i papriturdhe me pasoja të pariparueshme për familjen e tyre, ajo veçse ka ngritur supet, demek “nuk dimë ç’emër t’i vëmë”. Ajo mban mend vetëm një shaka që paska bërë Enveri në një rast pritjeje në Pallatin e Brigadave ku i paska thënë “Pirroja vërtet është tullac, por kokën e ka plot, është i ditur”.

Gabimi më i madh në jetë është të lejosh disa njerëz të qëndrojnë në jetën tuaj më shumë se sa e meritojnë. Unë, për sa kam dëgjuar e qëmtuar, Pirro Dodbiba mund të jetë viktimë e ndonjë loje “allasigurimsi”, që siç e dimë të gjithë, ata të bënin gjëmën nëse ishin të besueshëm në derën që trokisnin. Por, sidoqoftë,na duhet të sjellim në këto radhëfakte e prova se personaliteti dhe figura njerëzore e këtij intelektuali të përmasave kombëtare nuk u lëkund qoftë edhe për një çast të vetëm. Përkundrazi. Në NB-në e Llakatundit ai u çfaq ai që ish, Pirroja me dimensione të admirueshme, nga më njerëzoret. Bashkëkohësi dhe “shefi” i tij gjatë viteve që kryente detytën e ekonomistit, Luan Çipi, sjell copëza tregimesh nga jeta që kaluan bashkë një Pirro të çuditshëm, që nuk ka asnjë ngjashmëri me njeriun megalloman, me njeriun që nuk mund tëpyeste ngaqë i dinte “të gjitha”. Ai vërtet i dinte “të gjitha”, por ato “të gjitha” ai përpiqej t’ua përcillte të tjerëve për të bërë punën pa gabime e sa më me vlerë. Periudha që ai punoi në Llakatund treguesit ekonomikë pruan vetëm rritje, apsolutisht të përllogarituar me një saktësi e korrektesë si ajo e Pirro Dodbibës. Ndërkoh me fshatarët, me hallet dhe vështirësitë e tyre të përditëshme ai u bë njësh me ata, u bë pjesë e gëzimeve apo hidhërimeve, edhe pse një ditë, ashtu si edhe ndodhi, do të largohej andej nga kishte ardhur. Fshatarët e Llakatundit nuk mund të harrojnë që Pirroja i lindur e rritur në një familje të fisëshme, siç ishte ajo e Dodbibajve, të printe njerëzit në kollonën që përcillnin për në banesën e fundit të dashurin e tyre. Ai nuk ishte qibar, ai ndjenjën nuk e shikonte me sy, por shikonte me zemër.

Ky luftëtar dhe kontribues i përmasave të admirueshme për vendin nuk lejoi që “valët e detit”, të pas viteve ’90, ta nxirrnin atje ku ato dëshironin. Jo. Ai, si model i karakterit të fortë, të palëkundur, i vrejti mjeshtërisht lëvisjet, dhe ndërkohë, hartoi drejtimin andej nga edhe dëshironte. Pirro Dodbibën në ata vite e gjejmë në krye të Organizatës së Veteranëve të LNÇ-it, pikërisht aty ku nuk ia merrte mendja kujt, ashtu siç bëri ndonjë tjetër i shitur fare lirë në tregun politik. Ai nuk e mendoi kurrë dhe nuk e bëri veten ta tregonin me gisht.Përkundrazi Pirroja do të ndjehej i plotë, ashtu si e meritonte, në vatrën ku ishin mbledhur të gjithë ata që, me armë në dorë, luftuan për të larguar pushtuesit nazifashistë.Dhe qëndroi në këtë pozicion të respëktuar deri në vitin 2004, vit që u nda nga jeta.

I lumtur është ai njeri që gjatë gjithë jetës së tij bën më të mirën e mundëshme dhe mbetet i nderuar e i kërkuar nga ata që e njohën. Pirro Dodbiba për aq sa bëri, është një i tillë, intelektual emërmirë dhe i përmasave kombëtare. Për këtë ai është nderuar, duke i akorduar disa medalje e urdhëra nga Kuvendi Popullor. Së fundmi ai është nderuar edhe me titullin “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.

Sa më shumë i ndershëm është njeriu, aq më i keq është fati i tij.E kam lexuar diku këtë thënie e cila më erdhi ndërmend teksa shkruaj për intelektualin Pirro Dodbiba. Pyetja që më del nga shpirti është kjo: përse të ngjate e pangjara me këtë personalitet, i cili dha shumë për vendin e tij, në të gjitha etapat, nga lufta për çlirimin e vendit nga nazifashistët e deri në rindërtimin dhe modernizimin e bujqësisë shqiptare? Por kanë thënë edhe kështu: Nëse nuk je lënduar, nuk mund të thuash se ke jetuar.