Bashkim Koçi: Nefail Hoxha, partizani 18-vjeçar i Çetës së Myzeqesë

895
Sigal

Nefail Hoxha, partizani 18-vjeçar i Çetës së Myzeqesë

Portofoli

Nga Bashkim Koçi

Kur e kam dëgjuar ngjarjen se si është vrarë partizani i Çetës së Myzeqesë, 18-vjeçari Nefail Hoxha, mendja më shkoi tek ata palohistorianë lehës, të cilët këto kohët e fundit janë trimëruar, kanë ngritur veshët dhe po guxojnë të bëjnë ca marrëzira me demek për “të ndrequr” gabimet që kanë të bëjnë me historinë e Luftës Nacionalçlirimtare, që ta rrafshojnë atë dhe me plehrat e tyre të ndërtojnë “male”. Por ngjarja që po sjellim nëpërmjet këtyre radhëve, e cila tregon si në dritë të diellit, se ç’përfaqësonin bijtë partizanë, cili ishte ideali i tyre dhe përse rrezikonin edhe jetën, duhet t’i detyrojë këta mostra për të ulur kokën përpara të vërtetës. Sepse e vërteta, ashtu si drita, të verbon.

Familja Hoxha, nga fshati Vendreshë i Skraparit, e paskësh pasur për fat që shumë gjëra të mbrapshta, madje të rënda e me pasoja të mëdha, t’i vinin nga luftërat. E para fatkeqësi u ndodhi në vitin 1941, gjatë luftës italo-greke, ku për shkak të përplasjeve midis dy ushtrive kundërshtare, por që zhvillohej në trojet shqiptare, iu dogj shtëpia, u shkrumbua që nga themelet e që e kishin të pamundur për ta ngritur nga e para. Pra u krijua situatë shumë e vështirë për të jetuar aty, aq sa e detyroi kryefamiljarin e shtëpisë, Hasimin, për të kërkuar ndihmën e miqve për t’u transferuar diku në Myzeqe, në fshatin Libofshë. Aty, për fat të mirë, jetonte prej vitesh një komunitet i fuqishëm skraparllinjsh, burra trima dhe të gjendur për njëri-tjetrin, ku midis të tjerëve dallohej patrioti Adil Vlusha, vëllai i emërmadhit Maliq Skrapari. Adil Vlusha i qëndroi pranë familjes të porsazbritur nga Vëndresha, burrë e grua dhe katër fëmijë dhe, me ndihmën edhe të banorëve vendas, iu siguroi një copë tokë dhe që të mund të ngrinin një kasolle sa për të futur kokën.

Nefaili, personazhi që është objekt i këtij shkrimi, kur zbriti në Libofshë ishte vetëm 16 vjeç. Por duke qenë fëmijë i shkathët, shumë i komunikueshëm me bashkëmoshatarët e që i pëlqente të ishte i lirë në veprimet që ndërmerrte, arriti të krijonte miqësi me shokë të shkolluar, nga më aktivët në atë zonë, një pjesë e të cilëve ishin lidhur enkas me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Madje ishin ata, si Thoma Bardhi, Llaqi Jano e Koli Bozo që e bënë për vete dhe të mund të arrinin që Nefail Hoxha të radhitej, të bëhej shumë shpejt pjesë aktive e Çetës së Myzeqesë. Në Çetë ai u njoh dhe e bëri mik për kokë edhe me një antifashist italian me gradën rreshter, mitraljerin Ettore Monavolta. Është e vështirë të trembësh një zemër që nuk është e njollosur nga asgjë dhe që ka marrë përsipër të përballojë çka mund t’i dalë përpara. Në operacionin e Dimrit 1943-1944, Çetës së Myzeqesë, aty ku bënte pjesë edhe Nefail Hoxha, për shkak të rrethanave që u krijuan, iu dha urdhri të tërhiqej në malet e Skraparit, në territorin ku vepronin forcat e ushtrisë gjermane. Urdhrit nuk mund t’i shmangej as Nefaili, ndaj bashkë me shokët e tjerë luftëtarë, marshuan për në thellësi të maleve Skraparit, duke përshkuar fshatra të tërë, deri në Tomorricë. Pikërisht aty ndodhi e keqja që nuk pritej. Ishte 30 Nëntori i vitit 1943. Në Postenë, sapo mbërritën në qendër të fshatit, u përballën me forcat balliste, (nga ata që sot po kërkon t’u thurë kurorë e lavdi Agron Tufa), duke i goditur nga të gjitha anët, me të gjitha armët, maskuar në çdo dritare të shtëpive, të cilat i kishin përforcuar me gurë mulliri. Në këto kushte, ku rrezikohej jeta e gjithsecilit, mitraljeri italian, Ettore Monavolta, vuri në përdorim mitralozin, duke goditur pa ndërprerje ballistët, tashmë në kushte jo të barabarta, ata brenda mureve të shtëpive e këta në terren të hapët dhe, ca më keq, të panjohur. Thuhet se heroi është një njeri, i cili në çastin vendimtar bën atë që duhet bërë për interesa madhore, por edhe njerëzore. Në kohën kur mitraljeri Ettore bënte përpjekje për të sprapsur forcat balliste, partizani 18-vjeçar Nefail Hoxha qëndronte aty pranë tij dhe përpiqej të bënte të pamundurën për të ndihmuar, për gjetur një shteg e më pas të dilnin nga ky rrethim i papritur. Madje partizanët e Çetës së Myzeqesë u ndjenë paksa të çuditur nga fakti se nuk e prisnin kurrë që të vinte puna për t’u përballur me ballistë në Skrapar! Por nuk paskësh qenë e thënë që ky djalë, në moshën fare të njomë, ende i parritur, të shpëtonte nga breshëria e plumbave që vinin nga të gjitha dritaret-frëngji të fshatit. Ballistët, ata që Agron Tufa përpiqet t’i kthejë në heronj, ia morën jetën, e lanë të vdekur aty midis gurëve të Postënës. Historia pastaj bëhet më e dhimbshme, më tragjike. Shokët, për t’u shpëtuar marrjes të jetëve të tjera, e morën trupin e të vrarit dhe e vendosën diku që të mund ta merrnin kur t’u krijohej mundësia që të ktheheshin në vendngjarje. Partizani italian Ettore në ata çaste tronditëse kishte bërë një veprim paksa të çuditshëm. Ai i kishte marrë të vrarit nga xhepi portofolin tek i cili, pasi e kishte hapur, kishte gjetur një copë letër të shkruar, disa monedha dhe fotografinë e një vajze. Rrethanat e krijuara mundësuan që Ettore dhe luftëtarët e tjerë të ktheheshin vetëm pas një jave aty ku kishin lënë trupin e vrarë të Nefail Hoxhës. Nuk e gjetën. Pasi pyetën njerëz të rastësishëm aty në fshat, morën vesh se Nefailin e kishin varrosur aty në anë të një are, diku pranë një vidhi. E ç’mund të bënin më tej shokët e partizanit të vrarë përveç se t’i bënin nderimet e rastit, duke u betuar me fjalët që shkonin të dilnin vetëm nga goja e Nefail Hoxhës: Nëse shkoj përpara, më ndiqni, nëse vdes, më merrni hakun e nëse tërhiqem, më vrisni! Nefailit i shkonte për shtat vetëm “Nëse vdes, më merrni hakun.” Luftëtarët, pjesë e Çetës së Myzeqesë, ndoqën destinacionin e parashikuar, të vepronin mbi bazën e operacioneve që kishin si objektiv tërheqjen dhe largimin e pushtuesit gjerman. Problemi më i madh për ta ishte sesi të gjenin mundësisë për të përcjellë lajmin pranë familjes që djali i tyre, Nefaili, kishte mbetur i vrarë në një përpjekje me forcat balliste në fshatin Postenë të Tomorricës. Kushtet e vështira për të komunikuar bënë punën e tyre, ndaj ky lajm mbërriti në Libofshë, tek familjarët, vetëm mbas 6 muajsh.

Pas çlirimit të vendit nga nazifashistët, në vitin 1951, familja u interesua për të gjetur varrin e djalit të vrarë dhe, ndërkohë, të bëheshin lëvizjet e duhura me organet kompetente që ta çonin aty ku preheshin dëshmorët e Atdheut. Sigurisht, pas kaq vitesh shumë gjëra kishin ndodhur në familjen Hoxha. Miku i familjes, kuadri i luftës Thoma Bardhi, tashmë i caktuar në detyra të rëndësishme të pushtetit të porsa dalë nga Lufta, e kishte ndihmuar familjen e Hasimit, nënën dhe dy djemtë për t’i transferuar në Berat. Vajza e vetme, Sanija, u fejua e më pas krijoi familje me një ish-luftëtar, Ibrahim Brahon dhe që ai në atë kohë punonte e jetonte në Berat. Në këto kushte, pra të mirë informuar për vendndodhjen ku ishte vrarë Nefaili, u nisën drejt fshatit Postenë të Tomorricës ish-bashkëluftëtarët e tij, Thoma Bardhi, Llaqi Jano, Koli Bozo dhe burri i motrës, Ibrahim Braho. Morën edhe nënën e Nefailit me vete, Shazijen. Por fati, i mirë apo i keq, vete tek i forti. Nuk ishte e lehtë të përballeshe me vështirësitë e kohës dhe, ca më shumë, të bëje qindra kilometra, ca me automjet e ca në këmbë, për të gjetur varrin e djalit diku mes maleve të Skraparit. Ajo nënë u bë shumë e fortë dhe ia doli. Kur mbërritën në Postenë iu desh të pyesnin, nëse aty në fshat dinin gjë për një varr, varr partizani, të vrarë më 30 nëntor të vitit 1943. Një fshatar u tregua i gatshëm, duke i shoqëruar miqtë e ardhur nga larg dhe, për të “shlyer” sadopak krimin që kishin bërë bashkëfshatarët e tij ballistë, i çoi drejt e tek varri, aty pranë drurit të vidhit ku prehej Nefail Hoxha. Thuhet se zemra i është dhënë njeriut edhe për të falur. Nënë Shazija, e cila ndiqte me lotët çurg veprimet për zhvarrosjen e të birit, nuk ia hodhi sytë, qoftë edhe një shikim vjedhurazi që ai të mund të kuptonte revoltën e saj që i dilte nga shpirti “Ti je vrasës, bashkëfshatarët e tu ia morën jetën djalit tim”. Por pasi nxorën trupin doli problem tjetër: a ishte ky trupi i Nefailit? Këtë e zgjidhi nënë Shazija dhe Thoma Bardhi. Shenja e parë ishte ajo çka konstatoi e ëma tek dhembët e të birit. Ai, pra Nefaili, dy dhëmbët e parë të nofullës së sipërme i kishte më të mëdhenj dhe pak të larguar nga njëri-tjetri. Ky është Nefaili im, kish mërmëritur ajo sapo e kish parë. Dhe kish nxjerrë një ulërimë nga ato që mund ta dallohet se është vetëm klithma e një nëne që përjeton plagë të madhe. Tjetra, shumë e rëndësishme, ishte shenja e plumbit, vendi ku e kishte marrë. Nefaili ishte qëlluar diku në ballë, në krahun e djathtë, gjë që dukej qartë. Pasi kryen të gjitha veprimet dhe morën masa për të bërë transportin normal të trupit të Nefail Hoxhës, ata morën rrugën e gjatë të kthimit nga ishin nisur.

Tani më duhet të kthehem tek italiani, tek luftëtari antifashist Ettore Monavolta, tek ai që mori portofolin e Nefail Hoxhës. Ç’ndodhi me portofolin? Kjo është një histori më vete, që meriton të njihet nga lexuesi, sepse ajo përcjell disa mesazhe që janë të arta dhe me vlera të jashtëzakonshme për të gjitha kohërat. Antifashisti italian Ettore u largua për në vendin e tij, pranë familjes, në vitin 1945, pas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Por nuk i ndërpreu lidhjet me Shqipërinë. Asnjëherë. Ai ishte pjesëmarrës në përkujtimin e ngjarjeve të Luftës Nacionalçlirimtare, të heronjve që dhanë jetën në këtë Luftës, por edhe si mik i Shqipërisë. E veçanta e të gjithë këtyre udhëtimeve ishte se ai nuk harronte të merrte me vete Portofolin e Nefail Hoxhës. Deri në vitin 1972. Sa herë që vinte në Shqipëri pyeste ata që shoqëronin grupin e miqve të ardhur nga Italia se ndoshta dinin diçka për këtë familje. U thoshte se ajo kishte banuar gjatë kohës së luftës në Libofshë, një fshat në periferi të qytetit të Fierit; u thoshte se kishte lënë dy vëllezër dhe një motër dhe se kishte pasur për miq Thoma Bardhin, Llaqi Janon dhe Koli Bozon. Më gjithë këmbënguljen ai nuk kishte marrë asnjë informacion. Në vitin 1972, vit kur drejtor i Turizmit në Durrës ishte dhëndri i familjes Hoxha, ish-partizani, Ibrahim Braho, për Ettore Monavoltën ndodhi mrekullia. Një telefonatë e zv/Kryetarit të Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it, Myqerem Fuga, këshillonte drejtorin e Turizmit që të tregonte kujdes mbasi drejt Durrësit ishte nisur një grup veteranësh italianë. Nuk se drejtori do të bënte ndonjë diferencim për miqtë e ardhur nga përtejdetit, por meqë ata ishin veteranë të Luftës, kërkohej të ishin më skrupulozë në kërkesat e tyre. Në drekën e shtruar për miqtë e nderuar qëlloi që Ettore Monavolta të kishte në krah Ibrahim Brahon.

-Kam më shumë se 20 vjet që hyj e dal në vendin tuaj. Kam zënë miq të mirë, por kam pasur të tillë, trima e besnikë edhe në kohën e Luftës. Ti qenke vendosur në këtë detyrë tani, nuk ke qenë më përpara. Apo jo? – paskësh filluar bisedën Ettore me Ibrahim Brahon.

Drejtori i kish dhënë informacion të bollshëm, mundohej t’i sillte edhe hollësira nga Shqipëria, por veterani i Luftës Ettore Monavolta, e kish ndërprerë dhe kish qëndruar aty ku i dhembte më shumë, që kish bërë gjithçka, por ende nuk e kishte gjetur, të gjente ndonjë adresë për familjen e Nefail Hoxhës.

-E ç’të ka lidhur me familjen e Nefailit?- kish bërë të çuditurin Ibrahim Braho.

Veteranit italian i kishte ndryshuar çehrja e fytyrës. Mënyra sesi Ibrahim Braho i ishte drejtuar, ai kishte kuptuar se më në fund,“amaneti që nuk e tret as dheu”, kish gjetur njeriun e duhur. Kur Ibrahim Braho i kish treguar se kishte për grua motrën e Nefail Hoxhës; se kishin kryer të gjitha veprimet për ta tërhequr nga fshati Postenë ku ishte varrosur; se ai tashmë prehej në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në qytetin e Beratit, Ettore Manavolta kishte nxjerrë një Portofol. E kishte hapur me kujdes dhe kishte nxjerrë që andej ç’kishte brenda. Ibrahimi, sigurisht, ishte shtangur, ish gjendur i papërgatitur për t’u përballur me një skenë të tillë. Ishte çast tronditës dhe fjala nuk gjente vend. Sepse fiks, pas 29 vjetësh stresi e kërkimesh, pas afro tri dekadash, portofoli, brenda të cilit ishte një letër dhe fotografia e një vajze, do të binte në dorën e familjes, të nënë Shazijes, e cila për fat të mirë ishte ende gjallë. Thuhet se fotografinë e vajzës nënë Shazija e ruajti gjatë, e trajtoi si të ishte fotografia e nuses të djalit, tashmë të vrarë, Nefailit.