Bashkim Koçi/ Luftëtar si Shefqet Melcka

1042
Sigal

Kam njohur jo pak histori njerëzish, të cilët e kanë mbyllur jetën “ditë më ditë”, duke mos i lënë borxh të nesërmes. Sigurisht, ata nuk mund t’i gjesh si në një treg shumice. Janë pak, apo siç thuhet në kësi rastesh, numërohen me gishtat e dorës. Troç: të vdekur apo të gjallë, ata janë pasuri e vërtetë e këtij vendi, Shqipërisë.

Një ndër këta të sakrifikuar, i betuar për të mbetur deri në fund të jetës si në një  “garë” që nuk ka as fillim e as mbarim, është Shefqet Feti Melcka. E gjithë veprimtaria e tij si luftëtar e ushtarak “i kalibruar” i përket një periudhe disi të largët, kryesisht të gjysmës së parë të shekullit të XX-të.

Shefqet Melcka u lind në vitin 1908 në një nga fshatrat e Skraparit, emrin e të cilit e mbajti për mbiemër deri sa u nda nga jeta, në Melckë. Duke patur besim të plotë tek shkollimi, i ati, Fetiu, nuk kurseu asgjë, as hallin për të përballuar shpenzimet, dhe as mallin për fëmijën e parritur, ngaqë do të shkonte larg. E dërgoi “prapa shtatë malesh” për të mbaruar shkollën fillore, në Selenicë të Kolonjës. Dhe më vonë, vit pas viti, po me kaq sakrifica, Shefqeti mundi të përfundonte shkollën me emër të asaj kohe, Tregtaren e Vlorës. Nuk kemi ndonjë informacion nëse punoi si ekonomist, por dimë që në vitin 1929  djali nga Melcka përfundoi një shkollë tjetër, atë të oficerit të artilerisë, specialitet që do t’i duhej më pas, më 1935-ën, atëherë kur do të shpërthente Kryengritja e Fierit, por  edhe gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Kryengritjen e Fierit, të ideuar nga antizogisti tjetër skraparas, Riza Cerova, Shefqet Melcka e ndjente si detyrim atdhetar të ishte pjesë e saj, duke e pritur atë edhe si një bekim për fatet e vendit. Por, siç dihet, rrjedha e ngjarjeve mori drejtim tjetër. Ashtu si dhjetëra kryengritës të tjerë edhe për Shefqetin u hapën dyert e burgut. Për fatin e tij, por edhe të mendjes së mprehtë të prindërve, oficerit të kufirit, shërbim që e kryente në Peshkopi, nuk i gjetën fakte, nuk i gjetën asnjë dokument që të mund ta implikonte në ngjarjen e bujshme, ndaj pas 45 ditë burg u gjend “në liri”. Regjimi do ta quante “të mjaftueshëm” dënimin me internimin në fshatin Linzë, aty në periferi të Tiranës.

Ndihma më e madhe për njeriun është besimi në vetvete dhe shpirti i gatshëm për të përballuar gjithçka që të duket e pamundur. Shefqet Melckës nuk i mungonte, e kishte këtë shpirt. Ia kishin mëkuar prindërit, të cilët e kishin si një “filozofi” të tyren atë që “fëmija ndjek tek prindërit më shumë shembullin e tyre që japin në jetë, se sa këshillat shkollareske “për t’u bërë i mirë dhe i hajrit”. Ishte viti 1941, atëherë kur ai shërbente si oficer kufiri në rajonin e Leskovikut, që të hidhte hapin e madh, e nga ku nuk do të kthehej kurrë pas. Një ndër nismëtarët, në mos i pari, ishte Shefqet Melcka për krijimin e Çetës së Leskovikut, formacioni i parë partizan i kësaj treve, i cili do të niste luftën pa kthim kundër okupatorit nazifashist.

I varin shpresat tek e ardhmja të gjithë ata që kanë një të tashme shterpë. Luftëtari trim dhe konsekuent skraparas “e ardhmja dhe e tashmja” ishin një, si hallka të pashkëputura njëra nga tjetra, e që kishin të njëjtin qëllim: Çlirimin e Shqipërisë. Në sajë të këtij botëkuptimi, të logjikës “ndjehem i lumtur kur sakrifikohem për vendin tim”, partizani Shefqet Melcka shumë shpejt do t’i ngjiste shkallët e karrierës nga ku nga çasti në çast i rrezikohej edhe jeta. Në gusht të vitit 1943, më 16 të këtij muaji, mori detyrën zv/komandantit të batalionit “Hakmarrja”, komandant i të cilit ishte luftëtari tjetër me emër të madh, kolonjari Petrit Dume.

Dhe ngjarjet rrodhën ashtu siç parashikohen në një luftë të ndershme, ashtu si mund t’i meritojë një ushtarak me vizion e i përbetuar për fitore. Sepse të gjithë jemi si pikat e shiut. Dikush bie mbi një lule e dikush tjetër bie mbi baltë. Luftëtari ynë ishte “pikë shiu” që ra mbi lule. I vlerësuar si luftëtar trim e me zemër të artë, më 30 Qershor të vitit 1944 Shefqet Melcka mori detyrën e komandantit të Batalionit të Parë të Brigadës së I Sulmuese. Dhe ku?! Në atë formacion të madh luftarak, i cili kish për komandant Mehmet Shehun, legjendarin e Luftës Nacionalçlirimtare. Ja aty, ku edhe partizani, ku edhe komandanti udhëtojnë orë e çast përkrah me vdekjen, militoi ky burrë i lartë deri në çlirimin e plotë të vendit.

Lufta është vërtet e tmerrshme, por jo e pamposhtur. Luftëtari Shefqet Melcka tmerrin që i sollën vendit pushtuesit nazifashistë, si ushtar, si pjesë  i një fronti të madh popullor, e ktheu në fitore. Vërtet vendi u drodh për disa vjet nga goditjet e legjioneve të armatosura deri në dhëmbë të armikut, por ajo ushtri, ata ushtarë ishin dhe mbetën si ajo pika e shiut që bie mbi baltë. E drejta u hodh në krah të fitimtarëve. Por jo pa mundim, jo pa plagë. Itinerar i gjatë luftarak, si në një ndeshje me armë të pafund. E filloi nga Leskoviku, duke vazhduar më tej nga Kolonja, Vithkuqi, Pogradeci, Skrapar, Zerqan, Gjoricë, Burrel, Dibër e Madhe, Malësinë e Shkodrës e së fundi në çlirimin e Tiranë. U plagos rëndë dy herë. Plumbin e parë e mori gjatë  përpjekjeve me gjermanët në Gorisht, e për herë të dytë në Burrel. Një copë bombe i mbeti në pjesën e brendshme të syrit dhe nuk e hoqi dot kurrë. E mori me vete si të ish pjesë e trupit, shenjë nga epopeja e madhe e Luftës.

 Edhe pas çlirimit ai iu përmbajt besnikërisht fjalës-betim të kohës së luftës. Qëndroi si të paskësh qenë nga ata njerëz që e presin vdekjen në udhëtim. Në vitet 1948-1949 e gjejmë komandant Divizioni në Korçë dhe një vit më pas në Gjirokastër. I kreu të gjitha detyrat me përkushtim të plotë, jo shpirt trazuar për karrierë, por si ai që e pret  detyrën për ta çuar deri në fund të përfunduar e me nder.

Ata që jetojnë me shpresën e së nesërmes, humbasin kohë pa pushim. Komandant Shefqeti nuk e njihte, i ngjallte krup e neveri grupfjalëshi “e bëjmë nesër”. Kur ishte fjala për detyrat që nuk prisnin, për punëra që dëmtonin, apo shkatërronin diçka të dobishme, ai bëhej pjesë e urdhrit të tij, e zbatonte komandën si ta kish’ dhënë për vete. Dhe ky moral, ky pozicion prej njeriu të thjeshtë, ishte dhuratë e disiplinës së luftës, e viteve të të qenit partizan. Nuk i mori kurrë me përtesë punët Shefqet Melcka. Deri sa doli në pension. Ishte viti 1966.

Për të rritur virtytin, s’është nevoja për ceremonira e as për shpenzime. Gjithçka që mund të të bëjë mirë e ke ti vetë në dorë. Në këtë vështrim mbetet lapidare e thëna: “Kush më ka njohur, nuk do të më harrojë kurrë. Kush më ka harruar, nuk më ka njohur kurrë”. Shefqet Melckën nuk e kanë harruar, sepse e kanë njohur të gjithë bashkëluftëtarët, e kanë njohur breza të tërë njerëzish, të cilët ia panë virtytet jo një ditë e dy, jo një javë apo muaj, por gjatë një jete të tërë. Në të gjitha planet: luftë, punë, shoqëri e familje. Dhe meqë përmendëm familjen, është rasti të themi që ky burrë me vlera të larta pati në krah, si askush tjetër, një grua zonjë, Asimenë, vajzë nga një familje e pasur nga Gradeci. Ajo ishte ndër të paktat delegate nga Skrapari, në Kongresin e BRASH-it në Helmës. Luftoi e punoi në krah të të shoqit, të Shefqet Melckës, duke lënë edhe ajo një copëz të lavdishme historie.

Historia e ka njohur dhe ia njeh kontributin këtij luftëtari me emër të Skraparit, ndaj edhe shkruajtëm këto radhë për Shefqet Feti Melckën.