Bardhyl Berberi/ Kur Enveri hypi në pushtet, babai na tha: “Ai do ta shkatërrojë Shqipërinë”

904
Fare pranë bregut të liqenit është parkuar një makinë me targa franceze që ka pas një kabinë lëvizëse dhe pak më tutje është ngritur një çadër. Aty hyn dhe del një burrë i moshuar. Çadra është vendosur rreth 10 m larg bregut të liqenit dhe prej aty ndjen llokoçitjen e valëve të liqenit klithjen e pulëbardhave dhe kërcitjen e peshkut. Kjo bukuri e natyrës dhe këto brigje magjike që më kanë sjellë prej më shumë se një javë, na thotë 78 vjeçar Zhan Lui Maria Henri Brezhu nga Franca. Është koha e drekës dhe Zhani është duke pjekur një pulë bio që ia u ka blerë fshatarëve të Hudënishtit përballë çadrës së tij. Na pret buzagaz dhe shumë miqësisht. Ai ka një javë që jeton këtu në breg të liqenit dhe është mrekulluar nga kjo bukuri e natyrës ndonëse është hera e tretë që vjen në Pogradec. Zhani na thotë se ka qenë prej shumë vitesh Drejtori i Departamentit të Doganave franceze dhe para tetë vjetësh ka dalë në pension dhe i vetmuar ka filluar të udhëtojë nëpër vende të ndryshme të botës. 
Është baba i katër djemve të rritur: 52 vjeçarit Lionel, 50 vjeçarit Arvin, 48 vjeçarit Mark dhe 46 vjeçarit Laurent. Sapo erdha në Pogradec, thotë ai, ngela “rob” i kësaj natyre të mrekullueshme dhe i këtij liqeni që është e vështirë t`a gjesh në vend tjetër. Ai para dy ditësh ka festuar 78 vjetorin e datëlindjes i vetëm në Shqipëri. Më pas ai vë buzën në gaz dhe thotë: a të çudit ky fakt se pse e festova në Shqipëri? Më pas ai vazhdon rrëfimin: Prindërit e mi: babai im Andrea dhe nëna Monika kanë ardhur nga Franca me punë si profesorë në liceun francez të Korçës. Unë kam lindur në Korçë, thotë Zhani sepse babai im Andrea dhe nënë ime Monika kanë jetuar për shumë vjet në Korçë në kohën e Zogut, pasi babai im ka qenë profesor në liceun francez në Korçë së bashku me Enver Hoxhën. Ai ka pasur miqësi atëherë me Enverin dhe njihej me të që në Francë. Kjo miqësi e tij me Enver Hoxhën është prerë si me thikë kur babai mori vesh se Enver Hoxha ishte vënë në krye të lëvizjes komunist. Babai im e urrente komunizmin dhe mbaj mend që më thoshte: Enver Hoxha po udhëhiqte Shqipërinë si i pari i vendit dhe do ta shkatërrojë atë popull të mrekullueshëm që babai e donte shumë pasi kishte kujtimet më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë isha fare i vogël kur u larguam nga Korça dhe nga Shqipëria pasi në Shqipëri hynë fashistët italianë të cilët okupuan Shqipërinë. Jemi larguar me një dhimbje të madhe madje babai në shenjë respekti për Shqipërinë emrit tim i ka ngjitur edhe fjalën Skënder që unë t`i ngjaja heroit tuaj kombëtar Skënderbeut dhe unë për këtë jam shumë krenar. 
Madje thotë Zhani këto ditë do t`i kërkojë presidentit të Republikës së Shqipërisë që të më japi nënshtetësinë shqiptare, madje e them sinqerisht se dua të vdes në Shqipëri dhe varri im të mbetet këtu ku unë kam lindur në Shqipëri…Zhani është shumë i çiltër dhe biseda jonë rrjedh lirshëm… Befas, Zhani më thotë se nuk i mungon asgjë por atij i pëlqen kjo jetë e një eremiti nëpër vende të ndryshme pasi është velur nga jeta dhe nga luksi. -Ja thotë ai, këtu buzë liqenit jam i qetë si ky liqen sot, bisedoj me valët e tij meditoj pa më shqetësuar njeri se çfarë kam bërë mirë në jetë dhe çfarë nuk e kam bërë ashtu siç duhet. Gjithë jetën jam udhëhequr nga një porosi që më ka lënë babi im para se të vdiste: Biri im gjithë jetën bëj punë të mira të dobishme për njerëzit edhe pse mund të mos fitosh se sa të bësh punë të këqija dhe mund të fitosh… E pyes për bashkëshorten e tij. Ai më buzëqesh jam i divorcuar tashmë nuk jemi bashkëshortë por dy miq të mirë që flasim vetëm në telefon. Jemi ndarë para shumë vitesh pas krijimit të familjeve nga fëmijët tanë. U divorcova nga gruaja ime, pasi e kishim konsumuar me njëri – tjetrin gati 30 vjet bashkë dhe nuk kishim se çfarë t`i jepnim njëri tjetrit kështu vendosëm të ngelemi vetëm shokë e jo bashkëshortë, secili në punën e vet. 
Prandaj unë i realizoj këto udhëtime të vetmuara dhe jam krejt i lirë dhe nuk ka si liria. Zhani thotë se me varkën që ka sjellë me vete zë peshk dhe e konsumon për vete peshkun e freskët apo pula të freskëta fshati. Të gjitha prodhime bio, thotë ai. Më pas thotë po të jap një këshillë: Hani ushqimet tuaja se janë më të mira se tonat dhe blini rrobat tona se janë më të mira se tuajat. Ai fillon të tymosi një cigare të cilën e dredh vetë nga një qese duhani. Është ves i keq duhani, thotë por s’kam se çfarë t`i bëj e kam filluar që ta pija që në moshën 17 vjeç. Zhani është prof. Dr. i shkencave ekonomike. Ja, thotë ai, këta janë miqtë e mi: kabina lëvizëse, vetura, varka dhe duhani. Në fund e pyesim gjatë këtyre ditëve në Pogradec çfarë i ka pëlqyer dhe çfarë jo? Natyra dhe njerëzit pogradecarë janë të mrekullueshëm dhe natyrisht nuk më ka pëlqyer ky kaos urbanistik që më duket se ia kanë prishur “virgjërinë” këtij qyteti. Bregu i liqenit duhet pastruar patjetër, jam befasuar kur kam parë vetura mbi tapetin e barit në park!
Sigal