Bajram Mane: Ikonat e Ushtrisë Popullore dhe paradat para 1990-s

2383
Sigal

Bajram Mana, figurë e spikatur e Ushtrisë Shqiptare

– Viti, 1983 me urdhër të Enver Hoxhës Bajrami caktohet zv.ministrër i Mbrojtjes

-Vlerësimi për Kujtim Çakon, Agim Binaj, Lutfi Hasnega, Kujtim Baholli, Arqile Veshi, Azis Keta, Ramis Fiçori, Zeno Jaho

Në kupolën e lartë të ushtrisë

Në fillim të vitit 1983 ushtria shqiptare kaloi në një strukturë të re organizative, nga niveli më i lartë Korpusi kaloi në Divizione. Edhe udhëheqja e MM dhe e Shtabit të Përgjithshëm pësoi ndryshime radikale. Kjo solli një lëvizje të ndjeshme të kuadrove në të gjithë ushtrinë. Pikërisht në këtë kohë Bajram Mana me vendim të Byrosë Politike dhe Komandantit të Përgjithshëm të FA Enver Hoxha emërohet në detyrën e lartë të zv.ministrit të Mbrojtjes dhe disa vite më vonë edhe zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Të gjitha këto detyra ai i kreu me nder dhe dinjitet të lartë për 8 vjet me radhë. Nuk mund të mos përmend edhe cilësitë e larta njerëzore të Bajram Manas. Ai dinte të vlerësonte punën e kuadrove me të cilët punonte, i ndihmonte dhe i mbronte ata para ministrit të Mbrojtjes. Kështu ai vlerësonte punën e drejtorëve dhe specialistëve të vartësisë së tij. Mund të përmend vlerësimin që kishte për aftësitë dhe punën e Kujtim Çakos, i cili më vonë u bë edhe zv.ministër i Mbrojtjes, si dhe shumë kuadrove të tjerë si, Agim Binaj, Lutfi Hasnega, Kujtim Baholli, Arqile Veshi, Azis Keta, Ramis Fiçori, Zeno Jaho e të tjerë. Fillimisht si zv.ministër i Mbrojtjes ai drejtoi një sektor të rëndësishëm dhe të vështirë siç është sektori ekonomik. Me inteligjencën dhe përgjegjësinë e lartë që kishte ai shumë shpejtë arriti të njoh në detaje problemet ekonomike të ushtrisë. Me modestinë që e karakterizonte ai vazhdimisht i quante profesorë të tij ekonomistët dhe kuadrot e logjistikës qe punonin me të në këtë sektor, i pyeste pa ndrojtje dhe së bashku merrnin vendimet e duhura. Në këto vite unë kryeja detyrën e ndihmësit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Frontin Verilindor dhe duke qenë në këtë detyrë dëgjoja shpesh komandantët e divizioneve dhe të brigadave të më flisnin me shumë respekt për Bajramin, por kur mësonin se ekipet e kontrollit që vinin nga MM drejtoheshin nga zv. ministri Bajram Mana ata lëviznin seriozisht nga vendi dhe merrnin të gjitha masat e duhura në njësitë e repartet e tyre, sepse e dinin mirë që Bajrami kishte njohuri në të gjithë fushat: të artit ushtarak, të planit operativ, në fushën e logjistikës, bilanc-furnizimit,financës dhe fortifikimit dhe nuk të falte për mungesat e dobësitë që mund të vëreheshin.

Bajram Mana erdhi në kupolën e lartë të ushtrisë kur ajo ishte më e organizuar, më e kompletuar me armët më moderne të kohës, e aftë për të bërë ballë çdo agresion të mundshëm. Në atë kohë ushtria shqiptare kishte 22 divizione, 1200 tanke, 240 avionë, 4-5 baza ushtarake detare,mijëra gryka zjarri artilerie tokësore e kundërajrore,5 baza furnizimi të ushtrisë, rezerva materialo-teknike; në çdo drejtim zhvilloheshin stërvitje shtabi dhe me trupa, dimër dhe beharë, ditën dhe natën. Kam qenë me fat që edhe unë në këto vite të punoja në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë për drejtimin e forcave të frontit verilindor dhe të bashkëpunoja vazhdimisht me shokun tim, Bajram Mana për të organizuar dhe drejtuar shumë stërvitje së bashku.

Jeta e Bajram Manas është e pandarë nga ushtria

Jeta e Bajram Manas është e pandarë nga ushtria, ajo është e mbushur me shumë ngjarje dhe evenimente të rëndësishme,atje ku ka punuar dhe shërbyer ai kontributi ka qenë i çmuar dhe ka lënë gjurmë të pashlyera për përgatitjen, stërvitjen, organizimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura. Pas largimit nga ushtria nga e ashtuquajtura reformë, shumica e ushtarakëve u organizuan në shoqatën e ushtarakëve me qëllim që të mbronin të drejtat ekonomiko-financiare të tyre. Bajram Mana, si figurë e spikatur, ka luajtur një rol të madh në mbajtjen gjallë të traditave ushtarake. Anëtarësia e ka zgjedhur atë zv.president i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë. Ai ka udhëhequr dhe drejtuar shumë lëvizje, protesta e demonstrata të ushtarakëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ka organizuar shumë takime me personalitete të larta shtetërore për të realizuar dhe lehtësuar hallet e problemet e ushtarakëve në tërësi. Ai, edhe tani, është shumë aktiv dhe jep një ndihmesë të vyer në gjirin e ushtarakëve të liruar, në rezervë dhe në pension. Për punën dhe kontributin që ka dhënë në Forcat e Armatosura, Bajram Manas i janë akorduar 3 urdhra dhe 4 medalje të ndryshme. Unë jam ndierë me fat dhe jam krenar që kam qenë dhe jam një mik i tij, por edhe një bashkëpunëtor i ngushtë në karrierën tonë të gjatë ushtarake. Ndaj dhe në përvjetorin e 75-të të jetës së tij i uroj:

Gëzuar ditëlindjen miku im i shtrenjte, gjeneral Bajram Mana!

Si zhvilloheshin paradat e para vitin 1990

Paradat Ushtarake organizoheshin çdo 5 vjet dhe veprimtaria kryhej në 29 nëntor ditën e çlirimit të vendit nga pushtuesit Azi-fashistë. Kjo traditë kishte filluar që me parakalimin e parë në Shqipërinë e sapoçliruar. Por vite më pas ajo do të perfeksionohej e ushtria do të krenohej me të. Qëllimi i paradave ishte të tregohej forca e shtetit, pasi në tribunë gjithmonë veç krerëve të lartë të udhëheqjes shqiptare ishte i ftuar trupi diplomatik, atashetë ushtarakë si dhe shumë delegacione të huaja të ftuara enkas për këtë rast. Mund të them se atmosfera ishte fantastike, madje madhështore. Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në një paradë ushtarake thoshin se e kishin për nder një gjë të tillë. Shumë të tjerë e kishin këtë dëshirë por nuk u jepej mundësia. Ministria e Mbrojtjes vihej në kulmin e aktivitetit të saj. Të paktën për 2 muaj, tetor-nëntor, gjithçka fokusohej në këtë manifestim, për t’u treguar sa më dinjitoz. Paradat ushtarake jo vetëm ishin të planifikuara por kishin edhe një buxhet të përcaktuar e të miratuar, pasi kishte shumë shpenzime. Stërvitja me trupa fillonte që disa muaj përpara se të vinte data e caktuar, por ato bëheshin nëpër njësitë e ndryshme. Fillimisht përcaktoheshin pjesëmarrësit të paradë dhe gjithmonë kuadratet formoheshin me ushtarë apo rezervistë që kishin gjatësi të mjaftueshme, mbi 170 cm të gjatë. Në fillim të tetorit gjithmonë trupat grumbulloheshin dhe fillonte përgatitja kompakte e cila bëhej ish fushën e aviacionit në Laprakë, Tiranë. Kuptohet, rëndësia më e madhe ishte ecja me hap rreshtor sipas parametrave. Por pas tyre vinin mjetet e mekanizuara që gjithashtu duhet të ishin uniformë. Tek ish-fusha e aviacionit, krijoheshin të gjitha kushtet për një stërvitje normale, duke filluar që nga ndërtimi portativ i fjetinave, ujësjellësi, tualetet, ndihma e shpejtë mjekësore, fusha shtrohej me asfalt, ngriheshin qendra ambulatore, etj. Gjatë këtyre dy muajve aty do të kishin veprimtari rreth 8-mijë trupa. Unë kam qenë Komandant i Përgatitjes së Paradës në vitin 1989. Ne si drejtues kishim zyra e infrastrukturën e nevojshme. Altoparlantë kishte të instaluar në të gjitha drejtimet ku urdhrat që jepeshin nga tribuna dëgjoheshin ngado. Për të instruktuar trupat të ecnin me hap rreshtor, mobilizoheshin oficerët më të mirë të këmbësorisë. Një muaj përpara zhvillimit të paradës fillonte përgatitja intensive e përditshme, deri në mesnatë. Nuk duhet harruar se një punë të madhe bënte dhe banda e ushtrisë që shoqëronte provat me marshet luftarake.