Babë Dudë Karbunara, mësues dhe atdhetar i shquar

391
Emri dhe vepra madhështore e patriotit të madh Babë Dudë Karbunarës lidhet me Beratin, me këtë qytet që është dëshmi e gjallë e qytetërimit të lashtë, që është shembull i një trashëgimie të pasur historike, por është dhe qytet me bukuri mahnitëse natyrore. Natyra i ka falur një mjedis mbrojtës e të sigurt, i ka dhënë Kalanë shumëshekullore. Brenda mureve të saj pulson pa ndërprerje gjatë 2400 vjetëve jeta qytetare e përsosur. Aty kanë lindur njerëz të mençur, trima dhe bujarë, të etur për dituri e përparim, sidomos punëtorë të palodhur. Nga thellësia e kohërave kanë dalë figura të shquara në të gjitha aspektet e jetës, por sidomos në aspektin e atdhedashurisë të lidhur ngushtë me dashurinë për liri. Në plejadën e atdhetarëve të shquar vend nderi zë biri më i shquar, më i madh dhe më i adhuruar i Kalasë dhe i të gjithë Beratit Babë Dudë Karbunara. Mbi dyzet vjet të jetës i kaloi në Berat, ndau me qytetin gëzimet dhe vuajtjet, lumturinë dhe hidhërimet, kryesorja, ndau ëndrrën shumëshekullore të banorëve liridashës për ta parë veten të çliruar nga sundimi otoman, pra, lindja dhe formimi i personalitetit aq të nderuar nuk është rastësi. Babë Dudë Karbunara lindi, u brumos si atdhetar dhe u vu në shërbim të çlirimit kombëtar atëherë kur qielli shqiptar digjej nga zjarri i kryengritjeve: Tafil Buzi e mbajti për dhjetë vjet në duart e tij Beratin, Rapo Hekali u kalli tmerrin sundimtarëve osmanë, veprimtaritë patriotike të beratasve të nderuar si Dhimitër Kolea, Mehmet Ali Vrioni, Séfe Guraziu, Baba Medin Gllava, Hajredin Fratari e të tjerë i bashkuan forcat për çlirimin e atdheut. Ndërkaq theksojmë se shpirti liridashës e kulturëdashës i ka rrënjët të thella në Berat, kujtojmë aktin vetmohues të kalarinjve për ruajtjen e Kodikëve të lakmuar nga të huajit, përpjekjet e Muzakajve për ruajtjen e mëvetësisë së trojeve të tyre (me adhurim kujtojmë Andrea Muzakën dhe dy Teodorët), Berati shembullor është dhe frymëzuesi i Onufrit të Madh, është vendi ku ushtruan veprimtarinë e tyre të vyer Kostandin Ikonomi, Kristo Dullo e të tjerë. Pra, ashtu si të gjitha dukuritë jetësore kanë ligjësitë e tyre të funksionimit, dhe dukuria mrekulluese që lidhet me emrin e Babë Dudë Karbunarës po ashtu ka ligjësinë e saj. Në figurën e të pavdekshmit Karbunara dukuria e atdhedashurisë gjeti mishërimin e saj më të mirë në fushën e përhapjes së arsimit shqip që, siç dihet, është njëra prej hallkave më kryesore, pas të cilës me të drejtë u kapën atdhetarët e Rilindjes Kombëtare. 
Jetëshkrimi
Ka lindur në Lagjen Kala nga prindërit Theodhor e Aleksandra Karbunara më 5 maj 1842. E pagëzuan me emrin Jorgji, por e thirrën Dudë, kurse në moshën e thyer në shenjë respekti zunë ta thërresin Babë Dudë. Mësimet e para i mori në Lagjen Kala, në shkollën greke të hapur që në vitin 1778 nga shenjtori Kozmai i Etolit me lejen e Kurt Pashës. Më pas u hap Shkolla Unike ku i vazhdoi mësimet Jorgji Karbunara. Prindërit arsimdashës e dërguan për ta vazhduar shkollën në Korfuz, kurse në Trieste të Italisë vazdoi mësimet në Gjimnazin Klasik. Në vitin 1870 filloi punën mësues në Shkollën Unike të Beratit. Veprimtaria e gjatë arsimdhënëse e Babë Dudës lidhet me mësuesinë, në të spikati erudicioni i lartë, përgatitja profesionale e shkëlqyer, kryesorja, dashuria për nxënësit dhe dëshira për t’i bërë sa më të mësuar. Njihte në perfeksion gjuhët e vjetra (greqishten e vjetër dhe latinishten), gjuhën e re greke, italishten, e njihte me rrënjë kulturën antike greke dhe romake, ishte adhurues i Homerit dhe me bindje prej dijetari është shprehur se “Homeri 60% të fjalëve i ka me prejardhje nga gjuha shqipe”. I ka studiuar veprat e historianëve të vjetër Herodotit, Hesodit, Plinit, Pinarit, Plutarkut, të gjeografëve Strasboni e të tjerë. Qemtonte me skurpulozitetin që e karakterizonte në çdo punë të dhënat për Ilirinë, u referohej në mësimet që jepte dhe ngulte këmbë në theksimin e lashtësisë së shqiptarëve. Ishte, padyshim, pjesë e punës së tij si rilindas i vyer dhe patriot me gjak të kulluar. Për këto mendime shihej shtrembër si nga pushtuesit osmanë ashtu dhe nga veprimtarët progrekë. Shpirtin e madh dhe kulturën e lartë i vuri në shërbim të kombëtrisë. I shtyrë nga dashuria më njerëzore me ëmbëlsinë e gjuhës së tij në mjedisin ku jetoi dhe punoi arriti që frymën e dijes e të mënçurisë ta përcillte në shoqëri, iu gjend kurdoherë pranë bashkatdhetarëve në ato kohë të vështira. Duke qenë vazhdues i denjë i traditës patriotike, arriti që mjedisin patriotik të asaj kohe ta bënte flamur të vetin, ta nderonte si rrallëkënd, ta mbështeste, ta ruante të pavdekshëm në zemër. Nga ana tjetër, devotshmëria e tij patriotike u bë mbështetje dhe frymëzim për brezat. Në bangot e Shkollës Unike kanë mësuar patriotët me emër si Loni Opingari, Bektash Berberi, Perikli Ikonomi nga Vokopola, Josif Dhimitër Ziu nga Poshnja, Vlash Papa nga Paftali e të tjerë. 
Veçoria mbresëlënëse
Veçori mbresëlënëse e personalitetit të Babë Dudës është të qenit popullor, njeri i përkushtuar asaj që bënte, i palodhur, gojëmbël me të gjithë, shumë i respektuar dhe i mirëpritur. Mihal Korraqe nga fshati Çiflig ka shkruar për të: “Kishte miqësi të pandarë me Çifligun, veçanërisht me mikun e tij Pjetër Marinin. Lidhjet e tyre ishin aq të thella, sa dhe festën e Pashkëve e drekonin bashkë. Babë Duda ishte në besë të Pjetër Marinit, por dhe të fshatit Çiflig, këta ia siguruan shkuarjen në Vlorë delegat për ngritjen e flamurit, Pjetër Marini ua besoi shoqërimin gjatë udhëtimit dy bashkëfshatarëve të tij, Kola Risto Dhonos dhe Kostandin Korraqes nga Çifligu”. Po ashtu babë Duda ishte i lidhur me miqësi të madhe dhe me pjesën intelektuale të Beratit, sidomos me kolegët mësues Llambi Goxhomani e Llazar Qilici, me Llambi Nasi Dheskalin, me ikonom Jakov Plakun në Vokopolë, me atë Thanas Papën në Paftal. Tanimë është e njohur nga të gjithë dashuria dhe nderimi i veçantë i Babë Dudë Karbunarës për Plakun e Vlorës, Ismail beun. 
Lidhja me patriotët shqiptarë
Babë Duda mbante lidhje të pandërprera, duke i ruajtur ato me fanatizëm, me patriotët shqiptarë kudo që ishin. Njihen tanimë lidhjet e tij me “Shoqërinë e Stambollit”, në vitin 1879 ishte njëri prej nënshkruesve të plaformës program të kësaj shoqërie, njëri prej 25 nënshkruesve nga e gjithë Shqipëria. Po ashtu i ka mbajtur kurdoherë të gjalla lidhjet me “Shoqërinë e Sofjes” dhe me “Shoqërinë e Bukureshtit”. Prej tyre furnizohej me abetare shqip. U tregua i palodhur për përhapjen gjithkund të mësimit të shqipes: në zonën e Myzeqesë, në qytetet Lushnje, Fier e Vlorë, në zonën e Shpiragrit, në fshatrat Paftal, Sinjë e Vokopolë, aty njëra pas tjetrës u ngritën shkollat ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Kuptohet përndiqej dhe dhunohej nga qarqet drejtuese të pushtuesve. Nuk vonoi djegia e shtëpisë në Kala, djegia e librave të shkruara shqip u bë e zakonshme. Pavli Shkarpa, kryetar i shoqatës “Antipatrea” (Berati i Vjetër) tregon lidhur me djegien e shtëpisë: “Babë Duda e dinte kush ia dogji, por nuk donte të armiqësohej me zjarrvënësin… Flaka e atdhetarisë, dëshira për mësimin e gjuhës shqipe nuk iu shua, veprimtaria iu bë më këmbëngulëse”. Në fillim të shekullit XX me ndryshimet që ndodhën në Turqi dhe sidomos nën ndikimin e zgjerimit çdo ditë të përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi, emri i mirë dhe popullariteti që gëzonte Babë Duda i detyroi qarqet zyrtare otomane të ndryshonin qëndrim ndaj tij. Në kohën e regjimit xhonturk u zgjodh anëtar i Këshillit të Prefekturës Berat, influenca e tij u bë dominuese, u kalua në veprime, siç ishte vendimi për lirimin e të dënuarve politikë, vendimi për hapjen e shkollës shqipe më 4 gusht 1908, mësues i gjuhës shqipe u caktua Babë Dudë Karbunara. Më 2 dhjetor 1908 pjesëtarët e “Klubit Bashkimi” në mënyrë demonstrative i dogjën librat e shkruar me alfabetin arab, “Shoqëria Bashkimi” u mor me sigurimin e lidhjeve të çetave patriotike të Beratit me çetat e Korçës dhe të Vlorës. 
Qëndrimi i drejtë ndaj çështjeve të besimit e të fesë
Qëndrimi i drejtë që ka mbajtur atdhetari i madh ndaj çështjeve të besimit e të fesë është një tjetër dëshmi e veprimtarisë së tij si rilindas i devotshëm. Babë Duda ka qenë për bashkimin e shqiptarëve kudo që ishin, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ishte realizues në jetë i devizës famëmadhe rilindase “feja e shqiptarit është shqiptaria”. U tregua i palodhur për forcimin e ndjenjave kombëtare përmes afrimit dhe mirëkuptimit, vëllazërimit dhe bashkimit rreth idealit të madh të mëvetësisë. Bashkëjetesa e feve është dukuri e përhapur në mbarë kombin shqiptar, në Berat ka gjetur shfaqjen e saj më të sinqertë e më të ndjerë, është e farkëtuar përmes festimeve të përbashkëta të festave fetare, përmes bashkëpunimit dhe miqësisë, deri dhe përmes lidhjeve të krushqisë. I nderuari i Beratit kudo kishte miq dhe shokë, ulej në gosti e kremtime njëlloj si të festave të krishterëve, ashtu dhe të myslimanëve. Në shtatorin e vitit 1903 u zgjodh sekretar i Mitrpolisë së Beratit, e mirëpriti me gëzim sepse iu hap një rrugë e re për të dhënë ndihmesë në forcimin e autoqefalisë së kishës ortodokse. Është i pari që psali shqip në kishën ortodokse të Kalasë, një veprim i guximshëm e jo pa poasoja për kohën. Nuk ka të çmuar ndihmesa që Babë Duda dha në periudhën e shpalljes së Pavarësisë, padyshim që është nga më të lavdishmet në jetën e tij, ishte koha kur ëndrra iu shndërrua në realitet. Ditën e shpalljes së Pavarësisë nga Berati shkuan në Vlorë gjashtë delegatë, njëri prej tyre ishte Babë Dudë Karbunara. U vlerësua si emër i madh që ishte, si njeri i ditur dhe i mençur, si patriot i orëve të para, u propozua anëtar i Qeverisë së Vlorës, pro votuan 14 pjesëmarrës, për kandidaturën e Iliaz bej Vrionit votuan 7. Ndihmoi aktivisht në mbarëvajtjen e punëve, i kreu me përpikmëri detyrat e ngarkuara. Mirëpo për shtatëdhjetëvjeçarin e lodhur nga punët filluan ditë të rënda: më 30 qershor 1914 Musa Qazimi i Elbasanit me tokicën e rebelëve të tij erdhën në Berat, ky urdhëroi ta merrnin nga shtëpia e të bijës në Lagjen Goricë, ku banonte pas vdekjes së të shoqes, të lidhur duar e këmbë me zinxhirë e shoqëruan për në Prefekturë duke e tërhequr zvarrë. Kur Musa Qazimi e pyeti: “Ti kush je osmanlli apo shqiptar?” – pa iu trembur syri iu përgjigj: “Ti në ç’gjuhë po më flet? Jam shqiptar sikundër je dhe ti, or turkoshak!” Xhandarët e rrahën, ia shkulën mjekrën. Ashtu të poshtëruar e të gjakosur e ndoqën përmes turmës së indinjuar nga barbaria e pashoqe. Më 17 dhjetor 1917 Babë Dudë Karbunara i mbylli përgjithmonë sytë. Qytetaria beratase e përcolli me nderimet më të larta për në banesën e fundit. Në vitin 1927 Bashkia e Qytetit të Beratit atij dhe 5 anëtarëve të tjerë të delegacionit që mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë i dha titullin “Nderi i qytetit”; më 27 nëntor 1937 Bashkia e përjetësoi emrin e tij me bustin e mermertë, në vitin 1962 u dekorua me Urdhërin “Për shërbime të shquara ndaj Atdheut” të Klasit të Parë, kurse me rastin e 100-vjetorit të hapjes së Shkollës së Parë Shqipe iu dha titulli “Mësuesi i Popullit”, sot emrin e tij e mban shkolla e mesme e qytetit të Beratit. 

Jorgji Doksani & Luçi Stefa