Babë Dudë Karbunara, firmosës i Deklaratës së Pavarësisë

1435
Si sot, 173 vite më parë, përkatësisht më 22 prill 1842, lindi Babë Dudë Karbunara, një nga firmosësit e Deklaratës së Pavarësisë e ngritjes së Flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Babë Dudë Karbunara lindi në lagjen Kala në Berat më 22 prill 1842 me emrin Jorgji Karbunara. I gjyshi, të cilit i mori emrin, jo mbiemrin e parë “Tozhari”, kthyer në “Karbunara”, ishte vendosur aty pas largimit nga fshati Tozhar, kur si shumë të tjerë u detyrua të ikte nga fshati se nuk pranoi të ndërrohej në mysylman nën trysninë e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës. U sistemua në Berat ku u morr me qendistari, u martua me një vajzë qytetare me të cilën pati fëmijë, mes tyre i madhi, Theodhori, babai i Babë Dudës… Jorgji mësoi në shkollën greke “Dhimotikon” në Kala, hapur në 1780, e para jashtë kishës, ku mësues të parë kishte qënë Kostandin Berati, autor i shqipes së shkruar me alfabet grek (1768)… Me mbarimin e studimeve u rikthye në Berat në 1863. Ndonëse i arsimuar për kohën, turqit nuk e pranuan në administratë, ndaj të ardhurat për familjen i siguronte përmes tregtisë, që zhvillonte me vëllezërit dhe kushërinj të vendosur në Vlorë e emigrim. U martua dhe u bë baba i tre vajzave.
Ato vite në Berat jetoi 2 vjet Naim Frashëri e më pas, në 1885, erdhën Kostandin Kristoforidhi (kishte një motër martuar tek familja e njohur “Kapedani” në lagjen Goricë) dhe Hasan Tahsini, (rektori i parë i Universitetit të Stambollit) me mision, ngritjen e shkollave në gjuhën shqip. Kristoforidhi ka lënë në shënimet e veta pagesat e beratasve patriotë si ndihmë për punën e gjuhës shqipe… Me mbërritjen në 1897 në Berat të “Alfabetarja e gjuhës shqip” e Jani Vretos, vetë Jorgji Karbunara u mësonte fshehur gjuhën shqip djemve, burrave e më pas dhe çupave, fillimisht tek Hani i Doracit, më tej tek hani i Xheblatit, në banesa, sa në një lagje, në tjetrën… Përpjekjet për mësimin e shqipes nga Babë Duda u bënë të njohur në qarqet patriotike shqiptare jashtë vendit. Në 3 dhjetor 1902, Babë Duda me një letër drejtuar Nikolla Naços, (drejtor i një shkolle të mesme arumune në Bukuresht), i kërkonte të ndërhynte për t’u arsimuar atje djem beratas, që në kthim të organizonin shkolla në Berat (AQ, Fondi Nikolla Naco, Dosja nr. 4, nr. 11). Në vitin 1898, Babë Duda u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Kjo degë ngarkoi mësuesin Llambi Goxhomani, që kërkoi në Bukuresht çeljen e një gjimnazi arumun (në Berat jetonte një komunitet arumun, ardhur aty pas tre djegieve të Voskopojës).

Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur me çetat e Hysen e Servet Zaloshnjes, Medin Gllavës e Kamber Velabishtit në Skrapar, Tërpan, Shpirag e gjetkë. Më 23 korrik 1912 u mblodh Kuvendi i Sinjës me përfaqësues të çetave kryengritëse të Jugut, mes tyre dhe Babë Duda. Memorandumi i Sinjës synoi pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë frymë patriotike erdhi Kuvendi i Vlorës. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën delegat 72-vjecarin Jorgji Karbunara në Kuvendin e Vlorës të 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me siglën J. Karbunara. Kuvendi e zgjodhi dhe anëtar të “Pleqësisë”. Në AQ, në fondin e Qeverisë së Vlorës ndodhet përshkrimi i firmosjes së Aktit të pavarësisë nga 40 delegatët patriotë… U nda nga jeta më 17 dhjetor 1917, në moshën 75-vjeçare.
Në shenjë mirënjohjeje populli i Beratit, më 27 nëntor 1937, i ngriti Babë Dudës bustin e mermertë, vepër e skulptorit Dhimitër Çani, në sheshin e vogël që sot mban emrin “Babë Duda”.
Sigal