At Nikolla MARKU/ Si lindi kisha ortodokse e pavarur kombëtare shqiptare

1149
Sigal

Përgjigje librit të Anastas Janullatos “Histori e kishës nga 1990”

Me shkrirjen e patriarkanës së Ohrit dhe kalimi i varësisë së kishës ortodokse direkt nga Kostandinopoli, pas Janarit të vitit 1767 (influencuar edhe nga rezultatet e luftërave ruso-turke), u vu re një përpjekje fare e hapur për helenizimin e popujve të Ballkanit, duke shtuar numrin e shkollave greke dhe të qendrave të rëndësishme fetare dhe didaktike si, Voskopoja. U  hapën shkolla si, “Akademia e Re” (një institucion iluminist, në të cilën kontribuuan grekë, rumunë-vlleh etj. ) Në vitin 1744 u hapën shtypshkronja etj. Por patriotët fetarë dhe njerëz të ditur Shqiptarë, e shfrytëzuan këtë infrastrukturë dhe kulturë fetare, për të prodhuar vepra për të ardhmen e kombit shqiptar, siç ishte edhe fjalori tre gjuhesh i Kavaliotit i botuar në Venedik më 1744. Kështu Voskopoja u bë një qendër iluminizmi, arti dhe atdhetarizmi. Po si devocion patriotik, në ndihme të kishës shqiptare erdhi edhe Ali Pashë Tepelena, i cili ngarkoi mjekun e tij Vangjel Meksin të përkthente Dhiatën e Re për besimtarët shqiptarë në vitin 1819 deri 1827, për të vazhduar vonë me përkthimet e Kostandin Kristoforidhit të vitit 1872.

Me rritjen e ndërgjegjes kombëtare në luftën kundër sundimit të huaj, nga shtresa e klerit vendës dolën disa figura të njohura si, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për kulturën shqiptare. Gjatë Rilindjes kombëtare, nga radhët e dy degëve të Krishtera, pati klerikë që punuan për interesat e vendit e të kulturës kombëtare, si Papa Kristo Negovani, Ndoc Nikaj, Nikollë Kaçorri etj.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, patriotët Shqiptarë të mërgimit, kryesisht ortodoksë, e kuptuan herët se, për të kundërshtuar politikën dhe praktikën helenizuese të Greqisë, duhej një Kishë Autoqefale Shqiptare. Tentativat e para për këtë janë bërë nga Nikolla Naço me origjinë nga Bukureshti, por pa sukses.
E drejta ligjore për pavarësi i lindi Kishës Ortodokse të Shqipërisë qysh më 28 Nëntor 1912. Me shpalljen e pavarësisë nga Turqia, Kisha Ortodokse e Shqipërisë, nuk mund të mbrohej më juridikisht nga Patriarkana, e cila ishte nën juridiksionin e shtetit turk. Kjo kishte ndodhur edhe me popullsitë e tjera të Ballkanit që kishin qenë të pushtuara nga Turqia. Kështu, kishin shpallur pavarësinë Kisha Ortodokse Greke, Bullgare, Rumune dhe Serbe, ku kjo e fundit e kishte fituar këtë të drejtë që në shek. XIII.
Në Amerikë kjo përpjekje filloi qysh në Maj te vitit 1907. Një shkak që i dha shtysë këtij problemi, ka qenë një ngjarje konkrete. Më gusht të vitit 1907, vdiq një djalë i ri, në qytetin Hadson. Kur trupi i tij shkoi në Kishën Ortodokse ku zakonisht kryenin shërbesat e tyre shqiptarët ortodoksë, prifti grek refuzoi t’i kryente shërbesën e përmortshme pasi djaloshi njihej si nacionalist shqiptar dhe ishte “automatikisht i ç’kishëruar” .
Për këtë shkak, shqiptarët krijuan një shoqëri fetare, në Shtator 1907, me emrin “Nderi Shqiptar” dhe zgjodhën një komision, që ai ta lidhte shoqërinë e Usterit me emigrantët e Natikut, Marlboros, Bostonit, Detrotit etj. Ky ishte hapi i parë për një Kishe Ortodokse Shqiptare të pavarur në emigracionin e Amerikës. Meqë shqiptarët nuk kishin një prift legal të dorëzuar nga një peshkop, vendosën që të thërrisnin një prift nga Shqipëria.
Nga kandidatët fitoi Fan Noli, i cili pas shumë peripecish të stisura nga patriarkana, në Mars të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua prift i ligjshëm. Noli u shugurua prift nga tre peshkopë, një rus, një ukrainas dhe një rumun.
Kjo ngjarje u prit me gëzim nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin dhe pati jehonë të gjerë në të gjithë shtypin e kohës. Për të shkroi gazeta “Drita” e Sofjes, të cilën e nxirrte Shahin Kolonja, “Shpresa e Shqypnis”, si dhe gazeta të tjera shqiptare të Misirit dhe të Amerikës. Meshën e parë në gjuhën shqipe, Fan Noli e dha më 22 Mars 1908. Pas kësaj, në Amerikë fillon ethshëm ndërtimi i kishave ortodokse shqiptare, kisha e Shën Kollit në Sauth Brixh, e cila përfundoi në vitin 1912, kisha e Shën Palit dhe e Shën Pjetrit në Filadelfia. Iniciativën e mori emigranti Stavri Seminaku nga Berati dhe prifti nga Rehova e Kolonjës at Naum Cerja. Në vitin 1919 u ngrit kisha e Shën Mërise në Natik.
Për nevojat e Kishës së re shqiptare e të pavarur, Fan Noli përktheu me radhë nga viti 1908-1914, të gjithë librat kishtare të domosdoshëm “Shërbesat e Javës së Madhe”, Libri i Shërbesave të Shenjta”, “Libri i të Kremteve të Mëdha”, “Triodhi i vogël”, “Lutjesorja” dhe “Pesëdhjetëvjetorja e vogël”.
Të gjitha këto përpjekje për një Kishë Ortodokse te pavarur Shqiptare, Fan Noli i bëri me synimin e krijimit të një peshkopate ortodokse shqiptare në Amerikë, fronin e së cilës, në të ardhmen ta sillte ne Shqipëri.
Një nga ngjarjet më të shënuara të Kishës Ortodokse Shqiptare ka qene Kuvend i datës 16 Mars të vitit 1919, në këtë kuvend u mblodh diaspora shqiptare e Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës. Kuvendi i kërkoi peshkopit rus t’u jepte mundësi që të formonin Peshkopatën Shqiptare të Amerikës dhe të dorëzonte peshkopin e tyre të parë. Për këtë qëllim u bënë shumë kërkesa edhe në kryepeshkopata të tjera. Peshkopi rus premtoi tri here që të dorëzonte Fan Nolin peshkop, por të tri herët u tërhoq. Në rrethana të tilla më 26 Korrik 1919, në kishën e Shën Gjergjit në Boston, Fan Noli ju drejtua të pranishmëve: “Kush e bëri peshkopin e parë fare?” Dhe populli iu përgjigj: “Të parin fare e bëri populli”. “Dhe mua populli të më dorëzojë se jam i pari fare për shqiptarët” – tha Fan Noli.
Nga ana tjetër, Kuvendi i 30 Korrikut 1919 e shpalli Kishën Ortodokse Shqiptare të Amerikës kishë të pavarur dhe Fan Nolin peshkop të saj.
Ndërsa në Amerikë ndodhnin këto ngjarje, në Shqipëri, e cila ishte bërë shesh lufte, mbizotëronin mitropolitët grekë, si Jakovi i Durrësit e pastaj i Korçës, Njoftime kishte se, në Shqipëri vepronin bandat terroriste greke të “kompanive të shenjta”, të cilat vranë Papa Kristo Negovanin në vitin 1904, terrorizuan popullsinë e Shqipërisë së Jugut në vitin 1914, vranë At Stath Melanin në vitin 1917.
Pas gjithë këtyre pengesave, më në fund, më 28 Prill 1921 At Vasil Marku dha të parën meshë shqip në kishën e Shën Gjergjit në Korçë.
Ngjarja më e madhe për Kishën Ortodokse të Shqipërisë ishte mbledhja e një Kongresi gjithëshqiptar në Berat, më 10 Shtator të vitit 1922 ku u aprovua nga kongresi që si qendër e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të ishte Korça. Kongresi vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse të Pavarur Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Kongresi i Beratit u mbyll më 19 Shtator 1922.
Më 21 Nëntor 1923, Sinodi i Pare i themeluar ne Berat, shpalli Fan Nolin kryepeshkop. Ceremonia u bë në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Kështu, sikurse shkruan dhe Fan Noli, pas 500 vjetësh u krijua Sinodi i Parë i Kishës Ortodokse Shqiptare qysh në vitin 1478, kur e gjithë Shqipëria (Arbëria) ra nën sundimin otoman. Ky Sinod i Shenjtë, përbëhej nga Hireotheu, mitropolit i Korçës dhe i Gjirokastrës, Kristofor Kisi, mitropolit i Beratit dhe i Vlorës, Fan Noli, mitropolit i Durrësit dhe i Tiranës. Ky Sinod, sipas Fan Nolit, vijoi deri më 24 Dhjetor 1924, kur Fan Noli u detyrua të largohej nga Shqipëria. Me përkrahjen e qeverisë, erdhi në krye te Kishës Ortodokse të Shqipërisë At Visarion Xhuvani, i cili u shpall kryepeshkop në këtë mënyrë. Në vitin 1929, ai u dërgua nga Sinodi dhe mitropoliti i tij tek Anastasi i Koshavacit. Që aty u thirr në Tiranë dhe tok me peshkopin serb të Shkodrës, si dhe me dy peshkopë të tjerë, Evthim Ikonomin dhe V.Camcen (Agathangjelin), krijuan Sinodin e Dytë të Kishës Ortodokse Shqiptare me kryepeshkop Visarion Xhavanin. Patriarkana Ekumenike e kundërshtoi këtë sinod. Megjithatë, duhet theksuar se V.Xhuvani u tregua shumë energjik. Gjatë kohës që ishte në krye të Kishës, ai mblodhi Kongresin II gjithëortodoks në Korçë, më 16 Qershor 1929.
Nën formulën: “Kishë e lirë në shtet të lirë, kishë e ndarë nga shteti”, u formulua neni 16 i Statutit ku thuhet: “Kryepeshkopi, peshkopët, zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit dhe zëvendësit klerikë të Kryepeshkopit dhe peshkopëve, duhet të jenë prej gjakut dhe gjuhës shqiptare, si dhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”.
Sinodi II i Shenjtë i Kishës Ortodokse Pavarur të Shqipërisë, po i panjohur nga Patrikana Ekumenike u përbë nga, Kryepeshkop dhe peshkop i Tiranës dhe i Durrësit V.Xhuvani, imzot Camce, imzot Ambrozi, imzot Eugjeni. Më vonë ky sinod u plotësua dhe me Ikonomin e Madh, Mitrofor, At Vasil Markun.

Mbreti Zog, gjatë përpjekjeve për të krijuar një stabilitet politik në Shqipëri, ndoqi një politikë neutrale në lidhje me besimet e ndryshme në Shqipëri, duke e ndarë pushtetin nga feja, duke përkrahur pavarësinë e kishës ortodokse si edhe duke preferuar shqiptarë në drejtimin e fesë. Për tre vjet, Zogu pati një konflikt me shkollat katolike (1933-1936), te cilat i mbylli dhe pastaj i hapi prapë. Kjo u bë në kuadër të reformës arsimore. Ka interpretime se kjo lëvizje e Zogut u bë edhe për të mbajtur një ekuilibër fetar dhe për t’i vënë një kufi ekspansionit të gjithanshëm italian në Shqipëri.
Problemi atoqefalisë u bë një nga temat kryesore edhe për mbretin Zog I, i cili dërgoi ministrin ortodoks Kota dy herë në Stamboll për të negociuar, por edhe për të kërcënuar. Në vitin 1933, qeveria e mbretit Zog bëri presion edhe ndaj Xhuvanit që ai të jepte dorëheqjen dhe u ngarkua Kristofor Kisi për të formuar Sinodin e Tretë te Kishës Ortodokse Shqiptare. U arrit që, më 20 Shkurt 1937, qeveria shqiptare të niste delegatë për në Athinë K.Kisin dhe laikun Josif Kedhi.
Kështu, më 12 Prill 1937, Kishës Ortodokse Shqiptare iu njoh zyrtarisht varësia direkte nga patrikana dhe u shpall e pavarur. Dekreti i lartë kishtar, Tomi, iu dorëzua K.Kisit. Me këtë rast, Patriarkana i dërgoi një mesazh Ministrit të Drejtësisë Thoma Orollogaj, Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota.
Tani e tutje, kjo kishë edhe juridikisht e në mënyrë kanonike, vendoste vetë për organizimin e saj, si për caktimin e peshkopëve dhe të peshkopatave, për përkthimin e liturgjisë dhe librave të meshës në gjuhën shqipe, etj.
Nga ana e saj, Patriarkana ruante të drejtën e shpjegimit e të interpretimit të dogmës ortodokse dhe kërkoi që ndër të gjithë peshkopët e mundshëm të fronësuar nga Sinodi i shenjtë i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, dy prej tyre të kishin, për këtë arsye, formim teologjik ortodoks në shkollat greke dhe të kishin jetuar jashtë vendit, d.m.th në Greqi ose në Malin e Shenjtë, për mjaft kohë. Ky ishte i vetmi kusht që vuri Patriarkana Ekumenike.
Sinodi III i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, përbëhej nga Kristofor Kisi, kryepeshkop dhe mitropolit i Durrësit dhe i Tiranës, Agathangjel Çamçe, mitropolit i Beratit, Evllogji Kurnila, mitropolit i Korçës, Pandeli Kotoko, mitropolit i Gjirokastrës.

Është një përgjigje e shkurtër për Anastas Janullatosin dhe për librin e tij si themelues i kishës ortodokse greke dhe shoviniste që nga 1991.

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN