Asqeri Diko Zaloshnja/ Të nderojmë rilindësit tanë dhe 105-Vjetorin e shkollës së parë shqipe në Zaloshnje

1189
Sigal

Përkushtim mësuesit të parë të Skraparit Servet Asllan Zaloshnja dhe të gjithë rilindësve që luftuan me pushkë e penë për gjuhën shqipe

Shekuj shkojnë e kohëra vijnë,

Njerëzve të ndritur në histori,

nuk duhet t’ua harrojmë kurrë,

Veprën e tyre atdhetare – mençurinë.     

 Kështu më pëlqen ta filloj shkrimin historik, për 105-vjetorin e Shkollës Shqipe në Zaloshnje të Skraparit. Kushdo, e kupton dhe futet në brazdat e honet e asaj kohe. Kur vjen muaji i majit, mendja, vetëtimthi, na shkon tek luftëtarët, burrat e Çlirimit e tek Dëshmorët e Atdheut. Data e 5 Majit, na i sjell këta Zgalema, në zemrat tona. Ata që ende rrojnë, u vinë përpara syve, gjëmimet e asaj kohe çlirimtare, kundër armiqve të shumtë. Ajo Ditë, bie erë lufte çlirimtare. Nderim për të Rënët: Dëshmorët e Heronjtë e Shqipërisë! Dëshmorët dhe heronjtë e LANÇ-it, kanë një datë, 5 Majin, po Rilindësit, pse nuk kanë? Në mendje – mendime edhe ata kanë. Në çast, na afrohet 6 Maji i vitit 1909, kur arsimdashësit, vëllezërit e fshatit të Koprenckos, Abdulla e Hasan Koprencko-a, Ali Hamza Koprencka, Meleq Staravecka, baba Fetahu, Sulejman Qafa e Servet Zaloshnja, formuan klubin “Pellazgu”. Shekujt sollën Historinë. Për çudi, data e 5 Majit 1942, na kujton dhe muajin maj 1905, kur Serveti formoi Çetën e Parë në Zaloshnje – Skrapar, me mbi 30 veta nga Zaloshnja dhe të tjerë nga Tomorrica, Skrapari, Berati, Vërça, Sulova, Mallakastra, Kolonja, etj. Por ai muaj, na kujton edhe 10 Majin e vitit 1909, kur u çel Shkolla e Parë Shqipe, nga mësuesi i parë i asaj shkolle dhe njëkohësisht edhe nga komandanti i çetës, Servet Zaloshnja. Janë vite të largëta, të mbushura me histori, me ngjarje luftërash e trimash me shpatë e penë bashkë. Ajo kohë, na sjell një personazh historik të Zaloshnjes, të Skraparit e të Atdheut. Ai është Servet Asllan Dosti, që u lind më 1885 në këtë katund me tradita të vjetra patriotike. Janë gjetur mjaft dokumente për mësuesin e parë, Servetin. Kjo punë, erdhi si rezultat i lidhjeve të mia, të pandërprera, me nipin e tij, Servetin e ri, me Altin Zaloshnjen dhe babanë e tij Agimin, që sot banojnë në Kanada e Amerikë. Por, edhe letra e Bardhylit, djalit  të vetëm të Servetit. Më poshtë do të shkruajmë pak për historinë e të mësuarit shqip të popullit të Zaloshnjes

-MËSONJTORJA E DITURISË ZALOSHNJARE

Kjo është ndërtesa e vjetër e shkollës fillore “Xhevahir Sulaj”. Në këtë shkollë të thjeshtë, por të madhe në dije, mësuan breza të tërë zaloshnjarë me dashuri dhe vullnet të jashtëzakonshëm, me mësuesit e tyre të paharruar, të cilët ishin me kulturë dhe të zotët e mësimdhënies. Nga kjo shkollë, ata morën udhën drejt universiteteve të Atdheut. Kjo ndërtesë e bukur, sa e sa mbledhje e Kuvende lirie ka mbledhur në gjirin e saj? Këtu ka dhënë mësim: Servet Zaloshnja, Halim Gjakova, Hysen Zaloshnja, Petref Therepeli, Hekurane Maksut Zhiti, Kahreman Ylli, Sadete Kraja, Nikolla Salepi, Liri Bega, Yzedin Sheme, Qerim Bergasi, Robert Stefa nga Korça, Vetëtim Bejko e deri tek mësuesit vendas: Baki Çela, Gjolek Diko, Vesel e Mirësi Dyrmishi, Hetem Selimaj, Myzejen Sojati (Selimaj), Nuredin Qato e Gurije Sulaj Qato, Pajtim Dyrmishi, Nuri e Engjëllushe Sojati. Kjo është çerdhja e Diturisë. Ajo është mësënjtoria e parë për atë popull.

-PËRPJEKJE DHE RRUGË PËR ABC-NË NË SKRAPAR

Gjuha shqipe dhe të mësuarit e saj, kanë çarë në shekuj. Shekujt kanë qenë të stuhishëm e të egër për mospërhapjen e mosmësuarjen e gjuhës sonë. Por Shqiponjat e shqiptarizmit, në stuhi dhe në furtunë, kanë çarë në shtigje të thella,  për ta mësuar e për ta lartësuar shqipen e bukur. Sipas dokumenteve të kohës, vitet më të egra për ndalimin e shqipes ishin ato të sundimit të sulltan Abdylhamitit të dytë. Vitet 1881-1908, flasin për një përpjekje të organizuar në trojet shqiptare, për të mësuar e për të përhapur gjuhën shqipe. Mësimet e Rilindësve, sidomos idetë e të madhërishmit Naim Frashëri, për shqipen, u bënë busulla ndriçuese për kombin. Vargjet e Naimit qenë helm për Perandorinë Osmane  dhe shpresë për Atdheun e tij.

Këtë punë e vazhduan e shumë Rilindës të tjerë, duke përfshirë edhe rilindësin e Zaloshnjes, Skraparit dhe të Shqipërisë, Servet Asllan Zaloshnja, i cili sipas programit të Rilindësve të shquar, hapi shkollën e parë shqipe në katundin e vendlindjes së të Parëve të tij. Abetaren e Gjuhës Shqipe që përdori në fshat, më 10 maj 1909 e në vazhdim deri më 1914, tregon për përkushtimin e tij, për të vënë në jetë vendimet e Rilindësve të Shqipërisë, që punonin në Turqi e në atdheun e tij. Backa, Koprencka, Zaloshnja, Tomorrica, Potomi, Çorovoda, Osoja e të ndierit Sejfulla Osoja, teqeja e baba Ahmet Prishtës etj., do të ngriheshin jo vetëm në luftë, por do të uleshin në shtëpitë- shkollë dhe do të mësonin me etje të madhe Udhën e Shkronjave, se pa mësuar nuk kishte liri të vërtetë. Kjo teqe, sipas dokumenteve, është hapur në vitin 1860, vit në të cilin lindi djali i Zaloshnjes, Mahmut Dosti. Idetë jetëdhënëse për gjuhën shqipe të Rilindësve Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Thimi Mitko,Ymer Prizreni, si ideologë, aktivistë, shkrimtarë e organizatorë të Rilindjes Kombëtare, u ndezën të zjarrta edhe në Tomorricë, veçanërisht në fshatin e Zaloshnjes. Idetë jetëdhënëse të rilindësit të shquar, Abdyl Frashëri për pjesët përbërëse të një kombi, si  Gjuha, Historia dhe Jeta shpirtërore, po bëheshin pjesë e përbashkët edhe e rilindësit të shquar të Zaloshnjes, Servet Asllan Zaloshnjes. Lidhja e Prizrenit e vitit 10 qershor 1878, do të ishte edhe për popullin e Skraparit, një busull e madhe ndriçuese për mësimin e përhapjen sa më të shpejtë të gjuhës shqipe. Në Zaloshnje, në mbështetje të dokumenteve arkivore, flitet për një kulturë të vjetër, në drejtim të të mësuarit të gjuhës nga patriotë të zgjuar në fund të shekullit të 19 dhe, sidomos, në fillim të shekullit XX.

-Klubi “Pellazgu” dhe shkolla e parë në Tomorricë

 “… Më  6 maj të vitit 1909 vëllezërit Koprëncka, në bashkëpunim me patriotë të tjerë të krahinës së Skraparit, hapën në Çorovodë klubin,“Pellazgu” në përbërjen e të cilit merrnin pjesë: Abdulla Koprëncka, Meleq Staravecka, Hasan Koprencka, Servet Zaloshnja, Baba Fetahu, Sulejman Qafa. Kryetar u zgjodh Abdulla Koprëncka. Ky këshill e rrezatoi lajmin në të gjithë Skraparin e vendin. Vala ndriçuese erdhi në Zaloshnje nga arsimdashësi Servet Asllan Dosti. Mësimet dhe udhëzimet e nevojshme të këtij klubi i solli të freskëta ky djalë i njomë në moshën 24- vjeçare, në shtëpinë e tij dhe të të ndierit, luftëtarit të hershëm për liri e dituri, Mahmut Dosti, i cili, në bisedat e shumta, kishte folur edhe për gjyshin e Kasëm Trebeshinës. Tek ajo çerdhe diturie erdhën: Petro Nini Luarasi, mësuesi i së Parës shkollë shqipe në  Korçë, luftëtarët e çetave kryengritëse kundër hordhive osmane: Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Sali Butka etj. Kështu  shtëpia e Servetit dhe e Mahmut Dostit, si çerdhja e vjetër e trimave kundër turqve, tashmë u bë shtëpi parashkollë në fshat e në Tomorricë, para e mbas 6  majit 1909. Data 10 maj 1909, do të ishte Dita më e ylbertë për Zaloshnjen, sepse dera e porta e madhe e shtëpisë së tyre shekullore priti popullin për të mësuar ABC-në. Në këtë mënyrë, Zaloshnja u bë fshati i parë në Tomorricë për hapjen e shkollës mëmëdhetare, ndërsa  Servet Dosti, u bë themeluesi e mësuesi i parë i saj.

-NJË VËSHTRIM HISTORIK I TË MËSUARIT TË GJUHËS SHQIPE NË ZALOSHNJE

Me shkollë dhe pa shkollë, zaloshnjarët çanë në rrugët e jetës për liri, pavarësi e dituri. Edhe  pse  shkollë nuk kishte, ky popull e mësonte gjuhën e vet në fshehtësi në rrugë të tjera. Në këtë drejtim me kohë ka patur njerëz, të cilët mësonin në gjimnazin e Beratit, si Servet Zaloshnja. Së pari, lëvizja për përhapjen e gjuhës shqipe, mori një hov të madh mbas Lidhjes së Prizrenit të 10 qershorit 1878 e më vonë. Mbledhja e Frashërit, që udhëhiqej nga patrioti i zjarrtë, nga rilindësi, Abdyl Frashëri, për përhapjen e shqipes e  bashkimin e trojeve shqiptare, shkaktoi një jehonë të përflakur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Skrapar, siç theksuam më lart. Ky Gur Themeltar, do të sillte në vazhdimësi të tjera forma pune organizuese nga Servet Dosti, sidomos mbas shkollës së mesme në Berat. Rruga e përshkruar e të mësuarit të gjuhës shqipe në Zaloshnje ka qenë e gjatë dhe  tepër e vështirë nën sundimin e turqve, si në tërë vendin tonë. Së dyti, vitet 1900- 1914. Maji i vitit1905, Servet Zaloshnjen e solli komandant të Çetës së Parë në Skrapar. Ai ngriti në këmbë kundër osmanëve, jo vetëm fshatin e tij, një Tomorricë a një Skrapar, por shumë krahina të Jugut të vendit, me trimat e tij syshqiponjë, si Beratin, Vërçën, Sulovën, Mallakastrën, Korçën, Devollin, Përmetin, Kolonjën, Gramshin, Tepelenën etj. Në Skrapar ishin formuar disa çeta kryengritëse kundër osmanëve si ajo e Lace Backës, e Tajar Vëndreshës e Servet Zaloshnjes, etj. Idetë e Rilindësve për gjuhën po përparonin. Serveti ishte tepër i zoti dhe i shkathët, si për luftën ashtu edhe për të përhapur shqipen kudo. E gjente kohën për të shkuar në Tomorricë, për të gjetur trimat dhe për çështjen e detyrave të ngarkuara nga Abdyl Frashëri, për gjuhën. Mbledhja ose Kuvendi i Frashërit, i vitit 1906, i drejtuar përsëri nga Abdyl Frashëri, ish valiu i Perandorisë Osmane në Libi, për gjuhën shqipe, hodhi baza më të shëndosha për këtë problem madhor, siç ishte të mësuarit e gjuhës tonë të bukur. Serveti qe përsëri i ndodhur në atë KUVEND  GJUHËSOR . Data 10 maj 1909, bëri që së bashku me të kushëririn, Mahmutin, të hapin shkollën e parë në vendlindje. Në bazë të këtyre përpjekjeve, nga ana e Servetit dhe e Hysenit si mësues, të mbështetur edhe nga fshatarët: Kahreman Dosti, Mahmut Dosti, Hasan Dosti, Sefer Çela, Sulçe Sula Osman Ismaili, Novruz Çarçani, Shahin Dyrmishi, Muhamet  Ismaili, Sako Shimi, Hysen Ismaili e shumë të tjerë, u bë e mundur që të shtoheshin më shumë njerëz për të mësuar, jo vetë nga fshati, por edhe nga disa fshatra të Tomorricës, duke përfshirë edhe individë nga katundet e afërta të Skraparit. Sigurisht që të mësuarit ishte tepër primitiv, vetëm sa për të mësuar shkronjat dhe për të lexuar gradualisht. Gazeta “ Liria”, “Shqiptari i Amerikës”, “Zgjimi i Shqipërisë”, etj., në faqet  gazetareske, po shkruanin me të drejtë, për përpjekjet që bënin Rilindësit e Skraparit, për mësimin e gjuhës së tyre. Të mbështetur në dokumentet e kohës, Serveti së bashku me Hysenin, e vazhduan më së miri punën për mësimin e shqipes. Kjo bëri që më 14 qershor të vitit 1914 në Zaloshnje, të hapet shkolla, shumë më e rregullt se shtëpia– shkollë. Në fillim shkollën e drejtoi vetë Serveti dhe pas shumë përpjekjesh të njerëzve të lartpërmendur, të udhëhequr nga Serveti, u dërgua nga qeveria e asaj kohe, mësues Halim Gjakova. Për një periudhë më të gjatë, por me ndërprerje, duke dhënë mësim 5 herë në javë apo sipas mundësive e drejtoi shkollën Hysen Zaloshnja, nga viti 1915 deri në vitin 1924. Në vitin 1924, Hyseni, u internua nga regjimi zogist, si pjesëmarrës në Revolucionin Demokratik – borgjez të Qershorit 1924. Inteligjenca e Zaloshnjes, kudo që të jetë,duhet ta ketë të qartë se themeluesi, iniciatori, organizatori dhe mësuesi i parë i  shkollës së fshatit, qe Servet Zaloshnja. Ndërsa, Mahmuti qe arsimdashësi e përkrahësi i zjarrtë, që së bashku me Servetin, krijuan mundësitë e kurseve të të mësuarit të gjuhës shqipe. Kjo punë e mençur e Servetit dhe më pas e Hysenit dhe e arsimdashësit Mahmutit, duhet përkujtuar në çdo përvjetor. Do të ishte nder që para shkollës së fshatit, të ngrihej busti i mësuesit të parë dhe shkolla të mbante këtë emër – Servet Asllan Zaloshnja. Ky është mesazhi historik që u drejtoj, vëllezërve, motrave, popullit të vendlindjes time. Kurrë nuk duhet të harrohet brezi i kaluar. Ata që bëjnë Historinë, janë vetë histori e gjallë për të gjallët e jo për të vdekurit.

Vitet 1912- 1914 e më pas, qenë vite lufte. Ushtritë greke, serbe, austro – hungareze, italiane e franceze, donin copëtimin e Shqipërisë. Armiqtë e shumtë nuk donin që të arsimohej vendi. Përpjekjet për këtë qëllim në format nga më të ndryshme, vazhdonin rrugën e tyre. Arsimimi në Zaloshnje po ngrihej në një shkallë më të lartë. Me kujdesin e vazhdueshëm të popullit, të Servet Dostit, të Mahmutit dhe të Hysen Zaloshnjes, djalit të Mahmutit, në shtator të vitit1925, u dërgua në Zaloshnje, nga qeveria e kohës, mësuesi Petref Therepeli. Nëse në vitin1914 mësimi ndërpritej për shkak të luftës, nga viti 1925,  shkolla në Zaloshnje kurrë nuk u ndërpre. Puna e Servet  Dostit, si përçuesi i ideve të  Rilindësve për mësimin e gjuhës shqipe, si organizator dhe themelues i hapjes së shkollës në fshat, Tomorricë, Skrapar dhe atje ku ai luftonte kundër armiqve, është një dëshmi e zjarrtë e këtij njeriu të madh për këtë problem, për gjeneratat që vijnë. Serveti qe rilindësi, më i zoti, më apasionanti, më i shquari në rrugën e përhapjes së Gjuhës së Atdheut. Ai është Ylli i Lirisë dhe i Gjuhës në fshat, Skrapar e atje ku luftoi. I tillë, u bë më pas e Hyseni. Në shtator të vitit mësimor 1928-1929, nxënësit e këtij fshati, hynë të gëzuar në lokalin e ri të shkollës, të ndërtuar me kujdesin e vetë fshatit, pa ndihmën më të vogël të qeverisë së asaj kohe. Shkolla e re, u ndërtua në kopshtin e Selman Mane Shimit, i cili e dha tokën e tij, pa marr asnjë shpërblim, pavarësisht se ishte shumë i varfër. Ky lokal ka vazhduar si shkollë deri në vitin 1937. Në vitin 1937, po në këtë vend, mbas 9 vjetësh, u ndërtua shkolla e re, që është edhe sot. Edhe kësaj radhe, shkolla u ndërtua me kujdesin e vet popullit të Zaloshnjes. Në vitin 1914, ka pasur 19 nxënës, në vitin1915- 1933 ka patur 20 nxënës, në vitin 1936-1949 kanë mësuar 25- 30 nxënës, në vitet 1950-1968 kanë mësuar 30- 42 nxënës, në vitin 1968 -71 rreth 42- 48 nxënës dhe nga viti 1972-73 kanë mësuar deri në 73 nxënës. Shumicën e nxënësve e përbënin djemtë. Këto të dhëna arkivore, për rrugën që përshkoi të mësuarit e gjuhës shqipe në fshat, vërtetojnë plotësisht për punën e shkëlqyer që ka bërë Servet trimi. Gjatë kësaj kohe, ajo shkollë përgatiti djelmoshat për në luftën çlirimtare. Shtëpia e Servetit  dhe shkolla fillore, mësoi shumë nxënës me pasion e vullnet të patreguar për të ardhmen. Kjo shkollë e thjeshtë, u dukej diçka e shenjtë. E shenjtë se tani gjuha mësohej e lirë pa frikë nga osmanët. Kështu vazhdoi problemi i shkollës deri në çlirimin e vendit. Një udhë e gjatë në mes të Perandorisë Osmane. Një udhë me pushkë e penë. Ky fshat pati një fat të madh, se Servet Zaloshnja qe edhe komandant i çetës, edhe mësuesi i parë në ato vite të rënda pushtimi.  Dokumentet e vjetra, janë historia e gjallë e kohërave. Ato na lanë historinë e njerëzve, që janë sfilitur për këtë truall ilir.

-Mësonjëtorja “Xhevahir Sulaj”, Zaloshnje, e vitit mësimor 1928-‘29

Kjo mësonjëtore na i çon mendjen në ditën e parë të hapjes së rregullt të shkollës, më 14 qershor 1914, me mësues Servet Zaloshnja, me 19 nxënës dhe më pas me mësues, Halim Gjakova. Po ashtu, kjo ndërtesë e Diturisë, na kujton ditën e parë të shkollës fillore, me mësues Foti Nikollën dhe më pas me mësues Baki Çelën që na mësuan me dashuri e zell të madh. Kur vëren këtë ndërtesë shkollore, ditari i kujtimeve të mia ripërtërihet. Mbresat a kujtimet e asaj shkolle, bëhen edhe më prekëse.