Sigal

ARKIV/ Flet Gjeneral Major në rezervë Kostaq Karoli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

KOSTAQ KAROLI

Ushtria në luftë, një muaj rezerva të paprekshme

Fortifikimi, ja pse u ndërtuan 176 mijë bunkerë

Leonard VEIZI

 

(vijon nga numri i kaluar)

Karriera e një gjenerali

Nga komandant toge, në krye të ushtrisë

Prof. Dr. Gjeneral Major (në rezervë) Kostaq Karoli, gjatë jetës së tij 41 vjeçare si ushtarak karriere ka shërbyer:

1965 – 1967 –Komandant toge, zëvendëskomandant kompanie

1967 – 1972 – Pedagog i stërvitjes së zjarrit në Shkollën e Oficerëve

1971 – 1978 – Pedagog në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë

1978 – 1981 – Shef i katedrës së përgatitjes taktiko-operative dhe zv/shef i Fakultetit Gjitharmësh në Akademinë e Mbrojtjes.

1981 – 1983 – Komandant i Brigadës 23 të Këmbësorisë në Rrëshen

1983 – 1991 – Komandant i Akademisë së Mbrojtjes, Tiranë

1991 – 1992 – Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes

1993 – 1994 –Komandant i Forcave Vullnetare të Tiranës (ish- Korpusi 10 territorial)

1998 – 2000 – Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes, Tiranë

2000 – 2006 – Komandant i Forcave Tokësore

Qershor 2006 në Rezervë

ARKIVAT

Fortifikimi me orgjinalitetin shqiptar

Prishja me Bashkimin Sovjetik dhe ngushtimi i izolimit të vendit, çoi në ndryshime strukturore të Forcave të Armatosura dhe organizimin e fortifikimit në çdo metër katror të vendit. Por shumë kuadro madhorë që projektuan e hartuan kursin e ri të Ushtrisë e Mbrojtjes së vendit, përfshi dhe realizimin e fortifikimit, shpejt do të ndëshkoheshin nga regjimi i kohës. Referuar arkivave (AQSH dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes) intensiteti më i lartë i fortifikimit në Shqipëri ishte në vitet 1975-1983, ku u përfshi gjithë territori i Republikës, sipas një ideje të qartë nga ana ushtarake, me një organizim e disiplinë të lartë. Fortifikimi vazhdoi 7 vjet, aq sa vazhdoi fortifikimi i vijës “Mazhino” në Francën e Luftës së Dytë Botërore dhe jo 13 vjet, sa vazhdoi fortifikimi i vijës “Monerheim” në Finlandë. Fortifikimi ynë, që nga projektimi, në realizim e deri në funksionim, krahas eksperiencës së huaj, ka origjinalitetin shqiptar. Ky fortifikim, sipas projektuesve e realizuesve mund t’u rezistojë të gjithë kalibrave të Artilerisë dhe bombave të aviacionit me peshë deri 500 kg. Ato vite janë ndërtuar të paktën 9 qendra zjarri për skuadër dhe afërsisht ishin 6750 skuadra, baras me 60.750 qendra zjarri (QZ). Këto vetëm për repartet permanente në rajonet e detyrave luftarake dhe vetëm për këmbësorisë. Llogaritë përafërsisht ishin bërë edhe në lëvizjet nga një rajon në tjetrin, pra, tre herë më shume se kaq. Në Batalionin e Këmbësorisë, sipas drejtimeve dhe sipas organikës së tyre specifike ishin llogaritur afërsisht 350-450- Qendra Zjarri për çdo batalion këmbësorie. Në fortifikimin e vendit morën pjesë dhe e drejtuan kuadrot më të përgatitur të ushtrisë në këtë fushë, një pjesë e të cilëve nuk i shpëtuan ndëshkimit të rëndë, kryesisht ushtarakët e përfshirë në “grupet armiqësore” të zbuluara e të dënuara në vitet 1974 dhe 1982.

Përveç detyrës për të mbajtur të patrazuara forcat e ushtrisë, mbi supet e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm do të binin njëra pas tjetrës dhe disa përgjegjësi të reja. Nuk ishte e lehtë të ndërmerrje reformat e para demokratike në një ushtri që ishte mësuar me një doktrinë krejt ndryshe. “Herezia” e heqjes së funksionit parazit të komisarit dhe kthimin e tyre nga punëtorë partie në punëtorë social, tregoi qartë se që nga ai çast dominimi i rolit të partisë mbi komandantin e ushtrisë kishte marrë fund. Të rivendosje yjet mbi supet e ushtarakëve të ç’mësuar nga hierarkia e gradave ishte po aq problematike. Dhe po aq shokuese ishte të mendoje për formulimin e një kërkesë, e cila do të çonte drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pasi kishte provuar kuadratimin në Traktatin Lindor të Varshavës. Por të gjitha këto u kaluan dhe frika e një “puçi” të mundshëm ushtarak u fashit. Vitet 1991-1992, kur u ndërruan tre qeveri në fare pak muaj, mund të sillte dhe shpërfytyrime të tjera, ndërkohë që do të sillte dhe erën e re të ndryshimeve në strukturën e ushtrisë shqiptare.

Tani thuhet pa asnjë rezervë se, fortifikimi ishte pjesë e marrëzisë kolektive. Por në vitet ‘70-‘80 nuk ishte e lehtë të shqiptoje qoftë dhe një gjysmë fjale kundër bunkerizimit të vendit. Ideja për të përballuar një koalicion të gjerë armiqsh, apo dhe një armik të vetëm, bëri që në Shqipëri të merreshin masa për t’u ndërtuar një seri qendra zjarri. Por sa të tilla do të montohesh në relievin shqiptar, kur fillimisht shifrat që u publikuan ishin alarmante. Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Kostaq Karoli, gjatë intervistës për “Telegraf” midis të tjerash sqaron dhe çështjen e fortifikimit:

Numrin e kaluar ju folët për organizimin e njësive të ushtrisë Shqiptare. Cila ishte përparësia tjetër që i bënte më të sigurta ato, në rast konflikti?

Një sistemi i gjerë vrojtimi e të zbulimit të lidhur ngushtë me sistemin e lajmërimit e të reagimit. 17-20 posta radioteknike të këtij sistemi, të cilat mund të kapnin shenjat ajrore deri në 300 kilometra larg prej kufirit tonë shtetëror.

Si ishte i ndërtuar sektori i prapavijës dhe i furnizimeve për këtë tip ushtrie?

Të gjitha këto sa thamë më sipër kishin një mbështetje të fuqishme me municion, me teknikë, pjesë këmbimi, rezerva ushqimore e shëndetësore. Ato ishin të skalionuara sipas njësive: në Brigadat e skalionit të parë, rezervat e paprekshme ishin për 15 ditë luftimi, ndërsa për Divizionet këto rezerva të paprekshme ishin për 25 ditë luftimi. Kishte rajone, si për shembull Sazani, që rezervat e paprekshme ishin për 6 muaj. Pra siç shihet ishte një fuqi jo e vogël ushtarake për kohën, e gatshme për të përballuar situatat që mund të krijoheshin.

Fortifikimi, a ishte e nevojshme të bëheshin aq shumë bunkerë, apo u ideua mbrojtja në thellësi sipas vijave “Mazhino” dhe “Monerheim”?

Fortifikimi ka qenë, veçanërisht pas viteve ’92, një problem që është përfolur shumë. Sigurisht që secili mund të ketë mendimin e tij dhe nuk do të marr mundimin të sqaroj apo të ndryshojë mendimet që shfaqen, por shkurtimisht dua të evidentoj disa probleme.

Cilat janë këto probleme?

Pas viteve ‘70, në shtetet kryesore, puna e gjerë kërkimore shkencore në fushën ushtarake, e zhvilluar për një kohë të gjatë, po jepte rezultatet e saj. Me hapa të shpejta po rinovohej teknika e aviacionit, flotës, tankeve e transportuesve të blinduar. Helikopteri po bëhej pjesë e pandarë e çdo luftimi duke u konsideruar si “tanku i ajrit”. Rraketat e llojeve të ndryshme po bëheshin pjesë organike e reparteve dhe njësive. Po ndryshonin në mënyrë rrënjësore mjetet e drejtimit dhe të luftës elektronike. Po rritej fuqia e zjarrit të artilerisë tokësore, larghedhja dhe shpejtësia e hapjes dhe drejtimit të zjarrit. Të gjitha këto, për shkak të pamundësisë apo të kostos financiare që kishte blerja e teknikave të reja, si dhe nisur nga qëllimi për të mbrojtur vendin, çuan midis të tjerave në rrugën e fortifikimit. “Luftën e Ftohtë”, nuk e shpikëm ne, por ne paguanim pasojat e saj.

A ka qenë barrë e madhe për Shqipërinë, fortifikimi?

Sot gjithkush mund të shfaqi mendime dhe të bëjë konstatime. Personalisht mund të kem vërejtje për ritmin e lartë dhe kohën e shkurtër në të cilën u bë fortifikimi i vendit, për dendësinë e tij, për vendosje të gabuara të elementëve të veçantë të tij, etj., por për kohën dhe situatën e atëhershme, ishte një rrugë efikase për mbrojtjen.

Çfarë thotë literatura botërore për fortifikimet?

Nuk do të sjell argumente, por do t’i referohem shkurtimisht studiuesit amerikan T.N.Dupoi. Në librin e tij “Historia dhe Teoria e Luftës. Kuptimi i Luftës” ai në lidhje me fortifikimin, në faqen 20-21, shkruan: “Shanset e mbrojtjes për fitore, janë në përpjesëtim të drejtë me shkallën e fortifikimit…  …Kurrë ndonjëherë gjatë tërë historisë nuk është dobësuar mbrojtja nga prania e fortifikimit…  …veprat mbrojtëse gjithmonë e rrisim fuqinë luftarake. Më e pakta që mund të bëjnë fortifikimet është të vonojë një mësymës dhe t’i rritin atij humbjet… …Në rastin më të mirë, fortifikimet do të mundësojnë mbrojtësin t’i shkaktojë disfatë mësymësit”. Dhe kur në këto fortifikata, siç ka dhënë dikur baroni Von Kinser: “Ka burra trima me zemër luani si shqiptarët”, kuptohet sesa të fuqishme bëheshin vijat e mbrojtjes.

Sa qendra zjarri u ndërtuan në Shqipëri?

Është spekuluar shumë me shifrën e qendrave të zjarrit. Ka pasur deklarata kundërshtuese ku një herë thuhej për 700 mijë bunkerë e një herë për 360 mijë. Por e vërteta është se ato ishin gjithsesi 176 mijë copë. Megjithatë ju e bëni pyetjen për “bunkerët”, gjë që është vetëm një pjesë e fortifikimit.

Me çfarë do të plotësohej ky kuadër?

Në fakt ai nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të pëmendnim sistemin e strehimeve për mbrojtjen e popullsisë, sistemin e vendkomandave, i cili është ndërtuar i gjithi nën tokë, baza ajrore e Gjadrit dhe bazat detare të ndërtuara në Shëngjin e Palermo, të cilat janë vepra madhore e të rralla në llojin e tyre, sistemi i ndërlidhjes telefonike i cili është i groposur i gjithi nën tokë, etj.. I gjithë ky sistem fortifikimesh  u bë  me mundit, djersën e gjakun e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarakëve, me një kosto minimale të domosdoshme

Asgjësimi i ministrave të mbrojtjes

Pasojat në ushtri pas eliminimit të Ballukut, Shehut e Hazbiut

Jo vetëm reforma të njëpasnjëshme. Në kufirin e 7-8 viteve 3 ministra cilësohen “të asgjësuar” në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes. Në fillim Baqer Balluku, por nuk do të vononin dhe dy të tjerë që do të zinin vendin e tij. Por cilat do të ishin pasojat mbi ushtrinë shqiptare pas vetëvrasjes zyrtare të Mehmet Shehut dhe arrestimit dhe pushkatimit një vit më vonë të Kadri Hazbiut, të dy si ish- ministra të Mbrojtjes? Ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Kostaq Karoli thotë: “Patjetër, dënimi i çdo ministri nuk ishte thjesht dënimi i tij.

Ai shoqërohej me mjaft largime e dënime të kuadrove ushtarake. Po t’i referohemi përvojës, çdo ministër i dënuar, është shoqëruar me dënimin apo largimin nga detyra të zëvendësministrave, shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtorëve të aparatit të Ministrisë, të komandantëve të korpuseve apo divizioneve më pas, dhe të kuadrove të ndryshme. Sigurisht kjo e dëmtonte ushtrinë jo vetëm në aspektin psikologjik, por dhe në atë profesional.

Krijohej gjithmonë një boshllëk në transmentimin e përvojës, të shkëputjes së traditës së brezave, gjë që reflektohej në metodat e përgatitjes së kuadrove dhe trupës, në çështjet e disiplinës dhe të marrëdhënieve me njëri -tjetrin, etj”.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Çfarë solli riorganizimi i ushtrisë, shkrirja e korpuseve dhe formimi i divizioneve

-Cilat ishin normat e gatishmërisë së ushtrisë, krahasimisht me të vendeve të tjera

-Në sa pika ishte e hapur ushtria dhe cila ishte fuqia me të cilën mbrohej vendi