Arrestimi i Skënder Muços dhe dështimi i një “Normandie” shqiptare-Gusht 1944

2230
Ergys ALUSHI
Atë ditë, 10 gusht 1944, një patrullë e përforcuar gjermane, i kishte shtuar kontrollet në dalje të urës së Izvorit, në aksin rrugor Vlorë-Orikum pranë kthesës që të shpie në fshatin Tragjas. Kontrolloheshin rreptësisht dhe një për një të gjitha makinat dhe njerëzit që udhëtonin me to, nga Dukati për në drejtim të Vlorës. Nuk tolerohej asnjë makinë, qoftë edhe kjo ndonjë makinë, drejtuesi i së cilës njihej si mbështetës i gjermanëve në zonën e Vlorës. Gjermanët dikë kërkonin dhe për këtë kishin informatën e sigurt, se ai që kërkonin do të kalonte atë ditë, pikërisht aty. Nuk kishte ndodhur më parë që gjermanët të ushtronin një kontroll kaq të rreptë e të patolerueshëm në atë vend, që ndodhej në zonën e që nuk kishte përbërë ndonjë problem sigurie e qetësie për ata pak ushtarë gjermanë që vepronin aty. Vendosja e misioneve anglo-amerikane në gadishullin e Karaburunit ishte e vetmja prishëse e qetësisë së gjermanëve në zonën e Tragjas-Dukatit. Dhe gjermanët e gjetën atë që kërkonin, informata kishte qenë e sigurt. Teksa ndaluan një kamioncinë të vogël, me disa njerëz të ulur lart në të, ndërsa u kontrolluan dokumentet, mësuan se njëri prej tyre ishte ai që kërkonin, Skënder Muco dhe dy të tjerët, shokët që e shoqëronin kudo që shkonte, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini. I zbritën nga makina me gjithë kundërshtimin e njerëzve të tjerë që ndodheshin në makinë dhe i hipën në një makinë e tyre ushtarake, për t’u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Tre njerëzit ma vonë u gjetën të vrarë, të lidhur këmbë e duar, në anë të rrugës, në afërsi të fshatit Lushnje.

Misteri i vrasjes
Përse gjermanët e vranë gjatë rrugës Skënder Muçon, ndërkohë që duhet ta dërgonin në Tiranë, për ta marrë në pyetje, për planet e anglezëve në Vlorë?
Çfarë duhet të ketë ndodhur gjatë rrugës që gjermanët e kana ekzekutuar avokatin e njohur për kohën?
Përse nuk e çuan në Tiranë, por e vranë rrugës, do të ketë ardhur patjetër një urdhër për ta ekzekutuar nga komanda gjermane si ai që kishte urdhëruar arrestimin e tij? 
A kanë tentuar të arrestuarit t’u ikin ushtarëve gjermanë dhe për këtë janë qëlluar e janë vrarë, në anë të një kanali, në Lushnjë?
Misteri për vrasjen në atë mënyrë i Skënder Muços , kur ishte i shumëkërkuar nga gjermanët dhe çelësi për të mësuar mbi planet e anglezëve, vazhdon të mbetet i tillë.

Dyshimet për arrestimin e Skënder Muços
Një ngjarje, e cila ende vazhdon të mbetet një mister, për mënyrën sesi u krye arrestimi, kush e spiunoi tek gjermanët Skënder Muçon, dhe përse komanda gjermane në Shqipëri dërgoi njerëzit e vet të besuar në Vlorë për ta kryer një arrestim të tillë. Operacioni për arrestimin e njeriut të shumëkërkuar nga gjermanët, është kryer në fshehtësi të plotë dhe në masa të rrepta sigurie. Burime të kohës kanë rrëfyer, se e gjithë zona ishte e rrethuar dhe në kodrën pranë rrugës ishte vendosur një mitraloz i rëndë. Ai është kapur nga gjermanët në afërsi të urës së Orikumit, Izvor, ku një skuadër e përzgjedhur ushtarësh gjermanë kontrollonin makinat dhe njerëzit me fotografinë e njeriut që kërkonin, për të cilin e kishin informacionin të sigurt se do të kalonte atë ditë në atë aks rrugor. Burime të ndryshme historike flasin se Skënder Muço mund të jetë spiunuar te gjermanët nga prefekti i Vlorës i asaj kohe, Vizhdan Risilia, ndërkohë që të tjerë përflasin emrin e Vehbi Frashërit, djali i Mehdi Frashërit, për arsye familjare, por që me dokumente zyrtare, nuk është vërtetuar asnjë nga emrat e mësipërm. Por, ka pasur dhe pretendime që Skënder Muço mund të jetë spiunuar te gjermanët nga komunistët, të cilët e konsideronin të rrezikshëm dhe si një rival për pushtetin e ardhshëm, për shkak të lidhjeve të forta me anglezët.

Shkresa e prefekturës së Vlorës
Në shkresën nr.355 të datës 11 gusht 1944, prefektura e Vlorës, i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme :
“Informohemi se avokat Skënder Muço, me disa të tjerë, në ditën e djeshme ( datë 10 gusht ) është arrestuar prej komandës gjermane në rrugën e Tragjasit, kur ktheheshin për në Vlorë dhe janë përcjellë për në Tiranë. Komanda gjermane e këtushme refuzon kategorikisht dhënien e shpjegimeve kësaj Prefekture. Lutemi ndërmjetësoni ku duhet për lirimin e tyre. Prefekti Vizhdan Risilia” Por, përderisa Vizhdan Risilia me cilësinë e prefektit e ka dërguar një shkresë të tillë, atëherë kush e ka spiunuar Skënder Muçon e dy të tjerët, te gjermanët? Nga shkresa kuptohet se komanda gjermane e Vlorës ka qenë në kushtet e një sekreti të plotë ose të mungesës së informacionit për dhënien e informacionit prefekturës, për arrestimin e bujshëm, duke lënë të kuptohet, se komanda më lart se ata nga Tirana kanë pasur dijeni për arrestimin.

Po çfarë rreziku paraqiste Skënder Muço për gjermanët?
Një arrestim i cili ndoshta vërtet mund të ketë shmangur një “Normandi” shqiptare, që do të thotë zbarkimi i trupave aleate kundër Gjermanisë naziste, në brigjet e Vlorës, ashtu si zbarkuan në Normandinë e largët në Francë. Misioni anglo-amerikan në atë kohë ishte i vendosur në Memuç të Dukatit, në zonën e Karaburunit, në pritje të një zbarkimi të mundshëm dhe hapjen e një fronti të ri lufte kundër ushtrisë gjermane. Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe ndoshta mund të ishte njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë te përbashkët kundër gjermanëve e të tjera tipare.

Rrëfimi i Petrit Velaj
Në rrëfimet e tij “Një dritare burgu”, Petrit Velaj, bashkëkohës me Skënder Muçon, do ta kujtojë kështu arrestimin dhe vrasjen e avokatit të njohur; “E kam dëgjuar nga goja e Mit’hat Frashërit kur na tha – ‘Ishte avokat Muço, i cili do të na nxirrte nga gjendja katastrofike ku po jeton gjithë vendi. Ai ishte ndërlidhësi i Shtabit të Mesdheut, me forcat e Ballit Kombëtar Shqiptar. Ai kishte organizuar zbarkimin e shpejtë të trupave aleate në Dukat dhe Bregdet. Siç duket, siç më ka thënë edhe Mit’hat Frashëri, gjermanët nga agjentët e tyre e kanë marë vesh punën e bërë nga Skënder Muço.”

Arkivat britanike
Nga arkivat britanike, që i referohen oficerit anglez, Antoni Kuejl, i cili ishte i ngarkuar me misionin “Sapling”, në bregdetin e Vlorës, mëson ndër të tjera se; “Skënder Muço, shefi i Balkom-it në zonën e Vlorës, dhe përfaqësues i komitetit të Balkom-it, u ka bërë një vizitë oficerëve ndërlidhës britanikë në një mision nga Presidenti i Komitetit. Ai tha, se partia e tij është e gatshme të shërbejë nën urdhrat e britanikëve, por ai dëshiron më parë të vizitojë Kajron dhe të marrë garanci nga aleatët për pavarësinë e Shqipërisë. Së dyti, ai dëshiron që bandat partizane të shtypen. Kërkesat e tjera të tij, për rikthimin e ishullit të Sazanit, në gjirin e Vlorës, Shqipërisë, dëmshpërblimi nga ana e Italisë dhe diskutimi i përfaqësisë shqiptare në Londër, por dhe mundësia e një federate ballkanike që Balkom-i ka prirje ta favorizojë”. 

Kush ishte Skënder Muço?
Ai ka lindur ne Tragjas të Vlorës, më 1904. Në Itali është diplomuar për drejtësi, duke qenë një nga studentët më të mirë. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në Kryengritjen e Qershorit 1924. Në vitin 1932 arrestohet nga Zogu si një nga komplotistët e Vlorës më vitin 1932 dhe dënohet me burg, ku del në vitin 1938. Është një nga themeluesit e Ballit Kombëtar Shqiptar dhe një nga drejtuesit kryesor të saj në Vlorë. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në Konferencën e Labinotit më shtator 1942. Në 12 përfaqësuesit e Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes, Skënder Muço ishte një prej tyre, duke u zgjedhur në këtë Konferencë anëtar i Komitetit për Shpëtim Kombëtar, që përbëhej nga 12 anëtarë, 6 të Ballit e 6 të PKSH. Në tetor të vitit 1943 është një ndër themeluesit e Partisë Socialdemokrate. Skënder Muço do të bashkohet me misionet angleze e amerikane që filluan të vepronin në Shqipëri në tetor të vitit 1943 dhe që kishin për qëllim çlirimin e Shqipërisë nga Gjermania naziste. Gëzonte një emër të mirë në krahinën e Vlorës dhe për këtë nuk shihej me sy të mirë nga ata që kontrollonin PK në Vlorë, të cilët urdhërojnë vrasjen e tij, por u shpëton dy atentateve në verë të vitit 1943, atentate që ishin të shpeshta në Vlorë në atë kohë. 
Sigal