Armatimi dhe depot e ushtrisë/ Rrëfimi i ish-shefit të armatim-municionit: Si u mbushën depot me armatim nga BS dhe Kina. Uzinat e prodhimit dhe pse djersën e ushtarakëve e përfituan trafikantët

2604
Sigal

ARKIV/ Flet Myrto Jonuzi, ish-shefi i prapavijës dhe armatim-municionit në Brigadës së këmbësorisë në Divizionin e 5-të

Histori i shkurtër

 

Si funksiononte intendenca e ushtrisë shqiptare

Depot e para të armatim-municionit kanë qenë depot e Mirakës në Elbasan të ndërtuara në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Këto depo luajtën një rol shumë të madh në Provokacionet e Gushtit të vitit 1949 për arsye së bënë furnizimin e frontit të jugut të ushtrisë. Kjo ishte dhe eksperienca e parë e furnizimit të ushtrisë me armatim e municion me situata të jashtëzakonshme, siç ishte situata e luftës në fjalë. Baza e furnizimit të Tiranës origjinën e saj fillimisht e ka nga depot e ushqimit dhe të veshmbathjes të krijuara fill pas Luftës, tek kazermat italiane pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit. Më pas bashkë me repartet e tjera të furnizimit të ushtrisë u krijua Baza e Furnizimit nr.1 të Tiranës. Ndërkohë çdo njësi kishte dhe depot e armatimit të saj.

Municionet

BS dhe Kina, si i mbushën depot e armatimit

Mbasi marrëdhëniet Shqipëri – Bashkimi Sovjetik u ndërprenë, filluan marrëdhëniet intensive me Kinën. Ishin vite kur tunelet e ushtrisë filluan të mbushen me municion që vinte nga Kina. Sidomos që nga fishekët e lehtë model 56 12.7 mm kundërajrorë. 14.4 mm kundërajror. Dhe nga 23 mm top kundërajror deri kalibrat 152 mm top obuz dhe municionet e murtajës 160 mm si dhe raketat të tipeve të ndryshme jo të fuqisë tokë-tokë apo tokë-ajër, por të kalibrit 40 mm reaktive 75 mm pa sprapsje 132 mm katjushat ardhur nga Rusia e Kina dhe 130 mm reaktive.

 

Prodhimi vendas

Me ndërtimin e uzinës së Poliçanit pas viteve ‘70 filloi dhe prodhimi i një pjese të municionit në vend, sidomos i fishekëve të lehtë dhe i shtimeve të mortajave dhe predhave 82 mm dhe 120 mm. Municioni që filloi të prodhohej të Poliçan përbënin një ardhje të madhe jo vetëm në Depot e Qafë-Mollës së Dajtit, por dhe në depot e reparteve të tjera të ushtrisë

 

Ja si i ruanim armatimet në depot e ushtrisë

 

Municionet, në kushtet e sigurisë maksimale

 

Ata kanë rrezikuar jetën në çdo ditë të jetës së tyre, por nuk janë tërhequr asnjëherë. Mund të cilësohen dhe si “heronj të heshtur”, por ndoshta kanë bërë vetëm detyrën me përkushtim dhe asgjë më shumë. Megjithatë, fakti që në depot që ata kishin nën kontroll, të mbushura plot me municion nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e jashtëzakonshme për vite me radhë, e më tej, u jep të drejtën të ndihen krenarë. Vetëm një shkëndijë e krijuar nga një veprim i pakujdesshëm, një goditje e pavullnetshme apo lëshim me forcë i një arme municioni dhe vështirë se nga trupi i tyre do të gjendej ndonjë pjesë. Por kjo nuk ka ndodhur. Dhe ata vazhdonin të paraqiteshin çdo mëngjes në orën 07.00 në postbllokun e repartit për të vazhduar ritin e përditshëm, instruktazhin, kontrollin fizik të municioneve dhe sistemimin e tyre deri në përpikëri .Tanimë pensionet i kanë të ulëta, por ata nuk kanë ndër mend të tërhiqen dhe as të trishtohen për këtë padrejtësi që u bëhet në vazhdim. Madje janë bërë edhe më solidarë, megjithëse qeveria nuk ka denjuar as ‘t’u japë të drejtën që u ka njohur Gjykata Kushtetuese për rritjen e pensioneve në bazë të një vendimi të marrë nga qeveria e dikurshme “Nano”. Por në fakt janë të gatshëm që nëse do të thërriteshin “nën armë” të marrin armatimin personal, kompletin e fishekëve dhe kundragazin personal dhe të zënë vendin që do t’u caktojnë në bunkerin e luftës.

Kanë qenë të gjithë ushtarakë karriere, por tani cilësohen “në rezervë”. Mblidhen çdo ditën në të njëjtin lokal dhe pasi kanë qarë ndonjë hall familjar me njëri -tjetrin, biseda devijon si gjithmonë në të njëjtin vend, problemet ushtarake. Mes tyre, Myrto Jonuzi, ish shefi i prapavijës dhe armatim-municionit në Brigadës së këmbësorisë në Divizionin e 5-të në Tiranë, thotë se “ushtria ishte kur ishte”, duke lënë të nënkuptohet lehtë se disiplina dhe gatishmëria ushtarake e para viteve ’90 as që ka të krahasuar më atë që ndodh sot edhe pse tundet me të madhe flamuri si kandidatët e mundshëm për në NATO. Duke kujtuar Gërdecin, 1 vjetori i të cilit do vetëm pak ditë që të mbërrijë, dhe historinë tragjikë të shpërthimit të municioneve, Myrto Jonuzi shprehet se njësinë ku ai kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për armatim municionin nuk ka ndodhur asnjëherë ndonjë incident ku të ketë plasur qoftë dhe një predhë e vetme.

Ju keni qenë shefi i sektorit të municion-armatimit. Cili ishte kujdesi që i kushtohej një sektori të tillë?

Sektori i armatimit është nga më të rëndësishmit në ushtri. Sepse në rast lufte, për të cilën përgatitet dhe ushtria, gjëja e parë është pajisja e çdo ushtaraku me kompletin luftarak, armë e municion. Natyrisht gjithçka duhet të jetë nën kontroll, por në veçanti municionet e artilerisë e këmbësorisë, kërkonin një kujdes shumë të veçantë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Prandaj i gjithë kontigjenti ruhej në objekte të përshtatshme me të dhënat korrekte të balistikës, të temperaturës dhe lagështisë. Kjo me qëllim që as të mos shkaktonin rrezik dhe as të mos bëheshin të papërdorshëm.

Cila ishte procedura për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e armatim municionit në njësi?

Në depo municioni ruhej e kontrollohej çdo ditë sipas rregullores. Unë po ju them se depot e brigadës, të cilat kisha në vartësi, ishin model. Gjithçka në depo ishte shumë e saktë. Predhat ishin të vendosura në seri sipas kalibrave. Djegoret, meqenëse ishin majat të ndjeshme ruheshin në vende të veçanta, të vendosura në arka metalikë të vulosura. Ato montoheshin vetëm në rast qitje, apo nëse ishe në gatishmëri, situatë lufte. Në të kundërt përbënin rrezik të madh. Një pakujdesi e vogël mund të sillte pasoja të mëdha, jo vetëm për repartin, por edhe për vetë zonën përreth.

Gjatë karrierës suaj a ju ka ndodhur ndonjë incident në këto depo?

Ne nuk na ka ndodhur asnjë ngjarje e jashtëzakonshme. Për shkak se çdo gjë ishte e parashikuar, mundësia që të ndodhnin ngjarje të jashtëzakonshme ishin në minimumin e tyre. Shpërthime të tilla ndodhin vetëm sepse hiqet dorë nga zbatimi i rregullores, si dhe hiqet dorë nga sigurimi teknik. Këto janë dhe elementët bazë të mbarëvajtjes së një pune të tillë me rrezikshmëri të lartë.

Ata që merreshin me armatim municionet ishin ushtarakë apo teknikë?

Absolutisht, ata ishin njerëz të kualifikuar. Ishte një punë voluminoze me strese me rrezikshmëri të madhe, por që kërkonte rregull disiplinë të fortë pa asnjë lëshim. Kërkonte një personel të kualifikuar që nga ushtari, magazinieri dhe oficeri specialist.

Çfarë armatimi dhe municioni kishte në përdorim njësia ku shërbenit?

Brigada jonë ishte rezervë e Komandës së Përgjithshme. Ashtu si dhe pjesa tjetër e ushtrisë kishim armatim e municion sovjetik, por më shumë kinez. Më pas predha të kalibrave të ndryshëm prodhonte dhe uzina e armëve në Poliçan, por jo djegore. Ato vinin të gatshme. Ndërkohë prodhimit vendas iu shtuan dhe pushkët model ’56 me 20 fishekë.

Sa municion kishte një Brigadë?

Në fakt llogorja bëhet me komplete luftarake. Brigada jonë kishte pak a shumë 350 ton municion që konsiderohej si municion që do të përdorej për vijnë e parë të sulmit. Pastaj duhet të furnizohej nga depot e municioneve.

Disiplina

Procedim penal për magazinierin që “humbi” pistoletën

Po a ka pasur raste të “humbjes” apo shpërdorimit të municioneve në Brigadën e Këmbësorisë, pjesë e Divizionit të 5-të. Ish shefi i intendencës dhe armatim municionit pranë kësaj njësie, Myrto Jonuzi thotë:Ushtria shqiptare ka pasur rregulla të rrepta. Në Brigadën e Këmbësorisë kemi pasur vetëm një rast kur një magazinierit tonë, nga inventari doli se i mungonte një pistoletë. Ai pretendonte se ia kishin vjedhur. Mirëpo në depot e armatim municionit nuk shkelte këmbë njeriu pa autorizim. Atëherë ai u mor në ndjekje penale dhe u dënua më burg, Ndërkohë që si vlerë monetare iu faturuar dhe pagesa e pistoletës e cila në atë kohë kishte si çmim shtetëror 8 mijë lekë të reja. Përveç kësaj, nëse nga depo dilnin 100 fishekë për qitje, duhet të dorëzoheshin 100 gëzhoja, për të vërtetuar se këto fishekë ishin shpenzuar. Sepse nëse ndodhte që të humbte qoftë dhe një fishek, përveçse duhet ta paguaje, të merrnin edhe në përgjegjësi penale. Në atë kohë mendohej që asnjë fishek dhe asnjë lloj tjetër armatimi apo municioni të mos ishte në duar të popullsisë civile, pasi çdonjëra nga to sillte rrezik”.

 

Vlera e armatimit

Asgjë për ushtarakët, gjithçka për trafikantët

I pyetur se sa mund të ishte vlera e municionit të ushtrisë shqiptare Myrto Jonuzi, buzëqesh dhe thotë: “Shumë, e pallogaritshme. Të kemi parasysh se të gjitha llojet e predhave, nga fisheku më i vogël deri tek kalibrat më të mëdhenj, në pjesën e brendshme të tyre kanë një këmishë të hollë prej floriri. Në gjuhën teknike ai cilësohet thjesht si “metal” por në të vërtetë nuk është i tillë. Dhe kjo bëhet që ato të rezistojnë, të mos ndryshken dhe të mos dalin jashtë përdorimit. Ndërkohë edhe djegoret kanë një përqindje floriri. Po të marrim në konsideratë edhe këtë pjesë, padyshim të duhet thënë se ushtria shqiptare ishte shumë e pasur. Pasuri e cila tanimë po shpërbëhet dhe nuk kalon as në buxhetin e shtetit dhe nuk shërben as për rritjen e pensioneve të ish ushtarakëve, por shkon për llogari biznesmenëve apo trafikantëve, si në rastin e Gërdecit”

Incidenti i mundshëm

Nëse vritej një ushtar, cilësoheshe “armiku i popullit i partisë dhe i shtetit”

Myrto Jonuzi, ish shefi i intendencës, edhe armatim municionit në Brigadën e Këmbësorisë, rezervë e komandës së Përgjithshme i pyetur nga “Telegraf” se: çfarë ndodhte në një regjim të konsoliduar si ai që drejtohej nga Enver Hoxha nëse ndodhte një incident me pasojë vdekjen. Përgjigjet:Në qoftë se do të ndodhte një incident me pasojë vdekje të njerëzve që punonin në tunel në depo sidomos të municioneve të artilerisë së Xhenjos në depot e Lëndëve Helmuese Luftarake përveç njeriut që ikte nuk mund imagjinohej eksplozioni që mund të ndodhte që mund të shkaktonte një rrezikshmëri të paimagjinueshme. Detyrimisht do të shpallej armiku i popullit i partisë dhe i shtetit. Prandaj dhe punohej me përkushtim duke sakrifikuar dhe në jetën”.

 

( Dhënë për Telegraf në 3 prill 2009)