Leka Zogu nuk zbriti nga makina kur e qëlluan me armë, si u realizuan filmt me skena masive, romanca në Dardhën e Korçës, konkurrimet, censura në filma

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Ka shoqëruar me kameran e tij të gjithë turin e takimeve dhe mitingjeve që zhvilloi Leka Zogu në vitin 1997, kur u lejua që, së bashku me zgjedhjet e përgjithshme, të zhvillohej edhe referendumi mbarëpopullor për formën e regjimit në Shqipëri. Pa dyshim Leka Zogu ishte një vlerësues i çdo gjëje mediatike, për më tepër, kur kishte lidhje me personin e tij. Ilia Terpini kujton se pretendenti për mbret ishte trim. Ndërsa vetë Leka Zogu shprehet hapur: “Sikur të kisha gjysmën e zgjuarsisë së babait, do të isha i lumtur”.

Por koha ishte e vështirë. Situata politike ishte e acaruar dhe, për më tepër, shqiptarët kishin marrë nga një armë në dorë. Pretendenti për fronin mbretëror e nisi vrullshëm fushatën e tij, i shoqëruar nga truproja, simpatizantë, zëdhënësit e shtypit dhe Ilia Terpinin, i cili filmonte dhe fotografonte një herazi. Për “Telegraf” Terpini kujton të gjitha vështirësitë e asaj fushate “të paparë”

Kur jeni takuar për herë të parë me Lekën e I-të?

Në vitin 1993 unë isha pjesë e ekipit që udhëtoi për në Johanezburg, atje ku kishte dhe rezidencën familja mbretërore shqiptare. Pjesë e ekipit ishte kryetari i Partisë së Legalitetit Guri Durollari, Abdi Baleta, Kurt Kola nga të përndjekurit e disa të tjerë. Na priti Leka me bashkëshorten e tij Suzana si dhe nëna mbretëreshë Geraldina. Gjithashtu na priti dhe ministri i oborrit Abedin Mulosmani. Rezidenca e familjes mbretërore përbëhej nga dy vila, brenda një sipërfaqeje prej dy hektarësh, e cila ishte e rrethuar me një mur.

Çfarë diskutuat me pretendentin?

Në një takim të zgjeruar që bëri Leka I-rë u fol shumë për Shqipërinë. Leka i dëgjoi të gjithë me radhë dhe në fund m’u drejtua mua, i cili po e filmoja këtë takim: Po ti Ilia çfarë mendimi ke. Ula kameran dhe vendosa t’i flisja troç. I thashë se nuk isha dakord me shumë gjëra nga parafolësit, të cilët e kishin bërë fushë me lule. I thashë se në Shqipëri, kundër pretendimeve, as familja mbretërore dhe as Leka Zogu nuk njiheshin dhe se propaganda e kishte cilësuar atë si trafikant droge e armësh dhe se në vitet e komunizmit popullit i ishte injektuar që Ahmet Zogun” ta njihnin me shprehjen “Satrapi Zog”.

Si reagoi Leka ndaj fjalëve të tua?

Atij iu bë shumë qejfi që unë i thashë të vërtetën dhe nuk u mundova të zbukuroja. Madje unë i premtova dhe një film dokumentar falas mbi familjen mbretërore, me qëllim që të shfaqej në Televizion.

Pas Johanezburgut, kur iu dha mundësia të bashkëpunonit sërish me Familjen Mbretërore?

Në referendumin e vitit 1997. Kur erdhi Leka në Shqipëri, më propozuan që ta shoqëroja në të gjitha aktivitetet e fushatës. Më paralajmëruan që të kisha kujdes, sepse kjo punë ishte me “spec” ngaqë situata ishte e ndezur. Por unë e mora parasysh rrezikun dhe iu bashkëngjita ekipit.

A pati probleme Leka në këtë fushatë?

Na qëlloi disa herë të viheshim në vështirësi, por leka i kaloi me urtësi e zgjuarsi. Kur donim të shkonim në Vlorë na thanë: Kini kujdes, Vlora është në dorën e Zani Çaushit. Në të vërtetë në Vlorë u bë një miting madhështor aq sa dhe makina nuk ecte dot nga njerëzit që kërkonin të shikonin nëpërmjet xhamave Lartmadhërinë e Tij. Megjithatë kujtoj se në disa raste, e kam ndjerë veten ngushtë gjatë fushatës së ‘97-tës.

Kur do të do të ishte situata më e keqe?

Në të hyrë të Sarandës na pret rrugën shefi i komisariatit të qytetit dhe i sugjeron Leka Zogut që të mos tentojë të futet, pasi rruga ishte e zënë nga një grup horrash që, si shpërblim, kërkonin 20 mijë dollarë. Por Leka Zogu as që e kishte marrë mundimin të futej në negociata me penguesit e rrugës. Pak minuta më vonë banda e armatosur vjen në drejtim të tyre me një autoblindë dhe qëllon me breshëri mbi kokat e tyre. Gazetat shkruanin se Leka Zogu u fut poshtë makinës, por kjo nuk është e vërtetë. Unë kam qenë dëshmitar, kam filmuar dhe Leka Zogu ka qëndruar po në makinë si dhe më parë.

Po situatat e tjera si do të përballoheshin?

Në Libohovë, për shkak të historisë së Ahmet Zogut me Avni Rustemin, jemi provokuar me krisma armësh që nuk kanë pushuar për asnjë sekondë, nga mbrëmja deri në mëngjes, por se Leka Zogu dhe shoqëruesit e tij kanë darkuar të qetë, pikërisht m’u tek rrapi në qendër të qytetit. Ndërsa në Tropojë, për shkak të akuzave që vinin në drejtim të Ahmet Zogut, si kundërshtari i Bajram Curit, na prenë dritat e ambientit ku do të zhvillohej mitingu. Në Kolonjë, për shkak të përplasjeve Ahmet Zogu- Fan Noli, disa djem të rinj i drejtonin pyetje me mospërfillje: O Leka, ç’mendim ke për Fan Nolin? Por Leka tha qetësisht se kur ka shkuar në Boston ka shkuar te varri i Fan Nolit e kishte vendosur një tufë me lule. Atëherë plasën duartrokitjet.

Takimi

Komunisti shqiptar me heroin grek

Gjatë kohës që Ramiz Alia drejtoi shtetin, Ilia Terpinit i është dashur të filmojë edhe shumë nga aktivitetet e tjera, pritje diplomatike apo takime zyrtare. Edhe një takim tjetër ka mbetur në kujtesën e operatorit të njohur Ilia Terpini, pikërisht takimi i Ramiz Alisë me heroin grek, (siç e cilëson ai) Manolis Glezios, në kuadrin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Operatori kujton se Manolis tha: – “Burri mund të ndahet nga gruaja, burri mund ta përzërë fëmijën nga shtëpia, po të nesërmen burri do t´i thotë komshiut mirëmëngjes”.

 

Kinemaja

Si u realizuan filmat me skena masive

Filmi “Ballë për ballë” ka qenë një nga filmat më të vështirë, por më të bukur. Kishte një temë mjaft interesante për rusët dhe konfliktin që kishim me ta. Aty kam punuar me një përkushtim të rrallë me dy regjisorët, Pirro Milkani dhe Kujtim Çashku. Ditën që u caktua që xhirohej doli një ditë me dallgë dhe nëse unë do të thosha se nuk xhirohet do më thoshin se po bëja punë armiqësore, sepse kanë dalë të gjitha anijet dhe po harxhohet karburant, e ti na thua nuk xhirohet. Kameran nuk e mbaja dot në sy dhe e hoqa nga stativi dhe mbajta në gjoks. Mirëpo, nuk ishte si kamerat e sotme që të kishe një ekran ta shihje çfarë po xhiron. E mbajta me hamendje. Derisa materialet shkuan në Tiranë, u pa, u la filmi, erdhi në Vlorë e u mor vesh se ishte xhiruar mirë, unë isha si i ngrirë. Nëse nuk do të kishin dalë mirë do të më thoshin armik. Një nëndetëse harxhonte 700 litra naftë në një orë dhe ne kishim tre të tilla në dispozicion ndaj mua do të më thoshin, “është bërë tërë ai shpenzim i madh dhe ti nuk ke xhiruar”. Kur do të dilte nëndetësja 105 unë kisha kamerën kryesore dhe dy asistentët e mi mbanin kamerat e tjera. Nuk mund të bënim dubla se nëndetësja nuk mund të hynte e të dilte disa herë. Unë fillova xhirimin, por nëndetësja nuk po dilte. Fillova t’i bërtisja komandantit që ishte Dashamir Ohri: “Çfarë bëni kështu na iku filmi”. Filmi blihej në Perëndim dhe ishte me shumë kosto të madhe. Ai ma bënte me shenjë të prisja. Më vonë nëndetësja doli. Atëherë komandanti më kthehet: “Ore je në vete ti, ne na kishte pësuar defekt nëndetësja dhe do të mbytej me gjithë ekuipazhin ndërsa ti më thua, po më ikën filmi”. Megjithatë ky film përbën evenimentin artistik timin, me të cilin fitova titullin “Artist i merituar”.

Konkurrimet

Ilia Terpini thotë se filmi shqiptar ka konkurruar në festivale të ndryshme evropiane dhe botërore. “Kemi marrë opinione nga më cilësorët, e sidomos për filmin “Dimri i fundit”. Një regjisor i Hollivudit u mahnit nga realizimi dhe po ashtu e shprehu këtë habi kur i thashë se ai film ishte xhiruar në temperatura 17 gradë celsius nën zero. Në bisedë, ai më shprehu konsiderata për kinematografinë tonë dhe madje shkoi deri atje sa të pranonte se vërtet Shqipëria bënte filma cilësorë”, shprehet “Artisti i Merituar”.

Xhirimet

Romancë në Dardhën e Korçës

Film tjetër, ku unë kam kujtime të bukura ka qenë “Dimri i fundit”. Ai është xhiruar në Dardhë të Korçës dhe ne kemi ndenjur dy muaj atje. Ishim gjithë ditën jashtë me 1 m e 30 cm dëborë. Ditën kishim ftohtë, ndërsa natën i kishim kushtet e mira, sepse fshatarët ishin shumë mikpritës dhe të dashur. Të dy asistent/regjisorët punonin për herë të parë në një film, dhe nëse dështoje herën e parë, duhej kohë të të jepnin një film tjetër. Aty na ndodhi një “fatkeqësi”. Pasi kishim xhiruar dy javë fryu një erë e ngrohtë dhe bora iku, por ne nuk mund ta bënim filmin pa dëborë, sepse kishte filluar dhe duhej të mbaronte me dëborë. Ndenjëm dy javë pa filmuar asgjë ndërkohë që Kinostudioja na pyeste në telefon se çfarë po bënim. Ishim më shumë se 60 veta që hanim, pinim dhe rrinim. Po ne i thoshim, po s’kemi ç’bëjmë se nuk ka dëborë dhe ata na thoshin, po në Evropë ka rënë tërë ajo dëborë. Dy regjisorët e rinj u mërzitën ndaj një natë hapa valixhen dhe nxora “Rubairat” e Omer Kajanit dhe fillova të lexoja që t’iu ktheja humorin. Afër ne kishim djegur një shtëpi të cilën gjoja e kishin djegur gjermanët dhe iu them ngrehuni çuna e të dalim të pimë raki atje tek shtëpia e djegur se do të na bjerë dëborë. E në fakt të nesërmen filloi dëbora, e cila ra edhe për një muaj e gjysmë dhe e xhiruam filmin shumë mirë.

EPILOGU

Por a ka menduar ndonjëherë Ilia Terpini ta lërë profesionin e tij? “Kurrësesi”, shprehet ai, dhe më pas vazhdon: “Do të punoj sa të kem jetë më kameran time. Për këtë po ju them edhe disa raste ku edhe pse kam qenë i ftuar për të pushuar, nuk kam mundur të qëndroj larg kameras time. Kam pasur rastin të kem mik ambasadorin turk, i cili në një koktejl më ftoi për një vizitë në vendin e tij, por me kusht që thjesht të pushoja. Edhe këtë herë nuk e harrova zakonin tim, u ktheva nga Turqia me një dokumentar fantastik. Po kështu bëra edhe këtë vit kur shkova për pushime në Itali. Atje më ftuan për të bërë fotografitë e miseve shqiptare dhe videoklipet e tyre. Kur isha në Francë, ku qëndrova afërsisht 3 muaj, bashkë me gruan te djali ynë, më lindi dëshira për të bërë diçka të mirë. Atje vendosa që kur të kthehesha të hapja një ekspozitë fotografike të përbashkët me djalin tjetër këtu në Tiranë”.