Pëllumb Çuni

“Gjenerali”, si u dënua me vdekje dhe mbeti gjallë

Teodor Nako sot është 66 vjeç dhe nuk pati mundësi që të martohej dhe të krijonte familje. Tani Todi Nako jeton i vetmuar në qytetin e Korçës. U dënua me pushkatim nga gjykata e Korçës, por iu fal jeta nga Gjykata e Lartë. Nga kjo masë dënimi i mbetën pa bërë vetëm dy vjet. Gjatë viteve të burgut i vdiq nëna e babai dhe nuk pati mundësi as t’u hidhte një lopatë dhe. Asnjë nga të afërmit nuk i shkeli tek pragu i burgut. E ka përballuar vetë me forcat e tij gjithë kalvarin e burgut. Nëse e shikon me kujdes “gjeneralin” ai është i gjatë 1 e 90 cm. E ruan drejtimin e trupit, por ka humbur shikimin. Ai tregon sikur të ketë mbi 80 vjeç, pasi vuajti gjatë në burg. Si del nga burgu ai arratiset përsëri në vitin 1990, por kjo arratisje nuk ishte si ajo e vitit 1964. Punon tre vjet ne Greqi e kthehet në qytetin e Korçës. Të gjithë ata që e njohin nuk e thërresin me emrin e tij, por me nofkën “gjeneral” Ne mundëm që të bëjmë një bisedë me gjenerali, i cili sot na tregon për gazetën “Telegraf” trimëritë e tij e na thotë që fatin e tij mos e ketë asnjë rom dhe jo më shqiptar tjetër.

Zoti Nako, , kush u nxiti që të kalonit kufirin, pse u arratisët?

Vijën e kufirit njihja mirë. E dija me pëllëmbë klonin, e dija ku shkelja. Me që mësova të ngas traktorin dhe punoja ditë e natë mendova se po të shkoja në Greqi do gjeja punë dhe do të siguroja të ardhura të mira. Nuk kisha ndonjë arsye tjetër që ta braktisja Progrin, nuk isha i thumbuar nga pushteti i kohës. Si unë dhe im vëlla u bëmë traktoristë.

Kur e mësuat zanatin e traktoristit?

Ushtrinë e kam bërë në Sazan. Tre vjet kam qenë marinar. Kisha qejf hekurat. Në fillim kur u ktheva në Progër, më futën ndihmës traktorist, ku ulja e ngrija plugjet me një litar. Nga që isha i fuqishëm disa herë e kisha këputur litarin. Koka ime puthitej me kabinën e traktorit që na i kishin sjellë kinezët. Për kinezët ato kabina ishin mirë, por për mua duhej dhe tre pëllëmbë më e lartë.

Vetëm e çatë kufirin?

Arratisjen e bëmë në dhjetor të vitit 1966. Isha së bashku me Bujar Hysollin. Kufirin e kaluam nga Rakicka e mbërritëm në Follorinë, ku unë qëndrova aty dy muaj, kurse Bujarin e morën dhe e çuan në kamp në Athinë. Nuk na lanë bashkë, na ndanë.

Pse ju ndanë autoritetet greke?

Dy muaj që unë qëndrova në Follorinë punova e bridhja i lirë. Bujarin e çuan në kamp, se ai ishte mysliman. Unë doja që të hyja në kamp, por nuk më futën. Shkova në Athinë dhe e takova Bujarin. U nisëm bashkë, por na veçuan. E tëra është montim. “Unë u ktheva si gjeneral për të rrëzuar pushtetin popullor”, kështu ma vunë nofkën e kështu më gjykuan. Edhe sot më thërrasin, gjeneral, e rrallë në emrin tim që kam në pasaportë e më thirrën prindërit, me të cilët u ndava për së gjalli. Nuk më erdhën asnjëherë në burg. Por siç të thashë, ata më vdiqën kur unë isha brenda dhe nuk më lanë që të vija e t’u hidhja një dorë dhe. Nejse, ato kohë të tilla u thurën e të tilla u shthurën. Por unë e them me shpirt që të mos përsëritet më ajo kohë që ne kaluam rininë në burgje. Diktaturat janë të pangopura si në foshnjërinë e tyre ashtu dhe në plakje. Ujku kur plaket bën më tepër dëm.

I menduat pasojat që mund të vinin nga vendimi që morët për të lënë atdheun?

Në atë moshë që unë ika, isha plot energji. Nuk kisha shqetësime. Për mua arratisja u bë për arsye se desha të gjeja një jetë më të pasur e të punoja në rini sa të vija disa para e më pas kisha menduar që të ndihmoja dhe prindërit e vëllezërit. Po të bëhesha i pasur do të mundohesha që t’i merrja atje ku të mbërtheja këmbët. Do të bëja sakrifica. Nuk e mendova se do të më kthenin e do të më jepnin dënim të rëndë që u shkatërrova i tëri e nuk më ka mbetur asgjë përveç këtyre ditëve të vetmuara që po kaloj. Unë nuk vrava njeri, nuk i bëra keq asnjë personi. Edhe klonin kur e kalova, nuk e dëmtova, por e lashë që të rrinte në përgjim.

Patët kërkesa nga pala greke për t’u bërë diversant?

Unë flas për veten time. Mua nuk m’u afrua ndonjë kërkesë e tillë. Dhe po të më kishin ofruar, nuk do të pranoja që të vija si diversant e si vrasës tek vëllezërit e mi. Unë dija pak fjalë greqisht, por dhe gjeja njerëz që në ato vite e dinin shqipen. Një pjesë e tyre kishin qenë në Korçë, një pjesë kishin qenë si ushtar në luftën italo-greko. Në ato vite ata ishin rreth të pesëdhjetave. Mua më gjenin punë, por unë doja që të shkoja në Gjermani, pasi e pashë se dhe vetë grekët në ato vite ishin për të qarë hallin për vete. Por kur u riktheva përsëri grekët ishin bërë zengjin e ne kishim mbetur në vathën tonë.

Si u larguat nga Greqia?

Me gjithë përpjekjet që bëra që të më fusnin në kamp, nuk munda që të hyja në atë derë u ktheva përsëri në Follorinë. Mendjen e kisha që të shkoja në Gjermani se më kishin thënë që atje ka nevojë për traktoristë. Nga Follorina ika dhe hyra në tokën Jugosllave. Arritëm në Manastir. Nuk na mbajtën na nxorën në Qafën e Thanës. Ishim tre veta. Isha me Petro Rondon nga Himara dhe Spiro Shenko nga fshati Vërmik, fshat komshi me fshatin tim të Progrit, por Spirua ishte shule minoritar.

E mbani mend kush ju dënoi?

Në hetuesi na bashkuan si grup, mua më dënuan në Korçë me pushkatim. Aty më bashkuan me të arratisur të tjerë që i kishin sjellë. Më bashkuan me Pandi Sterjon, Minella Delin, Vasil Trenin. Na bën një grup e na akuzuan për tradhti të lartë ndaj atdheut. Prokurore ka qenë në atë kohë Ava Bektashi. Isha 24 vjeç dhe më bën ‘gjeneral’. U enda 23 vjet nëpër burgjet që nga Spaçi, Repsi, Qafë Bari, Ballsh e në kriporen e Vlorës. Për tetë muaj që unë isha larg atdheut, u bëra ‘gjeneral’. Me këtë akuzë u dënova. Që të bëhesh gjeneral duhen vite shkollë si jashtë e brenda vendit. Qëndrova 250 ditë jashtë e 25 vite brenda në burg. Ky qe shkatërrimi im total.

Mbanit lidhje me familjen kur ishit ne burg?

Nuk më erdhi asnjë pjesëtar i familjes në derën e burgut. Nënë Ollga e baba Jovani kishin vdekur e nuk m’u dha mundësia që t’u hidhja një lopatë dhe. E mësova kur dola nga burgu humbjen e prindërve. Si vëlla në burg m’u bë Foto Prokua që e gjeta në Ballsh ku ndenjëm 8 vjet bashkë. Fotua kishte mbaruar për gazetar në Moskë. Fotua u bë dhe mësuesi im. Unë shtatë klasë shkollë kam bërë në fshatin Progër. Burgun e përballova me forcat e mia. Nuk i shqetësova policët që të më thërrisnin emrin apo të më përgjonin se çfarë flisja me të afërmit e mi. Në të gjithë vitet e burgut nuk më erdhi asnjë letër. Asnjë letër unë nuk shkrova në tërë ato vite. Letra kam shkruar që kur isha ushtar ku tre herë në muaj u shkruaja prindërve e më pas Todi s’e ka nxirë asnjë gisht letër.

Pas dënimit shkuat në fshat?

Ku të vija. Atje shkova. Aty mësova se prindërit më kishin ikur nga kjo botë dhe vëllanë e dytë që e kisha traktorist ia kishin hequr mjetin dhe në zbor e thërrisnin në një repart pune nuk i jepnin armë. Por në fshat nuk ndenja më shumë se gjysmë viti, sepse u arratisa përsëri, në dhjetor të vitit 1990. Por kjo arratisje nuk ishte si ajo e dhjetorit të vitit 1964. Ishte me bereqet.

Po fati i Bujar Hysollit, shokut me të cilin u arratisët si përfundoi?

Bujari përfundoi në Amerikë, në Detroit. Unë përfundova në burg, ndërsa ai brodhi e pa botën. Krijoi familje dhe ka tre fëmijë. Mësova se ai qëndroi në Greqi tre vjet dhe më pas kaloi oqeanin e gjeti “parajsën” që kërkonim të dy atë vit kur çamë kufirin.

Jeni takuar me Bujarin?

Në vitin 1994 ai erdhi në Korçë e u takuam, pas 30 vitesh. “Ty Todi të shkoi jeta rrokullimë, të shkoi jeta humbur, të paktën të kishe krijuar familje e të kishe një evlat për ta pasur në krah tani në pleqëri e në këto vite demokracie që erdhi dhe këtu në trojet tona.

 24 ORËT E GJENERALIT

“Kohën e kaloj si një i vetmuar. Përsëri unë në qeli jam. Por dalë me shokët e pimë ndonjë kafe. Dal me Foto Prokon. Kur është kohë e mirë dalim nga parku. Kur është kohë e keqe rrimë në klube e ikim e mbërthehemi para ekranit të televizionit. Marrim leksionet e politikës që kur të takohemi me shokët të nesërmen kemi ç’të flasim e të bërtasim. Po fatin tim mos e pastë as një rom e jo më shqiptar tjetër. Në vitet e burgut m’u sëmurën sytë e tani me syza e nuk shquaj dot. Nuk krijova as familje. Në krah tani më gjendet shoku i burgut Foto Proko. Por dhe ai i moshuar është, bile është 10 vjet më i madh se unë. As ai nuk krijoi dot familje, pas viteve të burgut. Me sa më kujtohet e mbaj mend që më ka thënë ai vetë ka pasur një grua ruse që janë shkëputur, pas shkëputjes që bëmë me rusët. Bile ai ka dhe një vajzë e ka shkuar nja dy herë në rusi. I kanë thënë që të rrijë atje, por ai nuk ka pranuar e do që t’i mbylli sytë këtu në Korçë”.

Botuar, më 30 nëntor 2008

JETËSHKRIMI

Todi Nako ka lindur më 25 janar të vitit 1940 në fshatin Progër të rrethit të Devollit. Ai është djali i madh i Jovanit. Babai i tij ka qenë murator dhe kishte tre djem e një vajzë. Usta Janin e rrëzoi shumë burgosja e djalit të madh, i cili u cilësua si armik dhe tradhtar i popullit. Sa qe gjallë Jovani nuk shkoi që ta takonte të birin, as në gjykatë, as në burg.