ARKIVA/Konferenca e Tiranës pas Kongresit XX

251

Në fondin Nr 2 dosja I ½ Komiteti i Partisë për Qytetin e Tiranës, ndodhen dosjet në të cilën janë rezervuar të gjitha materialet që kanë të bëjnë me një nga pikat e tensionit më të lartë në radhët e udhëheqjes komuniste në Shqipëri. Ka qenë pikërisht Konferenca III e Partisë së Qytetit të Tiranës, ajo që ka ndezur gjakrat dhe ka nxjerrë problematikat e mëdha që kishin pushtuar drejtimin 15- vjeçar të shtetit nga Partia e Punës. Kjo konferencë u zhvillua mbas kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe në prag të Kongresit III të Partisë Punës Shqipërisë. Në presidiumin e punës së Konferencës ishin të rreshtuar: Beqir Balluku si i deleguari i Komitetit Qëndror, Andon Deçka, Dashnor Mamaqi, Deko Rusi, Fiqrete Shehu etj. Sekretaria e Konferencës ishte e përbërë nga: Ajet Samarxhiu, Andon Andoni, Nuhi Gërxhalliu, Thoma Duro, Vasil Miçi. Ndërsa kishte dhe një presidium nderi ku në mënyrë simbolike ishin nderuar: Komiteti Qendror i PKBS dhe Komiteti Qendror i PPSH-së. Kjo Konferencë ishte planifikuar që të mbante punimet e saj ndërmjet datave 14-19 prill të vitit 1956. Fillimisht është mbajtur Raporti i Byrosë Provizore të partisë së Punës për qytetin e Tiranës, i përgatitur në 52 faqe dhe që është lexuar nga Sekretare e parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqrete Shehu. Në përgjithësi raporti ka përshkrua punë e partisë, arritjet dhe problemet e hasura, vërejtje në parim dhe me emra konkretë. Por deri këtu asnjë gjë nuk krijonte kontradiktë. Ajo do të fillonte më pas. Pikërisht atëherë kur një lumë pyetjesh iu drejtuan për përgjigje të deleguarit të Komitetit Qendror, Beqir Ballukut.