Arkiva/ Fjalimi i Mehmet Shehut në OKB në 1960: Lutje për Kinën, nuk tha asnjë fjalë për Shqipërinë

1674
Sigal

ARKIVA/ Fjalimi i Kryeministrit shqiptar në seancën e mbrëmjes së 3 tetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Mehmeti në OKB : Lutje për Kinën, asnjë fjalë për Shqipërinë

 

Kryeministri sulm Amerikës: “Pse s’po ia varni Pekinit”

 

Ishte 3 tetori i vitit 1960, kur ish kreu i qeverisë shqiptare Mehmet Shehu, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, fjalimin e tij nuk do ia kushtonte problemeve të vendit të tij, por të Kinës. Ish-kryeministri në fjalimin e tij sulmoi rëndë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe deklaroi domosdoshmërinë e pranimit të Kinës në OKB.

Sozia politike

 

Figura e Mehmet Shehut në vitet ‘60 ishte ngritur gati në mit, sepse prishja e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës e vuri atë përkrah Enver Hoxhës jo vetëm në Moskë, por edhe në të gjitha përfaqësitë ndërkombëtare për Shqipërinë. Me këtë rast mund të themi se ai u bë “sozia politike” e diplomacisë të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së.

Qëndrimi në OKB

 

Në qëndrimin e Mehmet Shehut me rastin e sesionit të 15-të të OKB-së, në vitin 1960, ka një veçori: Veçoria qëndron në faktin se, në vitin 1960 ishte koha e prishjes së marrëdhënieve me BS dhe në të gjithë shkrimet e shtypit shqiptar të viteve post diktaturë, pothuajse ishte hedhur ideja që Perëndimi e në veçanti, SHBA, kishin interesa të mëdha për shtetin shqiptar. Mirëpo, si gjithmonë, vendi që drejtohej nga Enver Hoxha nuk pranonte dhe nuk u tërhoq asnjëherë nga kërkesat dhe interesat e SHBA-ve.

Masat e sigurisë

 

I mbërritur në Nju Jork më 20 shtator të vitit 1960, ish kryeministri shqiptar Mehmet Shehu u përball me masa të shumta sigurie të marra nga policia amerikane, ku madje njëra i kufizonte lëvizjet e tij brenda territorit të Manhatenit.

Fjalimi

 

Gazeta “Telegraf” boton fjalimin e ish-kryeministriut, të mbajtur në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në materialin arkivor është shkruar: “Fjalimi i shokut Mehmet Shehu në seancën e mbrëmjes së 3 tetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.

 

Zoti Kryetar!

Zotërinj!

“Për të dhjetin vit me radhë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po merr në shqyrtim çështjen e rivendosjes së të drejtave legjitime të Republikës Popullore të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me shumë të drejtë mjaft delegacione e lidhin çështjen e përfaqësimit të Kinës Popullore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me fatin e vetë Organizatës dhe aftësinë e saj për të plotësuar qëllimet e saj themelore, sigurimin e paqes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Sot vendi i Kinës në Kombet e Bashkuara mbahet padrejtësisht nga kukulla e Çan Kai Shisë, që populli kinez e flaku në shportë me revolucionin e tij fitimtar, më 1949 dhe që ka gjetur strehë, nën mbrojtjen e bajonetave imperialiste amerikane, në ishullin kinez të Tajvanit. Në fakt, sot shteti me popullsinë më të madhe në botë nuk përfaqësohet në Kombet e Bashkuara. Ne mendojmë që, në qoftë se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë gabime në punën e vet, një nga gabimet kryesore të saj është moszgjidhja e çështjes së rivendosjes së të drejtave legjitime të Republikës Popullore të Kinës në këtë Organizatë. Kjo është padrejtësi e madhe që po ngjet në ditët tona, është shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtar dhe e parimeve themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, për të cilën përgjegjësinë kryesore e mban qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka mundur gjer më sot që t’i diktojë vullnetin e vet Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Delegacioni i Republikës Popullore të Shqipërisë mendon se kjo gjendje anormale e pa justifikueshme, krejtësisht e padrejtë, e krijuar në gjirin e Kombeve të Bashkuara për shkak të qëndrimit armiqësor që mbajnë disa shtete, dhe krejtësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundrejt sistemit shtetëror të Republikës Popullore të Kinës duhej të kishte marrë fund prej kohësh. Prej kohësh duhej që përfaqësuesit e Republikës Popullore të Kinës të zinin vendin e tyre të merituar në të gjitha organet e Kombeve të Bashkuara, të sillnin këtu zërin e popullit të madh kinez dhe të jepnin kontributin e tyre shumë të çmuar e absolutisht të domosdoshëm në shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha ndërkombëtare. Delegacioni shqiptar përshëndet iniciativën e qeverisë sovjetike që Asambleja e Përgjithshme të shqyrtojë gjatë këtij sesioni çështjen e përfaqësimit të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Zgjidhja e këtij problemi nuk pret më, në rast se duam që parimet bazë të Kombeve të Bashkuara të vihen në jetë, në rast se duam që parimi i universalitetit të Organizatës të mos mbetet në letër, në rast se duam të që të forcohet paqja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, në rast se duam që organizata jonë të vihet në pozita që mund që të zgjidhë problemet e mëdha ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara ose ndonjë shtet tjetër mund të vendosin ose të mos vendosin marrëdhënie të rregullta me Republikën Popullore të Kinës, por nuk kanë asnjë të drejtë të pengojnë, ashtu si kanë vepruar deri tani, me anën e mekanizmit të votës të intrigës, shpifjeve, të shantazheve dhe presioneve të ndryshme, që Asambleja e Përgjithshme të shqyrtojë çështjen e rivendosjes së të drejtave legjitime të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara. Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk është një shoqatë e shteteve, regjimi i të cilave duhet medoemos t’u pëlqejë qarqeve drejtuese amerikane. Rëndësia e saj qëndron pikërisht në fakt se, në gjirin e saj bëjnë pjesë shtete me sisteme të ndryshme shoqërore politike, të cilat janë zotuar të punojnë për të realizuar qëllimet e Kartës. Çështja e regjimit politik të çdo shteti është punë e brendshme e popullit të tij dhe s’ka të bëjë me anëtarësinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në shumë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, edhe në shtete themeluese të Organizatës, gjatë këtyre viteve kanë ndodhur shumë ndryshime socialo-politike, madje dhe si rrjedhim i revolucioneve popullore, por pozita e tyre si anëtare e Kombeve të Bashkuara nuk ka ndryshuar aspak. Përse në rastin e Kinës kërkohet të imponohet një qëndrim i kundërt dhe i papajtueshëm me Kartën e Organizatës? Sipas normave të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, e drejta për të përfaqësuar një vend në arenën ndërkombëtare i përket qeverisë që ushtron autoritetin efektiv në vend. Për sa i përket Kinës, dihet mirë se e vetmja qeveri që ushtron autoritetin e plotë në të gjithë vendin, me përjashtim të Tajvanit të pushtuar me forcë nga SHBA, qeveria e cila gëzon përkrahjen e vendosur të mbarë popullit kinez është qeveria e Republikës Popullore të Kinës, është qeveria e Pekinit, e cila drejton me vendosmëri 700 milionë kinezë si një trup të vetëm për në socializëm, megjithëse zotërinjve imperialistë kjo nuk u pëlqen. Vetëm asaj qeverie i përket dhe askujt tjetër të përfaqësojë Kinën në Kombet e Bashkuara. Dihet mirë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të hapur armiqësor kundër Republikës Popullore të Kinës. Politika e tyre agresive ndaj Kinës së madhe popullore ka gjetur ndër të tjera shprehjen në pushtimin me forcë të Tajvanit dhe të ishujve të tjerë kinezë, në ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Kinës dhe në provokacionet e shumta kundër integritetit dhe sovranitetit të saj kombëtar. SHBA ka ngritur një sistem të tërë agresiv kundër Republikës Popullore të Kinës, siç janë blloku famëkeq i SEATO-s, Traktati Ushtarak me Japoninë etj. Qëndrimi i tyre negativ ndaj rivendosjes së të drejtave legjitime të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara, është pjesë e pandarë e kësaj politike. Qarqet drejtuese amerikane me qëllim që të përjetësojnë okupimin e tyre ushtarak të Tajvanit dhe të mashtrojnë opinionin publik botëror kanë nxjerrë edhe teorinë e “Dy Kinave” dhe po bëjnë çmos me anë akuzash të trilluara e intrigash të ndryshme për të errësuar të vërtetën mbi Republikën Popullore të Kinës dhe politikën e saj paqësore”.

Organizata

OKB 192 shtete anëtare

Organizata e Kombeve të Bashkuara (shkurt: OKB), është një organizëm i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore me qëllim bashkëpunimin midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Qendra e këtij organizmi është në Gjenevë, ndërsa aktivitet i zhvillon kryesisht në qendrën e selisë në Nju Jork, SHBA. Sekretar i përgjithshëm herën e fundit është zgjedhur Ban Ki-Moon. OKB është organizata më e madhe në botë e cila për qëllim ka sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale. Ajo u formua në vitin 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore (ShBA, Kina, Anglia, Rusia dhe Franca) dhe kjo organizatë zëvendësoj Ligën e Shteteve e cila ishte formuar në vitin 1919, por nuk u tregua efektive për mënjanimin e Luftës së Dytë Botërore. Në fillim në OKB u anëtarësuan vetëm shtetet fituese dhe neutrale të Luftës së Dytë Botërore, por më pas u anëtarësuan edhe shtetet e tjera si Gjermania, Japonia etj. Fluksi më i madh i anëtarësimit në OKB ishte gjatë viteve 1950-60 kur kolonitë e vjetra u çliruan dhe formuan shtete të pavarura. Sot OKB ka 192 shtete anëtare.

Anëtarësimi

 

Shqipëria në OKB, fjalimi i Mehmet Shehut NE Asamblenë e OKB-së, më 3 tetor 1960

 

Shqipëria u anëtarësua në OKB, më 14 dhjetor 1955, duke u bërë kështu vendi i 76-të anëtar i Organizatës së Kombeve. Shteti shqiptar bëri kërkesën për anëtarësim në OKB në fillim të viteve ’50, kërkesë kjo që nuk u pranua. Qeveria e përsëriti sërish kërkesën në vitin 1952, por vendet perëndimore ishin të mendimit se në Shqipëri “nuk respektoheshin të drejtat themelore të njeriut dhe liritë elementare të individit”. Shqipëria arriti të bëhej pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vetëm 3 vite më vonë. Disa prej ambasadorëve të Shqipërisë në OKB. Pas anëtarësimit të saj në OKB, Shqipëria vendosi pranë selisë së saj në SHBA edhe misionin e saj, i cili në atë periudhë kryesohej nga Reis Malile. Krerët e këtij misioni ishin edhe të vetmit diplomatë shqiptarë në SHBA për gati 50 vjet të regjimit komunist.