Arkiv/ CIA: Si donte ta vriste Kastron, pa dijeninë e Presidentit Kenedi

362

Jeta e liderit Komunist

Fideli është djali i dytë i martesës së dytë të babait të tij me Lina Ruz Gonzalez. Babai i Fidel Kastros mbërriti nga Galicia (krahinë autonome në verilindje të Spanjës), në Kubë, në kohën e luftës spanjo-amerikane. Ai u martua dy herë. Me gruan e parë kishte dy fëmijë Pedro Emilio e Lidia, ndërsa me Lina Ruz Gonzalez, gruan e dytë dhe të ëmën e Kastros lindi Ramonin, Fidelin, Juanin, Emën dhe Raulin. Familja e tij ka jetuar në Bizan, një fshat pak kilometra larg detit, që është një prej vendeve më të bukura në Kubë. Që fëmijë ai u edukua me kulturë kristiane, gjë që në rini do të linte një shenjë të thellë. Bashkë me vëllezërit e motrat, i ati i futi të studionin në kolegjet më të mira, në “La Salle” dhe “Dolores” në Santiago dhe më pas në Balen, në shkollën katolike më të njohur të Havanës. Argumente bindëse dhe aftësi atleti. Këto ishin dy karakteristikat e Fidelit në kolegj. Ka qenë vetëm 13 vjeç kur lideri i ardhshëm i Kubës tentoi të organizonte një grevë të punëtorëve të sheqerit kundër babait të tij. Në vitin 1945, Kastro fillon universitetin në Havana, për Drejtësi. “Pyes veten pse kam zgjedhur për të studiuar Drejtësi. Nuk e di. Një pjesë ia atribuoj zakonit që kam për të marrë pjesë në diskutime dhe për të polemizuar, dhe mbase kjo është ajo që më çoi të mendoja se isha adapt për t’u bërë avokat”, ka thënë Kastro. Në universitet ai i dedikohet politikës, duke marrë pjesë në grupe të vogla studentësh kubanezë, që ngrinin në qiell heronjtë e të shkuarës, si dhe në një organizatë revolucionare. Në këto kohë Kastro fillon të marrë pjesë e të përfshihet në protestat që bëhen për dhunimin e autonomisë së universitetit dhe po atë vit, kur në Bogota po mbahej një konferencë pan-amerikane, studentët kubanë dhe argjentinas u ngritën në protesta kundër kolonializmit. Dhuna e shkaktuar nga studentët iu vu mbi supe nga gjenerali Marshall komunistëve të Kastros dhe Del Pinos. Pas rrëmujës në Bogota, Fidel Kastro vendos të martohet me Mirta Diaz Balart, motrën e Rafael Diaz Balart, një miku të universitetit. Më 1950 Kastro diplomohet. “Kur mora diplomën isha politikisht një analfabet”, ka thënë lideri kuban gjatë jetës së tij. Kontaktet e para me Manifestin Komunist, me veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, grupi i tij i mori në shkollë, e pas mbarimit të universitetit ata ishin të influencuar nga marksizmi.

Lufta

Në vitin 1950, pra në vitin e fundit të shkollës, ai organizoi studentët kundër imperializmit amerikan. Një vit më vonë ai sulmoi latifondistët, duke kërkuar drejtësi për fshatarët dhe punëtorët kubanë. Në vitin 1953 Fideli vihet në krye të një grupi ushtarak ish-studentësh dhe pas pak muajsh ai vihet në qendër të një grupi të rinjsh teksa drejton luftën kundër Batistës. Bashkë me ata ka me vete punëtorë, fshatarë dhe nëpunës. Më 26 gusht 1953 ai shpall fillimin e revolucionit, por dështon, pasi shumë nga anëtarët e tij burgosen, mes tyre dhe lideri Fidel Kastro, i cili u mbajt i izoluar në ishullin e Pinit. Në gjyq ai nuk mori avokat duke mbrojtur veten e duke shpalosur elokuencë dhe argumente të forta kundër regjimit të Batistës. 26 korriku 1953 mbahet ende sot si data e fillimit të revolucionit kubanez. Në vitin 1954 ai divorcohet nga gruaja e parë Mirta, ndërsa në 15 maj 1955 bashkë me të vëllanë Raul Castro përfitojnë nga amnistia dhe lirohen nga burgu. Vëllezërit vendosin të ikin në Meksikë, ku takon dhe mikun e tij argjentinas Ernesto Che Guevara, i cili ishte vetëm 22 vjeç dhe i sapodiplomuar në Buenos Aires për mjekësi. Kastro organizoi reparte guerile dhe sulmin kundër regjimit kubanez. Në vitin 1957 ai korr fitoret e para, ndërsa në 1958 ushtria e tij fryhet shumë. Në krah kishte gjithnjë Che Guevarën. Më 31 dhjetor 1958, Batista arratiset në Santo Domingo dhe në fillim të 1959, Fidel Katro merr frenat në dorë.

ARKIVA/ Nga dosjet sekrete të Shërbimit Inteligjent Amerikan, të cilat janë deklasifikuar

 

ATENTATI / CIA, si donte të vriste Fidel Kastron pa dijeninë e Kenedit

 

CIA ka publikuar dosjet sekrete të viteve ’50-’70. Me një vendim të Kongresit Amerikan, ajo bërë publike në faqen e saj të internetit një ndër materialet më të përfolura; atë të organizimit të atentatit ndaj liderit komunist kubanez, Fidel Kastro. Në një koleksion prej 700 faqesh dokumentesh tepër sekrete, janë publikuar të gjitha operacionet e CIA-s në ato vite, midis tyre edhe një plan i saj për vrasjen e Fidel Kastros me ndihmën e mafies. Plani ishte bërë vetëm 8 muaj pas ardhjes në fuqi të Kastros dhe për këtë operacion ajo i kishte kërkuar ndihmën e mafiozit Johnny Roselli, të cilit ajo i kishte ofruar 150 mijë dollarë për të kryer atentatin. Sipas dokumenteve, atentati do kryhej nga Roselli e dy bashkëpunëtorë të tij, dhe ai do bëhej me helmim. Për të kryer këtë operacion Roselli ishte lidhur me Juan Orta, një njeri i afërt me liderin kubanez Fidel Kastro. Megjithëse mafiozët arritën t’i dërgonin Juan Ortas gjashtë pilula me një helm tepër të fortë, operacioni u braktis pak kohë më vonë për shkak të incidentit të Gjirit të Derrave. Më interesantja e këtij dokumenti top-sekret është se qeveria amerikane dhe presidenti amerikan i atëhershëm, John Kenedi, nuk ishin në dijeni të këtij operacioni të CIA-s. Gazeta “Telegraf”, boton sot pjesë të dokumenteve sekrete të CIA-s të tashmë të deklasifikuara.

 

  1. Në gusht të vitit 1960, zoti Richard M. Bissell iu afrua kolonelit Sheffield Edwards për të vendosur nëse Zyra e Sigurimit kishte prova që mund të ndihmonin në një mision të ndjeshëm me aksion të tipit gangster. Shënjestra e misionit ishte Fidel Castro.

 

2. Për shkak të ndjeshmërisë ekstreme, vetëm një grupi të vogël iu tregua projekti. DCI-së iu bë e ditur dhe dha miratimit e tij. Kolonelit J.C. King, shefit të divizionit “WH” iu bë e ditur, por të gjitha detajet iu fshehën me qëllim çdo zyrtari të “JMWAVE”. Një personel i caktuar i “TSD”-së mori pjesë në hapat fillestarë, po nuk dinin qëllimin e misionit.

3. Robert A. Maheu, një burim i Zyrës së Sigurimit, u kontaktua për projektin dhe iu kërkua të përcaktonte nëse mund të zhvillonte një të drejtë hyrjeje në elementët e gangsterëve si hapi i parë drejt përmbushjes së qëllimit të dëshiruar.

  1. Zoti Maheu këshilloi se e kishte takuar një Johnny Roselli në disa raste, ndërsa ishte në vizitë në Las Vegas. Ai e njihte rastësisht përmes klientëve, por i ishte bërë e ditur se ishte një anëtar i rangjeve të larta “të sindikatës” dhe kontrollonte të gjitha makinat e bërjes së akullit në Strip. Maheu arsyetoi se, nëse Roselli ishte një anëtar i klanit, ai padyshim kishte lidhje që çonte në interesat e kumarxhinjve kubanë.

 

  1. Maheut iu kërkua t’i afrohej Rosellit, i cili e njihte Maheu-n si drejtor i marrëdhënieve personale që merrej me llogaritjen e vendit dhe të huaja, dhe i tha se kohët e fundit ishte mbajtur nga një klient që përfaqësonte disa firma të ndryshme ndërkombëtare biznesi, të cilat kishin pësuar humbje të mëdha financiare në Kubë, si rezultat i veprimeve të Castro-s. Ata ishin të bindur se heqja e Castro-s ishte përgjigjja e problemit të tyre dhe ishin të gatshëm të paguanin një çmim prej 150 mijë dollarësh për përmbushjen e suksesshme. Duhej t’i bëhej e qartë Rosellit se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ishte dhe nuk duhej të ishte e vetëdijshme për këtë operacion.

 

  1. Plani iu bë i ditur Rosellit më 14 shtator të vitit 1960, në hotelin “Hilton Plaza”, Nju Jork. Zoti James O’Connell, Zyra e Sigurimit, ishte prezent gjatë takimit dhe iu identifikua Rosellit si një punonjës në Maheu. O’Connell shërbeu aktivisht si kontakti i Rosellit deri në maj të vitit 1962, kur u largua jashtë vendit me detyrë. Reagimi fillestar ishte të shmangej nga përfshirja, por me bindjen e Rosellit, ai ra dakord ta prezantonte me një mik, Sam Gold, i cili e njihte “turmën kubane”. Roselli ia bëri të qartë se nuk donte para për pjesën e tij dhe besonte se Sam do të mendonte po njësoj. Asnjëri prej këtyre individëve nuk u pagua nga fondet e agjencisë.

 

  1. Gjatë 25 shtatorit, Maheu u prezantua me Sam, i cili po qëndronte në hotelin “Fontainebleau”, Miami Beach. Disa javë më vonë pas takimit me Sam dhe Joe, i cili iu prezantua si një korrier që operonte mes Havanës dhe Majemit, ai pa fotografitë e dy këtyre individëve në suplementin e së dielës “Parade”. Ata u identifikuan si Momo Salvatore Giancana dhe Santos Trafficant. Të dy ishin në listën e dhjetë më të kërkuarve të Prokurorit të Përgjithshëm. I pari përshkruhej si kryetari në Çikago i “Cosa Nostra”-s dhe pasardhësi i Al Kapones, dhe i dyti, bosi i “Cosa Nostra” i operacioneve kubane. Maheu njoftoi zyrën menjëherë sapo mori vesh këto informacione.

 

  1. Ndërsa diskutonin metodat e mundshme të përmbushjes së këtij misioni, Sam sugjeroi që të mos i drejtoheshin armëve, por, nëse mund të sigurohej ndonjë lloj pilule që të vendosej në ushqimin apo pijet e Castro-s; kështu do të ishte një operacion më efektiv. Sam tregoi se ai kishte një kandidat të mundshëm në personin e Juan Orta-s, një zyrtar kuban që merrte pagesa haraçi nga interesat e kumarxhinjve, i cili kishte akses te Castro.

 

  1. TSD-së iu kërkua të siguronin gjashtë pilula me përmbajtje vdekjeprurëse.

 

  1. Joe ia dha pilulat Orta-s. Pas disa javëve përpjekjeve, Orta kërkoi të dilte nga detyra. Ai sugjeroi një tjetër kandidat, i cili kishte bërë disa përpjekje pa sukses.

 

  1. Joe atëherë tregoi se doktor Anthony Verona, një nga zyrtarët kryesorë në juntën e të dëbuarve kubanë, ishte i pakënaqur me progresin e dukshëm të juntës dhe ishte i gatshëm të merrej me misionin përmes burimeve të veta.

 

  1. Ai kërkoi një kusht paraprak për marrëveshjen, që t’i jepeshin 10 mijë dollarë për shpenzimet organizative dhe kërkoi 1 mijë dollarë për pajisjet komunikatave.

 

  1. Potenciali i doktor Veronas kurrë nuk u bë i ditur, pasi projekti u anulua pas episodit të Gjirit të Derrave. Verona u njoftua se oferta ishte tërhequr dhe pilulat u tërhoqën.

 

  1. Me interes ishte incidenti që përfshiu një kërkesë të Sam-it për Maheu-n.

Në kulmin e negociatave të procesit, Sam shprehu shqetësime për të dashurën e tij, Phyllis McGuire, për të cilën ai kishte mësuar se kishte vëmendjen e Dan Roëan, ndërsa të dy ishin të regjistruar në një klub nate në Las Vegas. Sam i kërkoi Maheu-të vinte një përgjues në dhomën e Rowan-it për të përcaktuar shkallën e intimitetit me zonjushën McGuire. Tekniku i përfshirë në detyrë u zbulua dhe u arrestua, dhe u dërgua në zyrën e sherifit për t’u marrë në pyetje. Ai njoftoi Maheu-n dhe e informoi se ishte mbajtur nga policia. Kjo telefonatë u bë në prezencën e personelit të sherifit. Si rrjedhojë, Departamenti i Drejtësisë njoftoi synimin për të ndjekur penalisht Maheu-n së bashku me teknikun. Më 7 shkurt 1962, drejtori i Sigurimit njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm, Robert Kennedy, për rrethanat që kishin çuar në përfshirjen e Maheu-t në përgjimin. Me kërkesën tonë, procedimi penal mori fund.

 

  1. Në maj 1962, zoti William Harvey mori çështjen si zyrtar i çështjes, dhe nuk është e ditur nga kjo zyrë nëse Roselli u përdor në operacion.

 

  1. Më vonë u mësua nga FBI-ja se Roselli ishte dënuar në gjashtë konte për hyrje ilegale në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat tona nuk e tregojnë datën e dënimit, por besohet se ka qenë në një periudhë gjatë nëntorit të vitit 1967.

 

  1. Më 2 dhjetor të vitit 1968, Roselli, së bashku me katër individë të tjerë, u dënua për komplot për të mashtruar anëtarët e klubit “Friars”, me 400 mijë dollarë.

 

  1. Zoti Harvey raportoi në Zyrën e Sigurimit për kontaktet e tij me Roselli-n gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1967 dhe janarit të vitit 1968. Besohej se Jonny nuk do të kërkonte ndihmë nga agjencia gjatë procesit të dëbimit nëse nuk përballej me dëbimin. Roselli shprehu besimin se do ta fitonte apelimin.

 

  1. Më 17 nëntor të vitit 1970, Maheu njoftoi James O’Connell, zyrtari i parë i çështjes së Roselli-t, për ta këshilluar se avokati i Maheu-t, Ed Morgan, kishte marrë një telefonatë nga Thomas Waddin, avokati i Roselli-t, i cili kishte pohuar se të gjitha rrugët e apelimit ishin konsumuar, dhe tani klienti i tij duhej të dëbohej. Waddin tregoi se nëse dikush nuk ndërhynte në emër të Rossselli-t, ai do të bënte të ditur aktivitet e tij për agjencinë.

 

  1. Më 18 nëntor 1970, zotit Helms iu bë e ditur për zhvillimet e fundit të çështjes, dhe u vendos se agjencia nuk do ta ndihmonte Rosselli-n. Maheu u informua për qëndrimin e Agjencisë, dhe ishte plotësisht dakord me qëndrimin tonë. Më vonë informoi se nuk ishte i shqetësuar për ndonjë fakt të bërë publik nëse Rosselli vendoste t’i tregonte të gjitha.

 

  1. Si rrjedhojë, Rosselli apo dikush në emër të tij i tregoi Jack Anderson-it detajet e operacionit. Së bashku me këtë material janë dhe dy kolona që tregojnë çështjen.

 

  1. Rezidenca e fundit që është bërë e ditur nga Rosselli, ishte burgu federal në Siatëll, Uashington.

 

 

Kastro në pushtet

Më 1960, SHBA ndërpreu marrëdhëniet me Kubën, ndërsa Kastro shkatërroi të gjitha plantacionet e marihuanës. Reforma Agrare ishte nisma e parë e marrë nga Kastro. Hapi i dytë i ndërmarrë më 1961 ishte lufta kundër analfabetizmit. E sikundër në shtetet e tjera komuniste edhe në Kubë nisën të ndërmerren planet afatgjata. Në vitin 1963 Fidel Kastro bën vizitën e parë në Bashkimin Sovjetik, ndërsa po atë vit shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm për të gjithë. Në Kubë dënohet homoseksualiteti, dënohen grupet kundër regjimit, të cilat u pasqyruan dhe me emigracion të madh në drejtim të SHBA. Në tetor 1967, në Bolivi, vritet Che Guevara, miku i revolucionit kubanez. Vitet në vazhdim kanë qenë jo pak të lehta për drejtuesin më jetëgjatë në një shtet komunist. Ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrëzimin e tij, por pasi lëshoi pe në disa anë, Fidel Kastro mundi të mbijetojë.

 

Atentatet kundër jetës së Fidelit

Sipas një artikulli në gazetën angleze “The Guardian” që bazohet në informacionin e dhënë nga Fabian Escalante, ish-shef i Shërbimit të Kundërzbulimit të Kubës, CIA dhe emigracioni kubanez në SHBA planifikuan 638 mënyra për të likujduar Fidel Castron. Ata tentuan të zbatojnë disa prej këtyre metodave, por pa sukses. Një nga tentativat ishte që të pajisej një nga dashnoret e Fidel Castros me një lëndë helmuese që do të hidhej në pastën e dhëmbëve që përdorte Castro. Castro e zbuloi atentatin dhe i ofroi të dashurës mundësinë që ajo ta vriste atë me një pistoletë. Ajo nuk mundi ta qëllonte. Mënyra të tjera të planifikuara ishin: Vendosja e minave të telekomanduara në formën e guackave të detit në vendet ku Castros i pëlqente të zhytej; Lyerja e kostumit të zhytjes me lëndë helmuese ose agjentë bakteriologjike; Atentate me armë zjarri të kryera nga “ushtarë” të mafies amerikano-kubaneze etj.