Arkitekti Rustem Myteveliu: Korça po vdes çdo ditë nga pak, ja si mund ta ndalim vdekjen e saj

949
KORÇË- U bënë plot 70 vjet që Kasabaja (Korça e vjetër), vetëm shkatërrohet, ndërsa investimet kanë qenë minimale. Gjithçka nisi me ardhjen në pushtet të komunistëve. Prishjet e para nisën në vitin 1945 për të vijuar deri në ditët e sotme pa u ndalur, aq sa të duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar nga praktikat e së kaluarës. Gjithçka që ndodh aty është prishje dhe shkatërrim. Edhe planet e sotme rregulluese të qytetit të Korçës nuk sjellin ndonjë gjë më të mirë për Kasabanë. Dhe të mendosh vetëm për një çast, që ishte Kasabaja ajo që i dha shkëlqim dhe emër të madh Korçës së sotme, pasi aty gjendeshin hanet, dyqanet, hotelet, restorantet, lokalet, kazinotë, vilat, rrugët e drejta e të pastra, që habitën Edit Durhamin, kalldrëmet, kangjellat dhe zbukurimet arkitekturore, aty gjenin akomodim të huaj e vizitorë që vinin nga vende të tjera, të afërta dhe të largëta të planetit, avokatë, mësues, intelektualë, tregtarë, qeveritarë, udhëtarë, shkrimtarë, misionarë që shfaqeshin herë pas herë e deri te artistët dhe prestigjatorët që interpretonin pjesë nga më të bukurat, enkas për banorët e Kasabasë. Aty gjendej shkolla e parë,(vini re, për djem dhe vajza), e ndërtuar në Shqipëri që nga viti 1500 (dhe që askush nuk e përmend), aty gjendeshin biblioteka, shtypshkronja, spitali, farmacia, institucionet e bamirësisë, furrat e bukës dhe mensat falas për të varfrit. Aty gjendej bukuria dhe madhështia e kohës, aty u shfaqën për herë të parë sazet dhe këngëtarët, lindi kënga, aty këndoi këngëtarja më e madhe e Toskërisë, Hafize Leskoviku, aty u ngjis “Banda e Lirisë” dhe mbeti e pavdekshme, lindi teatri nën drejtimin e Orhan Pojanit, (dhe që sërish askush nuk e thotë). Rrugët e saj mbanin emra patriotësh, ndërsa sheshi qendror mbante emrin “Liria”, dhe nga të gjitha këto, asgjë nuk ka mbetur, as sheshet dhe as rrugët. Ndaj, për të ndalur këtë shkatërrim makabër që bëhet me qëllim apo pa qëllim, nga dija apo nga padija, arkitekti dhe urbanisti i mirënjohur në mbarë vendin, Rustem Myteveliu, vjen me një projekt të tij, si mund të ndalet vdekja e Korçës. Atëherë le të njihemi me këtë projekt të tij, por fillimisht le të mësojmë çfarë ka ndodhur realisht me Korçën e vjetër ose siç quhej ndryshe me Kasabanë, shkatërrimi i së cilës u bë realitet në saj të planeve urbanistike të hartuara posaçërisht kundër saj
Z. Myteveli, a mund të na përshkruani më konkretisht, çfarë ka ndodhur me Kasabanë, qytetin e vjetër të Korçës?
Fatkeqësisht, tashmë u bënë plot 70 vjet, ku në vazhdimësi, vit pas viti, kam parë si prishej dhe shkatërrohej Kasabaja. Këtë gjë nuk e kam parë vetëm unë, por gjithë qytetarët e Korçës. Duke filluar që nga viti 1945 e në vijim, gjithë strategjia e regjimit të kohës pati si qëllim lënien pas dore të kësaj lagjeje. Synohej harresa e Kasabasë, harresa e themeluesit të saj, Iljaz bej Mirahori, prishja e sarajeve të tij, shembja e godinave qeveritare, harresa e imaretit (institucioneve të bamirësisë), i cili funksionoi deri në vitin 1934, harresa e medresesë, edhe pse aty u mësua edhe gjuha shqipe, (1500 vjet më parë). Kërkohej gjithashtu prishja e gjithçkaje që kishte funksionuar deri atëherë, sepse për qeveritarët e asaj kohe gjithçka duhej të niste nga e para, nga hiçi. Kasabaja, nga ku kishte zënë fill qyteti i Korçës nuk duhej të ekzistonte më. Madje u bënë përpjekje të shumta, që edhe lumin, që Korçës ia kishte falur natyra si një nga dhuratat më të çmuara, ta devijonin e ta nxirrnin jashtë qytetit, që Korçës të mos i mbetej asgjë nga e kaluara. Budallallëku nuk kishte as fund as anë. Gjithçka që u shkatërrua nuk zhbëhet dot më, as lumi nuk mund të rikthehet më në Korçë. Që nga atëherë, Korça nisi të vdiste pak e nga pak.
Korça ka pasur plan rregullues që nga viti 1957, çfarë parashikohej për Kasabanë?
Po, është e vërtetë që rreth viteve 1957-58 u hartua plani rregullues i qytetit të Korçës, por Kasabaja në këtë plan mbeti tërësisht e injoruar. Edhe pse nuk thuhej, në të vërtetë përmes injorimit të saj synohej rrënimi i pazarit të vjetër, i cili ishte nga më të bukurit në Ballkan. Hanet u lanë në mëshirë të fatit, objektet social-kulturore nisën të rrënoheshin, rrugët me kalldrëm po prisheshin çdo ditë e dorë nuk vihej. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe në oborrin e xhamisë u ndërtuan vendstrehime e tunele, njësoj sikur të kishte qenë repart ushtarak, edhe pse ishte shpallur monument kulture i kategorisë së parë. Kuptohet, ishte një akt kriminal ndaj themeluesit të saj, Mirahori, dhe ndaj të gjithë njerëzve që mundën të ndërtonin një qytet kaq të bukur e të famshëm sa askush tjetër nuk do të mundë ta bëjë dot më. Edhe pas 1500 vjetësh ende nuk ekziston një monument për themeluesin e saj. Kjo është mirënjohja ndaj Iljaz bej Mirahorit për Korçën që u dhuroi. 
Korça ka pasur edhe një plan tjetër rregullues në vitit 1994, a pati reflektim në hartimin e tij për Kasabanë?
Për të qenë të sinqertë, edhe ky plan nuk parashikoi asgjë për Kasabanë. Plani rregullues i vitit 1994 nuk ishte gjë tjetër veçse një kopje e planit të vitit 1957. Pra, ishte punuar thjesht mbi një plan që për 50 vjet me radhë synoi injorimin e Korçës së vjetër. Pas viteve 1997 përballë me xhaminë u ngritën ndërtesa shumëkatëshe. Rreth vitit 2000, në vendin e ish-imaretit u ndërtuan banesa të tjera shumëkatëshe, të cilat me qëllim apo pa qëllim, nga dija apo padija, i hoqën xhamisë ndër më të vjetrat në Ballkan mundësinë e soditjes. E fshehën atë mes ndërtimesh bashkëkohore, të cilat nuk kanë asnjë vlerë historike. Kështu nisi, dalëngadalë e hap pas hapi shkatërrimi i qendrës historike të qytetit të Korçës. Një nga hanet,(kur kryetar Bashkie ishte Niko Peleshi), u transformua në një ndërtesë moderne, nëse nuk do të kishin ndërhyrë institucionet ndërkombëtare edhe hanet e tjera do të kishin pasur të njëjtin fat. Ajo që ndodhi me Kasabanë dhe pazarin, që nga viti 1945 e deri më sot, mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje, një masakër e vërtetë urbanistike, arkitektonike, historike e kulturore.
Tashmë me planin e ri urbanistik, a shpresoni që Kasabaja të shihet me një sy tjetër?
Me sa jam në dijeni, për Kasabanë është hedhur ideja e ndërtimit të një rruge që, nëse kjo rrugë do të realizohet, atëherë shkatërrimi i saj do të jetë total dhe i pakthyeshëm. E them me bindje këtë sepse vënia në jetë e kësaj ideje, mbi rrugën “Bajram Curri” do të sillte shkatërrimin përfundimtar të vlerave historike të zonës. Veç sa më sipër, ndërtimi i kësaj rruge kërkon prishjen e rrjetit ekzistues të lagjes, prishjen e banesave, prishjen e urbanistikën, si dhe të vlerave të saj historike. Kjo gjë do të krijonte probleme ekonomike sociale për mjaft familjeve. Uroj që të mos jetë kështu. Për këtë arsye, dëshiroj që edhe unë të jap mendimin tim. Madje për këtë qëllim, kam hartuar edhe një plan urbanistik të pjesshëm, i cili kërkon vetëm prishjen e një banese të vjetër, dhe kjo gjë mund të realizohet vetëm atëherë kur të jenë krijuar kushtet, sepse projekti edhe kështu është i zbatueshëm.
Atëherë, a mund ta bëjmë të njohur idenë tuaj, që të mos ndodhë si në rrugën “Don Gjon Buzuku” ku u shembën 28 banesa?
Sigurisht që po. Në planin urbanistik pjesor të hartuar prej meje, përfshihet sheshi i xhamisë, lulishtja ku ndodhet busti i Naim Frashërit, rruga “Bajram Curri”, zona ku ndodhej medreseja dhe ndërtesat e hamamit, si dhe zona komunikuese me pazarin e vjetër dhe bulevardin kryesor, pra, synohet korrigjimi i gabimeve të 70 viteve të fundit dhe krijimi i një frymëmarrjeje të re për qendrën historike të Korçës. Plani përpiqet të shpëtojë atë çfarë ka mbetur nga masakra urbanistike e disa dekadave. Mbi të gjitha, është e nevojshme që sheshi përpara xhamisë të ruhet dhe të sistemohet në mënyrë të tillë, që atje të mund të zhvillohen aktivitete kulturore e të kthehet në një vend çlodhjeje me vlera arkitektonike soditëse. Vetëm kështu, vizitorët dhe turistët do të kishin mundësinë të njiheshin me Korçën e vjetër-Kasabanë. Pranë këtij sheshi mund të ngrihet një pikë për informacion turistik dhe një librari, ku mund të krijohet pjesa e gjelbër, pasi sipërfaqja ekziston. Territori dhe panorama do të kompletohej me krijimin e disa basorelieveve, të vendosura në mënyrë funksionale, me qëllim që gjithë tabloja të jetë në harmoni të plotë. Për realizimin e këtij plani, nuk është e nevojshëm ndërtimi i rrugës automobilistike, siç ishte parashikuar në planin e rregullues, por vetëm ndërtimi i një rruge këmbësore, e cila mund të kalojë përfund sheshit. Plani nuk kërkon prishjen e ndërtimeve të reja, por vetëm prishjen një shtëpie të vjetër dhe që prishja e saj mund të ndodhë vetëm kur të shihet e arsyeshme. Me heqjen e kësaj banese krijohet hapësira e nevojshme, dhe i jep zonës turistike frymëmarrjen e duhur.
Por nëse këto ide nuk do të merren parasysh, atëherë çfarë do të ndodhë me Kasabanë?
Nëse për korrigjimin e gabimeve të 70 viteve të fundit nuk do të ketë përpjekje të sinqerta, atëherë do të shkatërrohen përfundimisht edhe ato pak vlera që kanë mbetur. Në të vërtetë, projekti në fjalë, nuk përfshin vetëm sheshin, por edhe gjithë zonën rrethuese të saj, gjë që bën të mundur ruajtjen e strukturave ekzistuese të Kasabasë, pra të qytetit të vjetër të Korçës dhe nëse ky projekt shihet me dashamirësi, rezultatet do të jenë befasuese. Pjesa e gjelbër mund të zgjerohet në formën e një trekëndëshi, ndërmjet rrugëve “28 Nëntori dhe rrugës “Demir Progri”. Këto territore kanë qenë pronë e xhamisë. Veç kësaj, në këtë lulishte mund të ndërtohet edhe një garazh nëntokësor. Megjithatë, për të ruajtur hapësirat dhe vlerat e mbetura dhe, për rindërtimin e tyre në perspektivë kërkohen programe të veçanta dhe studime urbanistike të mirëfillta, posaçërisht për Kasabanë, pazarin dhe objekteve rreth xhamisë, përfshi këtu dhe rindërtimin e kullës së sahatit. Të gjitha këto kompletojnë siluetën e pjesës së pazarit dhe të Kasabasë së mbetur. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me drejtuesit e bashkisë Korçë, me qëllimin e vetëm që mos e lëmë Korçën të vdesë, se do ta kërkojmë e nuk do ta gjejmë dot më
Sigal