Arbëreshi Terenc Toçi që ngulmonte të mos shuhej historia e tij dhe e mirditasve vërsnikë

1514
Sigal

Shënime udhëtimi/ Nga “Piemonti shqiptar” i Mirditës drejt Kimzës ku u mblodh qeveria e parë kundër osmanëve

 Terenzion nuk e kemi njohur më parë. Miku ynë emigrant Leka, një natë më parë na kishte thënë se do vij me të për Fan. Me mbiemrin d’Alena, dhe me emrin e gjyshit, dinim qe ishte nip i Terenc Toçit, arbëresh, përmendur këtu e 100 vite me parë dhe që ngulmonte të mos shuhej historia e tij dhe e mirditasve vërsnikë.

Në fakt atë të dielë gri, ata nuk erdhën nga Tirana, por nga Kosova për të buajtur një natë në Kukës dhe më pastaj thuajse në pikë të mëngjesit për në qendër të Fanit. Nuk e njihnim, edhe pse historia me Terenc Toçin ishte intriguese dhe disi enigmatike. Madje ne festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, dy momente ngacmonin fort, Kuvendi i Fanit dhe ngritja e flamurit në Deçiç, një vit më parë se të ndodhte ne Vlorë. Mirëpo asnjëherë në historiografinë shqiptare, nuk e kemi parë të evidentuar këtë fakt.

 -Fan, aty tek mani i Kuvendit të Madh

Me këto mendime në kokë kemi zbritur në qendër të Fanit ku na pret Leka me mikun arbëresh, doktor Terenzon, me gjithë bashkëshorten. Tokemi aty në qendër, nën një shi që vazhdonte të binte hollshëm. Pastaj hyjmë në lokal për të pirë një çaj të ngrohtë, sa për ta kaluar atë të ftohtë që të hynte në asht si pa e ndierë.

Terenzo është i lidhur shpirtërisht me Fanin, teksa na flet me krenari si nip i Terenc Toçit të famshëm, që pikërisht prej këtu nisi një histori interesante, edhe pse jetëshkurtër në historinë shqiptare.

Bëhet fjalë për Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit, të datës 26 prill të vitit 1911, ku u bë ngritja e flamurit kombëtar dhe pas pesëqind vjet robërie u deklarua vullneti i shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Rezultat i atij Kuvendi është krijimi i Qeverisë së Përteshme (Përkohshme) në Kimëz, ditën tjetër, me 27 prill të vitit 1911.

Bisedojmë gjerë e gjatë me Terenzon pikërisht për ato ditë prilli të kësaj ngjarje të madhe, që i parapriu Kuvendit Kombëtar të Vlorës të datës 28 nëntor 1912. Emocionet janë të ngjizura aq fort tek nipi i Toçit enigmatik në historinë shqiptare, sa na kërkon të shkojmë m’u tek vendi ku është bërë ai kuvend i famshëm. Mani, pemë tradite në këto anë është aty, me një perimetër të gjerë, që duket se e mban historinë të ngërthyer fort në dejet e tij. Terenzo ka dëshirë të bëjë një foto me flamurin shqiptar pikërisht aty ku është shënuar historia e 26 prillit 1911. “Ky Kuvend nuk është një ngjarje rastësore e krijuar nga njerëz rastësorë. Ai u mbajt në një krahinë që kishte luftuar edhe dyqind vjet pas pushtimit të Shqipërisë nga osmanët, madje edhe pas pesëqind vjetësh nuk ishte shkelur kurrë nga pushtuesit”.

Po aty në oborr të kishës së Shën Markut, historia dashje pa dashje të bëhet pjesë e kujtesës në retrospektivë teksa sjell peizazhin e para 103 viteve bash këtu në Fan, e ndërkohë të feksen si në një film bardh e zi të mblidhen këtu ardhur nga larg, krerët dhe bajraktarët e Mirditës, Shalës, Shoshit, Berishës, Thaçit, Thethit, Mërturit, Nikajve, Toplanës, intelektualë shkodranë dhe disa arbëreshë me në krye Terenc Toçin. Në mbështetje të tyre ishin atdhetarët e shquar si: Isa Boletini i Mitrovicës, Sulejman Agë Batusha i Malësisë së Gjakovës, Osman Agë Berisha i Berishës, Beqir Halili i Krasniqes, Halit Brahimi i Gashit, Dedë Gjo Luli i Hotit, Zenel Shabani i Kastratit, Isuf Doda i Lurës, e të tjerë.

Ishte llogaritur se po të vinin ndihmat garibaldianë në armë, fishekë dhe të holla, ushtria e Qeverisë së Përkohshme në fazat fillestare të veprimeve luftarake do të arrinte në 60 mijë vetë, ndërkohë që drejtuesit e Qeverisë së Përkohshme kishin hyrë në lidhje me krerë të Shqipërisë së Jugut, duke marrë premtimin që kryengritja të shpërthente edhe atje. Pra vendi ndodhej në prag të kryengritjes së përgjithshme.

Dështimi i kësaj sipërmarrje kurajoze shqiptare ka lidhje me përplasjen e interesave midis dy fuqive të mëdha, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ndërkohë që këto dy shtete kishin nënshkruar një marrëveshje sipas të cilës asnjëra prej tyre nuk do të ndërhynte në çështjen shqiptare, në të vërtetë secila punonte për interesin e vet. Austro-Hungaria përmes protektoratit të kultit bënte presion për ruajtjen e gjendjes ekzistuese, Italia shfrytëzonte ndjenjat  atdhetare të arbëreshëve për të nxitur shqiptarët të ngriheshin dhe të kërkonin ndihmën e Italisë.

Ndër intelektualët shkodranë ishte pjekur mendimi se mund të ndiqej shembulli italian për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri. Ata e kishin evidentuar Mirditën si një lloj “Piemonti” shqiptar, që duke qenë vetë e lirë prej osmanëve do të mund ta fillonte luftën kundër tyre dhe pastaj kryengritja shqiptare do të zgjerohej në formën e rrathëve koncentrikë, duke përfshirë krahina të tjera. Pavarësisht se kryengritja e Mirditës ishte projektuar dhe organizuar dy herë nga intelektualët shkodranë në bashkëpunim me arbëreshët dhe kishte dështuar të dy herët, ata e kishin pjekur mendimin se një sipërmarrje e tillë do të mund të ishte e suksesshme  në kushtet e reja kur Perandoria Osmane në Ballkan po shkonte drejt fundit të saj, veçse kërkohej bashkim i shqiptarëve nën një udhëheqje politike të vetme, organizim i mirë i forcave dhe ndihmë e mjaftueshme nga jashtë. Afrimi i Ricciotti Garibaldi-t me arbëreshët e krijoi momentin e duhur  për ta projektuar kryengritjen shqiptare që duhet të fillonte në Mirditë. Për kryengritjen e re ishte punuar  prej një kohe të gjatë. Ishin grumbulluar fonde në mes të arbëreshëve në Itali dhe në emigracion; ishin krijuar qendra rekrutimi të vullnetarëve dhe duket se faktori arbëresh ishte i gatshëm të vinte dhe të luftonte. Radhën e kishte faktori shqiptar, që vazhdonte të ishte i përçarë; luftohej në krahina të veçanta, pa program të qartë kombëtar dhe pa udhëheqje të përgjithshme kombëtare. Arbëreshët do të sillnin në Shqipëri përvojën e organizimit të garibaldianëve, mbi njëmijë forca të stërvitura mirë, por që mund të arrinin deri në disa mijëra, me përvojë luftarake,që do të përbënin bërthamën e forcave kryengritëse, armë, veshje dhe ushqime. Dhe në kohën kur Consiglio Albanese që udhëhiqej nga Garibaldi po mendonte për zbarkimin në Shqipëri, Terenc Toçi, një arbëresh që kishte vite në shërbim të çështjes shqiptare, pa qenë pjesëtarë i këtij Këshilli dhe pa u takuar me Garibaldin, por me informacione të qarta për misionin e tij, i drejtohet Gjeneralit dhe e njofton se do të shkonte në Shqipëri për të mundësuar zbarkimin e garibaldianëve dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Dhe pasi mori udhëzime nga Garibaldi, duke mos qenë formalisht i varur prej tij, Toçi erdhi në Shqipëri dhe iu vu punës për organizimin e kryengritjes….”.

Nga Fani drejt Kimzës

Kjo është historia, dhe ne si për të ecur në gjurmët e saj, pas Fanit, i jemi drejtuar Kimzës. Për të shkuar atje na duhet të marrim rrugës nga Fani për të kaluar fshatin Bisakë e më pas Shtrungajn, Mashtërkorin e Oroshit, për t’iu shmangur rotondos autostradale të Repsit për t’u ngjitur në drejtim të Shpalit e me pas në drejtim të Gjegjanit të Pukës së tanishme (Mirditës së hershme). Zbresim në qendër të Gjegjanit ku na duhet të gjejmë makinë tjetër për në Kimzë, vendin ku burrat e prillit të 1911-s me në krye Terenc Toçin, i ishin avitur me kuaj e në këmbë përmes Munellës dhe jo si ne me makinë për rrotull. Më në fund na vjen në ndihmë një banor i atyshëm me fuoristradë. Ngjishemi në makinë teksa marrin të përpjetën për në Kimzë, pikërisht aty ku një shekull më parë në një shtëpi fare të thjeshtë ishte ngjizur një qeveri shqiptare, qeveria e Kimzës.

Risjellim ngjarjen e ndodhur pikërisht në këtë vend të strukur në mes malesh, këtu e 103 vite më parë. Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë u formua në shtëpinë e Zef Ndojës në Kimëz. “Terenc Toçi e mori detyrën e Kryetarit të Qeverisë me propozimin e Prengë Marka Prengës, ndërsa Zef Shantoja u ngarkua me detyrën e sekretarit. Ishte vendosur që Qeveria e Përkohshme të përbëhej nga 21 vetë, ku përveç Kryetarit të kishte edhe dy Zëvendëskryetarë, ndërsa personat e tjerë do të quheshin anëtarë të Qeverisë së Përkohshme dhe do të kishin për detyrë ndjekjen e zbatimit të vendimeve të Qeverisë dhe organizimin e shtetit shqiptar. Kimza do të ishte përkohësisht një vend, ku Qeveria do të qëndronte derisa të çlirohej Shkodra, në atë periudhë qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë”.

Na bën përshtypje një fakt përse historiografia zyrtare nuk është ndalur ende në analizën e ngjarjeve që ndodhën në Mirditë në periudhën prill-qershor 1911, pavarësisht se në periudhën kur u zhvilluan ato ngjarje pati jehonë të gjerë. Patën shkruar gazetat kryesore të Europës dhe Amerikës, falë edhe bashkëpunimit të vetë Terenc Toçit me shtypin dhe njohjes personale që kishte me disa drejtues gazetash të rëndësishme në Europë e Amerikë.

Jehonë pati edhe brenda trojeve shqiptare. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, në një kryeartikull, të titulluar “Liri a vdekje” shkruante: “…Vetëm habitem kur shoh që Toskët edhe s`kanë marrë armët t`u venë në ndihmë vëllezërve të tyre, Gegëve, edhe s`e kanë kuptuar gjendjen e rëndë të kombit tendë, edhe s`e peshojnë rendësin e punës që lypset për t`u dalë ballë, që të mos humbasin për jetë nga faqja e dheut”.Në një numër tjetër, po kjo gazetë shkruan: “Mirditorët u mblodhëm dhe u betuan e deklaruan Veturdhnimin e Shqipërisë. U zgjodh një Qeveri e përkohshme nën kryesinë e gjeneralit Torenc Toçi dhe u shpërnda një qarkore nëpër konsullata kudo nga Qeveria e Përkohshme. …Trumpeta po na thërret, flamuri i veturdhnimit të Shqipnisë u ngrit e po valon në ato male të Gegërisë si në kohë të Skenderbeut”

Vite më vonë, Eqerem Bej Vlora, një personalitet i shquar dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare shkruan: “Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë, në vitin 1911, në Cetinj mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Toçi. Në krye të një grupi vullnetarësh e malësorësh, ai çau deri në Mirditë, ku edhe shpalli një republikë shqiptare, doemos jetëshkurtër, që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë aksion, të thuash operetë, ishte besnikëria ndaj etnitetit shqiptar që arbëreshët dëshmuan me qëndrimin e tyre: “Ata luftuan me trimëri të rrallë e pa asnjë mëdyshje, thuajse me gëzim, rrezikuan jetën e tyre, duke u dhënë kështu zemër edhe vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur para aq kohësh”.

Po Donat Kurti shkroi më vonë një artikull me titull: “Flamuri që u ngrit në Kimëz në vitin 1911”, që u botua në revistën “Hylli i Dritës” Nr.11, viti 1937. E përmend gjithashtu Justin Rrota në artikullin “Si e bombarduen malazezët Shkodrën”.

U desh një shkrim studimor i Prof. Dr. Aurel Plasarit me titullin bombastik “Si (nuk) u shpall Pavarësia më 1911”, që opinioni publik të mësonte një të vërtetë të lënë disi në heshtje, se në prill të vitit 1911 kishte patur përpjekje serioze për të organizuar luftën e përgjithshme antiosmane në Shqipëri.

Pavarësisht nga këto përpjekje, historiografia zyrtare vazhdon ta trajtojë Kuvendin e Fanit dhe Qeverinë e Kimzës si “ngjarje lokale, që i bëjnë nder trevës dhe që ndihmuan në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare në ato zona”, duke u kujdesur për të mos u dhënë atyre ngjarjeve asnjë dimension kombëtar.

Në errësimin e ngritjes së flamurit në Fan të Mirditës, në periudhën e regjimit komunist, pati ndikuar edhe pozicioni politik i pjesëmarrësve të Kuvendit. Dihet se vetë Terenc Toçi u bë zyrtar i lartë i regjimit të Zogut dhe më vonë i fashizmit.

Studimet serioze që kanë dalë në dritë kohët e fundit edhe për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë,  por edhe shqyrtimi i materialeve të shumta që ndodhen në Arkivin e Shtetit na krijojnë një kuadër më të plotë rreth synimeve të arbëreshëve, marrëdhënieve të tyre me garibaldianët dhe misionit të Terenc Toçit. Prof. Dr. Ramiz Abdyli në librin “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Libri II, i kushton një hapësirë të gjërë kësaj ngjarje, duke u mbështetur mbi dokumente të shumta: raportet e Legatës Bullgare në Cetinë, të Ambasadës Austro-Hungareze në Stamboll, gazetat malazeze të kohës, si dhe publikime të historianëve si Gazmend Shpuza dhe Shukri Rahimi. Edhe historiani tjetër, Prof. As. Dr. Romeo Gurakuqi jep të dhëna nga Arkivi i Shtetit në Bari, Arkivi i Foreign Office në Londër, librin e Nikollë Ivanajt, “Historia e Shqipërisë së re”, librin e Rahim Shukriut “Lufta e shqiptarëve për autonomi”, si dhe një artikull me karakter historik të studiuesit Mehmet Drita, botuar në revistën “Studime Historike”, Nr.2, të vitit 1990. Ka gjithashtu përpjekje nga studiues të tjerë për t’i vlerësuar këto ngjarje në studimet e tyre.

“Shtëpia e Qeverisë”, dr. Terenzio do ta ringrejë

Prisnim të shikonim një konak krenar! Por jemi befasuar qe ne hyrje, në oborrin e një shtëpie të thjeshtë, por tërësisht të rrënuar. Shiu duket se ta bën gjendjen akoma më gri. Dhe të vjen keq që pikërisht një shtëpi e tillë historike, është katandisur aq keq. Nuk ka asgjë të shënuar aty. Janë shenjat e një shtëpie të mirëorganizuar dikur me odën e kuvendit, të ndenjes, odat e shërbimit e të fjetjes, më bodrumet e kafshëve poshtë, rrethimin me gardh, oborrin e gjerë, arnajat poshtë saj dhe rreth e rrotull me plot pemë, për të kuptuar se ka qenë një bujtinë krenare dikur. Kjo shtëpi patriotësh, ka të shënuar në memorien 100 vjeçare një nga historitë më interesante e të lavdishme të atyre kohëve, por tashmë nuk tregon asgjë më. Është bjerrur si mos më keq.

Nipi i Tocit të famshëm ndihet keq për këtë gjendje, dhe duket se gjaku i dajës e thërret për të bërë diçka ndryshe, për ta ribërë atë. Ndaj bisedat rrjedhin gjithë emocion me pinjollët e kësaj dere, që të mos e lënë për t’u shuajtur këtë vend historik së bashku me historinë që bart ajo këtu e një shekull.

Duket se me pinjollët e kësaj shtëpie, do bien në një mendje, dhe kësisoj trashëgimia kulturore dhe historike e vendit të ketë dhe një pikë referimi të rëndësishëm shtetbërje, edhe pse kaq jetëshkurtër, të shënuar nga Fani në Kimzë, m’u në zemër të “Piemontit Shqiptar”, Mirditën e gjerë.

Gjergj Marku

Nikolle Loka