Arben SALIU/ Vlorë, 70 vjet nga terrori nazist,kush ishin heronjtë dhe tradhtarët

1622
Sigal

Arkiva dhe dokumente: Ja çfarë ndodhi në Vlorë 7 dekada më parë. Kush luftoi me armë në dorë për liri, e kush bashkëpunoi me pushtuesit

    Megjithëse, 29 Nëntori është ligjëruar si festë zyrtare, krahu i djathtë politik vazhdon ta bojkotojë atë, nën pretekstin absurd se, “Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor 1944”. Personalisht nuk do të ndalesha në këtë shkrim rreth debatit shterp se kur është data e çlirimit, pasi këtë nyjë e ka zgjidhur me kohë historiografia ushtarake, e cila sanksion si ditë pushtimi atë datë kur shkel çizmja e okupatorit dhe ditë çlirimi, jo kur ikin okupatorët, por kur hyjnë triumfalisht fitimtarët(në Shkodër). Dëshmitarët okularë të këtyre dy momenteve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, fatmirësisht nuk mungojnë, ashtu siç nuk mungojnë as dokumentet arkivore të kancelarive të huaja. Në këtë këndvështrim, me të drejtë shtrohet pyetja: “Të djathtën shqiptare e preokupon sinqerisht dita reale e çlirimit të Shqipërisë, apo mohimi Luftës Antifashiste?!”  Faktet i mëshojnë argumentit të dytë. Pse? Le të flasim konkretisht.

 E VËRTETA NË DOKUMENTE

E Djathta shqiptare (ajo që është e qenësishme) tregohet hipokrite kur vë ndonjë kurorë te Varrezat e Dëshmorëve të  Luftës Antifashiste, pasi ajo vazhdon ta cilësojë atë luftë civile, meqenëse, ajo pati fitimtarë krahun e Majtë dhe jo antikomunistët kolaboracionistë. Lufta e Dytë Botërore nuk ishte luftë kundër komunizmit, por kundër fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.  Është kjo arsyeja që në këtë luftë Ruzvelti dhe Çurçilli nuk bashkuan me Hitlerin dhe Duçen për të mundur Stalinin, por lidhën aleancë me këtë të fundit për të shfarosur nazifashizmin. Dhe merita e madhe e udhëheqjes politike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar qëndron pikërisht në faktin se ajo e orientoi këtë luftë në krah të aleancës progresiste anglo-sovjeto-amerikane. Kjo gjë i solli popullit tonë lirinë dhe e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim territorial i mundshëm, nëse do të kishte ecur pas qerres së Ballit Kombëtar.Përveç hipokrizisë, e djathta shqiptare, nëpërmjet njerëzve të saj të veshur me pushtet, jo në pak raste ka provokuar rëndë kontributin e popullit tonë në përballjen e tij me bishën nazifashiste. Memoria kolektive zor se do të harrojë, që vetëm në Shqipërinë postkomuniste vazhdojnë të përbalten heronjtë dhe të nderohen kuislingët e kriminelët e Luftës së Dytë Botërore.

NËPËRMJET SHEMBUJVE

Shembujt janë të shumtë. Ja disa prej tyre: Para pak kohësh, një politikan i çakorduar, në një prononcim publik deklaroi se :” Ne (e djathta) e nderojmë Luftën Antifashiste, por jo komandantët e saj, pasi ata ishin horra e kriminelë”. Si mund të nderosh luftën, kur flet marrëzira të tilla. A s’ishin komandantë të kësaj lufte emra të tillë të lavdishëm si: Vojo Kushi, Reshit Çollaku, Asim Zeneli, Skënder Çaçi, Kajo Karafili, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Tahir Kadare, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Islam Radovicka, Hulusi Spahiu, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Bexhet Mema, Neki Imeri, Dervish Hekali, Mestan Ujaniku, Zaho Koka, Kastriot Muço, Hysen Çino, Myslym Shyri, Petrit Dume, Hito Çako, Sadik Bekteshi, Rrahman Parllaku, Muhamet Prodani, Teki Kolaneci, Mustafa Kaçaçi, Arif Hasko, Jaho Gjoliku, Gjin Marku, Nexhip Vinçani, Fuat Babani, Pëllumb Dishnica, Hajdar Dushi, Ali Demi, Xhavit Qesja, Hamit Keçi, Kahreman Ylli, Themo Vasi, Kozma Naska, Pano Xhamballo, Lefter Talo, Mitro Xhani, Meleq Gosnishti, Ajet Xhindole, Ramiz Aranitasi, Dino Kalenja, Xheladin Beqiri, Gjok Doçi, Myzafer Spaho, Sali Verdha, Veli Niman Doçi, Myslym Keta e plotë të tjerë, pa lënë jashtë vëmendjes Spiro Moisiun, Myslym Pezën, Shefqet Peçin e Haxhi Lleshin që jua lënduan kockat te varri, apo i burgosën në pleqërinë e tyre të thellë, vetëm për të plotësuar orekset e të menderosurve të 29 Nëntorit 1944 dhe pinjollëve e përgjëruesve të këtyre sojsëzeve?!  Është normale të kesh një vlerësim të tillë për ta, kur nostalgjia shkon te bashkëpunëtorët e ngushtë të fashizmit, si  për Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Mark Gjon Markaj, Halil Alinë e Selim Kaloshin, Lef Nosin, Patër Anton Harapin e Eqerem bej Vlorën, Hamit Matjanin, Llesh Marrashin, Hasan Isufin, Jup Kazazin, Besim Belishovën, Alush Leshanakun, Idriz Jazon,  Isa Toskën, Maliq Koshenën, Neki Oshtimën etj., “nacionalistë” të këtij kallëpi. Vetëm fotografia e Patër Anton Harapit me gjeneralin e Zbulimit nazist, Josef Fitzthum, në hollin e hotel “Dajtit”, flet qartë se  sa “patriot i kulluar” ishte ky klerik kuisling.

SHQIPËRIA KRAH FITIMTARËVE

Shteti shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore, si një nga vendet që u radhit në krahun e fitimtarëve të kësaj lufte, në bazë të Rregullores së Gjyqit Ushtarak Ndërkombëtar kishte detyrim ligjor  të ulte në bankën e drejtësisë shërbëtorët e zellshëm të okupatorëve nazifashistë, të cilët kishin kryer aktin e lartë të tradhtisë kombëtare apo ishin implikuar në krime kundër popullit. Është e drejtë e zonjës Topalli t’i lëndohet shpirti për kuislingët shqiptarë 24 karatësh, pasi ajo ka kohë që është kthyer ombrella e tyre, por duhet ta ngulisë fort në tru, se  në gjithë vendet që u çliruan nga çizmja nazifashisto-militariste,  ndaj kësaj kategorie s’pati asnjë pikë mëshire.  Për këtë fakt le të pyesë edhe zotin Berisha, i cili meqenëse ka kryer studimet pasuniversitare në Francë, e di shumë mirë se si veproi ky shtet demokratik me bashkëpunëtorët e hitlerjanëve. Shkrimtari i njohur francez Brazijak u dënua me vdekje nga De Goli vetëm se kishte pozuar me uniformë naziste!!! Mos vallë De Goli ishte komunist?! Është urrejtja për Luftën Antifashiste dhe heronjtë e saj,  që në një nga qytetet me vlera të theksuara patriotike e liridashëse, siç është Shkodra, ka mbi një dekadë e gjysmë që plehrat e qytetit derdhen në hyrje të varrezave të dëshmorëve. I kësaj natyre është edhe vendimi i fundit këshillit bashkiak të këtij qyteti për zhvendosjen e monumentit të Heronjve të Vigut nga qendra, me destinacion aty ku derdhen plehrat (“sepse ky është vendi më i përshtatshëm për ta”!!!). Por populli e ka të qartë këtë veprim provokativ.  Vrasësit e Heronjve të Vigut nuk janë okupatorët, por mercenarët e Markagjonëve, pinjollëve të të cilëve u picërrohen sytë kur i shikojnë heronjtë të derdhur në bronz.

PARADOKSET

Këto vendime që  merren në emër të një pjese të popullit (me bekim nga lartë), po të perifrazojmë Kadarenë: “kërkojnë të rivrasin të rënët”, mbasi vetëm kështu, sipas rradakes së tyre, mund të kryejnë dekomunistizimin e plotë të Shqipërisë!!!

 A nuk u veprua në këtë mënyrë edhe në Mirditë me çmontimin dhe asgjësimin e monumentit të Heroinave të Mirditës, kur zbarkoi pas afro gjysmë shekulli emigracion në vendin e krimit kryebanditi Ndue Pjetër Gjonmarkaj, vrasësi i tyre, i Ndrec Ndue Gjokës dhe i Bardhok Bibës? Me këtë logjikë perverse ju hoq edhe emri i Perlat Rexhepit nga një shkollë, për ta zëvendësuar me atë të Azem Hajdarit. Nëse emri i Azem Hajdarit duhej të përjetësohej në një nga rrugët apo shkollat e Shkodrës është më se normale, por jo duke i hequr emrin Perlat Rexhepit. Ç’turp i ka sjellë Shkodrës “toska i vogël”, apo se me gjakun që derdhi, u kthye një nga simbolet e lirisë të këtij qyteti dhe mbarë Shqipërisë?!!   Në kujtim të masakrës së 4 shkurtit në Tiranë dhe në nderim të 84 viktimave të saj nga  terrori i egër kuislingo-nazist, në vend që të ngrihej një obelisk në qendër të kryeqytetit, nga zyra presidenciale janë akorduar dekorata për gjakësorët e kësaj date. Për këtë vlerësim, familjarë të vëllezërve të pushkatuar Huta, dëshmitarë okularë në këtë ngjarje tragjike, reaguan  ashpër publikisht. Po kush i dëgjoi?! Kriminelit, si për ironi të fatit,ju ngrit edhe bust!! Edhe poetin partizan Memo Meto nuk e vranë fashistët, por kasneci i tyre Arap Lilua, emri i të cilit është rreshtuar si viktimë e regjimit komunist për t’u dëmshpërblyer, mbasi humbi jetën përkrah forcave gjermane në Kuç, ditën kur ra heroikisht Dervish Hekali. Po Vasil Shanton a nuk e vranë xhandarët e Llesh Marrashit, për të cilin nuk mungojnë ditirambet, pasi ai është  “organizatori  kryengritjes antikomuniste së Koplikut”?!!!

O tempora! O mores!

DEFORMIM I HISTORISË

Një marrëzi tjetër e së djathtës shqiptare, që i vjen për hosh edhe ndonjë historiani mediokër dhe mistrec, është se gjermanët nuk ishin pushtues, por kalimtarë. Autori i këtyre radhëve është me origjinë nga Vranishti i Vlorës, ku gjatë Operacionit të Dimrit nazistët masakruan 57 burra, gra, fëmijë e pleq, duke kryer një nga masakrat më të përgjakshme në shkallë vendi. Nëse gjermanët ishin kalimtarë, atëherë ç’kërkonin ata në këtë fshat të Labërisë me thikë në dhëmbë dhe urë zjarri në dorë, pasi andej nuk të bije rruga për të dalë matanë kufirit shtetëror, n.q.s nuk shkon kastile?! Të djegësh fshatra të tëra, të hedhësh ura në erë, të varësh vajza në mes të qytetit, të kryesh terror në popullatën civile, të internosh në kampet më famëkeqe me qindra njerëz që kërkojnë të jetojnë të lirë, vallë a mund t’i bëjë këto veprime një ushtri që trumbetohet se “nuk ka qenë okupatore”?! Se sa kalimtarë ishin nazistët, e tregon më së miri dokumenti i hartuar nga ministri i jashtëm shqiptar Vehbi Frashëri, i cili “ nëpërmjet shprehjes së konsideratës më të çmueshme” rreket ta bindë Hermann Neubacherit, përfaqësuesin e  posaçëm të Ribentropit  për gjithë Europën Juglindore, se  qeveria “po mundohet t’u japë me kuptue elementëve kundërshtarë, se Shqipëria është e pavarur dhe se autoritetet ushtarake gjermane ndodhen si mysafirë”. Kjo letër merr shkas nga reprezaljet që kryen forcat gjermane  në qytetin e Vlorës, si rezultat i ekzekutimit të ballistit Hazis Sharra nga njësiti gueril i drejtuar prej Rrahman Parllakut. Betimi që bëri  eksponenti i Ballit Kombëtar të Vlorës, Kudret Kokoshi, para trupit të Hazis Sharrës, se “Sot qan një nënë dhe nesër do qajnë 101 nëna”, u konkretizua realisht, kur gjatë natës së 9 tetorit 1943, mbi 100 persona u arrestuan dhe u përcollën për në kampet e shfarosjes, nga ku nuk u kthyen më të gjallë. Po të shikosh me vëmendje listën, në të mbizotërojnë aktivistë të rezistencës antifashiste dhe  qytetarë që i kishin kthyer shtëpitë dhe lokalet e tyre në baza të luftës. Ndër të arrestuarit janë edhe katër klerikë patriotë, një prift dhe tre hoxhallarë, njëri prej të cilëve është pjesëtar i familjes Imami, mulla Qazimi. A mund të orientoheshin gjermanët (për rastin në fjalë) në shtëpitë e antifashistëve vlonjatë pa ndihmën e Kokoshëve dhe kodoshëve të tyre?! Sigurisht që jo. Po a s’pati dhe qindra bij të tjerë nga pothuajse gjithë Shqipëria,  që u degdisën nëpër kampe përqendrimi, u burgosën, u torturuan, u pushkatuan dhe u shkrumbuan?! Atëherë në emër të kujt morali  nderohen  nga segmente të caktuara të politikës shqiptare bashkëpunëtorët e nazifashizmit duke i etiketuar në Pishtarë e Martirë të Demokracisë?!

Këta lloj pishtarësh  janë nga ata që thotë Dritëro Agolli, që nuk ndriçojnë, por të vënë zjarrin. Dhe për kësisoj pune,  s’ju ka munguar kurajoja ta djegin Shqipërinë, sa herë që pardonëve të tyre jua ka dashur nevoja apo kokrra e qejfit.

DOKUMENTI I SIPËRCITUAR

SHTETI SHQIPTAR

KOMITETI EKZEKUTIV I PËRKOHSHËM
SEKSIONI PËR PUNËT E JASHTME                                                                                             Tiranë, më 25 tetor 1943

Zoti Ministër!

Në lidhje me arrestimet e bëra kohët e fundit prej autoriteteve ushtarake gjermane në Vlorë etj, kam nderin të sjell në dijeninë e shkëlqesisë suaj sa vijon: Arrestimi i personave në fjalë është bërë pa dijeninë e Komitetit dhe pa pas ekzistue më parë një shpallje shtet-rrethimi  as nga ana e autoriteteve shqiptare, as nga ana e autoriteteve ushtarake gjermane. Gjithashtu, Komitetit i rezulton se të arrestuarit në fjalë janë dërguar përtej vijës kufizore të Shqipërisë dhe me ç’duket, ata sot ndodhen në Manastir të Bullgarisë.

Kundrejt këtij fakti, detyrohem në emër të Komitetit të tërheq vërejtjen shkëlqesisë suaj mbi cenimin që i është bërë prestigjit dhe autoritetit të këtij Komiteti, i cili me shumë vështirësi po mundohet t’u japë me kuptue elementëve kundërshtarë se Shqipëria është e pavarur dhe se autoritetet ushtarake gjermane nuk përzihen në punët e saj të brendshme, mbasi ato ndodhen këtu, sipas deklaratës së Gjeneral-Major Bessel, si mysafirë dhe vetëm për qëllimet e luftës.

Mbas sa më sipër, i lutem shkëlqesisë suaj që të ketë mirësinë me ndërmjetësuar për kthimin në Shqipëri të të arrestuarve dhe për dorëzimin e tyre autoriteteve shqiptare me qëllim që këto të hetojnë dhe të gjykojnë mbi fajet eventuale të tyre ose të një pjese të tyre.

Pranoni ju lutem Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të çmueshme.

ANËTARI I KOMITETIT EKZEKUTIVI NGARKUAR  PËR  PUNËT  E  JASHTME                                                                   VEHBI  FRASHËRI

DOKUMENTI ARKIVOR

SHKËLQESISË SË TIJ

ZOTIT DR. ING. HERMANN  NEUBACHER

FUQIPLOTË I POSAÇËM I MINISTRISË

SË JASHTME PËR JUG-LINDJE

TIRANË

Bashkëlidhur me këtë shkresë jepet edhe lista e 104 personave, e cila është formuluar në gjermanisht nga autoritetet gjermane. Në krah të çdo emri, jepet motivacioni i arrestimit. Identiteti i të arrestuarve nuk të lë të stërmundohesh për shqipërimin e saktë të tyre, ashtu siç nuk është e vështirë që familjarë apo njerëz që i kanë njohur nga afër personat për të cilët bëhet fjalë, të bëjnë plotësimet përkatëse, që siç nënkuptohet, për inerci  apo për rrethana objektive që s’mund të japim dot shpjegime, kanë ngelur të cunguar në këtë listë. Të tillë mund të përmendja për shembull: Ali Shakire (Çakërri), Beynet (Bexhet) Zyberi, Faslli Gjelo (Xhelo), Muhamet Netshib  (Nexhipi) apo Shyqyri dhe Ferik (Buzi), Hasan (Doçi) Tishol (Feçor) Maliqi, Dr. Doga, Dr. Noçka etj..

REFLEKTIM MBI DOKUMENTE

Duke marrë shkas nga këto dokumente, që gjenden në Arkivin  e  Ministrisë së Punëve Jashtme (Viti 1943, Dosja 21, Fletët: 123, 127, 128, 129),  m’u  kujtua një episod i bukur, kur luftëtari i hershëm antifashist dhe poeti revolucionar Petro Marko kthehet nga burgjet e Italisë për në Atdhe, në prag të çlirimit. Gjatë rrugës për në Berat, përballet me një komandant kolaboracionist. Si dy të njohur që ishin me njëri tjetrin, Petrua i zgjat dorën, por ai refuzon duke i thënë: “S’ta jap dorën o Petro vëllai, se e kam me mut”. Shteti demokratik nuk ka për detyrë që t’u shpëlajë duart e fëlliqura falangave të okupatorëve, por të nderojë këdo që i ka shërbyer vendit me ndershmëri, atdhedashuri e patriotizëm, duke sakrifikuar edhe jetën,  përfshirë këtu edhe gjithë ata që janë  viktimizuar e persekutuar padrejtësisht nga çdo formë diktature që ka sunduar në  Shqipëri.

LISTA E TË ARRESTUARVE

 Më poshtë po japim të plotë listën e 104 personave të arrestuar nga autoritetet ushtarake gjermane, duke i qëndruar besnikërisht renditjes dhe shkrimit të emrave :

Abschrift (Kopje)

UBERËEISUNGSLISTE

(Lista e qarkullimit të personave)

1-Prof. Piro  Minga

2-Mërkur  Minga

3-Enver  Aslan

4-Dalip  Meminaj

5-Jani  Nita  Janka

6-Straçi Dimitri

7-Faik  Haruni

8-Bitri  Llag’

9-Bitri  Josif

1O-Stefano  Cuk

11-Mazher Mezini

12-Shaban  Dauti

13-Dadi  Mezini

14-Ismail  Malo

15-Ratip  Dervishi

16-Hamdi  Dervishi

17-Sulo  Gorishti

18-Sali  Dibra

19-Spiro  Suli

20-Ali  Shakire

21-Isuf  Ali Berberi

22-Mensur  Mustafaraj

23-Pavlo  Papingji

24-Siaudin Osmani

25-Osman  Rakip

26-Thanas  Babi

27-Feti  Bora

28-Dr. Doga

29-Fejo  Dine

30-Micheles Azzetura

31-Dr. Noçka

32-Tol Rapusi

33-Pilo  Pogaçe

34-Elmaz  Memo

35-Vangjel  Vasili

36-Maza  Salvator

37-Mihal  Pema

38-Hayredin  Selfo

39-Aleks  Deda

40-Lito  Goda

41-Loruso  Michele

42-Jani  Goda

43-Koço  Masho

44-Mihal  Koci

45-Niko  Kuri

46-Niko  Koçi

47-Ramadan  Rama

48-Hasim Daut

49-Loni  Samarxhi

50-Emin  Mana

51-Jani  Panajdi

52-Dervish  Isuf  Belishova

53-Qazim  Imami

54-Elham Hasan  Gega

55-Sami  Imami

56-Ali Sulo

57-Lula  Ejup

58-Muhamet  Kabashi

59-Kol  Marina

60-Mustafa  Kuçi

61-Shyqyri   ?

62-Ferik       ?

63-Hysmue  Demu

64-Mico  Tërbaçi

65-Mystehak  Murat

66-Sabry  Hoxha

67-Etem  Alush

68-Arif  Laher

69-Hamzo  Veli

70-Cana       ?

71-Nevruz  Adem

72-Hassan  Isuf

73-Novruz  ?  Haidim

74-Asan      ?

75-Hysni  Maliqi

76-Tishol  Maliqi

77-Habas  Abdulla

78-Mohamed  Veda

79-Rrapush  Igbail

80-Myslim  Hamet

81-Beynet  Zyberi

82-Ali  Ueseni

83-Hekuran  Bratshe

84-Dysh  Dura

85-Rapo  Kapllan

86-Sherif  Shaban

87-Nuredin  Zerno

88-Zededdin  Selfo

89-Mehmet  Marko

90-Orhan  Kame

91-Dylaver  Zyber

92-Gjior  Novice

93-Fehim  Mashu

94-Koro  Hasan

95-Netshiib  Dedem

96-Hakim  Kaushi

97-Ramadan  Fejzu

99-Fazli  Gjelo

99-Zere Shaffer

100-Jano Bago

101-Mohamed Netshib

102-Germal Shasha

103-Mustafa Zubal

104-Abas Gjishi