Apostol Kotani: Pse u zgjodh qyteti i Përmetit, vendimet historike të krijimit të shtetit shqiptar, tradhtia e Zogut dhe pse Kushtetuta e tij e ndalonte rikthimin e dezertorëve

1375
Sigal

Leonard VEIZI

Kushtetuta e Zogut ndalonte mbretin të kthehej në Shqipëri, pas braktisjes

INTERVISTA/ Flet Dr. i shkencave historike Apostol Kotani; Kongresi i Përmetit, ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar

Ata e cilësuan mbretin “tradhtar” dhe nuk e lejuan më të hynte në Shqipëri. Ndërsa për vete thanë se popullit do t’i jepnin atë që meritonte, një pushtet popullor e demokratik. Ky ishte fillimi, ndërsa Shqipëria donte ende edhe gjashtë muaj që të çlirohej… Ai është 83 vjeç, historian i njohur me 12 botime serioze, dhe me punë të tjera shkencore ende të pa dala në dritë. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, rreth rëndësisë së Kongresit të Përmetit i cili i zhvilloi punimet në 24 maj të vitit 1944, Dr. i shkencave historike Apostol Kotani thotë:

Përse organizata e veteranëve vazhdon të përkujtojë 24 majin e vitit 1944?

Këtë vit populli shqiptar përkujton me krenari 66-vjetorin e Kongresit të I-rë Antifashist NAÇL, si një nga ngjarjet më madhore të periudhës së Luftës Antifashiste NAÇL, që i dha popullit kryengritës pushtetin demokratik popullor. Mbledhja e këtij kuvendi të madh mbarë-kombëtar, nuk ishte vetëm një aspiratë e popullit dhe e udhëheqjes së luftës, por u bë një domosdoshmëri historike objektive. Fitoret e mëdha të Bllokut Antifashist në dimrin dhe pranverën e vitit 1944, zgjerimi i luftës së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesit nazist dhe tradhtarëve të vendit si dhe çlirimi i një sërë krahinash e qytetesh, pas përballimit me sukses të operacionit armik të dimrit dhe atij të pranverës, krijuan një gjendje të re në Shqipëri dhe çlirimi i plotë i vendit po bëhej gjithnjë e më i afërt. Në këto kushte u shtrua si një domosdoshmëri historike hedhja e bazave juridike të pushtetit revolucionar të këshillave NAÇL, të krijuara që me Konferencën e Pezës dhe të zhvilluara më tej me Konferencën e Dytë të Labinotit. Krahas këtij objektivi, duheshin asgjësuar përpjekjet e reaksionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të mbajtur më këmbë pushtetin e vjetër feudo-borgjez, apo për të krijuar një qeveri tjetër të ngjashme me të, që do t’u kundërvihej luftës dhe fitoreve të popullit. Gjithashtu duhej t’i jepej një hov dhe zhvillim më i madh luftës për çlirimin e plotë të vendit. Vendimi për thirrjen e këtij kongresi u morr më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist NAÇL.

Mbi çfarë baze u bë zgjedhja e delegatëve?

Në rezolucionin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm thuhej: “Në Kongres të përfaqësohen zonat e lira, zonat e pushtuara nga armiku, brigadat dhe batalionet partizane e vullnetare, Bashkimi i Rinisë Antifashiste me 10 delegatë dhe Bashkimi i Gruas me 5 delegatë”. Në zonat e çliruara dhe formacionet e ushtrisë delegatët do të zgjidheshin demokratikisht me votim të hapur nga 3 deri në 5 vetë për çdo komunë. Në zonat e paçliruara do të caktoheshin nga këshillat e qarqeve apo te qyteteve. Delegatët e Kongresit u zgjodhën nga mbledhjet e delegatëve të komunave apo të njësive të ushtrisë. Në qarkoren e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm thuhej se: “Delegatët komunalë dhe sidomos delegatët për në Kongres, duhet të zgjidhen nga radhët e militantëve dhe luftëtarëve më të provuar dhe që përfaqësojnë me të vërtetë popullin”. Në këtë mënyrë në Kongres u përfaqësua i gjithë populli, nga Jugu në Veri, nga terreni dhe ushtria, me parti dhe pa parti, nga radhët e klerit, rinia dhe gruaja. Gjithsej u zgjodhën 200 delegatë.

Pse u zgjodh Përmeti si vendi më i mirë për zhvillimin e Kongresit?

Sepse krahina e Përmetit dhe krahinat përreth kishin një pozitë të favorshme strategjike që mund të mbrohej më mirë nga forcat partizane dhe ato popullore. Së dyti, sepse qyteti i Përmetit ishte i çliruar dhe, me këtë, duhej t’i tregohej opinionit të brendshëm dhe të jashtëm se lufta e popullit shqiptar kishte kaluar nga faza e luftës partizane, në një luftë të rregullt me veprime të mëdha të bashkërenduara, kish kaluar në fazën e çlirimit të qyteteve. Së treti, për të nderuar kujtimin e udhëheqësve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, që lindën në truallin e Përmetit, Poetin e madh Naim Frashërin, filozofin dhe dijetarin e shquar Sami Frashërin dhe revolucionarin e madh Abdyl Frashërin. Gatishmëria dhe mikpritja përmetare tradicionale u shfaq edhe këtë radhë me gjithë madhështinë e saj. Përmetarët, megjithëse të djegur disa herë, hapën zemrat dhe dyert e shtëpive të tyre për delegatët dhe forcat partizane në mbrojtje të tyre. Ata përgatitën stolat e mbledhjes, grumbulluan karrige dhe siguruan bazën e nevojshme materiale për përgatitjen e ushqimit, dhe u vunë në gatishmëri për gjithë shërbimet e tjera të rendit dhe qetësisë. Ata zbuluan në lumin Vjosë një shishe që mbante brenda një informacion për armiqtë mbi vendin e punimeve të Kongresit. Të binte në sy zbukurimi i sallës së kazermës me flamurin e madh kombëtar dhe portretin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit, përballë. Në faqet anësore ishin vendosur portretet e udhëheqësve të vendeve aleate të SHBA, BS, Anglisë dhe një sërë parullash e citatesh. Në faqen e pasme ishin shkruar parullat “Poshtë Fashizmi”!, “Poshtë Këshilli i Naltë i Regjencës”! Ndërsa një metër rreth mureve të sallës ish pikturuar një zinxhir i këputur në shumë vende ku formoheshin parullat: “Poshtë Fashizmi”! “Liri Popullit”! Për këtë zbukurim, një nga pjesëmarrësit në Kongres, Behar Shtylla, më 1945 do të shprehej: “Këto mure të zbardhura mirë me gëlqere, këta flamurë e këto fotografi, këto piktura e këto parulla të vendosura me aq kujdes e proporcion, pasqyronin shijen dhe kujdesin e partizanëve edhe në punë”. Një sallë tjetër aty pranë u përgatit për argëtimin e delegatëve, ku u dhanë koncerte me këngë patriotike, partizane e popullore si dhe shfaqje. Në Përmet ka zanafillën dhe krijimi i teatrit popullor.

Cilat ishin procedurat e zhvillimit të punimeve të këtij kongresi?

Punimet e Kongresit filluan më 24 maj 1944, ditë e mërkurë në ora 09:00 në prani të 200 delegatëve dhe të një numri të ftuarish. Ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë. Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër Dr.Omer Nishani i cili ndër të tjera tha: “Se ç’të drejta kemi fituar me luftën tonë, e si do ta ngremë ne Shqipërinë e re demokratike e popullore, e dëshmon ky Kongres, do ta dëshmojnë përfundimet e tij”. Raportin “Zhvillimi i Luftës NAÇ të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbaji Enver Hoxha. Ai ndër të tjera tha: “Kjo që bëjmë sot, është një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar. Për të parën herë populli dërgon përfaqësuesit e vet, që i ka zgjedhur lirisht e që ka besim në ta”. Ndërsa, duke bërë fjalë për sakrificat e mëdha që u bënë gjatë luftës tha: “Kemi pasur vuajtje dhe mundime të mëdha, me të cilat bijtë e popullit tonë, të plagosur, pa bukë, të zhveshur, në borë e furtunë, por me moralin kurdoherë të lartë, kanë treguar trimëri të padëgjuara, me të cilat do të mburren me shekuj brezat e ardhshëm të popullit tonë”.

Perse kongresi vendosi ndalimin e kthimit në Shqipëri të ish-mbretit Ahmet Zog?

Sepse Zogu nuk kish prejardhje mbretërore, i tillë u shpall pas përmbysjes me forcën e armëve të Qeverisë së Fan Nolit, më 1928. Sepse në gusht të vitit 1924, duke qenë në arrati, për të përfituar ndihmën financiare dhe ushtarake të Serbisë, nënshkroi me Kryeministrin serb Pashiç marrëveshjen tradhtare sipas së cilës angazhohej: T’i bashkohej Jugosllavisë dhe të njihte dinastinë e Karagjeorgjeviçëve. Të shkrinte Ministrinë e Luftës dhe ushtrinë kombëtare dhe të mbante vetëm një xhandarmëri nën drejtimin e oficerëve rusë të Vrangelit dhe serbë. T’i deklaronte botërisht Konferencës së Ambasadorëve se hiqte dorë nga çdo pretendim mbi sovranitetin e Manastirit të Shën Naunit, të Vermoshit dhe Kelmendit, që vetë ua dha serbëve. Të mbahej larg një politike ngushtësisht kombëtare dhe të mos interesohej për shqiptarët jashtë kufijve dhe të mos pranonte në tokën e vet kosovarët. Në politikën e jashtme të përfaqësohej nga Serbia dhe të mos kishte përfaqësitë e veta diplomatike. Institucionet fetare ortodokse dhe myslimane të viheshin nën vartësi të Serbisë etj. Për këtë i referohem F.253.dosja 105 fletët 2-5 AQHSH dhe librin e Pastorellit “Italia e Albania” 1924-1927, Firence, 1967 f.221. Likuidoi fizikisht një numër patriotësh si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi etj. E vuri vendin nën vartësi të të huajve me huara dhe marrëveshje skllavëruese që i hapi rrugën pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Se në çastet më kritike për fatet e kombit paralizoi aftësinë mbrojtëse dhe u arratis nga Shqipëria duke marrë me vete edhe thesarin e shtetit, dhe,e mbajti vrapin në Greqi e mandej ne Varshavë me 60 valiçe dhe më pas në Stokholm me 111 valiçe. (Shih Gazetën Liktori, Korçë, gusht 1939) Se akti i braktisjes së Frontit për më se tre muaj, i hiqte atij të drejtën e rikthimit, sipas nenit 65 të Kushtetutës së Mbretërisë të vitit 1928. Jo më mbreti, por edhe një ushtar i thjeshtë po të dezertonte nga fronti, merrte ndëshkimin kapital. Kongresistët u njohën edhe me dokumente të reja tradhtie të Ballit Kombëtar, që ishin kapur dhe ekspozuar në sallën e Kongresit. Ato bënin fjalë për një marrëveshje të reaksionit shqiptar me atë grek dhe ballkanik për të mbytur Luftën NAÇL dhe për t’u shitur atdheun shovinistëve të vendeve fqinje. Midis tyre ishte një letër e kreut të Ballit Mit’hat Frashërit, dërguar renegatit Dhimitër Fallo, me anën e së cilës i ngarkohej barra për të biseduar me anëtarë të tjerë të një “komisioni” lidhur me bisedimet me reaksionin grek. Në përbërje të këtij komisioni ishin: Xhavit Leskoviku, përfaqësues i qeverisë kuislinge, Koço Kota i Partisë së Legalitetit. Bile kishin gjetur edhe një përfaqësues të Kosovës. Aty ish ekspozuar edhe pasaporta, një letër rekomandimi e firmosur nga Bahri Omari (ish- Ministër i Jashtëm), për “Qeverinë mike”, si dhe një letër udhëzuese ku përcaktoheshin 8-9-pika mbi të cilat do të arrihej kjo marrëveshje me reaksionin grek. Sipas tyre, forcat e armatosura shqiptare do të shkriheshin me ato të Greqisë, në një ushtri të përbashkët të komanduar nga grekët, që do të përdorej për të shtypur Luftën NAÇL në Shqipëri dhe në Greqi. Jo vetëm kaq, tradhtia arrinte deri atje sa të nënshkruhej edhe një akord me Qeverinë Greke në Kajro që t’i jepej Greqisë “Vorio Epiri”, Shqipëria Jugore, dhe ta fusnin vendin në suazën e mbretërisë.

Kongresi mori vendime të rëndësishme

Mbledhja e përgjithshme vendosi:

1.Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.

2.T’i ndalohet ish- mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.

3.Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë e tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.

Kurse Këshilli i Përgjithshëm vendosi:

-Vendimi mbi rishikimin dhe prishjen e gjithë marrëveshjeve politike dhe ekonomike që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar.

-Vendimi mbi shndërrimin e Ushtrisë NAÇL në ushtri të rregullt, me një udhëheqje të njësuar dhe me një komandë të përgjithshme.

-Vendimi mbi dhënien e gradave në ushtri

-Vendimi për kalimin e Ushtrisë në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare.

Kongresi miratoi veprimtarinë e përgjithshme të udhëheqjes së Luftës, dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL. Këto përbëjnë ligjet e para të pushtetit demokratik popullor.

Kongresi zgjodhi:

Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë. Kryesinë e Këshillit me 25 anëtarë: Dr.Omer Nishani, u zgjodh President, Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe; Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare.

Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli.

U zgjodh Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë.

Enver Hoxha, President, Myslym Peza nënpresident, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me Drejtësinë, Dr.Medar Shtylla, me Ekonominë, Ramadan Çitaku, me Fianncën, Spiro Koleka me punët botore, Dr.Ymer Dishnica, me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me Kulturën dhe Arsimin dhe Bedri Spahiu me Rindërtimin ekonomik.

U zgjodh edhe një Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës.

Kongresi u drejtoi përshëndetje: Popujve dhe ushtrisë Sovjetike dhe Marshallit Stalin, Presidentit Rosvelt, Kryeministrit anglez Uilson Chechill. Marshallit Tito, EAMIT grek, Fanolit për shqiptarët e SHBA. Të burgosurve e të internuarve brenda dhe jashtë vendit. Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL.

Analiza e historianit : Dy fjalë për rëndësinë e kongresit dhe të vendimeve të tij

“Edhe në të kaluarën janë zhvilluar kongrese e kuvende të rëndësishme nga populli shqiptar, si Kuvend i Lezhës më 1443, Lidhja e Prizrenit më 1878, Kuvendi i Vlorës më 1912 dhe një sërë mbledhjesh të tjera për të diskutuar e vendosur për fatet dhe të ardhmen e Shqipërisë. Por Kongresi i Përmetit ndryshon nga këto, si nga rëndësia e vendimeve dhe mënyra se si i zgjidhi ai problemet. Në dokumentet e kongreseve dhe kuvendeve të mëparshme, gjen fakte kur patriotët shqiptarë, të ndodhur në pozita të vështira ndërkombëtare, u janë lutur Fuqive të Mëdha për të njohur vendimet e tyre dhe të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për të vendosur për fatet dhe të ardhmen e Shqipërisë. Krejt ndryshe ndodhi me Kongresin e Përmetit. Ai u tregoi Fuqive të Mëdha se kohët e vjetra, kur për fatet dhe të ardhmen e Shqipërisë, vendosnin ata, kishin perënduar përgjithmonë, se tanimë, ata nuk mund të bënin si të donin, se Shqipëria nuk mund të bëhej më plaçkë tregu, se delegatët shqiptarë nuk do të përbuzeshin më si dikur në Kongresin e Berlinit dhe në mbledhje të tjera ndërkombëtare. Kongresi i Përmetit u tha Fuqive të Mëdha se populli shqiptar i zgjidh vetë hallet dhe problemet e veta, se anijet e tyre nuk mund të zbarkonin më në portet tona ish mbretin Zog apo ndonjë kukull tjetër, se ata nuk mund të nëpërkëmbnin më liritë dhe të drejtat e popullit shqiptar. Ja përse Kongresi i Përmetit, vendimet e tij dhe organet e pushtetit shtetëror e të administratës shtetërore që zgjodhi e krijoi, kanë rëndësi të madhe historike, kombëtare e ndërkombëtare. Ato i dhanë popullit kryengritës pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, mbi të cilat u ngrit më vonë Republika Popullore e Shqipërisë, që zgjidhi përfundimisht formën demokratike të regjimit politik, duke varrosur njëherë e përgjithmonë regjimin monarkik. Ato e bënë Shqipërinë të njohur në botë dhe i prenë rrugën përpjekjeve për krijimin e qeverive të tjera antipopullore. Ai prishi të gjitha marrëveshjet skllavëruese të lidhura me fuqitë e huaja nga regjimi antipopullor i Ahmet Zogut. Vendimet e Kongresit të Përmetit janë vulosur vetëm me votën e lirë të 200 përfaqësuesve, por mbi të gjitha janë vulosur me gjakun dhe sakrificat e 28 mijë dëshmorëve, të të gjithë popullit shqiptar. Në këtë këndvështrim ato kanë fuqi mbarëpopullore të patjetërsueshme dhe askush,person apo institucion qofte, që t’i denigrojë, t’i shkelë apo t’i lërë jashtë historisë, siç ka bërë Instituti i Historisë me tekstin “Historia e Popullit Shqiptar” për shkollat e mesme, ku veç të tjerash e quan “Kongres të Jugorëve dhe pjesërisht të Shqipërisë së Mesme. Kështu është vepruar edhe me tekstin e shkollave tetëvjeçare, megjithë protestat e historianëve dhe të Komitetit Kombëtar të Veteranëve që mbrojnë vlerat e Luftës Antifashiste NAÇL. Janë shkelje flagrante të heqësh emërtimet me emrin e këtij Kongresi, të kësaj ngjarjeje madhore për popullin dhe kombin, rrugëve, shkollave e institucioneve apo të dokumentacionit të ekspozuara nëpër muzeume. Apo të vendosësh, në kundërshtim me vendimin e këtij Kongresi, rehabilitimin e ish mbretit zog dhe kthimin në atdhe të trashëgimtarëve të tij, të presësh Leka Zogun me buqeta lulesh, ti lejosh një bagazh të madh armësh, kur veteranëve u është hequr edhe një pistoletë e vetme, kujtim nga lufta, ta lejosh të bredhë anë e mbanë vendit për të bërë fushatë për rivendosjen e monarkisë, t’i lësh hapësira në televizorin publik apo në shtyp, të vlerësosh ish mbretëreshën me epitete që nuk i meritojnë dhe më në fund t’i japësh edhe statusin e familjes mbretërore, në një kohë kur Leka, veç të tjerash është penalizuar për incidentin e armatosur përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 1997, ta pajisësh atë me pasaporta diplomatike etj. Këto nuk janë lajthitje, as mungesë dije, por koncepte e qëndrime nisur nga presione të forcave të caktuara politike brenda dhe jashtë vendit, për përfitime vetjake apo klanesh. Ja përse veteranët dhe gjithë opinioni i shëndoshë politik i dënon këto veprime të kujtdoqofshin, sepse ato bien në kundërshtim me vullnetin e popullit të shprehur në vendime e ligje. Këto i ndëshkon jo vetëm populli por do t’i ndëshkojë edhe histori. Veteranët, pasardhësit e tyre dhe gjithë njerëzit e ndershëm, si gjer tani dhe kurdoherë do të vazhdojnë të luftojnë me vendosmëri për të ruajtur vendimet historike të Kongresit të Përmetit, dhe gjithë vendimeve të marra nën frymën e tij, jo për nostalgji, por për rëndësinë e madhe historike të tyre, për nderin, lavdinë dhe dinjitetin e kombit dhe të popullit”.

Dhënë për gazetën “Telegraf” më 2010