Antifashizmi shqiptar, “Shtylla” e Antifashizmit evropian në Luftën e Dytë Botërore

Nga Xheladin ÇELMETA 

INTERVISTA/ Ekskluzivisht për gazetën“Telegraf” shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo

“Populli shqiptar ka dhënë një kontribut të madh në atë që quhet antifashizmi botëror. Se duhet parë edhe në raport me numrin e popullsisë. Shqiptarët në shekullin e njëzetë e përqafuan, si rrallë popull, në mënyrë më homogjene antifashizmin. Po të shikojmë historinë e Ballkanit, ku kanë qenë disa popuj të shquar në luftën kundër fashizmit, ku do të përmend edhe grekët, edhe jugosllavët, shqiptarët janë ndër popujt më masivë që kanë përqafuar antifashizmin. Nuk mund ta themi këtë për bullgarët, nuk mund ta themi këtë as për rumunët, se rumunët kishin edhe armatat e hekurta të Antoneskut, të cilat i vuri në shërbim të nazistëve deri në Stalingrad. Por për shqiptarët duhet thënë që në mënyrë masive populli përqafoi antifashizmin. Kurse ato fragmente që ishin kundër antifashizmit, siҫ qe Balli Kombëtar, Legaliteti, numerikisht janë aq të vegjël, sa nuk janë të përfillshme në atë periudhë. Më tepër janë zmadhuar nga propaganda e nga interesa politike, por nuk kanë bazë të konsiderueshme historike. Dhe këtë e vërteton edhe fakti që mbas ’90-s, qoftë Legaliteti si parti, qoftë Balli Kombëtar, jo vetëm që nuk kanë rrënjë në popull, por s’janë në gjendje të nxjerrin qoftë dhe një deputet. Po të ishte kaq popullor, kaq masiv Balli Kombëtar e Legaliteti, normalisht që do nxirrnin ndonjë deputet. Ose edhe kur ka dalë ndonjë deputet prej tyre, ka dalë për arsye të kombinimeve politike në numra, të Partisë Demokratike”. Studiuesi, shkrimtari e kulturologu Moikom Zeqo, në intervistën e tij dhënë ekslkluzivisht për gazetën “Telegraf”, evidenton tiparet më kryesore të antifashizmit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Referuar ekzaktësisht fakteve të pakundërshtueshme historike, ai mes të tjerash konkludon se “antifashizmi shqiptar është “shtylla” bazë e antifashizmit evropian në Luftën e Dytë Botërore. 

Zoti Moikom, si shkrimtar, por edhe si akademik e kulturolog, a ju duket normale që ende sot nuk ka një Enciklopedi të plotë të botuar për Dëshmorët e Atdheut në Shqipëri? 
-Lidhur me enciklopedinë që ju thonë, së pari duhet të theksojmë së edhe studimet për antifashizmin shqiptar ne nuk kemi sinteza të mëdha. Përveç dokumenteve që janë botuar, që janë përgjithësisht dokumente të Partisë Komuniste shqiptare që udhëhoqi luftën, bëhet fjalë nga 1941 deri në 1944, janë edhe dokumente të kundërshtarëve; dokumente gjermane, dokumente italiane, që janë shumë të rëndësishme. Këto dokumente duhen botuar, për mendimin tim. Pra, duhet botuar ai që quhet korpusi burimor i dokumentacionit për luftën. Të botohet i plotë. Pastaj mund të botohen edhe ato studime që kemi bërë ne, si; krijimi i brigadave partizane, ngjarjet historike, si; pjesëmarrësit që kanë qenë në Konferencën e Pezës, në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNҪSh, etj, etj. Ka jo pak nga këto pjesëtarë që kanë shkruar për ato ngjarje. Se të gjithë nuk kanë shkruar. Duhet thënë si fakt, se më shumë nga të gjithë, ka shkruar kujtime për ato ngjarje Enver Hoxha. Do ishte mirë që të kishin shkruar edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, nuk di që të ketë kujtime të shkruara nga Spiro Moisiu. Të gjitha këto që thashë, do të përbënin një burim të madh informativ, për të bërë pastaj sinteza. Mendimi im për këto sinteza është se është shkruar diҫka, por më shumë janë shkrime të tipit retorik historik. Tani, në sulmin që i është bërë LANҪ, mohimit që i është bërë kësaj lufte të lavdishme ҫlirimtare, nuk kemi mundur dot të bëjmë mbrojtjen e duhur. Nuk bëhet mbrojtja e LANҪ me retorikë, mbrojtja bëhet me argumente. Bëhet me konceptualitet. 

Mendimi juaj; cila është e veҫanta e antifashizmit shqiptar?
-Antifashizmi shqiptar është ngjarja më e madhe e të gjitha kohërave për Kombin tonë. Domethënë, nga përmasat, është e nivelit më të madh botëror, madje e niveleve më të mëdha, edhe seҫ ka qenë lufta e Skënderbeut në shekullin e 15-të. Skënderbeu ka rëndësinë e vet të pafundme, kuptohet, por përmasat qenë të tilla se Lufta e Dytë Botërore, qe lufta e miliona njerëzve ushtarë. Kurse koha e luftës së Skënderbeut s’ishte me miliona njerëz. Të jemi realistë. Në Luftën e Dytë Botërore janë miliona njerëz që luftojnë. Janë Rusia, Amerika, Gjermania, pra, miliona njerëz; bëhet fjalë për mijëra divizione. Bëhet fjalë për njësi të motorizuara, me avionë, etj, teknikë luftarake në një numër të jashtëzakonshëm. Lufta e Dytë Botërore ishte lufta me përmasat më të mëdha në historinë e njerëzimit. Ne kemi fituar në luftën më të madhe të zhvilluar në botë, me përmasat më të mëdha në historinë e njerëzimit. E dyta; antifashizmi ishte një shpikje e re. Antifashizmi nuk ka ekzistuar në Luftën e Parë Botërore. Lufta e Parë Botërore ishte luftë imperialiste për të zhvatur territore të shteteve të cilët ishin kundërshtarë në luftë ose u sajuan si “kundërshtarë” në të. Kurse antifashizmi krijoi një kulturë të re të njerëzimit. Dhe ishte shumë e çuditshme. Qe një kulturë e pashembullt. Sepse në luftën e dytë botërore, befas popujt u bënë të ndërgjegjshëm, por edhe politikanët që u takonin regjimeve të ndryshme politike u bënë të ndërgjegjshëm, se fashizmi dhe nazizmi ishin e keqja më e madhe në Glob, ndaj dhe duhej bërë një aleancë për të luftuar dhe për ta mundur këtë të keqe. Kjo shpjegon që aleanca më e madhe që është bërë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, është aleanca midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës, Anglisë. Këto ishin shtyllat kryesore të aleancës më të madhe që u krijua atëherë. Dhe shqiptarët, një popull i vogël, u ndodhën në anën më progresive të historisë. U ndodhën në këtë aleancë të madhe botërore. Nga një vend i vogël, që deri në atë kohë, nuk merrej shumë në konsideratë, u bë pjesë e një aleance të madhe botërore për të luftuar fashizmin në atë kohë. Dhe në këtë aleancë, neve, që kur u pushtuam në ’39-n, e deri sa u çliruam në ’44-ën, me një mençuri të paparë populli shqiptar, duke bërë dhe sakrifica të mëdha, fituam të vetmen luftë të madhe në gjithë historinë e vet, siҫ qe Lufta Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare. Kjo luftë nuk qe thjeshtë një luftë armësh, por qe edhe një betejë e madhe mendore. Se antifashizmi, para së gjithash është një kulturë e madhe mendore. Ne në këtë luftë, kemi bërë atë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në 20 shekuj të historisë sonë kombëtare: Armatat shqiptare kanë shkuar për të ҫliruar popuj të tjerë, deri në Bosnje Hercegovinë, deri në Vishegrad. Ka edhe luftëtarë të brigadave tona partizane të vrarë atje, rreth 400 veta dëshmorë. Së dyti; në luftën ’39-’44, ka disa akte të mëdha humaniste. Me 8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi. Me sa di unë, ishin 65 mijë oficerë dhe ushtarë italianë në Shqipëri. Shtabi i Përgjithshëm i UNҪSh orientoi që këta të mbaheshin me bukë nga shqiptarët. Deri dje ishin armiq, dhe tani do ti mbanin në familje. Një gjë e tillë nuk u bë në Jugosllavi, nuk u bë në Greqi. Ishin akte të larta humaniste. Pavarësisht se edhe italianët krijuan edhe ata një batalion, “Antonio Gramshi” dhe dhanë edhe ata kontributin e tyre në ҫlirimin e Shqipërisë. E treta, ushtria nacional ҫlirimtare shqiptare bashkëpunoi me ushtri të tjera ҫlirimtare ballkanike; me ushtrinë nacional-ҫlirimtare greke dhe me ushtrinë nacional-ҫlirimtare jugosllave. Po, kishin marrëdhënie. Jugosllavët, kuptohet që nuk erdhën këtu, se jugosllavët u ҫliruan nga të tjerët. Shqiptarët janë populli që u ҫlirua vetë. Kryeqyteti i Shqipërisë Tirana u ҫlirua nga forcat e veta partizane shqiptare. Beogradi u ҫlirua edhe me ndihmën e ushtrisë Kuqe; Vjena e shumë qytete të tjera. Apo ka qytete të tjera të Francës që u ҫliruan nga anglo-amerikanët. Kurse ne, pavarësisht modestisë tonë, arritëm fitore të mëdha në Luftën Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare. Natyrisht paguam edhe kontributin tonë; por Lufta Nacional Ҫlirimtare tek ne duhet konsideruar si epopeja më e madhe historike që kemi pasur në të gjitha kohërat. Dhe është ndoshta e vetmja epope heroike që ka përfunduar me fitore. Ne nuk kemi luftëra që kanë përfunduar me fitore. Shqiptarët kanë luftuar e kanë luftuar dhe në fund kanë pasur disfata. Njëzetekatër vjet luftoi Skënderbeu, por në fund fare vendi ra sërish nën sundimin otoman. Lidhja shqiptare e Prizrenit në 1878-n; kishte ushtri, kishte prijës Sulejman Vokshin, kishin madje edhe grada, etj, por më 1881 u vranë që të gjithë. Prandaj, duhet vlerësuar shumë antifashizmi shqiptar. Antifashizmi shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, ishte një kulturë e re. Në vetvete antifashizmi ishte kulturë e re, natyrisht, jo vetëm për Shqipërinë, por për tërë njerëzimin. Kjo kulturë e re krijoi disa koncepte të mëdha. Për shembull; bashkëpunimi midis popujve është koncept modern. Është një koncept, që sot është në bazën e vetë Evropës së Bashkuar. Antifashizmi shqiptar ka sjellë aftësi të mëdha ҫliruese. Lufta e Kosovës në vitin 1998 nuk ishte gjë tjetër veҫse një variant apo një “edicion i dytë” i antifashizmit. Në fund të fundit, u mblodhën shtete të ndryshme, NATO-ja, për të shkatërruar një regjim të egër, gati hitlerian siҫ ishte regjimi i Milosheviҫit. Pra, kemi një përsëritje të një antifashizmi, natyrisht në një formë tjetër, ndoshta jo shumë identitar, por në një formë të ngjashme me atë të Luftës së Dytë Botërore. Tani, kjo epope e ndritur e antifashizmit shqiptar të Luftës së Dytë Botërore, mohohet nga pasardhës të kolaboracionistëve, mohohet edhe nga injorantët dhe jo specialistët. 

Po përse sulmohet nga klane e qarqe të caktuara, pikërisht kjo pjesë e e historisë sonë kombëtare? 
-Sulmohet, sepse kjo është pjesa më e ndritur e historisë sonë kombëtare. Duhet ta dini, se po të mos ishte antifashizmi, ne do ta kishim humbur jugun e Shqipërisë, pasi i ishte caktuar grekëve. Mund të përmend disa ngjarje që janë shumë të rëndësishme, në këtë periudhë. Është Konferenca e Paqes, që u bë në Paris. Aty janë bërë polemika midis Enver Hoxhës dhe Caldarasit, që ishte për palën greke. Ata kërkonin që jugun e Shqipërisë ta kishin brenda kufirit të tyre. Enver Hoxha me të drejtë ju përgjigj që kjo nuk është një ҫështje “e tavolinave me kadife të gjelbërta të diplomatëve”, sepse e dinte që kështu tentohet të lëvizë mekanizmi i luftës. Përfaqësitë evropiane nuk e besuan. Por në ’49-n, ata, grekët, e bënë provokacionin e madh në kufirin jugor shqiptar. Dhe Shqipëria e fitoi betejën me ta. Fitoi, se ishte në të drejtën e saj. Po të mos ishin këto qëndrime parimore, ta dini që Jugu i Shqipërisë do të ishte i gjithi nën shtetin grek. Ka qenë kjo një ëndërr e vjetër shoviniste, e padrejtë. Kështu që, të gjitha këto që numërova më lart, janë një pasuri e madhe e antifashizmit shqiptar. Se ka dhe një tregues konkret për antifashizmin shqiptar: Ne jemi një popull që krahasuar me numrin e popullsisë, kemi dhënë një kontribut shumë të madh, madje do thoja nga më të mëdhenjtë, gjatë L2B. Tani, kush është historia e marrëdhënieve me jugosllavët në L2B? Jugosllavët janë një popull, që kanë ndihmuar shumë në ҫështjen e antifashizmit, por ata u gënjyen në ҫështjen e Kosovës. Fakti është që PKSh, Enver Hoxha bënë Konferencën e Bujanit, që e njihte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Por ata, jugosllavët, nuk e mbajtën fjalën. Por problemi është që neve na kërcënohej shumë jugu i Shqipërisë. Dhe në këtë aspekt, jugu i Shqipërisë shpëtoi nga antifashizmi. Se Greqia mund ta sulmonte Shqipërinë në 1949-n, por po të mos kishte ushtri Shqipëria, ajo mund të merrte edhe Tiranën. Por ushtria shqiptare i mundi agresorët grekë. Ky është fakt. Trupat greke u futën rreth 30-40 kilometra në tokën shqiptare, por pastaj ofensiva e ushtrisë shqiptare i vuri përpara dhe i zmbrapsi, i mundi ata. Ky është rezultat i antifashizmit shqiptar. Shtrohet pyetja: pse e akuzojnë antifashizmin. Unë kam lexuar gazetat e kohës. Gazeta “Tomorri”, për shembull, si një nga gazetat fashiste të kohës, të gjitha tezat që dalin sot nga pseudohistorianë, janë teza që janë të shkruara në atë gazetë. Dhe ato sot përsëriten. Ngrihen lloj-lloj pretendimesh; si, “antifashizmi shqiptar ishte sllavo-komunist”, etj, etj, akuza të pakuptimta. Si mund të ishte i tillë ai, përderisa lufta jonë ishte nacional-ҫlirimtare? Ka deri dhe gjëra të turpshme në këtë aspekt, se si tentohet të deformohen faktet historike. Dhe çuditërisht, kjo ndodh përditë, pikërisht sot. Ne nuk duhet të lejojmë deformimin e historisë sonë kombëtare. 

(Vijon nesër)