Antifashizmi e shpëtoi nga copëzimi Shqipërinë

1322
Sigal

Brigadës XII të UNÇSH, detyra e parë që iu ngarkua ishte siguria dhe mbrojtja e punimeve të Kongresit të Përmetit

Antifashizmi e shpëtoi nga copëtimi Shqipërinë

Kastriot Bezati, historian

Lufta II Botërore përbën konfliktin më të madh në histori. U zhvillua në 2077 ditë dhe u përfshinë në konflikt 61 shtete me 80 % të popullsisë së globit. U mobilizuan 110 milionë trupa dhe u vranë ne front e në prapavija 62 milionë veta. Filloi, më 1 shtator 1939, ditë e premte, kur anija gjermane “Schleswig Holstein” qëlloi mbi depon e armëve në gadishullin Westerplatte të Polonisë. Përfundoi, më 9 maj 1945, disa ditë pasi u ngrit flamuri mbi Raishtagun në Berlin, më 2 maj 1945 nga ushtari sovjetik Mihail Aleksejeviç Jegorov.

Shqipëria u pushtua dhe e filloi Luftën Antifashiste, më 7 prill 1939, ditë e premte, 146 ditë më parë se të pushtohej Polonia. U radhit anëtare në Aleancën e Madhe Antifashiste Angli, BS dhe SHBA. Mujo Ulqinaku është dëshmori i parë i Shqipërisë dhe i Evropës, rënë në fushën e betejës në Durrës, më 7 prill 1939 me fashistët e Musolinit. Edhe çeta e parë antifashiste në Shqipëri dhe në Evropë është çeta e Myslim Pezës, formuar në Pezë të Tiranës, më 5 qershor 1940.

Në vitet e mëdha të LANÇ-it 70.000 luftëtarë shqiptarë u radhitën dhe luftuan nazifashistët në radhët e UNÇSH. Në hapësirën e viteve 1939 – 1944 në luftë me fashistët italianë e nazistët gjermanë u krijuan 54 batalione, 14 grupe, 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata të UNÇSH. Në vitet 1943 – 1944 mbi 150 ushtarakë britanikë erdhën me misione të posaçme në Shqipëri. Në vitet e Luftës së Madhe erdhën edhe 35 amerikanë të OSS (Zyrës së Shërbimeve Strategjike), të cilët shërbyen në Shqipëri. Shqipëria i dha Luftës së Madhe 28000 dëshmorë, nga të cilët mbi 1642 u masakruan në kampet e shfarosjes të ngritura nga nazifashistët në Evropë. Vetëm në kampin fashist të Prishtinës u masakruan 104 dëshmorë të Shqipërisë. Edhe 33 ushtarë britanikë humbën jetën duke luftuar në Shqipëri. Dëshnica e Përmetit u bë një nga vatrat e fuqishme të Luftës për çlirimin e Shqipërisë. Dëshnicarët ishin nga të parët në Shqipëri e në Evropë që u ngritën e luftuan kundër fashizmit. Midis vullnetarëve shqiptare që shkuan në Spanjë dhe luftuan së bashku me 35000 vullnetarë të ardhur nga 53 vende të botës, në radhët e Brigadave Ndërkombëtare kundër fashizmit të Frankos, Hitlerit e Musolinit, ishin edhe 3 atdhetarë nga Dëshnica: Musa Fratari, Daut Muço Potgorani dhe Sabri Lumani nga Katundishta, nga të cilët dy të parët dhanë edhe jetën më 1938: Musai në betejën e Ebros dhe Dauti në frontin e Madridit. Portretin e dëshnicarit e Dëshnicës e bën Lufta për çlirimin e Atdheut. Në vitet e LANÇ-it në Dëshnicë u formuan 3 çeta partizane: Më 25.03.1943 – çeta “Dëshnica” në Kajcë, më 18.07.1943 – çeta “Riza Velçishti” në Fratar, më 16.09.1943 – çeta “Çlirimi” në Vinokashin II. Më 10.04.1943, në Fratar, u bë riorgnizimi edhe i çetës së parë partizane të Përmetit, çetës “Musa Fratari”, formuar në Badëlonjë më 16.03.1943. Mbi bazën e 3 çetave, çetës “Dëshnica”, çetës “Riza Velçishti” dhe çetës “Çlirimi” u formua më 16.10. 1943 Batalioni “Dëshnica” në Kajcë, i cili më 21.02.1944 u riorganizua në dy batalione: në Batalionin “Çome Mandi” dhe në Batalionin “Hiqmet Dusha”. Disa ditë më vonë, më 12.03.1944, në Fratar, u riformua edhe Grupi V i Zonës I Operative apo si quhej ndryshe ‘Grupi Partizan i Dëshnicës’. Më 20.05.1944 u formua Brigada XII e UNÇSH. Nga Dëshnica 795 bij e bija nga më trimat e trimëreshat luftuan në radhët e UNÇSH, nga të cilët 59 janë dëshmorë të Atdheut. Sukë, 20 maj 1944. Formohet Brigada XII. Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH drejtuar Shtabit të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër, u lëshua më 5 maj 1944, ku ndër të tjera thuhej: “Kemi vendosur organizimin e Brigadës XII – të Sulmuese. Forcat e Brigadës: 400 vetë nga Vlora e Mallakastra, 200 vetë nga Gjirokastra. Organizimi … do të bëhet në Dëshnicë”. Partizanët për formimin e Brigadës XII erdhën nga Gjirokastra e Vlora, nga krahinat e Kurveleshit, Mesaplikut, Tepelenës, Mallakastrës, nga fshatrat e Lunxherisë e të Libohovës, të Bregdetit e të Himarës, të Sarandës, nga zonat e Delvinës, Konispolit e Përmetit. Në ato ditë u rreshtuan bashkë me ta edhe vullnetarë të rinj nga Dëshnica si dhe nga krahinat e tjera të Përmetit dhe, në ditën e përurimit, më 20 maj, numri i partizanëve arriti në 670 veta, të cilët u rreshtuan në 4 batalione në një lëndinë të bukur midis kodrave të fshatit Sukë. Në përurimin e brigadës Haxhi Lleshi lexoi përshëndetjen e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH drejtuar Brigadës XII, ku thuhej: “Ushtria Nacionalçlirimtare … lindi dhe u rrit në luftë … Brigada XII Sulmuese do të shkojë përpara duke dhënë kontributin e saj në luftën për çlirimin e Shqipërisë”. Më tej u bë parakalimi i forcave të Brigadës mes entuziazmit të popullit të Dëshnicës, i cili për disa ditë i priti me dashuri, u hapi dyert e shtëpive dhe u vëllazërua me partizanët e Brigadës XII të UNÇSH. Kuadri drejtues i Brigadës XII: komandant – Refat Bajrami nga Gumenica e Labërisë, Komisar – Qemal Klosi nga Klosi i Mallakastrës, n/komandant – Mehmet Jaho nga Bolena e Kurveleshit, zv/komisar – Rahman Parllaku nga Novosej i Lumës, i cili pas 4 ditësh u transferua në detyrën e zv/komisarit në Brigadën III të UNÇSH dhe, në vend të tij, u caktua Vasil Nathanaili nga Dhrovjani i Delvinës. Anëtarë të Seksionit Politik të Brigadës, të cilët ishin njëkohësisht edhe anëtarë të Shtabit të Brigadës, u caktuan: Veiz Gjebero, Vangjelo Sotiriadhi dhe Veiz Pipa.

Detyra e parë që iu ngarkua Brigadës XII – të ishte mbrojtja e punimeve të Kongresit të Përmetit (24 – 28 maj 1944). Nga Tri Urat gjer në Berat, Skrapar, Zagori e Lunxhëri, Kolonjë e Vithkuq, zunë pozicionet e zjarrit partizanët e brigadave V – të, XII – të, VII – të dhe të VIII – të të UNÇSH. Brigada XII – të u vendos që nga Këlcyra, Katundishta, Potgorani, Suka, Ballabani e gjer në Qafën e Kiçokut mbi rrugën Berat – Këlcyrë. Në një hapësirë më të gjerë, në mbrojtje të Kongresit, u vendosën brigadat e tjera të UNÇSH.

Organi politiko – ushtarak i Brigadës e kishte emrin “Flaka”

Më 2 qershor 1944, Brigada XII – të morri urdhër për të hyrë menjëherë në luftime në zonën e qarkut të Beratit, së bashku me Brigadën VII – të të UNÇSH. Kishte filluar Operacioni armik i Qershorit 1944. Një kolonë armike, e përbërë nga nazistë gjermanë dhe tradhtarë të vendit, rreth 1500 veta, të armatosur deri në dhëmbë me artileri, autoblinda e tanke, ishte nisur nga Berati në dy drejtime: njëri për në “Tendën e Qypit” dhe tjetri gjatë rrugës automobilistike Berat – Këlcyrë. Brigada VII – të kishte ditë që zhvillonte luftime me këto forca armike në zonat në afërsi të qytetit të Beratit. Në mëngjesin e 3 qershorit Brigada XII u rreshtua përkrah forcave të Brigadës VII dhe, më 3 – 4 qershor, duke bashkërenduar veprimet luftarake, të dy brigadat zhvilluan luftime e beteja të ashpra e frontale, që nga Therepeli e Shkoza, nga fshatrat afër Çorovodës e deri në Grykën e Rehovës, duke i detyruar forcat armike në mbrëmjen e 4 qershorit të tërhiqen në Paraspuar, Zhitom e Tërpan e gjer në afërsi të Bogovës në zonën e Beratit. Armikut iu shkaktuan shumë dëme në njerëz. Edhe nga radhët e partizanëve pati të rënë, ranë dëshmorë partizanët: Fane Koti nga Këllëzi i Gjirokastrës, Ismail Kaso nga Gorishti i Vlorës, Vito Stathi nga Hundëkuqi i Gjirokastrës, Elmaz Hamiti nga Garbiani i Vlorës, Asqeri Mushi nga Nepravishta e Gjirokastrës dhe mitraljeri Avdyl Kuka nga Kropishti i Vlorës. Më 5 qershor duke u gdhirë 6 qershori, të dy njësitë luftarake partizane, sulmuan në shkallë të gjerë pozicionet armike në Paraspuar, Tërpan e Zhitom. Vazhduan luftimet edhe të nesërmen, më 7 qershor, ndërsa më 8 qershor, partizanët u përleshën me nazistët në rajonin e Vokopolës. Në luftimet e 6, 7 e 8 qershorit, nga partizanët e Brigadës XII, ranë dëshmorë komandanti i Kompanisë së 3 – të të Batalionit të 3 – të Elmaz Ymeri nga Kremenari i Fierit, Virtyt Dino nga Libohova dhe mitralieri Heto Hania nga Konispoli. Më 9 qershor Brigada XII zhvilloi luftime të ashpra me kolonën gjermane (që i doli mbrapa shpine nga ‘Qafa e Martës’ e ‘Tenda e Qypit’) në ‘Qafën e Gllavë’s, ‘Qafën e Kiçokut’ dhe Malin e Trebeshinës, duke i detyruar këto forca të ktheheshin mbrapa në thellësi e veri të fshatrave Bubës e Bllaban të Dëshnicës. Në këto luftime u vranë mbi 50 – 60 ushtarë e oficerë nazistë të Grupeve të luftimit “Hirshfled” dhe “Burgmaister”. Nisur nga situata e krijuar, Shtabi i Brigadës vendosi që brigada të kalonte në të majtë të lumit Vjosa dhe në Kurveleshin e Sipërm. Më 10 qershor zhvillohen luftime të përgjakshme me pushtuesit në Arrëz të Vogël, rreth 3 km nga ‘Qafa e Kiçokut’. Bien dëshmorë në fushën e betejës partizanët Ramiz Myrtaj dhe Ramadan Graçani. Zhvillohen luftime me nazistët edhe në kodrat e Marikajt, të Martallozit e të Luftinjës, të Zhabokikës e gjer në kodrat e Maricës dhe të zonës së Toçit. U sigurua kalimi me sukses i lumit Vjosa nga të gjitha forcat e Brigadës XII.

Gjatë fazës së dytë të Operacionit të Qershorit, 11 – 30 qershor, Brigada XII Sulmuese në bashkëveprim me Brigadën VI S dhe me forcat e Zonës I Operative dhe disa forca të Brigadës VII S e Brigadës III S, u ndesh në mënyrë të vazhdueshme me forcat e shumta armike në krahinat e Tepelenës dhe të Kurveleshit.

Brigada XII në bazë të urdhrit të Komandës së Përgjithshme, më 2 korrik 1944, shkëmbeu zonën e veprimit me Brigadën VI, u vendos në sektorin Vlorë – Kurvelesh – Bregdet. Nga 17 – 27 korrik forcat e brigadës goditen nazistët e garnizonit në Kalanë e Borshit, të garnizonit të Vajzës dhe të garnizonit të vendosur në Spile – Himarë si dhe në rajonet: Çorraj, Qafa e Gjiri i Dushkut, Dukaj të Tepelenës dhe në zonat Qeparo – Ura e Palasës dhe Qafa e Llogarasë – Drashovicë – Mavrovë. Në këto luftime ranë dëshmorë dy komandant kompanie, Llambro Sheti nga Vunoi dhe Osman Beshiri nga Gorishti i Vlorës. Më 28 – 29 korrik 1944, partizanët e Brigadës XII, në bashkëpunim edhe me forcat britanike, zhvillojnë luftime kundër garnizonit gjerman të Spilesë në Himarë. Së bashku me partizanët u bashkuan edhe banorët e Himarës. Garnizoni nazist shpartallohet. Më 28 korrik 1944 çlirohet Himara nga Brigada XII. Brigada XII, nga 29 korriku deri më 19 gusht, i jep goditje armikut rreth xhadesë Vuno – Himarë, në rajonet Porto – Palermo, Vuno – Ilias – Dhërmi, Mavrovë – Vodicë, Kropisht – Treblovë, në rrugën Borsh – Sarandë, sulmon qendrat e fortifikuara të armikut në Mavrovë, Vodicë, Qafa e Buallit, Maja e Shtares, Kaninë, godit armikun në Lubonjë, Armen e Penkovë, Mekat, Llakatund, Bunavi, Beshisht, Trevëllazër, zhvillon luftime në zonën Dukat – Tragjas – Radhimë. Më 17 – 18 shtator, Brigada XII dhe Brigada XIV, sulmojnë e detyrojnë forcat gjermane të largohen nga Kalaja e Borshit. Po këto dy brigada, më 22 shtator, sulmojnë dhe u shkaktojnë disfatë të plotë gjermanëve në Grykën e Kakomesë të Sarandës. Më 11 tetor 1944, brigadat partizane XII, XIV dhe XIX, në bashkëpunim me komandot britanike Nr.40 dhe Nr.2 çliruan nga pushtuesit gjermanë qytetin e Sarandës dhe Delvinës. Luftimet filluan më 9 tetor, datë kur forcat e Brigadës XIV sulmuan gjermanët në Vremero, në Qafën e Gjinos dhe në Vrion, ndërsa forcat e Brigadës XII u përqëndruan dhe zhvilluan luftime me nazistët nga Qafa e Hamalloit drejt Manastirit “40 shenjtorët” dhe prej rrugës automobilistike në drejtim të Gjashtës. “Forcat e Brigadës XII dhe XIV sulmojnë me furi përqendrimet gjermane në Sarandë, në Kodrën e Manastirit, në Qafën e Gjashtës, Vremero, Vrion dhe Ura e Shesuanit”, – thuhet në komunikatën e 9 tetorit 1944 të Shtabit të Brigadës XII. Ndërkohë, nga Qafa e Muzinës deri në kodrat në jug të Sarandës, bënte presion mbi nazistët dhe ballistët Brigada XIX. Edhe të nesërmen, më 10 tetor, Brigada XIV zhvilloi luftime të ashpra edhe në kodrat e Gjashtës dhe të Metoqit. Aleatët anglezë qëlluan me artileri nga deti në Malin e Sarandës dhe në Zonën e Qafës së Gjashtës, ndërsa të nesërmen, më 10 qershor, zbarkuan në Sarandë e Kakome, vendosën artilerinë në Qafën e Shënvasisë dhe Fushën e Borshit dhe, prej këndej, qëlluan Urën e Kalasës, Haliqet e Nivicës dhe Vremeronë. Në mëngjesin e 11 tetorit partizanet kalojnë në sulm mbi të gjithë sektorët e përqendrimit të armikut. Të ashpra ishin sidomos luftimet në Qafën e Gjashtës. Garnizoni gjerman detyrohet të largohet, nuk përballon dot luftëtarët e UNÇSH. Çlirohet Saranda. Po atë ditë trupat hitleriane, pasi lanë 50 të vrarë dhe 150 robër në luftimet e 9 – 11 tetorit, largohen edhe nga Delvina. Ranë heroikisht në luftë me pushtuesit 11 dëshmorë të Atdheut: Ali Zaçe, Anife Meta, Filo Faslliu, Idriz Mici, Isa Zhuli, Kiço Gjoni, Llambi Gjini, Sefer Koshi, Sinan Ballaci, Thanas Jorgji, Demo Zeqiri.

Brigada VII Sulmuese – pararoja e sulmeve për çlirimin e vendit

Pas çlirimit, më 11 tetor 1944 të qytetit të Sarandës, Brigada XII Sulmuese, mori urdhër nga Komanda e Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, në atë kohë me seli në Odriçan të Përmetit, të çlirojë sa më shpejt edhe Vlorën, ashtu siç mori urdhër disa ditë më parë po nga Odriçani edhe për çlirimin e Sarandës. Forcat gjermane ishin vendosur nëpër garnizonet përreth qytetit të Vlorës. Partizanët e tri batalioneve të Brigadës XII, para sulmit u vendosën në kodrat rreth Kaninës dhe deri te Qafa e Koçiut e një pjesë deri afër kodrave të Kusbabajt, në brigjet e Jonufrit e të Ujit të Ftohtë, në Majën e Topit, në rajonin Panaja – Oshtim – Cerkovinë, afër liqenit të Nartës dhe në kodrat pranë Urës së Mifolit. Në orën 24 të 14 tetorit partizanët kaluan në sulm mbi nazistët: batalioni i 1-rë sulmoi nga Kanina dhe goditi nazistët në kodrat e Kusbabajt, të cilët tërhiqen drejt Pusit të Mezinit, ndërsa batalioni i 2-të sulmon nga Qafa e Koçiut drejt qytetit të Vlorës dhe, batalioni i 3-të, sulmoi nazistët nga Qafa e Topit deri në Qafën e Koçiut, edhe nga këto rajone gjermanët tërhiqen e përqendrohen gjithashtu te Pusi i Mezinit. Më 15 tetor forcat e batalionit të 2-të të përqendruara pranë Ujit të Ftohtë sulmojnë nazistët gjatë xhadesë dhe nuk i lejojnë ata të hedhin në erë Stacionin e Pompave të Ujit të Ftohtë nga furnizohej qyteti i Vlorës. Forcat e batalionit të 3-të u ndeshën me armiqtë edhe ndërmjet fshatrave Oshtimë e Cerkovicë dhe buzë liqenit të Nartës. Nazistët nga sulmet e partizanëve të Brigadës XII dhe të forcave territoriale të Qarkut të Vlorës, mbasi lanë jo më pak se 100 të vrarë, u detyruan të largohen nga Vlora: një pjesë u larguan drejt Portit të Vlorës, ku hipën me shpejtësi në anijet e tyre luftarake, një pjesë iku me nxitim rrugës anës detit drejt liqenit të Nartës për të dalë në Mifol, ndërsa forcat e motorizuara u larguan drejt rrugës automobilistike Vlorë – Fier. Në mëngjesin e 15 tetorit partizanët hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës. U çlirua Vlora e Ismail Qemalit nga partizanët e Brigadës XII dhe forcat territoriale të Qarkut të Vlorës. Më 20 tetor 1944 forcat e Brigadës XII çliruan edhe ishullin e Sazanit. Brigada XII nga Vlora kalon në Lushnjë. Qëndron 2-3 ditë dhe në këto ditë organizohet edhe Batalioni V i Brigadës XII. Më 10 nëntor Brigada vendoset buzë lumit Shkumbin dhe, nga 11 – 13 nëntori, zhvillon luftime të ashpra kundër trupave naziste të autokolonës që tërhiqej gjatë rrugës Elbasan – Peqin – Durrës. Të ashpra ishin sidomos luftimet e zhvilluara në lindje të Peqinit. Në këto luftime armiku pati shumë të vrarë, ushtarë dhe oficerë, por edhe nga luftëtarët e lirisë ranë në fushën e betejës 9 dëshmorë: Braho Sako, zv/komisar batalioni, nga Gjirokastra, Hysen Kalemi, komisar kompanie, nga Mërtinji i Përmetit, Jorgo Rizo, komisar kompanie, nga Nokova e Gjirokastrës, Shefit Fetiu nga Hekali i Fierit, Labo Kerma nga Progonati i Kurveleshit, Laver Binaj nga Sevasteri, Petro Panajoti, Sokrat Duni e Milo Makoçi, të tre nga Dhërmiu i Himarës. Elbasani u çlirua, më 11 nëntor; Peqini, më 13 nëntor dhe, më 14 nëntor 1944, forcat e Brigadës XII së bashku me forca të tjera partizane çliruan qytetin e Durrësit.

Më 28 Nëntor 1944 në Tiranën e çliruar parakalojnë brigada të UNÇSH përpara Qeverisë Demokratike dhe përpara popullit trim të Tiranës. Brigada XII parakalon e 4-ta ndër 6 brigadat e UNÇSH që parakaluan në Tiranë në Ditën e Pavarësisë. Më 10.10.1944 Brigada XII u inkuadrua së bashku me Brigadën XIV dhe Brigadën XIX në Divizionin III, ndërsa më 18.11.1944 u inkuadrua së bashku me Brigadën X dhe Brigadën XV në Divizionin I të UNÇSH. Në ditën e çlirimit të Atdheut efektivi i Brigadës XII arriti në 1250 luftëtarë, nga të cilët, 108 luftetarë ranë dëshmorë për çlirimin e Atdheut.

LANÇ – i në Shqipëri përfundoi 161 ditë më parë se të përfundonte Lufta II Botërore në Evropë

Akti i kapitullimit ushtarak pa kushte i Gjermanisë u nënshkrua, më 7 maj dhe u nënshkrua përsëri i modifikuar, më 8 maj 1945. Si datë e fitores mbi fashizmin në histori ka hyrë 9 Maji 1945. E vetmja luftë që nuk kishte përfunduar, ishte lufta kundër japonezëve, e cila përfundoi pas hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe në Nagasaki. E para u hodh, më 6 gusht në Hiroshima dhe shpërtheu në 600 m lartësi, ndërsa e dyta u hodh më 9 gusht në Nagasaki dhe shpërtheu 450 m mbi tokë. U vranë 129000 veta në Hiroshima dhe 226000 veta në Nagasaki. Me këto dy bomba përfundoi dhe lufta Japoni – SHBA. Më 2 shtator 1945 në bordin e koracatës “Missuri” u nënshkrua dokumenti zyrtar mbi kapitullimin e Japonisë. Hapësira kohore e Luftës II Botërore, ndoshta është më e saktë nga 7 prilli 1939 deri më 2 shtator 1945. Antifashizmi është vlerë e shenjtë e Njerëzimit.